Borxhi i jashtëm bruto i vendit u zgjerua me 8,6 për qind në tremujorin e dytë të vitit, kryesisht prej emetimit të Eurobondit me vlerë 650 mln lekë dhe disbursimit të huasë nga FMN për përballimin e krizës që shkaktoi pandemia Covid-19.
Banka e Shqipërisë raportoi se, në fund të muajit qershor të vitit 2020, Borxhi i Jashtëm Bruto i vendit shënoi rreth 8,908 milionë euro, me një zgjerim rreth 710.4 milionë eurosh.
Rritja e stokut të BJB-së u ndikua nga zgjerimi i borxhit të jashtëm publik në terma afatgjatë. Në muajin qershor 2020, për llogari të Qeverisë së Përgjithshme u emetua Eurobondi me vlerë emërore prej 650 milionë euro. Në të njëjtë kohë, paketa ekonomike e Qeverisë në ndihmë të bizneseve për përballimin e efekteve të pandemisë globale, u mbështet edhe nga disbursimi i huasë afatgjatë të FMN, prej 139.3 milionë SDR në prill të 2020.
Në masën 80% borxhi i jashtëm i Shqipërisë është në maturitet afatgjatë. Gjatë tremujorit, BJB në maturitet afatshkurtër u zgjerua me 9.1 milionë euro në nivelin 1,826 milionë euro, si pasojë e rritjes së detyrimeve në “kredi tregtare dhe paradhënieve”.
Borxhi i jashtëm i Bankës Qendrore qe përfshin alokimet e SDR nga FMN dhe ai i Sistemit bankar nuk kanë regjistruar ndryshime të konsiderueshme.
Monedha evropiane (EUR) është monedha kryesore në emërimin e detyrimeve të Shqipërisë ndaj botës, me rreth 68% të totalit, e ndjekur nga SDR me 13% të totalin në fund të periudhës.
Kreditorët publikë mbajnë pjesën më të madhe (rreth 40%) të tepricës së borxhit të jashtëm afatgjatë. Zotërimet e bankave të huaja private në Eurobondin e radhës kanë zgjeruar ndjeshëm pjesëmarrjen e tyre, në rreth 15% të BJB-së. Në të njëjtën kohë, kreditorët privatë kanë zgjeruar aktivitetin huadhënës dhe në fund të qershor mbajnë rreth 18% të tepricës së BJB-së. Detyrimi afatgjatë mes kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt, ruan një nivel prej rreth 20% të totalit të borxhit të jashtëm afatgjatë.
Pjesa e borxhit të jashtëm me maturitet më të gjatë se 5 vjet kalon dukshëm borxhin me maturitet nga 1 dhe 5 vjet.
Qeveria e Përgjithshme zotëron rreth 50% të totalit të Borxhit të Jashtëm Bruto të Shqipërisë.
Pjesa tjetër është e shpërndarë midis Sektorëve të tjerë (34%), Sistemit Bankar (16%) dhe Autoritetit monetar (1%).
Ndërkohë, efekti i përllogaritur i kursit të këmbimit të euros ndaj valutave kryesore vlerësohet negativ, në rreth –11.1 milionë euro dhe diferencat e rivlerësimit (ndryshime të tjera nga ri-klasifikimi) vlerësohen në rreth +5.3 milionë euro.
Qeveria 4,4 mld euro borxh të jashtëm
Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e BJB-së. Në fund të muajit qershor 2020, detyrimet e Qeverisë së Përgjithshme vlerësohen në 4,455 milionë euro dhe prezantohet vetëm në instrumente afatgjatë, të tilla si hua, obligacione dhe dëftesa. Referuar fundvitit 2019, borxhi i jashtëm i Qeverisë së Përgjithshme u zgjeruan me rreth 699 milionë euro.
Detyrimet e borxhit në formën e huave afatgjata u rritën përkatësisht me rreth 121 milionë euro, ndërsa detyrimet në formën e obligacioneve u rritën me rreth 578 milionë euro.
Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 0.2% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.
Borxhi i Bankës së Shqipërisë 57 mln euro
Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës Qendrore, shënon 57 milionë euro, pa lëvizje të konsiderueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020. Detyrimet e Autoritetit Monetar përbëhen vetëm nga alokimet e SDR-së, pasi huatë afatgjata të akorduara nga FMN u shlyen gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.
Borxhi i bankave arrin në 1,4 mld euro
Në fund të muajit qershor 2020, borxhi i jashtëm bruto i Sistemit Bankar shënon 1,411 milionë euro dhe konsiston kryesisht në formën “hua” dhe “monedha e depozita”, respektivisht në 12% dhe 87% të totalit. Gjatë gjashtëmujorit, ky sektor nuk ka shënuar lëvizje të konsiderueshme në nivelin e borxhit. Referuar nivelit të fundvitit 2019, niveli i borxhit të Sektorëve të Tjerë ra me rreth 25 milionë euro në nivelin 2,985 milionë euro. Lëvizjet kryesore reflektojnë zvogëlim të detyrimeve në formën e “titujve të borxhit” (-26 milionë euro), rritje të “huave” (41 milionë euro) dhe rënie të huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte – hua ndërkompani” (-42 milionë euro).
Tre mujori i dytë, alokimet 310 mln euro
Gjatë tremujorit të dytë 2020, totali i të hyrave (tërheqjeve) ose fluksi i borxhit të ri shënon 310 milionë euro , nga të cilat 269 milionë euro i takojnë sektorit publik. Detyrimet e reja të borxhit të Qeverisë së Përgjithshme përfaqësojnë në masën 71% totalin e tërheqjeve gjatë periudhës. Shërbimi i borxhit të jashtëm (pagesat e principalit dhe të interesit) për periudhën, shënon 161 milionë euro.
Nga këto, rreth 93 milionë euro janë pagesa të Qeverisë së Përgjithshme, 45 milionë euro të Sektorëve të Tjerë dhe 23 milionë euro të Sistemit Bankar. Në masën 84%, shërbimi i borxhit ka qenë për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe në 16% për shlyerjen e interesave. Qeveria e Përgjithshme mban peshën kryesore në shlyerjet e principalit me rreth 82 milionë euro ose 61% të vlerës së përgjithshme të principalit, ndërsa Sektorët e Tjerë në shlyerjen e pagesave të interesit për periudhën, me rreth 14 milionë euro ose 55% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara nga ekonomia. /Monitor/