Nga Genc Pollo
Kryeministri Rama propozoi para dy ditësh Ditmir Bushatin, ish ministrin e tij për Europën e Punët e Jashtme, për postin vakant të Përfaqësuesit të Lirisë së Medias të OSBE-së. Ky lajm nuk do e kalonte cakun e normales dhe as vëmendja ndaj tij nuk do të shkonte përtej cikliit 24-orësh, sikur Rama të mos ishte njëkohësisht edhe kryetar i rradhës i OSBE-së. Këtë dua të shtjelloj më poshtë.
Një bravo për shqiptarët me poste ndërkombëtare
Por fillimisht do të thoja se zyrtarët shqiptarë që marrin poste ndërkombëtare lipsen të mirëpriten e përkrahen nga të gjithë si simbol i konsideratës së Europës e botës ndaj Shqipërisë dhe, në një masë të vogël, si rritje e ndikimit të vendit tonë përtej kufijve të tij. Kryeminstri Berisha propozoi deputetin (dhe ish kryeministrin) opozitar Pandeli Majko për një post të rëndësishëm në OKB. Ndërsa Kryeministri Rama propozoi ish deputeten (dhe ish ministren) e PD Majlinda Bregu për Sekretare të Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit (RCC) me seli në Sarajevë. Ndërkohë që propozimi Bushati është “brendapartiak”, një vëzhguesi të largët dy rastet e para do t’i dukeshin një gjysëm mrekullie politike në mjedisin e superpolarizuar mes qeverisë e opozitës në Shqipëri. Por nuk është tamam kështu. Majko asokohe kishte përkrahjen e partisë së tij. Rama në 2018 dukej sikur hallin e kishte më shumë të përçante e dobësonte opozitën. Vijimi është histori. Majko nuk e kapi dot postin si pasojë e konkurrencës globale ndërsa Bregu e pati më kollaj dhe e kapi. Gjatë pandemisë me kufij të mbyllur “korsitë e gjelbra” që mundësuan një minimum tregtie ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor u realizuan nga Komisioni Europian, RCC e CEFTA (për mini shengenin nuk u kujtua kush!). Për këtë lipset një lavdërim apo falenderim edhe në adresë të RCC e znj. Bregu.
Precedenti negativ nr 3 I Ramës me OSBE-në
Rama është i vetmi kryetar i rradhës së OSBE-së që nga themelimi i kësaj organizate i cili ka shkelur rekomandimet e adresuara specifikisht. E bëri këtë në rastin e ligjeve të medias në fillim të vitit si edhe me ndryshimet zgjedhore këtë verë. Këtë gjë nuk e bëri as Kazakistani, shteti me kredenciale demokratike të diskutueshme gjatë kryesisë së tij në vitin 2010. Sikur kjo të mos mjaftonte Rama, me propozimin Bushati, po krijon për të tretën herë një precedent negativ. OSBE po kalon një krizë politiko-administrative që një shtet i vogël në krye të saj e ka të vështirë t’a përballojë. Të katër agjencitë përfshi edhe ODIHRin nuk kanë drejtues titullar me mandat të plotë për shkak të mosmarrëveshjeve mes shteteve antare. Për gjetjen e kompromisit mes tyre kryetari i rradhës gjithmonë ka qenë një “honest broker” nje ndërmjetësues i ndershëm që mundëson kompromisin e marreveshjen. Në momentin që kryetari propozon kandidatin e tij e vë veten në konflikt interesi dhe heq dorë de facto nga të qenit “honest broker”. Por mbase Rama ka hequr dorë edhe nga më shumë se kaq. Mostakimet në Berlin janë edhe një sinjal tërthor i dorëheqjes. Kryesia e rradhës me rol në Bjellorusi po përvijohet gjithnjë e më shumë Suedia e cila zyrtarisht e merr funksionin në janar 2021.
Kredencialet e Bushatit
Sa më lart nuk lidhet detyrimisht me kandidatin Bushati. Por rrethanat e kanë sjellë sërish berrin të varet tek këmbët e veta. Kredencialet personale përcaktohen nga vendime personale. Ndërkohë që Bushati ka heshtur për shkelje e normës dhe apeleve të OSBE-së për ligjet zgjedhore; në rastin e ligjeve të medias u mjaftua me abstenim e kritikë të mekët. Duket si pak për të synuar besueshëm një post ku nuk përfaqësohen vlerat e qeverisë propozuese por ato të gjithë organizatës. Ose mbase këto kredenciale ai don t’ i shfaqë nga kjo javë që vjen deri në nëntor kur OSBE mblidhet me shpresë se do të gjejë kompromis.
Genc Pollo/ Ish ministër e deputet