Të blesh një pronë në Shqipëri, sidomos në Tiranë do të jetë më e vështirë në vitin 2020.
Shqipëria renditet e treta më e shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke në Indeksin e Çmimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2020. Të dhënat janë publikuar nga Numbeo, i cili është portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësinë e jetesës.
Treguesi kryesor është raporti i çmimit të shtëpive me të ardhurat e individëve, i cili bën matjen e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti dhe shprehet në vite të ardhurash. Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet.
Sa më u ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë individët e një shteti për të blerë një shtëpi. Zakonisht kjo matet si një raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me mesataren e të ardhurave të disponueshme të familjeve.
Shqipëria renditet e treta nga vendet më të papërballueshme të Europës, me një indeks prej 14.8, çka nënkupton që një familjeje i duhen gati 15 vjet të ardhura për të blerë një shtëpi. Serbia e ka indeksin 17.9 dhe Republika Çeke 16.4 vite.
Dy vite më parë, në 2018-n, Shqipëria renditej e 6 në Europë si më e shtrenjta, ndërsa kapërceu shpejt në vend të tretë. Edhe në krahasim me një vit më parë, raporti çmim / të ardhura ka shënuar rritje, duke e bërë kështu blerjen për 2020 më pak të përballueshme.
Krahasuar me vendet e rajonit, pas tyre renditet Mali i Zi (13.8), ndjekur nga Maqedonia e Veriut (12.4), Bosnjë dhe Hercegovina (12.1).
Me sa duket, Kosova është më e lira në Ballkanin Perëndimor për të blerë një shtëpi, ku raporti çmim / të ardhura të disponueshme është 11.
Ndonëse në vlerë absolute, çmimet e apartamenteve në Itali mund të jenë më të shtrenjta, familjeve që banojnë në shtetin përtej detit u duhen më pak vite të ardhura se atyre shqiptare për të blerë një shtëpi, konkretisht më pak se 10. Edhe në Francë, në krahasim relativ me të ardhurat, çmimet janë më të larta sesa në Shqipëri (14). Në të gjithë Europën, shtëpitë janë më të përballueshme në Austri (10.8), Spanjë (9.5), Gjermani (9.3), Suedi (8.9), Norvegji (8.7).
Apartamentet në kryeqytet kanë arritur 4 mijë euro për metër katror
Sipas informacionit të Colliers International, në kryeqytetin shqiptar, çmimet e apartamenteve variojnë nga 600 në 4 mijë euro për metër katror. Më i shtrenjti në rajon është Beogradi, me apartamente që arrijnë deri në 5,500 EUR/ për apartamente të cilësisë së lartë, kryesisht shumë pak në numër dhe në projekte me zhvillues të huaj.
Stela Dhami, drejtore menaxhuese e Colliers International në Shqipëri pohon se: “në një analizë të thjeshtë të tregut mund të thuhet se në Shqipëri ka një diferencë të madhe midis çmimeve më të ulëta dhe atyre më të larta. Çmimet në Shqipëri janë të ulëta në vendndodhje periferike me mungese infrastrukture publike dhe me akses të vështirë të transportit publik.
Ndërsa çmimet më të larta në godina të qendrës së kryeqytetit janë të krahasueshme me vende si Beogradi e Ljubjana qe përfaqësojnë ekonomi shumë herë më të zhvilluara se te tonat dhe me të ardhura më të larta për frymë. Për të theksuar është se çmimet e larta në kryeqytetet e Ballkanit arrihen për projekte të veçanta dhe te pakta të cilat ofrojnë shumë hapësira të tjera të përbashkëta në të mirë të komunitetit dhe administrim profesional të godines dhe janë kryesisht të zhvilluara nga zhvillues te huaj rezidenciale me shumë eksperience në ndërtimin dhe administrimin e këtyre pronave.
Në Shqipëri krahu i lartë i çmimeve u përket kryesisht projekteve të reja në proces zhvillimi e sipër në qendër të kryeqytetit dhe realizimi me sukses i tyre do te varet nga shitja duke pasur parasysh faktorë si tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të theksuar vitet e fundit, pasojave të COVID që shkaktoi humbje të 50,000 vendeve të punës dhe një shtresë të mesme të lartë që e ka të vështirë ti përballojë të tilla shpenzime. Pra Shqipëria ka një boshllëk të stokut për një shtresë të mesme të punësuar të cilët synojnë dhe përballojnë shpenzime mesatare për banesa deri në 1,000 EUR/m2”.
Sipas Numbeo, për Tiranën, indeksi i përballueshmërisë është 17.1, duke e bërë kryeqytetin shqiptar më të shtrenjtë në raport me të ardhurat sesa qytete të tilla si Roma (16.5), Firence (14.8), Stokholmi (14.7), Vjena (13.7), Barcelona (13.2), Lubjana (13.2), Shkupi (13.5).
Shqiptarët mund të kursejnë vetëm 2000 euro në vit, një apartament brenda Unazës 1200 euro/ metri
E ndërsa një familje shqiptare mund të kursejë mesatarisht vetëm 2000 euro në vit, çmimet e apartamenteve në kryeqytet shpesh herë kalojnë këtë çmim për metër në katror. Në ndërtimet që pritet të përfundojnë në vazhdim, çmimet arrijnë deri në 4000 euro për metër në katror, ndërsa brenda Unazës së Tiranës nuk mund të gjesh apartament më të lirë se 1200 euro për metër në katror, madje edhe në ndërtimet ekzistuese.
Një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri nuk mund të kursejë më shumë se 2,000 euro në vit. Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri, të ardhurat mesatare mujore për individ në Shqipëri në vitin 2018 ishin 26,144 lekë.
Një familje shqiptare përbëhet mesatarisht nga 3.7 anëtarë, çka do të thotë se të ardhurat mesatare mujore për një familje janë 96,736 lekë. Kurse shpenzimet mujore të një familje në vend, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, veshmbathje, arsim, argëtim, banesë dhe shëndet, janë 75,935 lekë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve.
/Monitor.al/