Qendra më e njohur arkelologjike në Shqipëri, Butrinti, do të menaxhohet për 10 vitet e ardhshme nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
I ftuar në ‘RTV ORA’, ish-drejtori i këtij parku arkeologjik Auron Tare, tha se situata në Butrint në 10 vitet e fundit lë për të dëshiruar, sa i përket menaxhimit, por dhe të parkut në tërësi.
Auron Tare: ”Unë mendoj se situata të paktën 10 vjeçarin e fundit në Butrint, lë për të dëshiruar në mënyrën e menaxhimit, të parkut në tërësi në koncept, por edhe ato që u bënë dikur, siç ishin ekspeditat arkeologjike, me partnerë të huaj apo dhe me shqiptarë. Shkolla e restaurimit, e cila pak a shumë nuk është më. Janë një sërë gjërash që nuk janë më në Butrint, kanë humbur, janë zhbërë. Megjithatë, do thosha që me gjithë situatën që ka trashëgimia kulturore shqiptare në Shqipëri, Butrinti i rezistoi të gjitha kërcënimeve apo zhvillimeve turistike të zonës.”
Sipas Auron Tares, Butrinti ka nevojë për përmirësim, por nuk mund tu jepet të huajve për ta menaxhuar, pasi rrezikohet identiteti.
Auron Tare: ”Butrinti ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për administrim, për koncept. Por, në asnjë mënyrë nuk mund t’u jepet të huajve për menaxhim. Së bashku me profesor Neritan Cekën kur kemi qenë bashkë në një debat, ne rënditëm një seri arsyesh pse nuk mund t’i jepet një fondacioni privat. Nëse do ndodhë, atëherë ne do kemi për shembull, një fondacion grek që mund të marrë Tepelenën, një fondacion turk që mund të marrë Krujën. Nëse ka nevojë për PPP në fusha të ndryshme , në trashëigminë kulturore është e rrezikshme për disa arsye, por më kryesore është identiteti, nuk mund t’u jepet të huajve. Por, nuk kemi model tjetër në Evropë. Duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund t’ia dorëzosh trashëgiminë tënde kulturore një kompanie të huaj.”
Tare tha se Unesco ka rol me shtetet anëtare, por se nuk mund ta pengojë një shtet nëse do të japë një trashëgimi kulturore me koncension.
Auron Tare: ”Përgjigja e UNECSO ka qenë kjo. Nëse vetë shteti shqiptar do që ta japë me koncension, nuk e ndalojmë dot. Nëse i zoti i punës do që ta heqë qafe, çfarë mund të bëjë Unewsco? Unesco ka rol me shtetet anëtare. Kur shteti anëtar kërkon ta japë, nuk ka çfarë të bëjë. Por, është turp që t’ia japim një kompanie të huaj.
Sipas tij, buxheti i Butrinit duhet të përdorur për të mbajtur Finiqin, dhe zonat përreth.
Auron Tare: ”Ka modele të ndryshme, më interesanti është ai anglez ku mund të jetë një fondacion shqiptar. Me paratë që nxjerr Butrinti, mund të mbahet Finiqi, që është kryevepër, ku nuk shkon njeri fare. Vetë Saranda ka 101 monumente të kategorisë së 1, kisha, manastire, xhami, teqe, të cilat janë të harruara dhe nuk i viziton askush. Ky buxhet që nxjerr Butrinti, mund ta organizojë të giithë sistemin. Përdor Butrintin sot për të mbajtuar Finiqin dhe zonat e tjerë përqark.”