Nga Nikoleta Kovaçi
Burri që shihni në foto quhet Lulzim Miraka! Është nga Gramshi! Ka një histori dramatike për të nda me ne, me ju, me shtetit, me ndonjë mekanizëm mbrojtës që mund të gjallojë në këtë vend. Ka dy fëmijë në spital, dy fëmijë që ja kërcënon vdekja. Një vdekje që në fakt as ai vetë nuk e di se si e qysh është ndaluar tek dy fëmijët e tij, 13 dhe 15 vjeç! Kalvari i tij është i pashoq! Në dijeni të tij janë vënë edhe isntitucionet kryesore, edhe presidenti i vendit, Ilir Meta, edhe deputeti-ministër Pandeli Majko, edhe dy përfaqësues të bamirësisë në vend, Elvis Naçi e Arbër Hajdari. Tek të gjithë burri-baba i dorëzuar kërkon ndihmë. Askush nuk i jep jo vetëm ndihmë po madje as përgjigje.
Prej 8 janarit gjendet në Tiranë! Te Pediatria! Fillimisht ka sjellë vajzën! Është 13 vjeç! Quhet Endrina! I kanë thënë se ka probleme me veshkën. Ai thotë se gjithçka nisi si anemi. S’kishte asnjë shenjë tjetër që të çonte në ndonjë dyshim! E ka sjellë vajzën në Tiranë për një kontroll më të specializuar. Madje për orientim më të saktë ka pyetur edhe një kushëririn e tij, mjek në një rreth tjetër. Pasi e ka shtruar vajzën, mjeku i ka thënë se vajza duhet të futet në terapi dhe menjëherë në dializë. Ai ka refuzuar. Refuzimi ka zgjatur deri me 24 janar. Atëherë ka dalë nga spitali dhe ka ikur në shtëpi. Vajza nuk ka patur asnjë përmirësim ndonëse ka marrë kurë sa kohë ka qëndruar në spital. Ka komunikuar sërish me njeriun e tij, mjek, dhe sërish e ka adresuar për në Tiranë dhe Lulzimi sërish ka marrë vajzën dhe është kthyer në spital. Rikthimi ka ndodhur diku mes datës 1 ose 2 shkurt (nuk i kujtohet). Mjeku që e ka marrë përsipër i ka thënë se do ta mbante vajzën të shtruar duke e ndjekur pa kurë. Qëndron në spital dhe madje e zë pandemia brenda. Thotë se isha vetëm unë dhe ime bijë aty. Pas ca ditësh mjeku e nxjerr nga spitali me justifikimin se do ta kap virusi vajzën. I jep një kurë mujore që kushtonte diku tek 40 mijë lekë. “Unë s’kisha mundësinë t`i blija. Ndaj kërkoja që sërish ta sillja vajzën këtu! Mu kërkua të bënin analizat edhe djali, unë dhe gruaja, pasi doktori thoshte që është diçka e rrallë dhe si gjen dot shpjegim”!
Si përfundim, pas analizave, i kërkojnë të shtrohet edhe djali, Emanueli, 15 vjeç, dhe me 6 gusht me dy fëmijët dhe bashkëshorten rikthehet në Pediatri. Aty i thonë se vajza ka nevoje urgjente për transplant. Veshka duhet t`i jepet nga e ëma. Ndryshe do të kishte pasoja fatale për jetën. Dokumentacionin për sigurimin e fondit, sipas zotërisë, e merr përsipër vetë mjeku, ndërsa transplanti sipas tij do të kryhej në një spital privat. Spital në të cilin gjendet edhe ky mjek. Po ashtu i kërkojnë që vajza të nis seancat e dializës. Gjë që ka ndodhur për më shumë se tri javë dhe tashmë pritet që të kryhet edhe ndërhyerja. Por prej disa ditësh, mjeku i kërkon Lulzimit të largohet nga spitali bashkë me djalin. Për djalin i thuhet se ka probleme por do të kryhet më vonë ndërhyrja. E njëjtë si me vajzën. Por nga janari i 2021! “Veshkën djalit do ia jap unë, po s`më kanë bërë ndonjëherë analiza”! thotë Lulzimi, ndërkohë tregon: “Nuk e di pse duhet të më nxjerrin bashkë me qunin. I kam thënë doktorit më jep një letër-daljeje ku të shënosh diagnozën, kurimin dhe të gjitha detajet, por refuzon. Më thotë ta shkruaj por vetëm poër 12 ditë! Nuk më pranon të saktësojë që djali ka 50 ditë këtu. A më shikon si jam. Kam javë pa larë. Fëmijët i laj me ujë të ftohtë. Po marrim jo vetëm sëmundje po edhe vdekjen e sigurtë. S`kam hall për veten, po dua të më shpëtojnë fëmijët! Kush mund t`mi shpëtojë?”
Në telefonin e tij shoh mesazhin që djali i ka shkruar Ilir Metës. Lulzimi nuk di të përdor fb. Por Meta nuk iu ka përgjigjur. Ishin mesazhet e gatshme të atij falënderimit që i vjen kujtdo kush merr përsipër tu qajë hall këtyre dhe të gjithë atyre që s`dinë dhe sduan të dinë për hallin e kujt! Pandeli Majko tha më dëgjoj dhe më premtoi se do më sillte ministren e shëndetësië aty. Jo ajo po askush nuk i ka shkuar. Lulzimi ka frikë. Ka frikë për jetën e dy fëmijëve të vet. Ai nuk është në gjendje të kuptojë çpo ndodh me të bijën, Endrinën dhe pse tentojnë me nxjerr me dhunë djalin nga spitali! Ai është dëshmitar i gjallë. Do të flasë, po se dgjon askush! Mbase nuk i kupton mirë punët e shëndetësisë po ka një brengë të madhe që po i merr shpirtin. Është i pamundur të realizojë qëllimin e tij që fëmijët të kurohen në një spital jashtë vendi! “Kudo-thotë-edhe në Serbi shkoj, veç jo këtu!”!
A ka një institucion përgjegjës ta sqarojë këtë çështje? Ta dëgjojë këtë njeri që ka 9 muaj që flë jashtë për të gjetur një zgjidhje për fëmijën/t e tij? A ka të drejtë ky qytetar të flasë me dikë që ta qetësojë dhe të bëjë të besojë dhe pranojë se fëmijës së tij nuk po i bëhet keq por ka një ndërhyrje të pashmangshme kirurgjikale për efekt transplanti? A është e mundur që në këtë betejë me vdekjen që i kërcënon vajzën dhe djalin e tij të jetë një instancë përgjegjëse shtetërore me të për t’ja lehtësuar sadopak dhimbjen dhe minimizuar sadopak frikën?!
Unë nuk kam forcë tjetër, ama do shkruaj çdo ditë për këtë histori. Kam lënë shumë pa thënë, e kam shumë për të thënë! Uroj që ky reagim të shkojë tek ata dy politikanë që ka takuar dhe kontaktuar vetë Lulzimi! Ta kthejnë vëmendjen nga kjo familje e marrë ‘peng’ në pediatri!
Një burrë që qan me kokrra loti ka një hall që e tejkalon edhe vdekjen…