Nga Daniel Ryser (Republik.ch)
Një intervistë e jashtëzakonshme me Profesor Nils Melzer, Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për Torturat dhe Trajtimet ose Dënimet e Tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese për rastin e Julian Assange.
Një akuzë për përdhunim me prova të trilluara në Suedi, presion nga Mbretëria e Bashkuar për të mos pushuar çështjen, një gjyqtar i njëanshëm, paraburgim në një burg të sigurisë së lartë, tortura psikologjike – dhe së shpejti ekstradim në SHBA, ku ai mund të përballet me 175 vite burg. Për herë të parë, Raportuesi Special i KB për Torturat, Nils Melzer, flet me hollësi për gjetjet shpërthyese të hetimit të tij në rastin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange.
- Policia Suedeze sajoi një histori përdhunimi
Ryser: Nils Melzer, pse Raportuesi Special i KB për Torturat është i interesuar për Julian Assange?
Melzer: Këtë pyetje ma bëri edhe Ministria e Jashtme gjermane kohët e fundit: A është Julian Assange me të vërtetë mandati juaj kryesor? A është Assange viktimë e torturës?
Ryser: Cila ishte përgjigjja juaj?
Melzer: Çështja bie plotësisht nën mandatin tim në tre mënyra të ndryshme: Së pari, Assange publikoi provën e torturës sistematike. Por në vend të atyre që janë përgjegjës si shkaktar të torturave, është Assange që po përndiqet. Së dyti, ai vetë është keqtrajtuar deri në atë pikë sa tani po shfaq simptoma të torturave psikologjike. Dhe së treti, ai do të ekstradohet në një vend që njerëzit si ai i mban në kushte të atilla burgu, të cilat Amnesty International i ka përshkruar si tortura. Në përmbledhje: Julian Assange që i zbuloi torturat, është torturuar vetë dhe mund të torturohet për vdekje në Shtetet e Bashkuara. Dhe një rast si ai nuk duhet supozohet të jetë pjesë e fushës time të përgjegjësisë?! Përtej kësaj, çështja ka një rëndësi simbolike dhe prek çdo qytetar të një vendi demokratik.
Ryser: Pse nuk e morët çështjen shumë më herët?
Melzer: Imagjinoni një dhomë të errët. Papritmas, dikush e ndriçon dhomën: një elefant është në mes të saj – domethënë kriminelë të luftës dhe korrupsionit. Assange është një njeri në qendër të vëmendjes. Qeveritë janë nën shok, por më pas ato e përmbysin situatën me akuza për përdhunim. Kjo është një manovër klasike kur bëhet fjalë për manipulimin e opinionit publik. Elefanti edhe një herë zhduket në errësirë, larg vëmendjes së publikut të gjerë. Dhe Assange bëhet fokusi kryesor i vëmendjes, dhe ne fillojmë të flasim nëse Assange po bën skateboard në ambasadë apo nëse ai po e ushqen si duhet macen e tij. Papritmas, të gjithë e dimë se ai është një përdhunues, një haker, një spiun dhe një narcisist. Ndërsa ndodhin këto, abuzimet dhe krimet e luftës që ai zbuloi zhduken në errësirë. Unë gjithashtu humba fokusin tim, pavarësisht nga përvoja ime profesionale, e cila duhet të më bënte të isha më vigjilent.
Ryser: Le t’ia nisim nga fillimi: Çfarë ju shtyu të merreni me çështjen e Assange?
Melzer: Në dhjetor 2018, unë u kontaktova nga avokatët e tij, ku ata më kërkuan që të ndërhyja. Fillimisht nuk pranova. Isha i mbingarkuar me peticione të tjera dhe nuk isha vërtet i njohur me çështjen. Përshtypja ime, e ndikuar kryesisht nga media, ishte gjithashtu e ngjyrosur nga paragjykimet, se Julian Assange ishte disi fajtor, dhe se ai donte të më manipulonte. Në Mars të vitit 2019, avokatët e tij më kontaktuan për herë të dytë, sepse po shtoheshin indikacionet se Assange së shpejti do të dëbohej nga Ambasada Ekuadoriane. Ata më dërguan disa dokumente thelbësore, si dhe një përmbledhje të çështjes. Unë kuptova që integriteti im profesional kërkonte që të paktën t’i hidhja një sy materialit.
Ryser: Dhe pastaj?
Melzer: Shumë shpejt u bë e qartë për mua se diçka nuk ishte në rregull. Se ekzistonte një kontradiktë që nuk kishte kuptim për mua me përvojën time të gjerë juridike: Pse një person do t’i nënshtrohej nëntë vite me rradhë një hetimi paraprak për përdhunim pa u ngritur u zyrtarizuar asnjëherë akuza?
Ryser: A është e pazakontë kjo?
Melzer: Unë kurrë nuk kam parë një rast të krahasueshëm. Çdokush mund të shkaktojë nisjen e një hetimi paraprak kundër dikujt, thjesht duke shkuar në polici dhe duke akuzuar tjetrin për një krim. Megjithatë, autoritetet suedeze kurrë nuk ishin të interesuar për dëshminë e Assange. Ata me qëllim e lanë atë në harresë. Imagjinoni pak; të akuzoheni për përdhunim përgjatë 9,5 viteve, nga një aparat i tërë shtetëror dhe nga mediat e vëna në dispozicion, por pa t’u dhënë kurrë shansi për të mbrojtur veten, sepse kurrë nuk u ngrit një akuzë zyrtare kundër teje.
Ryser: Ju thoni se autoritetet suedeze kurrë nuk ishin të interesuar për dëshminë e Assange. Por media dhe agjencitë qeveritare përgjatë viteve kanë krijuar një pamje krejtësisht të ndryshme: Julian Assange, thonë ata, iu shmangë drejtësisë Suedeze.
Melzer: Kështu mendoja, derisa fillova të hetoj. E kundërta është e vërtetë. Assange raportoi tek autoritetet suedeze në disa raste sepse ai donte t’u përgjigjej akuzave. Por autoritetet e bllokuan.
Ryser: Çfarë po kuptoni me: «Por autoritetet e bllokuan?»
Melzer: Më lejoni t’ia nis nga fillimi. Unë flas rrjedhshëm suedisht, kështu që isha në gjendje të lexoja të gjitha dokumentet origjinale. Mezi po u besoja syve: Sipas dëshmisë së gruas në fjalë, përdhunimi nuk kishte ndodhur kurrë. Dhe jo vetëm kaq: Dëshmia e gruas u ndryshua më vonë nga policia e Stokholmit, pa përfshirjen e gruas, në mënyrë që ta bënin të tingëllojë disi si përdhunim i mundshëm. Unë i kam të gjitha dokumentet, emailet dhe mesazhet.
