Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me qindra mijëra fletëvotimi me postë refuzohen nga zyrtarët zgjedhorë për një larmi arsyesh, që nga mbërritja e tyre me vonesë, tek mungesa e firmës në zarf.
Por këtë vit, kur më shumë se gjysma e amerikanëve kanë votuar më herët ose me postë, janë refuzuar edhe më shumë fletëvotime, duke ngritur pikëpyetje rreth të drejtës për të votuar, si dhe nxitur shqetësime për pasiguri paszgjedhore në ato shtete, të cilat mund të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, si Florida apo Xhorxhia. Në këto shtete sipas anketave të deritanishme, të dy kandidatët, Donald Trumpin dhe Joe Biden, janë mbërthyer në një garë të ngushtë mes tyre.
Ndërsa Florida dhe Xhorxhia nuk publikojnë të dhëna mbi numrin e votave të refuzuara para zgjedhjeve, dy akademikë, profesori i kolegjit Dartmouth, Michael Herron dhe profesori i universitetit të Floridës, Daniel Smith kanë analizuar të dhënat zyrtare të shteteve lidhur me votat e hedhura me postë, për të llogaritur numrin e votave në rrezik për t’u refuzuar.
Në Florida, nga 3.8 milionë vota me postë të hedhura deri më tani, më shumë se 15,000 mund të refuzohen, pra rreth 0.4 për qind e tyre, sipas profesorëve Herron dhe Smith. Në Karolinën e Veriut, shkalla e refuzimit është edhe më e lartë. Prej 25 tetorit nga më shumë se 780 mijë fletëvotime të postuara në këtë shtet, më shumë se 10 mijë përballen me një refuzim të mundshëm, një normë skualifikimi prej rreth 1.3 për qind, sipas gjetjeve të studimit.
Votuesit e komuniteteve pakicë
Ashtu si në disa procese të fundit zgjedhore, votuesit e komuniteteve pakicë po përballen me më shumë refuzime të votës së tyre, sesa amerikanët e bardhë. Sipas gjetjeve të studiuesve në Karolinën e Veriut për shembull, votat e afro-amerikanëve kishin tre herë më shumë gjasa të skualifikoheshin, sesa ato të amerikanëve të bardhë.
Kjo është diçka që demokratët mund ta përdorin si bazë ankimimi atje ku rezultati është i ngushtë.
Por jo çdo fletëvotimi e konsideruar me mangësi do të refuzohet automatikisht. Në të dy shtetet, si në shumë të tjera, votuesve u jepet një mundësi për t’i korrigjuar gabimet në fletët e tyre të votimit.
“Do të ishte e parakohshme në këtë moment të dilnim në përfundimin se fletëvotimet e kthyera janë refuzuar nga bordi vlerësues dhe nuk janë llogaritur“, thotë Mark Ard, drejtori i përkohshëm i Komunikimit për Departamentin e Shtetit të Floridës.
Në Karolinën e Veriut, zyrtarët kanë filluar të kontaktojnë votuesit me pasaktësi në fletëvotimi, thotë Patrick Gannon, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Bordin Shtetëror të Zgjedhjeve të Karolinës së Veriut.
“Një votues i cili nuk ka kohë për ta korrigjuar fletët e votimit mund të votojë fizikisht gjatë periudhës së hershme të votimit deri më 31 tetor ose në ditën e zgjedhjeve“, thotë zoti Gannon në një përgjigje me email.
Në pamje të parë, numri i fletëve të votimit në Florida dhe Xhorxhia të klasifikuara për t’u refuzuar duket i vogël. Sidoqoftë, në Florida dhe Xhorxhia, si dhe në shtetet e tjera ku historikisht rezultati zgjedhor ka qenë tejet i ngushtë, ndonjëherë 10,000 vota mund të jenë përcaktuese për fituesin.
Diferenca në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush (i cili u shpall në fund fitues) dhe demokratit Al Gore zbriti në 537 vota në Florida. Sipas studiuesve edhe gjatë zgjedhjeve paraprake për Senatin në Florida në vitit 2018, republikani Rick Scott fitoi me vetëm 10,033 vota.
Ndërsa në ditë e ardhshme priten të mbërrijnë edhe më shumë fletëvotime me postë, numri i votave të refuzuara nga zyrtarët zgjedhore ka të ngjarë të rritet, në disa raste duke tejkaluar potencialisht diferencën mes kandidatit fitues dhe atij humbës në garat me një rezultat të ngushtë qoftë për president, për një vend në Kongres,.
“Ky është një skenar që shkakton vërtet makth kur rezultati është i gushtë dhe numri i votave të refuzuara (ose të shpallura si të pavlefshme) është më i madh sesa diferenca mes dy kandidatëve“, thotë zoti Herron në një intervistë.
Deri të mërkurën 49 milionë amerikanë kishin votuar me postë, sipas një vlerësimi nga organizata “Projekti i Zgjedhjeve”, që jep të dhëna mbi zgjedhjet në SHBA.
Zoti Herron dhe zoti Smith i botuan fillimisht gjetjet e tyre tek “The Conversation”, një publikim me studime e analiza nga ekspertë e akademikë. Ata ndanë me Zërin e Amerikës edhe më shumë të dhëna lidhur me Floridën dhe Karolina e Veriut.
