Gazetari Ferdinand Dervishi ka reaguar sërisht në rrjetet sociale lidhur me Arben Frashërin, zyrtarin e Policisë, i cili nuk arriti të kalojë vetting, pasi nuk justifikonte dot një shumë prej 2 mln lekësh, që e kishte fituar gjatë punës në emigracion mbi dy dekada më parë.
Dervishi shkruan se erdhi një kohë kur banda e Beratit hodhi Arben Frashërin në rrugë, duke iu referuar ndërprerjes së karrierës së tij, pas përballjes me atë që konsiderohet si Vettingu në rradhët e policisë.
Duke ngritur dyshime të forta mbi Vetting-un në rradhët e policisë, Dervishi shkruan se Arben Frashëri, një nga ekspertët më të mirë të policisë shqiptare, sipas këtij Komisioni duhet të largohet sepse nuk justifikon një banesë në Tiranë dhe, kjo është më e forta: se nuk ka nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.
Në vijim ai thotë se Komisioni nuk i ka njohur Arben Frashërit, një heroi të policisë, të hollat e sjella nga puna, bashkë me të shoqen, si emigrantë në Greqi, ndërkohë që i njëjti komision, Alban Laska – Kryesues, Mirela Ujkani (Miti), dhe Artur Baku – Relator (kundër), duke punuar me dy standarde, ja kanë njohur të hollat e sjella nga emigracioni Artan Shkëmbit, ish-drejtorit të OFL, që tashmë akuzohet se i ka shitur krimit sekrete hetimore, duke “legalizuar” e justifikuar disa banesa të tij.
Po sipas tij, ndërkohë, duke punuar me dy standarde, KJV ka njohur një banesë 140 m/katror të Ardi Veliut, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të përfituar me të ardhura që deklarohen nga viti 2016 (4 vite punë).
“Në mbyllje të vitit të largët 1999, I. Z., një nga drejtuesit e Interpol Tiranës, me një shkresë sekrete në duar, udhëtonte në drejtim të Beratit.
Ishte një e dhënë që mund të çonte në arrestimin Kastriot Jaupit, një prej krerëve të Bandës së Beratit, që kishte sfiduar shtetin duke vënë në shënjestër për të vrarë të gjithë ish-krerët e Policisë së Beratit të vitit 1997, Drejtorin Mithat Havari, Nëndrejtorin Gani Malushi, shefat e krimeve Ilir Ngresi e Osman Qystri, inspektorin e krimeve dhe më pas shef, Arben Frashëri.
Kastriot Jaupi për pak ju fut në zyrë Mithat Havarit, kur ky ishte Drejtor i Policisë Ndërtimore. Ilir Ngresin e vrau. Fillimisht e plagosi, në Fier, më 7 shtator 2000 dhe më pas, në Vlorë, më 30 dhjetor 2000, e ekzekutoi. Arben Frashërit i shkuan të shtëpia (Dritan Zhuka, një killer i dërguar nga Jaupi), por inspektorin e krimeve, atë mbrëmje, fatmirësisht, po e shoqëronte një automjet i policisë”, shkruan Dervishi, duke kujtuar ngjarjet e ndodhura 20 vite më parë.
Në postimin e tij, gazetari kujton se I. Z., funksionari i Interpol Tiranës, nuk e gjen Drejtorin e Policisë së Beratit në zyrë, mëson se është duke drekuar në një restorant dhe kur shkon atje e gjen drejtorin që po drekonte në shoqërinë e Kastriot Jaupit.
“Pak kohë më pas, Kryeministri i kohës, Ilir Meta do ta përjashtonte Drejtorin e Beratit nga policia duke e konsideruar bandit e shtuar në formulimin e vendimit: “të mos kthehet më kurrë në Policinë shqiptare””, shkruan gazetari.
“E pra komisioni ka ngrenë për të vërtetë një biografi që drejtori i shkarkuar me gërrnetë i Policisë së Beratit kishte hartuar për Arben Frashërin, në kohën kur ky, i lënë në mëshirë të bandave, kërkonte të largohej nga Berati.
Ishte një biografi e nxirë, ku mes të tjerave Arben Frashëri akuzohej për kontrabandë nafte. Një biografi që ka shumë të ngjarë të jetë ndërtuar në prani të vrasësit të policëve, Kastriot Jaupi.
Por edhe pse kjo biografi hetohet me kujdes, madje për disa muaj me radhë, nuk e ndalon dot Arben Frashërin të niste punën në Policinë e Tiranës dhe më tej të ngjiste shkallët e karrierës. Duket në atë kohë Banda e Beratit nuk kishte fuqi më tepër se kaq. Po tani?”, shkruan Dervishi në denoncimin e tij.