Ryser: «Dëshmia e gruas u ndryshua më vonë nga policia» – si ndodhi kjo saktësisht?
Melzer: Më 20 gusht 2010, në një Stacion Policie u paraqit një grua me emrin S. W. së bashku me një grua të dytë me emrin A. A. Gruaja e parë, S. W. tha se kishte pasur marrëdhënie seksuale konsensuale me Julian Assange, por ai nuk kishte përdorur prezervativ. Ajo tha se tani shqetësohej se mund të jetë infektuar me HIV, dhe se donte të dinte nëse mund ta detyronte Assange të bënte një test HIV. Ajo tha se ishte vërtet e shqetësuar. Policia, pasi mori deklaratën e saj, menjëherë informoi prokurorët publik. Edhe para se të përfundonte marrja e dëshmisë, S. W. u informua se Assange do të arrestohej nën dyshimin e përdhunimit. S. W. u shokua, dhe refuzoi të vazhdonte me tej me pyetjet e policisë. Ndërsa ishte ende në Stacion, ajo i shkroi një tekst – mesazh një shoku duke i thënë se ajo nuk donte ta inkriminonte Assange, por se ajo thjesht kerkonte që ai të bënte një test HIV, por policia me sa duket ishte e interesuar që «ta merrte në dorë».
Ryser: Çfarë do të thotë kjo?
Melzer: S.W. asnjëherë nuk e akuzoi Julian Assange për përdhunim. Ajo nuk pranoi të merrej në pyetje të mëtejshme dhe shkoi në shtëpi. Sidoqoftë, dy orë më vonë, një titull i madh u shfaq në faqen e parë të Expressen, një tabloid suedez, ku shkruhej se Julian Assange dyshohej se kishte përdhunuar dy gra.
Ryser: Dy përdhunime?
Melzer: Po, sepse ishte edhe gruaja e dytë, A. A. Ajo nuk donte të ngrinte akuza; sepse thjesht kishte shoqëruar S. W. në stacionin e policisë. Ajo as që u mor në pyetje atë ditë. Por ajo më vonë tha se Assange e kishte ngacmuar seksualisht. Nuk mund të them, sigurisht, nëse kjo është e vërtetë apo jo. Unë mund të tregoj vetëm rendin e ngjarjeve: Një grua hyn në një stacion policie. Ajo nuk dëshiron të bëjë një denoncim kundër Assange, por dëshiron vetëm që ai të bëjë një test HIV. Policia më pas vendos që kjo gjë mund të jetë një rast përdhunimi, dhe si e tillë është çështje e prokurorëve publik. Gruaja nuk pranon të shkojë sipas këtij versioni të ngjarjeve. Më pas ajo shkon në shtëpi, ku i shkruan një shoqes së saj se ajo nuk kishte asnjë qëllim të inkriminonte Assange, por policia dëshiron «të marrë në dorë» atë. Dy orë më vonë, çështja përfundon në gazetë. Siç u provua më vonë, prokurorët publik e rrodhën ngjarjen në shtyp – dhe ata e bënë këtë në mënyrë të njëanshme, pa e ftuar Julian Assange për të bërë një deklaratë. Dhe gruaja e dytë, ku sipas shtypit dyshohet se u përdhunua më 20 gusht, u mor në pyetje vetëm më 21 gusht.
Ryser: Çfarë tha gruaja e dytë kur u mor në pyetje?
Melzer: Ajo tha se e kishte vënë në dispozicion të Assange apartamentin e saj, që kishte ardhur në Suedi për një konferencë. Një apartament të vogël me një dhomë. Kur Assange ishte në apartament, ajo erdhi në shtëpi më herët sesa ishte planifikuar, duke i thënë atij se nuk ishte problem të flinin në të njëjtin shtrat. Atë natë, ata bënë seks konsensual, me prezervativ. Por ajo tha se gjatë seksit, Assange kishte grisur qëllimisht prezervativin. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë sigurisht që është një vepër seksuale – e ashtuquajtura «Stealthing». Por gruaja gjithashtu tha se e ka kuptuar vonë se prezervativi ishte i grisur. Kjo kontradiktë absolutisht duhej të ishte qartësuar. Nëse nuk e ke vënë re, atëherë nuk mund ta dini nëse tjetri e grisi me qëllim. Asnjë gjurmë e ADN-së së Assange ose A. A. nuk u zbulua në prezervativin që u paraqit si provë.
Ryser: Si u njohën të dy gratë me Assange?
Melzer: Ata nuk e njihnin vërtet njëri-tjetrin. A. A., ishte mikpritësja e Assange, dhe po i shërbente atij si sekretare për shtyp, ndërkohe që ata ishin takuar me S. W. në një eveniment, ku S. W. kishte veshur një triko rozë kashmiri. Me sa duket A. A. e dinte se Assange ishte i interesuar për një takim seksual me S. W., sepse në mbrëmje, ajo mori një tekst-mesazh nga një i njohur, që thoshte se ai e dinte që Assange po qëndronte në shtëpinë e saj, dhe se ai dëshironte të kontaktonte me Assange. A. A. u përgjigj: Me sa duket, në këtë moment Assange po fle me “vajzën e kashmirit”. Të nesërmen në mëngjes, S. W. foli me A. A. në telefon dhe tha që edhe ajo kishte fjetur me Assange, por ishte e shqetësuar se mos ishte infektuar me HIV. Ky shqetësim ishte me sa duket i vërtetë, sepse S.W. shkoi në një klinikë për konsultë. A. A. i sugjeroi S. W.: Le të shkojmë në polici – ata mund ta detyrojnë Assange të bëjë një test HIV. Megjithatë, gratë nuk shkuan në stacionin më të afërt të policisë, por në një stacion tjetër, ku një mikeshë e A.A-së punon si oficere policie – e cila më pas mori në pyetje SW, fillimisht në prani të AA, gjë e cila nuk është praktika e duhur. Megjithatë, deri këtu, i vetmi problem ishte njëlloj mungese profesionalizmi. Keqpërdorimi i qëllimshëm i rastit nga autoritetet ndodhi kur ata e shpërndanë dyshimin e përdhunimit përmes tabloidve, pa e diskutuar këtë me A.A. dhe S.W., për më tepër në kundërshtim me vet pretendimet e grave. Gjithashtu, autoritetet shkelën qartë ligjin Suedez kundër publikimit të emrave të viktimave ose autorëve të pretenduar (dyshuar) për rastet e veprave seksuale. Çështja erdhi në vëmendjen e kryeprokurorit publik, i cili, disa ditë më vonë pezulloi hetimin për përdhunim, me vlerësimin se dekleratat e S.W. janë të besueshme, dhe se asnjë përdhunim nuk kishte ndodhur.
