Zhvillimi i vaksinave Covid-19 nuk u ndikua nga mutacionet në virus”. Kështu deklaroi Tian Baoguo, zyrtar i Ministrisë kineze të Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë një konference shtypi në Pekin.
Sipas tij, Kina i ka kushtuar vëmendje të madhe aspektit të mutacionit të virusit dhe ka angazhuar më shumë se 30 institute kërkimore në të gjithë vendin për të kryer studime monitorimi, shkruan “Xinhua”.
Tian tha se gati 150.000 sekuenca gjenomike të koronavirusit janë futur në bazën e të dhënave globale, duke mbuluar më shumë se 100 vende dhe rajone.
Tian shpjegoi se një analizë e më shumë se 80.000 sekuencave gjenomike me cilësi të lartë tregoi se virusi nuk shfaq shumë variacione dhe se këto nuk kanë ndonjë ndikim thelbësor në zhvillimin e vaksinave.
Sakaq, pothuajse 60 mijë vullnetarë në Kinë janë vaksinuar deri tani kundër COVID-19 dhe asnjë nuk ka pasur efekte të rënda negative, tha në një konferencë për shtyp Tian Baoguo, zyrtar nga Ministria kineze e Shkencës dhe Teknologjisë.
Ai tha për mediet se tani Kina ka zhvilluar një total prej 13 vaksinash që ndodhen në fazat klinike.
Midis tyre, katër vaksina kandidate për vektorë adenoviral dhe vaksina inaktive kanë hyrë në provat klinike të fazës së 3-të me vullnetarë në dhjetë vende.
Kina pritet të prodhojë 610 milionë doza vaksinash COVID-19 deri në fund të këtij viti, tha Zheng Zhongwei, kreu i grupit kinez të zhvillimit të vaksinave, duke shtuar që prodhimi do të rritet vitin e ardhshëm.