Presidenti Ilir Meta u shpreh këtë të Enjte se bosët e vërtetë të dogës nuk preken në vendin tonë.
Ai shpërndau në faqen e tij në FB një opinion të Pëllumb Nakos me titull “Kanabisi, nga krim në plagë sociale”.
Meta shkruan se “shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është traditë e njohur tashmë për t’u përdorur si mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara, por edhe si mjet shantazhi ndaj shumë hallexhinjve që në mungesë të mbështetjes shtetërore për aktivitetet bujqësore, blegtorale, të agrobiznesit dhe agroturizmit janë të detyruar të bëhen punëtorë të këtyre grupeve kriminale”.
Ai shton se “bosët e vërtetë kurrë nuk preken por shpesh për të prodhuar statistika fiktive, arrestohen gra dhe burra të moshuar si grup i strukturuar kriminal”.
Ndaj ky artikull meriton vëmendje të posaçme, shprehet presidenti.
Opinioni nga Pëllumb Nako:
Kanabisi, nga krim në plagë sociale
Dekada e fundit, e cila i ko rrespondon administrimit të vendit tonë nga qeverisja aktuale, në mjaft aspekte negative të trashëguara nga e kaluara ka shënuar përkeqësim të tyre, në vend të përmirësimit të premtuar me plot zhurmë, e po ashtu të pritur me dëshirë nga publiku i gjerë, për të mos folur për eliminimin e tyre.
Kultivimi i kanabisit, nga një fenomen më së shumti me natyrë kriminale, nga viti në vit mori përmasa më masive, duke u kthyer në një plagë të rëndë sociale për shoqërinë shqiptare. Dhe kur qëndrimi i një shoqërie kthehet masivisht nga negativ në favor të një aktiviteti të cilin ligji e ndalon, siç është kultivimi i kanabisit, kemi të bëjmë me tjetërsim vlerash sociale, me krijimin e një kulture që nuk merr parasysh moralin mbi të cilin mbështetet dhe mbron ligji. Me fjalë të tjera, secili individ që merret direkt dhe indirekt me kultivimin e kanabisit nga brenda ndërgjegjes së tij, është i bindur se nuk po kryen diçka të pamoralshme, pavarësisht se ligji e ndalon. Ajo që vepron është vetëm frika. Nëse një qëndrim i tillë do të reflektohej po masivisht edhe në fenomene të tjera të cilat morali i dënon, po ashtu dhe ligji, atëherë katastrofa e vlerave sociale të shoqërisë sonë do të ishte kolosale. Vendi do të shpërbëhej. Si mund të ndërtojë shoqërinë e tij një popull i cili ka vështirësi në ndarjen e normave morale në vlera dhe antivlera? Kur nuk u beson vlerave të afishuara? Gjendja e vështirë ekonomike ka vendin e saj pa diskutim, por të paktën historikisht nevoja ekonomike nuk i ka çuar shqiptarët të tjetërsojnë vlerat e tyre sociale.
Dramatik është fakti se në vend që shteti i sotëm të tregohej i përgjegjshëm për deformimin e madh social që do të linte për pasojë kultivimi i kanabisit, pa folur këtu për dhimbjet e viktimave, preferoi ta përdorë atë për përfitime në mbajtjen e pushtetit. Me politika dhe qëndrime skandaloze ndaj fenomenit, duke e mohuar fillimisht masivizimin e tij e nën rrogoz duke e shfrytëzuar; duke hedhur për diskutim legalizimin e më pas largimin e vendit nga harta e kultivimit; në rastin më të mirë situata iku nga duart, e për rrjedhim, pasoi kultivimi në masë, implikimin e forcave policore, rritjen e fuqisë financiare të grupeve kriminale. Kjo papërgjegjshmëri e ka kthyer çrrënjosjen e kultivimit të bimës në kufijtë e së pamundurës edhe sikur qeverisja të angazhohej seriozisht kundër saj. Por më e keqja mbetet se ky qëndrim i dyfishtë i saj bëri që thuajse mbarë shoqëria shqiptare të kthehet në indiferente ndaj fenomenit dhe të shtohen shumë shtresat sociale që nuk e shohin kultivimin e kanabisit si shkelje ligji.