Ryser: Por në të vërtetë, më vonë çështja mori hov të madh. Pse?
Melzer: Po, sepse shefi i oficeres që kishte marrë në pyetje S. W, i shkroj asaj një email, duke i kërkuar të rishkruaj edhe njëherë deklaratën.
Ryser: Çfarë u ndryshua nga gruaja police?
Melzer: Ne nuk e dimë saktësisht, sepse deklarata e parë u shkrua direkt në programin kompjuterik, dhe kjo nuk ekziston më. Ne vetëm e dimë që deklarata origjinale, sipas kryeprokurorit publik, nuk përmbante ndonjë indikacion se ishte kryer një krim. Në formën e redaktuar të saj, thotë se të dy kishin pasur marrëdhënie seksuale disa herë – konsensuale dhe me prezervativ. Por në mëngjes, sipas deklaratës së rishkruar, kur S. W. u zgjua, Assange u përpoq të penetronte pa prezervativ. Ajo e pyet atë: «A keni vënë prezervativ?» Ai thotë: «Jo». Pastaj ajo i thotë: «Shpresoj të mos kesh HIV» dhe e lejon atë të vazhdojë. Deklarata u redaktua pa përfshirjen e gruas në fjalë dhe nuk u nënshkrua kurrë nga ajo. Kjo është një provë e manipuluar, prej të cilës autoritetet suedeze më vonë ndërtuan një histori përdhunimi.
Ryser: Pse autoritetet suedeze do të bënin diçka të tillë?
Melzer: Koha është vendimtare: Në fund të korrikut, Wikileaks – në bashkëpunim me «New York Times», «Guardian» dhe «Der Spiegel» – botuan «Ditarin e Luftës Afgane». Kjo ishte një nga rrjedhjet më të mëdha në historinë e ushtrisë amerikane. ShBA kërkuan menjëherë që aleatët e saj të përmbytin (sulmojnë) Assange me çështje kriminale. Ne nuk jemi njohur me të gjithë korrespondencën, por Stratfor, një firmë konsulence për sigurinë që punon për qeverinë amerikane, i këshilloi zyrtarët amerikanë që të përmbytin Assange me të gjitha llojet e çështjeve penale, për 25 vitet e ardhshme.
- Assange kontakton disa herë me gjyqësorin suedez për të bërë një deklaratë – por ai refuzohet.
Ryser: Pse Assange nuk u përpoq të kontaktonte policinë suedeze për të dhënë versionin e tij?
Melzer: Ai e ka bërë këtë. E përmenda më herët.
Ryser: Atëherë ju lutem, shpjegojeni edhe njëherë.
Melzer: Kur Assange mësoi për akuzat e përdhunimit nga media, ai kontaktoi me policinë, në mënyrë që të mund të bënte një deklaratë. Pavarësisht se skandali ishte bërë publik, ai u lejua ta bëjë dekleratën nëntë ditë më vonë, vetëm pasi kishte rënë interesi i publikut. Ndërkohë, procedurat në lidhje me ngacmimin seksual të A. A. po vazhdonin. Më 30 gusht 2010, Assange u paraqit në stacionin e policisë për të bërë një deklaratë. Ai u mor në pyetje nga i njëjti polic që kishte urdhëruar rishikimin e deklaratës së dhënë nga SW. Në fillim të bisedës, Assange tha se ishte i gatshëm të bënte një deklaratë, por shtoi se ato që do të deklaronte para policisë, nuk dëshronte t’i shikonte në media. Kjo ishe e drejta e tij dhe policia i dha garanci se kështu do të veprohej. Por po atë mbrëmje, gjithçka ishte përsëri në gazeta. Kjo ka ardhur nga autoritetet, sepse autoritetet dhe askush tjetër nuk ishte i pranishëm gjatë marrjes në pyetje. Qëllimi ishte shumë i qartë: emri i Julian Assange duhej të përlyhej patjetër.
Ryser: Nga lindi historia, sipas së cilës Assange po kërkonte t’i shmangej drejtësisë suedeze??
Melzer: Ky version është prodhuar, por nuk është në përputhje me faktet. Po të ishte përpjekur të fshihej, ai nuk do të ishte paraqitur në stacionin e policisë me vullnetin e tij të lirë.
Në bazë të deklaratës së rishikuar nga S.W., u apelua kundër përpjekjes së prokurorit publik për të pezulluar hetimin, ndërkohë më 2 shtator 2010, procedimet për përdhunim rifilluan përsëri. Claes Borgström u emërua si përfaqësuesi ligjor kryesisht i dy grave. Borgström ishte partneri i firmës ligjore me ish Ministrin e Drejtësisë, Thomas Bodström, nën mbikëqyrjen e të cilit, shërbimi sekret suedez kishte kapur dy burra që SHBA-të i konsideronin të dyshimtë në mes të Stokholmit. Burrat u kapën dhe iu dorëzuan CIA-s pa asnjë proces gjyqësor, e cila vazhdoi t’i torturonte ata. Kjo tregon se çështja ka qartësisht sfond trans-Atlantik. Pas rifillimit të hetimit të përdhunimit, Assange tregoi në mënyrë të përsëritur përmes avokatit të tij se ai dëshironte t’u përgjigjej akuzave. Prokurori publik përgjegjës vazhdoi të vononte hetimet. Pretekstet ishin qesharake; nuk përputheshin me orare, ose zyrtari policor përgjegjës ishte i sëmurë. Tre javë më vonë, avokati i tij u kërkoi autoriteteve se Assange duhej të shkonte domosdoshmërisht në Berlin për një konferencë, duke i pyetur ata nëse ai ishte i lirë të udhëtonte. Zyra e prokurorit publik i dha atij leje me shkrim që të largohej nga Suedia vetëm për periudha të shkurtra kohore.
Ryser: Pastaj?
Melzer: Çështja është: në ditën që Julian Assange u largua nga Suedia, në një moment, në kohën kur nuk ishte e qartë nëse ai do të largohej për pak apo për shumë kohë, u lëshua një urdhër për arrestimin e tij. Ai fluturoi me Scandinavian Airlines nga Stokholmi për në Berlin. Gjatë fluturimit, laptopët e tij u zhdukën nga bagazhet. Kur arriti në Berlin, Lufthansa kërkoi një hetim nga SAS, por linja ajrore me sa duket nuk pranoi të jepte asnjë informacion.
