Këto janë lajmet kryesore për ecurinë e koronavirusit në botë.
Njëqind shkencëtarë i shkruajnë presidentit italian, Sergio Mattarella: “Na duhen masa drastike ”
‘Masa drastike në 2 ose 3 ditët e ardhshme për të shmangur qindra vdekje në ditë nga Covid në Itali’ ky është apeli i nisur sot nga mbi njëqind shkencëtarë Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella dhe Kryeministrit, Giuseppe Conte.
“Si shkencëtarë, studiues, profesorë universiteti, ne besojmë se është e drejtë dhe urgjente të shprehim shqetësimin tonë më të thellë në lidhje me fazën aktuale të përhapjes së pandemisë Covid-19”, shkruajnë studiuesit, duke iu referuar vlerësimeve nga fizikani Giorgio Parisi, sipas të cilave dyfishimi i vdekjeve që po raportohen çdo javë mund të çojë shpejt në 400-500 vdekje në ditë.
Athina vendos shtetrrethimin në zonat më të prekura
Qeveria Greke ka vendosur një shtetrrethim gjatë natës në zonat më të prekura nga pandemia. Po kështu ka bërë të detyrueshme përdorimin e maskave në të gjitha hapësirat publike si jashtë ashtu edhe brenda si masë për të frenuar infeksionet. Në një mesazh kryeministri Kiriakos Mitsotakis tha se muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Nga nesër shtetrrethimi do të jetë në fuqi nga mesnata deri në 05.30 në të gjitha zonat e klasifikuara si “portokalli” dhe “të kuqe”. Masa do të prekë një total 5.7 milion njerëz, mbi gjysmën e popullsisë.
Turqia në alarm. Në Stamboll, rastet rriten me 40%
Infeksionet po rriten kudo në Turqi, ky është alarmi i dhënë nga Ministri i Shëndetësisë i Ankarasë, Fahrettin Koca, pasi rastet e reja me Covid arritën kulmin që prej 6 majit. Dje u regjistruan 2,102 raste të konfirmuara por pa marrë parasysh pacientë pozitivë por asimptomatikë, informon dritare.net. Sipas ministrit, qyteti i Bursa, një qendër e rëndësishme industriale në veri-perëndim, po përjeton “ditët më kritike që nga fillimi i epidemisë”, ndërsa situata më serioze është në Stamboll, ku rastet janë rritur me 40%.
Koreja e Veriut lëshon paralajmërimin: Pluhuri i verdhë sjell Covid
Koreja e Veriut ka paralajmëruar qytetarët e saj të qëndrojnë në shtëpi nga frika se “pluhuri i verdhë” nga Kina mund të sjellë Covid. Të mërkurën, rrjeti shtetëror KCTV raportoi mbërritjen e pluhurit të verdhë në ditët e ardhshme dhe rrezikun për koronavirusin. Në rang kombëtar janë ndaluar ndërtimet dhe aktivitet në natyrë, informon dritare.net. Pluhuri i verdhë i referohet rërës nga shkretëtirat kineze që fryn në Korenë e Veriut dhe atë të Jugut në kohë të caktuara të vitit. Megjithatë deri më tani, rreziku nuk është konfirmuar shkencërisht.
Holanda transferon në Gjermani pacientët me koronavirus
Holanda është ndër shtetet më të prekura nga vala e dytë e pandemisë, me rreth 9,300 infeksione të reja në 24 orë. Spitalet janë tejmbushur, ndaj pacientët janë transferuar për shërbim të specializuar në Gjermani.
Polonia, e gjitha zonë e kuqe
13.632 raste të reja u raportuan dje në Poloni. E gjithë Polonia është bërë zonë e kuqe. Janë ndaluar grupimet me më shumë se 5 persona, për dy javë restorantet do të mbyllen po kështu edhe një pjesë e shkollave. Në Indi numri i rasteve të konfirmuara ka shkuar në 7.7 milionë ndërsa numri i vdekjeve në 117 mijë. Në Rusi janë raportuar 17 mijë raste të reja dhe 283 viktima. Ndërsa Gjermania sërish ka regjistruar shifra shumë të larta. Në orët e fundit janë konfirmuar 11.242 raste të reja.