Për të kuptuar dramën e shtrirjes së gjerë të fenomenit “kanabis” në vendin tonë, mjafton të ndjekim dy njoftime mediatike të bëra brenda ditës këto ditë të fundit. Njëri që flet për një sasi prej 1.2 tonësh kanabis të kapur nga Policia në Greqi dhe tjetri që flet për arrestimin nga ana e Policisë sonë të katër grave mbi 55-vjeçare të cilat merreshin me kultivimin e bimës. Pra grup kriminal me veprimtari ndërkombëtare që grumbullon dhe trafikon mallin e kultivuar ndër të tjera dhe nga katër gratë e moshuara në Vlorë. Katër nëna të cilat do të njohin burgun në moshë thuajse të thyer. Do të quhen të tëra të moshuarat “grup i strukturuar kriminal”? Në këto dy njoftime del qartë gjithashtu edhe cilësia e goditjes së fenomenit nga forcat tona policore dhe nga ato të vendit fqinj. Arrestimi i katër grave të thyera në moshë, më shumë se fitore e Policisë apo e drejtësisë, është evidentim i një tragjedie sociale që po përjetojnë edhe shtresa individësh aspak të zakonshëm në veprimtarinë kriminale. Megjithatë, nuk është kjo gjë e keqja më e madhe.
Duket se Policia dhe sidomos ministri i Brendshëm ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk duan ta kuptojnë se betejën për të eliminuar kultivimin e kanabisit e kanë të humbur për faktin se si rezultat i qëndrimeve të paqarta, kontradiktore dhe heraherës frymëzuese të Kryeministrit lidhur me këtë lëndë narkotike, fenomeni po merr konsensus të gjerë popullor. Kjo edhe për shkak të problemeve ekonomike. Konsensusi që kultivuesit e thjeshtë u japin porositësve kriminelë për motive të përfitimit ekonomik i bën edhe bosët e trafikimit, organizatorët e vërtetë të kultivimit, të jenë të identifikueshëm me vështirësi nga ana e Policisë. E vërtetë kjo që provohet edhe nga fakti që zbulimi i parcelave behet gjithmonë e më i vështirë dhe më shumë duke u bazuar në teknologji e jo në raporte të ndërsjella të qytetarëve me Policinë. Po ashtu, edhe kur parcelat zbulohen, jo rrallë herë ato mbeten jetime, pa autor. Katër gratë e moshuara të kapura nga Policia dëshmojnë se kultivimi i kananbisit në vendin tonë nuk mbetet vetëm çështje të rinjsh, të cilët si kudo në botë, përbëjnë shtresën më dërrmuese të krimit, por po gjen përkrahje edhe në breza të cilët nuk janë asnjëherë pjesë e krimit të organizuar dhe për më tepër gra të moshuara.
Konsensusi apo mbështetja që u jep popullsia fenomeneve me natyre kriminale, si në rastin konkret kultivimit të kanabisit në vendin tonë, është i njohur edhe në vende si Italia e Jugut ku pikërisht për këtë arsye mafia e këtij vendi gjen fuqinë e saj, e ka jetike, ndaj dhe institucionet e këtij vendi mobilizojnë sa munden shoqërinë kundër saj. Kjo mënyrë tregon se fenomene me natyrë masive negative nuk mund të eliminohen kurrsesi vetëm me forcën e Policisë apo të ligjit. Edhe sikur kjo Polici të ishte ideale. Në rastin tonë, shteti duhet të jetë vetë ideatori i aktivizimit të shoqërisë për të shkëputur sa më shumë individë si nga plogështia për të denoncuar, por sidomos edhe nga bashkëpunimi direkt apo indirekt për të kultivuar kanabisin. Por për fat të keq, qeverisja e sotme nuk e kryen dot këtë rol për shumë faktorë. Në radhë të parë, për arsyen se vetë ajo është në gjenezën e krijimit të këtij konsensusi të gjerë në kultivimin e kanabisit, e po ashtu, vetë ajo me politikat e saj të paqarta e të papërgjegjshme bëri që edhe Policia të humbasë tërësisht rolin dhe moralin për të kërkuar mbështetjen e popullatës, duke e kthyer këtë të fundit në indiferencë totale.