Ryser: Pse?
Melzer: Pikërisht ky është problemi. Në këtë rast, gjërat po ndodhin në vazhdimësi, ngjajnë të pamundura, nëse nuk i shikojmë nga një kënd tjetër. Sidoqoftë, Assange shkoi në Londër, por nuk kërkoi për asnjë moment t’i fshihej gjyqësorit. Përmes avokatit të tij suedez, ai u ofroi prokurorëve publik disa data të mundshme për t’u pyetur në Suedi – dhe kjo korrespondencë ekziston. Pastaj ndodhi e papritura: Julian Assange mori vesh se një çështje e fshehtë penale ishte hapur kundër tij në SH.B.A. Në atë kohë, kjo nuk u konfirmua SHBA-të, por sot ne e dimë se kjo kishte ndodhur. Që nga ai moment, avokati i Assange deklaroi se klienti i tij ishte i gatshëm të dëshmonte në Suedi, por duke kërkuar siguri diplomatike se Suedia nuk do ta ekstradonte atë në SHBA.
Ryser: Ishte ky një skenar realist?
Melzer: Absolutisht. Disa vjet më parë, siç e përmenda tashmë, Shërbim Sekret Suedez i kishte dorëzuar CIA-s dy azilkërkues, të dy të regjistruar në Suedi, pa asnjë procedurë ligjore. Abuzimi kishte filluar që në aeroportin e Stokholmit, ku ata u keqtrajtuan, u droguan dhe u dërguan në Egjipt, ku më pas u torturuan rëndë. Ne nuk e dimë nëse ato ishin të vetmet raste. Por ne jemi të vetëdijshëm se kjo ka ndodhur, sepse burrat mbijetuan. Më vonë, dy burrat paraqitën ankesa në Komitetin e KB për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe fituan çështjen e tyre. Suedia u detyrua të paguante për secilin prej tyre nga gjysmë milion dollarë dëmshpërblim.
Ryser: A i pranoi Suedia kërkesat e paraqitura nga Assange?
Melzer: Avokatët thonë se gjatë shtatë viteve që Assange jetoi në Ambasadën Ekuadoriane, ata bënë mbi 30 oferta për të mundësuar që ai të vizitonte Suedinë – në këmbim të një garancie që ai të mos ekstradohej në SH.B.A. Suedezët nuk pranuan kur të japin një garanci e tillë, duke argumentuar se SHBA nuk kishin bërë ndonjë kërkesë zyrtare për ekstradim.
Ryser: Cila është pikëpamja juaj për kërkesën e bërë nga avokatët e Assange?
Melzer: Garanci të tilla diplomatike janë një praktikë rutinë ndërkombëtare. Njerëzit kërkojnë siguri që ata nuk do të ekstradohen në vendet ku ekziston rreziku i shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut, pavarësisht nëse është paraqitur kërkesë ekstradimi apo jo. Kjo është një procedurë politike, por jo e rregulluar me ligj. Ja një shembull: Franca kërkon që Zvicra të ekstradojë një biznesmen kazak që jeton në Zvicër, por që kërkohet nga Franca dhe Kazakistani me akuza për evazion fiskal. Zvicra nuk sheh asnjë rrezik për torturë në Francë, por beson se një rrezik i tillë ekziston në Kazakistan. Pra, Zvicra i thotë Francës: Ne do ta ekstradojmë të kërkuarin tek ju, por duam siguri diplomatike se ju nuk do ta ekstradoni atë në Kazakistan. Përgjigja franceze nuk mund të jetë: «Kazakistani nuk ka paraqitur kërkesë për ekstradim!» Përkundrazi, ata me siguri do të jepnin një garanci të tillë. Argumentet që vinin nga Suedia, në rastin më të mirë ishin të mangëta. Prandaj ata janë pjesë e saj. Askush, dhe unë e them këtë me forcë, bazuar në përvojën time të gjatë me praktikat standarde ndërkombëtare: Nëse një vend refuzon të ofrojë një garanci të tillë diplomatike, atëherë të gjitha dyshimet rreth qëllimeve të mira të vendit që kërkon ekstradimin, janë të justifikuara. Pse Suedia nuk e jep një garanci të tillë? Tek e fundit, nga perspektiva ligjore, SHBA-të nuk kanë asnjë lidhje me procedurat e drejtësisë suedeze.
Ryser: Pse Suedia nuk donte të ofronte një siguri të tillë?
Melzer: Ju thjesht duhet të shikoni se si po zhvillohej ngjarjet: Për Suedinë, kjo çështje nuk kishte asnjë lidhje me interesat e dy grave. Edhe pas kërkesës së Assange për garanci diplomatike se ai nuk do të ekstradohej në SHBA, ai përsëri donte të dëshmonte. Ai u tha autoriteteve suedeze: Nëse nuk mund të më garantoni se nuk do të ekstradohem, atëherë unë jam i gatshëm të merrem në pyetje në Londër ose përmes një videokonference.
Ryser: Por a është normale, apo edhe e pranueshme ligjërisht, që autoritetet suedeze të udhëtojnë në një vend tjetër për të marrë në pyetje një të pandehur?
Melzer: Ky është një tregues i mëtejshëm se Suedia kurrë nuk ishte e interesuar të gjente të vërtetën. Pikërisht për çështje të tilla penale, ekziston një traktat bashkëpunimi midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Suedisë, i cili parashikon që zyrtarët suedezë të mund të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar, ose anasjelltas, për të marrë në pyetje, ose ndryshe kjo procedurë të zhvillohet përmes videokonferencës. Gjatë periudhës kohore në fjalë, janë zhvilluar 44 seanca të tilla midis Suedisë dhe Anglisë. Vetëm në rastin e Julian Assange Suedia këmbënguli se ishte thelbësore që ai të paraqitej personalisht.
- Kur Gjykata e Lartë suedeze, më në fund, i detyroi prokurorët publikë e Stokholmit që të paraqisnin akuzat ose të pezullonin çështjen, autoritetet britanike kërkuan: “Mos guxoni ta bëni këtë!”
Ryser: Si është e mundur?
