Nga BoldNews.al
Dëshira për të pasur rezultate konkrete që në rastet e para, e ka nxitur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë të anashkalojë në mënyrë flagrante parimet elementare të procesit të rregullt ligjor, në hetimin disiplinor të kryer ndaj gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo.
Në seancën dëgjimore, të zhvilluar paraditen e së Hënës para Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtari Kuqo deklaroi se ai nuk është vënë në dijeni nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë me asnjë akt apo provë, të siguruar nga ai institucion, gjatë procesit të hetimit administrativ.
Sipas Kuqo, kjo situatë përbën shkelje të procesit të rregullt ligjor.
Markelian Kuqo është nën procedim disiplinor, pasi vendosi lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Gert Gjenerali (Gjinarari), në Shkurt 2019.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, bazuar në raportin përfundimtar, pjesë të të cilit janë siguruar nga media, deklaron se ka konstatuar “mes të tjerash”, zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedurial penal nga gjyqtari Kuqo.
Gjithashtu, sipas ILD, magjistrati i Korçës, në vendimin për lirimin e Gjinararit, ka përdorur referenca kontradiktore dhe nuk ka respektuar kriteret ndaluese të lirimit me kusht.
Në konkluzion të inspektimit, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkon nga Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo.
Në seancën e kësaj të Premteje para Këshillit të Lartë Gjyqësor, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD), i cili përfaqësohej në këtë seancë nga titullari i saj, Artur Metani, pranoi se rezultatet e hetimit disiplinor nuk i janë vënë në dispozicion gjyqtarit Kuqo.
Por, sipas tij, ILD nuk e ka detyrim ligjor që të vendosë në dispozicion të subjektit nën procedim aktet dhe raportin final, pasi diçka të tillë duhet ta realizojë Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Gjyqtari Kuqo, në fazën e parë të seancës, në momentin e paraqitjes së kërkesave paraprake, kërkoi shtyrjen e afatit për përgatitjen e mbrojtjes, duke qenë se ai ka marrë dijeni zyrtare për aktet e procedimit disiplinor vetëm në datën 22 shtator dhe ka pasur një periudhë fare minimale kohore, 6 ditë, për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Sipas gjyqtarit, ai ishte përgatitur në pjesën më të madhe për të realizuar mbrojtjen e tij, por theksoi se koha e shkurtër që kishte në dispozicion ishte e pamjaftueshme për të marrë në shqyrtim të gjithë pretendimet e ngritura nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Kërkesa e magjistratit u kundërshtua nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani, i cili e mbrojti mangësinë proceduriale të institucionit të tij, duke e konsideruar kërkesën e gjyqtarit Kuqo si një tentativë për të zvarritur procesin.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi që të tërhiqet për të vendosur mbi kërkesën e gjyqtarit Markelian Kuqo.
Në Shkurt 2019, gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, vendosi të pranojë kërkesën për lirim të parakohshëm të Gert Gjinararit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, të ndodhur në vitin 1997 në Itali.
Në vendimin e plotë, të siguruar më herët nga “Boldneës.al”, gjyqtari Kuqo argumenton se i dënuari plotëson kërkesat ligjore për lirim të parakohshëm, përfshirë vuajtjen të një pjese të dënimit, sjelljen shembullore dhe rehabilitimin e tij, referuar edhe raporteve të administratës së Burgjeve, të hetuara gjyqësisht prej tij.
Ky vendim shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila e konsideroi “skandaloz” dhe urdhëroi nisjen e inspektimit nga strukturat në varësi të saj.
Pas reagimit publik të ministres, Prokuroria e Korçës e ankimoi vendimin dhe Gjykata e Apelit e qytetit vendosi rikthimin në burg të Gjinararit, i cili ishte liruar më herët dhe nuk është arritur të gjendet nga forcat policore.
Rasti pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë, në bazë të rekursit të ushtruar nga përfaqësuesit ligjor të Gjinararit.
Ndërkohë që ende nuk është bërë publike mbrojtja e gjyqtarit, disa prej argumentave të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë kundër tij janë zbuluar nga media.
Sipas ILD, gjyqtari Markelian Kuqo, nëpërmjet vendimit të tij për lirimin me kusht të Gjinarari ka sjellë disa pasoja, të renditura më poshtë:
– Natyra dhe rrethanat e shkeljes disiplinore të gjyqtarit M.K. kanë prodhuar mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.
– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë sjellë lirimin e një të dënuari, që përbën rrezik për komunitetin dhe shoqërinë, e në kundërshtim më parashikimet legjislacionit material dhe procedural penal.
– Pasojat e shkeljes disiplinore kanë shkaktuar cënimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë
– Sjellja e papërshtatshme e magjistratit mbart rrezikun e krijimit të një precedenti për t’u ndjekur edhe nga magjistratë të tjerë, duke krijuar terren për sjellje të papërshtatshme dhe në raste të tjera të ngjashme.
Sipas Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, “të gjitha veprimet e mosveprimet e ndërmarra e të evidentuara në mënyrë të detajuar në raportin e hetimit, përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore”, pasi vlerësohen si akte që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës..
Ndërkohë, në seancën e radhës, në 14 Tetor, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe opinioni publik pritet të njihet me argumentat mbrojtës të gjyqtarit Markelian Kuqo.