Betejat gjyqësore
Çështja se si do të trajtohen fletëvotimet që kanë probleme me firmat dhe se sa ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit do të lejohet pranimi i fletëvotimeve që të quhen të vlefshme për t’u numëruar, ka qënë prej muajsh objekt i betejave gjyqësore mes republikanëve e demokratëve në të gjithë vendin. Në kushtet kur më shumë demokratë sesa republikanë kanë zgjedhur të votojnë me postë, republikanët kanë kërkuar ndërhyrje të gjykatës, me shkallë të ndryshme suksesi, për të mos lejuar që fletëvotimet që vijnë me vonesë të konsiderohen për t’u numëruar.
Në javët e fundit, Gjykata e Lartë amerikane e kontrolluar nga konservatorët vendosi kundër përpjekjeve për të ndryshuar procedurat zgjedhore, përfshirë afatet e mbërritjes së fletëvotimeve, duke u bazuar tek një doktrinë, sipas së cilës, rregullat zgjedhore nuk duhet të ndryshohet shumë pranë procesit zgjedhor.
Më 19 tetor, para se të konfirmohej e emëruara më e fundit e zotit Trump për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, gjykatësit u ndanë në një votim 4 me 4 lidhur me planin e Pensilvanisë për të numëruar votat që mbërrijnë deri në tre ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit) edhe nëse nuk kanë një vulë postare të mund të shihet qartë.
Të mërkurën, gjykasit refuzuan të ndjekin me procedura të përshpejtuara një ankim të ri nga ana e republikanëve ndaj afatit të zgjatur të numërimit të votave për Pensilvaninë.
Por në fillim të kësaj jave, në një vendim që u pa si kthim pas për demokratët, Gjykata e Lartë bllokoi një plan të Uiskonsinit për të numëruar fletëvotimet që vijnë me postë deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit).
Hans von Spakovsky, bashkëpunëtor ligjor i organizatës “Heritage Foundation” në Uashington, tha se fletëvotimet me postë që shpallen të pavlefshme mund të shërbejnë si shkak për ankimime pas procesit zgjedhor.
“Dyshoj se mund të kemi vonesa të mëdha në numërimin e votave nëse ka një rritje të konsiderueshme të fletëvotimeve në mungesë (kur zgjedhësit nuk shkojnë fizikisht në qendrat e votimit). Mendoj se mund të ketë çështje gjyqësore mbi refuzimin e votave në mungesë të cilat nuk pajtohen me ligjin e shtetit“, tha në një intervistë von Spakovsky, një ish-anëtar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve.
Historikisht, më pak se 1 për qind e votave në mungesë refuzohen ose shpallen të pavlefshme për shkak të gabimeve administrative. Por në kushtet kur një numër rekord njerëzish po votojnë me postë këtë vit, shumë prej të cilëve votues për herë të parë, të paktën 1 milion vota mund të shpallen të pavlefshme, sipas një parashikimi të fundit nga një hulumtim i përbashkët i gazetës USA Today, projektit “Columbia Journalism Investigations” në universitetin Columbia dhe programit “Frontline” të rrjetit televiziv PBS.
Gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, më shumë se 550 mijë fletëvotime me postë janë konsideruar të pavlefshme në 30 shtete, shumë më tepër sesa gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016, sipas një analize të muajit gusht të organizatës mediatike NPR. Në pjesën më të madhe kjo ndodhi sepse shtetet ishin të papërgatitura për rritjen e votimeve me postë gjatë pandemisë, vë në dukje Tammy Patrick, një ish-zyrtare e zgjedhjeve në Arizona, i cila aktualisht punon me fondacionin Fondi për Demokraci.
Megjithatë në muajt që pasuan zgjedhjet paraprake, shumë shtete kanë miratuar një numër praktikash më të mira votimi përmes postës, ndryshime që ka të ngjarë të zvogëlojnë numrin e fletëve të votimit të refuzuara, thotë zonja Patrick.
“Ata i kanë rishikuar udhëzimet e tyre mbi votimin, kanë rimodeluar zarfet e votimit dhe kanë adoptuar praktika si gjurmimi i votave”, thotë zonja Patrick.
Tashmë votuesit mund të kontrollojnë statusin e tyre të votimit në internet dhe në të paktën 19 shtete bëhen njoftime kur fletët e votimit kanë nevojë të korrigjohen.
Në Kolorado, votuesit me mangësi në fletët e tyre të votimit njoftohen me mesazh në telefon dhe u lejohet ta korrigjojnë gabimin përmes telefonit. Si rezultat, thotë zonja Patrick, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme do të refuzohen më pak vota.
“Shifra mund të jetë pak më e lartë se zgjedhjet tradicionale presidenciale sepse do të ketë shumë votues të rinj, por shpresoj se nuk do të shohim të njëjtat shifra që pamë në zgjedhjet paraprake“, thotë zonja Patrick.
Sidoqoftë ajo që nuk mund të parashikohet është çështja e numrit të fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve. Ndërsa disa shtete i kanë zgjatur afatet e tyre për të pranuar vota për t’u llogaritur në numërim, 32 shtete, përfshirë Floridën, nuk i pranojnë fletëvotimet që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve, duke u dhënë votuesve pak kohë për të korrigjuar fletët e tyre të votimit. Karolina e Veriut i pranon fletëvotimet deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve, nëse ato kanë një vulë postare që daton më 3 nëntor, ose para kësaj date. Republikanët i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë t’i bllokojë këto plane.
“Mendoj se pyetja më e rëndësishme për të cilën nuk ka përgjigje është se sa fletëvotime do të mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve“, thotë zoti Herron.
/VOA/