Melzer: Ekziston vetëm një shpjegim për gjithçka – refuzimi për të dhënë garanci diplomatike, si dhe refuzimi për ta pyetur atë në Londër: Ata donin ta arrestonin Julian Assange, në mënyrë që ta ekstradonin në SHBA. Numri i shkeljeve ligjore që kishte konsumuar Suedia vetëm brenda disa javësh gjatë hetimit penal paraprak ishte groteske. Këshilltari ligjor i grave, i caktuar nga shteti, u tha atyre se intepretimi i asaj që u kishte ndodhur, varej nga shteti suedez, jo prej vet atyre. Kur këshilltari i tyre ligjor u pyet për kontradiktat midis dëshmisë së grave dhe redaktimit nga nga zyrtarët publikë, këshilltari ligjor tha, duke iu referuar grave: «ah, por ato nuk janë avokate.» Për pesë vjet me rradhë prokuroria suedeze nuk e mori asnjëherë në pyetje Julian Assange për´përdhunimin e pretenduar, derisa avokatët e tij, më në fund, ia dolën në Gjykatën e Lartë Suedeze, të detyrojnë prokurorët publik të ngrejë akuzat zyrtare ose të mbyllin çështjen. Kur Suedia njoftoi Anglinë se ata mund të detyrohen të braktisin çështjen, britanikët përgjigjen me me shqetësim: “Mos guxoni ta bëni këtë!”
Ryser: A jeni serioz?
Melzer: Po, britanikët, ose më saktësisht Prokuroria e Mbretërisë Britanike, donte të ndalonte me çdo kusht Suedinë që të mos braktiste çështjen. Megjithatë, anglezët duhet të ishin të lumtur që më në fund nuk do të shpenzonin miliona për të mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm Ambasadën Ekuadoriane, për të parandaluar arratisjen e Assange.
Ryser: Pse britanikët ishin kaq të interesar që suedezët të mos e mbyllnin çështjen?
Melzer: Ne duhet të ndalojmë së besuari se kishte vërtet interes për hetim real rreth akuzave për vepër seksuale. Ajo që bëri Wikileaks ishte një kërcënim për elitën politike në SHBA, Britani, Francë dhe Rusi. Wikileaks publikoi informacione sekrete shtetërore. Dhe në këtë botë, madje edhe në të ashtuquajturat demokraci të pjekura, ku fshehtësia është kthyer në obsesion, kjo shihet si një kërcënim thelbësor. Assange e bëri të qartë se sot asnjë vend nuk është i interesuar për konfidencialitetin legjitim, por për mbylljen e informacionit të rëndësishëm që lidhet më krimin dhe korrupsionin. Merrni arketipin e Wikileaks rreth rrjedhjeve nga Chelsea Manning: E ashtuquajtura video «Vrasje Kolaterale». (Shënim: Më 5 Prill 2010, Wikileaks publikoi një video të klasifikuar nga ushtria amerikane e cila tregonte vrasjen e disa njerëzve në Bagdad nga ushtarët amerikanë, përfshirë dy punonjës të agjencisë së lajmeve Reuters). Si këshilltar ligjor për një kohë të gjatë i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe si delegat në zonat e luftës, mund t’ju them: Videoja padyshim dokumenton një krim lufte. Një ekuipazh helikopteri thjesht sharroi një tufë njerëzish. Mund të ndodhë që një ose dy nga këta njerëz të kishin një armë, por njerëzit e plagosur u shënjestruan qëllimisht. Ky është një krim lufte. «Ai është një i plagosur», mund të dëgjoni duke thënë një ushtar amerikan. «Po e gjuaj». Dhe pastaj ata qeshin. Më vonë vjen një furgon për të shpëtuar të plagosurin. Shoferi ka dy fëmijë me vete. Ju mund të dëgjoni ushtarët të thonë: Epo është faji i tyre që i marrin fëmijët e tyre në një betejë. Dhe pastaj ata hapin zjarr. Babai dhe i plagosuri vriten menjëherë, megjithëse fëmijët mbijetojnë me lëndime të rënda. Përmes publikimit të videos, ne u bëmë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të një masakre kriminale, të paimagjinueshme.
Ryser: Çfarë duhet të bëjë një demokraci kushtetuese në një situatë të tillë?
Melzer: Një demokraci kushtetuese ndoshta duhet të hetojë Chelsea Manning për shkeljen e sekretit zyrtar, sepse ajo ia kaloi videon Assange. Por sigurisht që nuk do të shkonte pas Assange, sepse ai e publikoi videon në interes të publikut, në përputhje me praktikat e gazetarisë klasike hulumtuese. Megjithatë, më shumë se gjithçka, një demokraci kushtetuese do të hetojë dhe ndëshkojë kriminelët e luftës. Këta ushtarë i përkasin hekurave të burgut. Por asnjë hetim penal nuk filloi për një prej tyre. Në vend të kësaj, njeriu që informoi publikun është i mbyllur në paraburgimin e para-ekstradimit në Londër dhe po përballet me një dënim të mundshëm në SHBA, deri në 175 vjet burg. Kjo është një fjalë goje, plotësisht absurde. Për krahasim: Kriminelët kryesorë të Luftës në Gjykatën Penale për ish-Jugosllavinë morën dënime deri 45 vjet. Njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet burg e presin Julian Assange nëse ekstradohet në SHBA. Por gjëja me të vërtetë e tmerrshme në lidhje me këtë rast është procesi krejtësisht i paligjshëm që po shoqëron këtë proces: Të fuqishmit mund të vrasin pa frikë nga ndëshkimi, ndërsa gazetaria po shndërrohet në spiunazh. Dhe ky është një krim më vete.
Ryser: Çfarë e pret Assange nëse ekstradohet?
Melzer: Ai nuk do të ketë një gjyq në përputhje me shtetin e së drejtës. Kjo është një arsye tjetër pse ekstradimi i tij nuk duhet të lejohet. Assange do ta gjykojë një juri gjyqësore në Aleksandri, Virxhinia – në «Gjykatën e Spiunazhit», ku SHBA gjykon të gjitha çështjet e sigurisë kombëtare. Zgjedhja e vendndodhjes nuk është rastësore, sepse anëtarët e jurisë duhet të zgjidhen në proporcion dhe mes popullsinë lokale, ku 85 përqind e banorëve të Aleksandrisë punojnë në komunitetin e sigurisë kombëtare – në CIA, NSA, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit . Kur dikush mund të gjykohet për dëmtimin e sigurisë kombëtare përpara një jurie të tillë, verdikti do të jetë i qartë, që prej fillimit. Rastet gjykohen gjithmonë para të një gjykatësi, me dyerve të mbyllura dhe në bazë të provave të klasifikuara. Askush nuk është shfajësuar ndonjëherë në një çështje të ngjashme. Shumica e të pandehurve rezulton të kenë arritur një marrëveshje, në të cilën ata pranojnë fajësinë e pjesshme, në mënyrë që të marrin një dënim më të butë.
Ryser: Ju po thoni se Julian Assange nuk do të marrë një gjykim të drejtë në Shtetet e Bashkuara?
