Nga BoldNews.al
Një seri e gjatë vendimesh të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) mbi mos-legjitimin e të ardhurave, për të cilat nuk janë paguar tatimet, e vendosin ish-drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prela, në një pozitë shumë delikate për karrierën e saj.
KPA, shkalla e dytë e Vetingut, është treguar e prerë përsa u përket të ardhurave mbi të cilat nuk është paguar tatimi, një situatë në të cilën ndodhet edhe prokurorja Prela, dhe ka vendosur shkarkimin e shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve për këtë shkak.
Pavarësisht argumentave dhe kundërshtive të subjekteve të shkarkuar, vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë të formës së prerë dhe ato kanë shërbyer për ndërprerjen e karrierës së një numri të konsiderueshëm magjistratësh.
Drejt këtij fati duket se është orientuar edhe rasti i prokurores Donika Prela, e cila pret të njihet me vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të premten e 25 Shtatorit.
Të ardhura pa tatime
Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të Prelës, duke mbështetur qëndrimin e tij fillimisht në faktin që bashkëshorti i prokurores nuk justifikon ligjërisht burimin e të ardhurave, të cilat kanë shërbyer si pikënisje për transaksione të ndryshme me pasuri të paluajtshme ndër vite.
Subjekti Donika Prela, nga ana e saj, i kundërshton gjetjet e Komisionerit Publik, duke deklaruar se nuk pagesa e tatimeve nuk ka qenë përgjegjësi e bashkëshortit të saj, por e punëdhënësit të tij.
Megjithatë, fakti që Vangjel Prela, në periudha të ndara, në harkun kohor 2006-2011, është paguar me një pjesë të rrogës në bankë dhe pjesën tjetër me mandat-pagesë, krijon dyshimet e forta se kjo formulë është zgjedhur për të shmangur detyrimet tatimore.
Për raste të ngjashme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka theksuar më shumë se njëherë se “Subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Pasuri të ligjshme për qëllimet e këtij ligji konsiderohen të ardhurat që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore. Elemente të tjera të pasurisë së ligjshme përcaktohen me ligj”.
Bazuar në këtë “aksiomë”, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar disa gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë paraqitur para tij pas ankimit të Komisionerit Publik ose të subjekteve të rivlerësimit, për të cilët Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte vendosur më herët shkarkimin e tyre.
Precedentët që rrezikojnë Prelën
“Boldnews.al” konsultoi disa vendime të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku u konstatuan të paktën 7 vendime shkarkimi, të lidhura të gjithë me cilësimin e të ardhurave si të pajustifikuara, për shkak të mungesës së pagesës së tatimeve.
- Vendim nr. 5, dt. 13.03.2020
KPA, në vendimin nr. 5, dt. 13.03.2020, e konsideroi të drejtë konstatimin e Komisionerit Publik:
“…Sipas kërkimit përfundimtar të Komisionerit Publik, subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë me dokumentacion justifikues ligjor arkëtimin e shumës në vlerën 1.500.000 lekë për blerjen e apartamentit në Tiranë…”.
Në përfundim, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e subjektit A.K.
- Vendim nr. 34, dt. 02.12.2019
Në Vendimin nr. 34, dt. 02.12.2019, Kolegji i Posaçëm i Apelimit konstaton:
“…Kolegji vlerëson se nuk përjashtohet mundësia që vlera e shitjes e kontraktuar të mos jetë reale, pasi kjo vlerë është një prag i përdorur për t’iu shmangur tatimit mbi çmimin e shitjes, që për vitin 2005 minimumi i vlerës së tatimit ishte 0,5% e çmimit të shitjes për vlerat 0-2.000.000 lekë, tatim i cili rritej përtej kësaj vlere shitjeje…”
Në përfundim, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e subjektit E.P.
- Vendim nr. 29, dt.08.11.2019
“…Trupi gjykues i Kolegjit vlerësoi se të ardhurat nga qiraja nuk mund të merren në konsideratë si të ardhura të ligjshme, pasi subjekti i rivlerësimit nuk përmbushi detyrimin ligjor në kuptim të nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të provonte me dokumentacion përfitimin e të ardhurave nga qiraja nga prindërit e bashkëshortes dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore për këto të ardhura …”
Në konkluzion, KPA vendosi shkarkimin e subjektit F.Q.
- Vendim nr. 27, dt.24.10.2019
Në vendimin nr. 27, dt. 24.10.2019, në bazë të të cilit u shkarkua subjekti A.M, Kolegji i Posaçëm i Apelimit argumenton:
“…Rezultoi se të ardhurat nga aktiviteti i noterisë së personit të lidhur për vitin 2009, janë rideklaruar prej tij në datën 14.07.2011, duke shtuar fitimin neto për vitin financiar 2009 me 2.438.650 lekë, të ardhura këto, të cilat, referuar legjislacionit tatimor në fuqi, nuk ishin deklaruar më parë nga personi fizik….
Për rrjedhojë, rritja me 2.438.650 lekë e fitimit neto nga aktiviteti i noterisë për vitin 2009, nuk mund të konsiderohet si e ardhur e ligjshme në kuptim të nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës..”.
- Vendim nr. 23, dt.23.09.2019
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të ndërpresë karrierën e magjistratit A.L, me vendimin nr. 23, dt. 23.09.2019, duke argumentuar ndër të tjera:
“…Nga shqyrtimi i akteve që gjenden në dosjen e gjykimit, nuk rezulton që për këtë shitje subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur të kenë paguar tatim fitimi për të ardhurën rreth 2.755.000 lekë (20.000 euro) të realizuar nga shitja e autoveturës së mësipërme…”
- Vendim nr. 6, dt.28.02.2019
Në një prej vendimeve më të diskutueshme, atë me nr.6, dt.28.02.2019, në përfundim të të cilit u vendos shkarkimi i subjektit A.S, Kolegji shkruan:
“…Në përfundim, trupi gjykues arrin në konkluzionin se, për të ardhurat e krijuara nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit në vlerën e 20.000 USD, nga shërbimet e tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite gjatë vitit 2006, nuk u arrit të provohet se për këto të ardhura janë përmbushur detyrimet tatimore përkatëse dhe, për rrjedhojë, ato nuk përmbushin kriteret…për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme në kuadër të këtij procesi…”
- Vendim nr. 12, dt. 17.12.2018
Vendimi nr.12, dt. 17.12.2018, për shkarkimin e magjistratit B.D, ishte ndër të parët, në të cilët Kolegji i Posaçëm i Apelimit aplikoi masën penalizuese për rastet e mos-konsiderimit të ligjshëm të të ardhurave, për të cilat nuk është paguar tatimi.
“…Subjekti i rivlerësimit, lidhur me pasurinë me sipërfaqe 98 m2 dhe sipërfaqe 146 m2 në pronësi të tij, blerë sipas tij edhe me kontribute të pjesshme nga të ardhurat e të vëllait M.D. dhe kunatit E.C., theksoi se duhet të konsideroheshin si të ligjshme, duke qenë se për të remitancat janë një fakt i njohur botërisht. Subjekti i rivlerësimit nuk provoi me dokumentacion justifikues ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre të ardhurave të dhëna hua. Trupi gjykues vëren se argumenti i subjektit të rivlerësimit bie ndesh me nenin D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, nenin 32, pika 4 e ligjit nr. 84/2016….”.