Qeveria po përgatit një koncesion të ri për karburantet. Bëhet fjalë për një koncesion “Track and trace”, që synon gjurmimin e karburanteve që nga momenti që hyjnë në import apo dalin nga rafineria e deri te konsumatori final. Koncesioni miliona euro ka hyrë në rrugën e miratimit dhe qeveria synon ta miratojë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Gazetari Klodian Tomorri, në studion e TvT, u shpreh se kjo kontratë e re do të jetë një barrë e shtuar mbi taksapaguesit, duke u bërë kështu koncesioni i katërt sa u përket karburanteve.
“Në qeveri është ngritur grup pune që po punon dhe besoj se ky koncesion do të votohet para zgjedhjeve të 25 prillit. Pra, qytetarët duhet të bëhen gati të paguajnë miliona euro të tjera për një kontratë tjetër koncesionare, një ves ky nga i cili qeveria nuk heq dot dorë. Janë dhënë deri tani tre koncesione: ai i markimit të karburanteve. U bënë 7 vjet nga miratimi i tij dhe ne i kemi parë rezultatet.
Pas tij u miratua koncesioni i kontrollit të pompave, pastaj kemi dhe skanimin që përveç karburanteve prek çdo mall që hyn në Shqipëri,. Me koncesionin e gjurmimit bëhen 4 koncesione me të njëjtin objekt: të kontrollojë abuzimet dhe evazionin në tregtinë e karburanteve”, tha ai.
Tomorri shtoi se koncesionet kanë dëmtuar rëndë ekonominë shqiptare dhe një i katërt do ta rëndojë akoma më tej.
“Është njësoj sikur të marrësh katër qen dhe t’i vësh të ruajnë një dele. Nuk ka rast të dytë në botë. Është e kuptueshme që qëllimi nuk është ruajtja e qytetarit nga abuzimi. Ka vetëm një shpjegim: shpiken kontrata koncesionare për të marrë lekë dhe për t’i çuar në llogari private. Është një çmenduri që duhet të marrë fund pasi këto kontrata kanë paralizuar ekonominë shqiptare”, shprehet gazetari.
Tomorri thotë se amendamenti i propozuar nga deputeti Ilir Beqaj për koncesionin e pompave të karburantit u ngarkon qytetarëve një taksë të re. Sipas tij, deputeti Beqaj, ndryshe nga sa thotë, nuk synon mbrojtjen e konsumatorëve, por ka qëllime të tjera që duheti t’i shpjegojë.
“Nuk janë shifra të sakta dhe përdoren qëllimisht për të justifikuar atë që ndodh. Zoti Beqaj aludon se 5% e regjimit të pompave janë të gënjeshtërta. Ku e gjeti zoti Beqaj shifrën 5%.
Zoti Beqaj propozoi amendamentin dhe ministria nuk ishte dakord, pra Ministria e Financave nuk e ka pasur një shqetësim të tillë. Amendamenti thotë se jo më pak se 5% e popmpave duhet t’u nënshtrohen kontrolleve më shumë se dy herë në vit. Është lënë pa tavan, mund të shkohet edhe në 100% të pompave rikontroll. Kur thotë që 5% e pompave të karburanteve janë në regjim, e klasifikon si vjedhje.
Presupozohet se e gjithë sasia kur dikush mbush karburant duhet të paguajë sa mbush, por pompa nuk hedh asnjë pikë në sebrator. Ky amendamnet u var qytetarëve në qafë një tjetër taksë. Zoti Beqaj është pas këtij amendamenti. Ai nuk ka lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve por ka qëllime të tjera që ai duhet t’i shpjegojë”, tha Tomorri.
Ai shtoi se opozita ka pasur qëndrime të ndryshme për koncesione të ndryshme.
“Mendoj se në vijimësi opozita ka pasur një qëndim disi të zbutur ndaj koncesionit. Arsyet nuk i dimë, por opozita me disa koncesione ka qenë më shumë agresive dhe me të tjera ka mbajtur status pasiv. I takon PD dhe roli i saj është mbrojtja e interesit publik. Koncesionet i kanë bërë dëmin më të madh ekonomisë dhe unë nuk mund të justifikoj pasivitetin”, tha ai.