Melzer: Pa dyshim. Për sa kohë që punonjësit e qeverisë amerikane u binden urdhrave të eprorëve të tyre, ata mund të marrin pjesë në luftëra agresioni, krime lufte dhe tortura, duke e ditur mirë se kurrë nuk do të duhet të përgjigjen për veprimet e tyre. Çfarë ndodhi me mësimet e marra nga Gjykata e Nurembergut? Unë kam punuar mjaft gjatë në zonat e konfliktit, dhe e di se në luftë ndodhin gabime. Jo gjithmonë ndodhin veprime kriminale të paskrupullta. Shumë prej tyre janë rezultat i stresit, lodhjes dhe panikut. Kjo është arsyeja pse unë mund ta kuptoj shumë mirë një qeveri kur thotë: Si shtet, ne do të nxjerrim të vërtetën në dritë, dhe marrim përgjegjësinë e plotë për dëmin e shkaktuar, por nëse faji nuk mund t’u provohet individëve të përfshirë, ne nuk do të imponojmë dënime dragoniane. Është jashtëzakonisht e rrezikshme kur mohohet e vërteta dhe kriminelët nuk dalin para drejtësisë. Në vitet 1930, Gjermania dhe Japonia u larguan nga Lidhja e Kombeve. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, bota u shkatërrua. Sot, SHBA është tërhequr nga Këshilli i KB për të Drejtat e Njeriut, dhe, as masakra «Vrasja Kolaterale», as torturat e CIA-s pas 11 shtatorit dhe as lufta e Irakut nuk kanë çuar në asnjë hetim penal. Tani, Mbretëria e Bashkuar po ndjek të njëjtin shembull. Komiteti i Sigurisë dhe Inteligjencës në parlamentin britanik publikoi dy raporte të gjera në 2018, që tregojnë se Britania ishte përfshirë shumë më thellë në programin sekret të torturave të CIA -s, sesa besohej më parë. Komiteti rekomandoi një hetim zyrtar. Gjëja e parë që bëri Boris Johnson pasi u bë kryeministër ishte anulimi i atij hetimi.
- Në Mbretërinë e Bashkuar, shkeljet e kushteve të lirimit me kusht, në përgjithësi dënohen me gjobë monetare ose, më së shumti, disa ditë pas hekurave. Por Assange u dënua 50 javë, në një burg të sigurisë së lartë, pa i dhënë mundësinë për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Ryser: Në prill, Julian Assange u largua nga Ambasada Ekuadoriane nga policia britanike. Cila është pikëpamja juaj për këto ngjarje?
Melzer: Në vitin 2017, në Ekuador u zgjodh një qeveri e re. Si përshëndetje, SHBA-të i shkruan një letër qeverisë së re, ku shprehnin dëshirën e madhe për të bashkëpunuar me Ekuadorin. Mesazhi ishte se SHBA-të ishin të përgatitura të bashkëpunonin, nëse Ekuadori do të dorëzonte Assange. Në atë moment, Ambasada Ekuadoriane filloi të rrisë presionin mbi Assange. Ata ia vështirësuan jetën. Por ai qëndroi fort. Pastaj Ekuadori anuloi azilin e tij, duke dhënë Britanisë dritë jeshile për ta arrestuar. Për shkak se qeveria e mëparshme i kishte dhënë atij shtetësinë Ekuadoriane, pasaporta e Assange gjithashtu duhej të revokohej, sepse kushtetuta e Ekuadorit ndalon ekstradimin e shtetasve të saj. E gjithë kjo ndodhi brenda natës dhe pa asnjë procedurë ligjore. Assange nuk iu dha asnjë mundësi të bënte një deklaratë ose të kërkonte proces juridik. Ai u arrestua nga britanikët dhe, po atë ditë u dërgua para një gjykatësi, që e dënoi atë për shkeljen e lirimit me kusht.
Ryser: Pse ky vendim i përshpejtuar?
Melzer: Assange i lejuan vetëm 15 minuta kohë për t’u përgatitur me avokatët e tij. Vetë seanca gjyqësore zgjati vetëm 15 minuta. Avokati i Assange gjeti një dosje të trashë në tryezë, por ai arriti të bëjë një kërkesë zyrtare kundër njërës prej gjykatësve për konflikt interesi, sepse burri i saj kishte qenë subjekt i ekspozimeve të Wikileaks në 35 raste. Por gjyqtari kryesor hodhi poshtë kërkesën, pa e shqyrtuar fare atë. Ai tha se akuza për kolegen të tij për një konflikt interesi është ofenduese. Vetë Assange shqiptoi vetëm një fjali gjatë gjithë procesit gjyqësor: «Unë nuk e pranoj fajin». Gjykatësi u kthye nga ai duke i thënë: «Ju jeni vetëm një narcist, që nuk mund të dilni mbi interesin e tij personal. Unë ju dënoj për shkelje të lirimit me kusht».
Ryser: Nëse po ju kuptoj drejt: Julian Assange nuk ka pasur kurrë një shans, që nga fillimi i procesit?
Melzer: Kjo është çështja. Unë nuk jam duke thënë se Julian Assange është një engjëll apo një hero. Dhe nuk ka pse të jetë. Ne po flasim për të drejtat e njeriut dhe jo për të drejtat e heronjve ose engjëjve. Assange është një njeri, dhe si i tillë, ai ka të drejtë të mbrohet dhe të trajtohet në një mënyrë njerëzore. Pavarësisht nga ajo për të cilën akuzohet, Assange ka të drejtën për një gjykim të drejtë. Por atij i është mohuar qëllimisht kjo e drejtë – në Suedi, SHBA, Britani dhe Ekuador. Në vend të kësaj, ai u detyrua të kalbet për gati shtatë vjet në harresë në një dhomë, brenda Ambasadës së Ekuadorit. Pastaj, papritmas largohet nga Ambasada dhe dënohet brenda disa orësh, pa i dhënë asnjë mundësi të përgatitet mbrojtjen, edhe pse ndërkohë, përgjatë 7 viteve që kishte jetuar në Ambasadën e Ekuadorit, ai ishte i mbrojtur nga Ekuadori me statusin e azilantit politik, të dhënë nga një shtet, anëtar i OKB-së. Disidentët rusë dhe kinez, por edhe të tjerë, kanë bërë të njëjtën gjë në ambasadat perëndimore. Është e qartë se këtu kemi të bëjmë me përndjekje politike. Në Britani, shkelja e lirimit me kusht, shumë rrallë dënohet burg – ato zakonisht janë subjekt i gjobave. Por Julian Assange u dënua me 50 javë heqje lirie, në një burg të sigurisë maksimale – që padyshim është një dënim joproporcional, me një qëllim të vetëm: Julian Assange të mbahet në burg, për aq kohë sa SHBA të përgatitet me çështjen e spiunazhit.
Ryser: Si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për Torturën, çfarë mund të thoni lidhur me kushtet aktuale të burgimit?
Melzer: Britania ia ka mohuar kontaktin me avokatët e tij në SHBA, ku ai është subjekt i procedurave sekrete. Avokatja i tij britanike, gjithashtu është ankuar se ajo nuk ka pasur qasje të mjaftueshme për të kontrolluar dokumentet e gjykatës dhe provat kundër klientit. Atij iu mohua e drejta themelore për të përgatitur mbrojtjen e tij, siç garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vend të kësaj, vjen izolimi pothuajse total, dhe ndëshkimi me dënim krejtësisht joproporcional për një shkelje të lirimit me kusht. Një detaj: Sapo ai do të largohej nga qelia e tij për në Gjykatë, korridoret e burgut u boshatisën, me qëllim që ai të mos kishte asnjë kontakt, me asnjë të burgosur tjetër.
Ryser: Dhe e gjithë kjo për shkak të një shkeljes së lirimit me kusht? Në cilën pikë burgimi kthehet në torturë?
Melzer: Julian Assange ka pësuar tortura psikologjike, të shkaktuara qëllimisht nga Suedia, Britania, Ekuadori dhe SHBA, përmes aplikimit arbitrar të procedurave kundër tij. Mënyra se si Suedia e ndoqi çështjen kundër tij, me ndihmë aktive nga Britania, kishte për qëllim ta vinte atë nën presion. Suedia kurrë nuk ishte e interesuar të gjente të vërtetën dhe të ndihmonte këto gra, por ta mbante Assange nën presion. Ka patur abuzim flagrant me procese gjyqësore, që synonin ta shtyjnë atë drejt një pozicioni, ku të mos ishte në gjendje të mbrojë veten. Masat e mbikëqyrjes, fyerjet, shpifjet dhe sulmet e politikanëve nga këto katër vende, deri edhe kërcënimet me vdekje tregojnë qartë synimet dhe qëllimet e tyre. Ky abuzim i vazhdueshëm i pushtetit shtetëror ka shkaktuar stres dhe ankth serioz mbi Assange, që ka rezultuar në dëm të prekshëm neurologjik. E kam vizituar Assange në qelinë e tij në Londër në maj 2019, së bashku me dy mjekë me përvojë, të respektuar gjerësisht, të cilët janë të specializuar në ekzaminimin mjeko-ligjor dhe psikologjik të viktimave të torturave. Diagnoza e arritur nga dy mjekët ishte e qartë: Julian Assange shfaq simptomat tipike të torturave psikologjike. Nëse ai nuk merr menjëherë mbrojtje dhe mjekim të specializuar, ka të ngjarë, se mund të ndodhë një përkeqësim i shpejtë i shëndetit të tij, duke e dërguar drejt vdekjes së sigurtë.
Ryser: Gjysmë viti pasi Assange u ndalua nga Britania, në pritje të ekstradimit, në nëntor 2019, Suedia e braktisi në heshtje çështjen kundër tij, pas nëntë vitesh përpjekje të gjata. Pse?
Melzer: Shteti suedez kaloi gati një dekadë duke prezantuar qëllimisht Julian Assange para publikut si një përdhunues. Pastaj, ata papritmas e braktisën çështjen kundër tij në bazë të të njëjtit argument që prokurori i parë i Stokholmit përdori në 2010, kur ai e mbylli rastin e tij pas pesë ditësh, me argumentin se nuk ka vepër penale: Ndërsa deklarata e gruas ishte e besueshme, se Assange nuk kishte kryer asnjë akt kundër saj, dhe nuk kishte asnjë provë se një krim ishte kryer. Ky është një skandal i pabesueshëm. Por koha nuk ishte një koincidencë e rastësishme. Më 11 nëntor, u bë publik një dokument zyrtar që unë i kisha dërguar qeverisë suedeze rreth dy muaj më parë. Në atë dokument, unë i bëra një kërkesë qeverisë Suedeze për të dhënë shpjegime për rreth 50 pika që lidhen me implikimet e të drejtave të njeriut, dhe për mënyrën se si ata po e trajtonin çështjen. Pyetjet ishin të kësaj natyre: Si është e mundur që të informohet shtypi, pavarësisht se ligji e ndalon këtë akt? Si është e mundur që dyshimi për përdhunim u bë publik, edhe pse Assange nuk ishte marrë në pyetje? Si është e mundur që ju të thoni se një përdhunim ka ndodhur, edhe pse gruaja e përfshirë në ngjarje e mohon atë version të ngjarjeve? Ditën që dokumenti im me pyetje u bë publik, Qeveria Suedeze më jep këtë përgjigje: Qeveria nuk ka asnjë koment të mëtejshëm për këtë rast.
Ryser: Çfarë do të thotë kjo përgjigje?
Melzer: Është një pranim i fajit.
Ryser: Si është e mundur?
Melzer: Si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara, unë kam qenë i ngarkuar nga bashkësia ndërkombëtare e kombeve të shqyrtoj ankesat e paraqitura nga viktimat e torturës dhe, nëse është e nevojshme, të kërkoj shpjegime ose hetime nga qeveritë. Kjo është puna e përditshme që bëj me të gjitha vendet anëtare të KB. Nga përvoja ime, mund të them se vendet që veprojnë me mirëbesim janë pothuajse gjithmonë të interesuar të më japin përgjigjet që më duhen për të nxjerrë në pah ligjshmërinë e sjelljes së tyre. Kur një vend si Suedia nuk pranon të përgjigjet në pyetjet e paraqitura nga Raportuesi Special i KB për Torturën, kjo tregon se qeveria është e vetëdijshme për paligjshmërinë e sjelljes së saj dhe se nuk dëshiron të marrë asnjë përgjegjësi për sjelljen e saj. Ata tërhoqën prizën dhe e braktisën çështjen një javë më vonë, sepse e dinin që unë nuk do të tërhiqesha. Kur vende si Suedia e lejojnë veten të manipulohen ashtu, atëherë demokracitë tona dhe të drejtat tona njerëzore përballen me një kërcënim themelor.
Ryser: Ju besoni se Suedia ishte plotësisht e vetëdijshme për atë që po bënte?
Melzer: Po. Nga këndvështrimi im, Suedia ka vepruar shumë qartë me keqbesim. Sikur të kishin vepruar me mirëbesim, nuk do të kishte arsye të refuzonin t’u përgjigjeshin pyetjeve të mia. E njëjta gjë vlen edhe për britanikët: Pas vizitës time tek Assange në maj 2019, atyre iu deshën gjashtë muaj për të më dhënë përgjigje – në një letër me një faqe, e cila ishte kryesisht ishte kufizuar në hedhjen poshtë të të gjitha akuzave për torturë, dhe të gjitha shkeljet e procedurave ligjore. Nëse luani lojëra të tilla, atëherë çfarë kuptimi ka mandati im? Unë jam Raportuesi Special për Torturën për Kombet e Bashkuara. Unë kam mandat të bëj pyetje të qarta dhe të kërkoj përgjigje po përgjigje të qarta. Cila është baza ligjore për t’i mohuar dikujt të drejtën e tij themelore për të mbrojtur veten? Pse një njeri i cili nuk është as i rrezikshëm dhe as i dhunshëm mbahet në izolim për disa muaj, kur standardet e OKB-së ndalojnë ligjërisht izolimin për periudha që zgjasin përtej 15 ditëve? Asnjë nga këto shtete anëtare të OKB nuk filloi asnjë hetim, as nuk iu përgjigjën pyetjeve të mia, madje nuk demonstruan asnjë interes për dialog.
- Dënim i mundshëm: 175 vjet për gazetari hulumtuese!
Ryser: Çfarë do të thotë kur vendet anëtare të OKB-së refuzojnë t’i japin informacion Raportuesit të tyre Special për Torturën?
Melzer: Kjo është një çështje e paracaktuar. Mjafton të gjendet një një precedent gjyqësor, për ta bërë shembull për dënimin e Julian Assange. Çështja është të frikësosh gazetarët e tjerë. Frikësimi, me që ra fjala, është një nga qëllimet kryesore për përdorimin e torturave në të gjithë botën. Mesazhi për të gjithë është: Kjo është ajo që do të ndodhë me ju nëse imitoni modelin Wikileaks. Ai është një model kaq i rrezikshëm, sepse është kaq i thjeshtë: Njerëzit marrin informacione të ndjeshme nga qeveritë ose kompanitë ku punojnë, i transferojnë ato informacione tek Wikileaks, duke ruajtur anonimatin si sinjalizues. Reagimi tregon se perceptimi i kërcënimit është shumë i madh: Katër vende demokratike bashkuan forcat – SHBA, Ekuadori, Suedia dhe Britania e Madhe – duke përdorur fuqinë e tyre për të portretizuar një njeri si përbindësh. Kjo çështje është skandali më i madh, dhe që përfaqëson dështimin e shtetit ligjor perëndimor. Nëse Julian Assange dënohet, ai do të jetë një dënim me vdekje për lirinë e shtypit.
Ryser: Çfarë do të thotë ky precedent i mundshëm për të ardhmen e gazetarisë?
Melzer: Në nivelin praktik, kjo do të thotë që ju, si gazetar, tani duhet të mbroheni. Sepse nëse gazetaria hulumtuese klasifikohet si spiunazh dhe mund të inkriminohet në të gjithë botën, atëherë, në botë do të pasojë censura dhe tirania. Një sistem vrasës po krijohet para syve tanë. Krimet e luftës dhe torturat nuk po ndiqen penalisht. Në YouTube po qarkullojnë video në të cilat ushtarët amerikanë mburren se po i çojnë gratë irakiene në vetëvrasje me përdhunime sistematike. Askush nuk po e heton asgjë. Në të njëjtën kohë, një person që ekspozon gjëra të tilla po kërcënohet me 175 vjet burg. Për një dekadë të tërë, ai është përmbytur me akuza që nuk mund të provohen, akuza të cilat dhe po e thyejnë më dysh atë. Dhe askush nuk po mban përgjegjësi. Askush nuk po merr përgjegjësi. Kjo shënon një erozion të kontratës sociale. Ne u japim fuqi vendeve, duke ua deleguar qeverive – por në këmbim, ata duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si ata e ushtrojnë atë pushtet. Nëse nuk kërkojmë që ata të mbajnë përgjegjësi, të drejtat tona do t’i humbasim, herët a vonë. Njerëzit nuk janë demokratë nga natyra e tyre. Fuqia shkatërron nëse nuk monitorohet. Korrupsioni është rezultati nëse nuk insistojmë që pushteti të monitorohet.
Ryser: Ju po thoni se shënjestrimi i Assange kërcënon thelbin e lirisë së shtypit.
Melzer: Le të shohim se ku do të jemi pas 20 vjetësh nëse Assange dënohet – çfarë do të jeni në gjendje të shkruani si gazetar? Jam i bindur që jemi në rrezik serioz për të humbur liritë e shtypit. Tashmë po ndodh: Papritmas, selia e ABC News në Australi u bastis lidhur me «Ditarin e Luftës Afgane». Arsyeja? Edhe kësaj rradhe, shtypi zbuloi sjellje të pahijshme nga përfaqësuesit e shtetit. Në mënyrë që ndarja e pushteteve të funksionojë, shteti duhet të monitorohet nga shtypi si shtylla e katërt. WikiLeaks është pasojë logjike e zgjerimit të procesit të fshehtësisë: Nëse e vërteta nuk mund të shqyrtohet më, sepse gjithçka mbahet e fshehtë, në një moment rrjedhjet janë rezultat i pashmangshëm. WikiLeaks është pasojë e fshehtësisë së pakontrolluar, dhe reflekton mungesën e transparencës në sistemin tonë modern politik. Ka, natyrisht, zona ku fshehtësia mund të jetë jetike. Por nëse ne nuk dimë më se çfarë po bëjnë qeveritë tona dhe kriteret që ata po ndjekin, nëse krimet nuk hetohen më, atëherë ai paraqet një rrezik të madh për integritetin shoqëror.
Ryser: Cilat janë pasojat?
Melzer: Si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për Torturën dhe, para kësaj, si i dërguar i Kryqit të Kuq, kam parë shumë tmerre dhe dhunë. Unë kam parë se sa shpejt vendet paqësore si Jugosllavia ose Ruanda mund të shndërrohen në ferr. Në rrënjët e zhvillimeve të tilla është gjithmonë mungesa e transparencës dhe fuqisë së shfrenuar politike ose ekonomike, të kombinuara me naivitetin, indiferencën dhe lakueshmërinë e popullsisë. Papritmas, ajo që i ndodhi gjithnjë tjetrit – tortura e pandëshkuar, përdhunimi, dëbimi dhe vrasja – po aq lehtë mund të na ndodhë neve ose fëmijëve tanë.