Nga Boldnews.al
H. Skuqi, një prej dy të arrestuarve në mesin e Gushtit 2020 për vjedhjen e një Audi Q5 në plazhin e Durrësit, ka surprizuar oficerët e Policisë kur është vetë-rrëfyer se mjetin e kishin grabitur për të kryer një vrasje të dyfishtë, për të cilin do të paguhej 90 mijë euro.
Ai ka treguar se ishte kontaktuar nga një person, i cili i ka premtuar shumën e konsiderueshme të parave për të vrarë dy persona nga Shënavlashi.
Për të krijuar kushtet e përshtatshme për vrasjen, Skuqi ka menduar se i duhet një automjet. Ai, së bashku me mikun e tij, K. Ramazani, në 9 Gusht 2020 kanë arritur të grabisin mjetin luksoz të një shtetasi kosovar, që gjendej me pushime në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Por, plani kriminal për vrasjen me pagesë ka dështuar për një rrethanë ironike- dy grabitësit nuk kanë ditur të menaxhojnë automjetin e vjedhur, i cili ishte një modeli të viteve të fundit.
Pas dështimit me mjetin, ata kanë lënë shumë gjurmë, të cilat kanë ndihmuar policinë për të identifikuar grabitësit.
Por, derisa morën në pyetje H. Skuqin për grabitjen e automjetit, agjentët nuk kishin asnjë informacion që ai ishte kontraktuar për vrasje me pagesë, të cilën e tregoi vetë.
“Boldnews.al” ka mësuar detaje ekskluzive nga ngjarja, e cila nuk është bërë plotësisht publike nga ana e Policisë së Shtetit.
Grabitja me armë
Policia e Durrësit njoftoi pak javë më parë se kishte arrestuar H.Skuqi dhe mikun e tij, K. Ramazani, nën dyshimet se, nën kërcënimin e armës, kanë vjedhur mjetin e një shtetasi kosovar me banim në Zvicër dhe që kishte ardhur për pushime në Plazhin e Durrësit.
Burime të “Boldnews.al” nga Policia e qytetit bregdetar kanë rrëfyer ngjarjen, e cila nisi me hetimin për vjedhjen e mjetit dhe përfundoi me administrimin e rrëfimit për vrasje me pagesë.
Mbrëmjen e datës 9 Gusht, shtetasi kosovar B.F. la mjetin ndezur, brenda së cilës gjendej edhe bashkëshortja, dhe ka zbritur për të blerë diçka në një market në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Në ato momente, dy persona, njëri prej të cilëve me armë, kanë kërcënuar bashkëshorten e B.F. me një mjet pistoletë dhe, pasi e kanë detyruar të zbresë, janë larguar me automjetin në drejtim të Kavajës.
Në një pjesë të qytetit ata kanë ndaluar, duke fikur mjetin, pranë banesës së një të njohuri të K. Ramazanit. Personave të asaj familjeje u kanë thënë që mjetin Audi Q5 e kanë marrë me qera.
Pasi kanë qëndruar për pak kohë në Kavajë, dy grabitësit kanë menduar të kthehen në Durrës.
Por, kur kanë tentuar ta ndezin sërish, kishin kuptuar se mjeti, i modelit të ri, ndizej vetëm duke pasur çelësin afër. Dhe çelësi gjendej në xhepin e të zotit.
Në këto kushte, ata kanë telefonuar një shokun e tyre, G. Doçi, për t’i marrë nga Kavaja drejt Durrësit.
Ndërkohë, mjetin e kanë lënë në Kavajë dhe u kanë thënë miqve të Ramazanit që të njoftonin policinë, por pa u treguar se kush e kishte sjellë Audi-n deri para shtëpisë së tyre.
Policia, e cila ishte njoftuar për grabitjen e këtij automjeti, ka kryer verifikimet, përfshirë kqyrjen e kamerave të sigurisë, nga ku ka zbuluar dhe arrestuar më pas H. Skuqin dhe K. Ramazani, si autorët e dyshuar të grabitjes së automjetit.
Të dy këta persona kishin precedentë penalë të rëndë. H. Skuqi ishte dënuar për vrasje në Itali, ndërkohë që K. Ramazani, sipas njoftimit të policisë pas arrestimit të tyre, ishte dënuar më parë për “vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë.
Rrëfimi për vrasjen me pagesë
Pas arrestimit, H. Skuqi duket se është treguar më “transparent” se sa duhet, kur është pyetur nga oficerët e Policisë për arsyet e vjedhjes së mjetit të shtetasit nga Kosova.
Ai ka deklaruar se ka dalë nga burgu rreth 3 muaj më parë dhe kishte qëndruar në një banesë në qytetin e Durrësit. Gjatë kësaj kohe ai është takuar me persona të ndryshëm, përfshirë edhe “kolegë”, të cilët i kishte njohur gjatë vuajtjes së dënimit.
Ndër këto takime, është njohur me një shtetas, për të cilin deklaron se i di vetëm emrin, G. Ky person, duke e ditur që Skuqi ishte dënuar më parë për vrasje, i ka propozuar që të kryente “eleminimin” e dy personave, me të cilët “porositësi” kishte pasur prishje pazari për trafik droge jashtë Shqipërisë.
Për këtë “punë”, H. Skuqi deklaron se do të paguhej 90 mijë euro.
Personi porositës i kishte dhënë paraprakisht 1 mijë euro, si edhe një pistoletë tip Glock. Gjithashtu i kishte kërkuar Skuqit që të gjente edhe ndonjë person tjetër të besuar, për të kryer vrasjen.
Sipas rrëfimit të Skuqit para oficerëve të Policisë Gjyqësor, ai e ka biseduar propozimin për “vrasje me pagesë” me mikun e tij K. Ramazani dhe të dy bashkë kishin dalë për të grabitur një automjet, që do u shërbente për kryerjen e misionit.
Mbrëmjen e 9 Gushtit ata gjetën “prenë” e tyre, mjeti Audi Q5 të shtetasit kosovar. Gjuetia për mjetin u shkoi keq dhe ata u arrestuan.
Ndërkohë, i arrestuari tjetër, K. Ramazani, ka deklaruar se mjetin e kanë grabitur “për të bërë xhiro”.
Skuqi dhe Ramazani tashmë mbahen në paraburgimin e Durrësit, pasi gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale të “vjedhjes me dhunë” dhe “sigurimi i mjeteve për kryerjen e vrasjes”.
Bashkë me ta, Gjykata caktoi “arrest në shtëpi” edhe për G. Doçin, personin që mori Skuqin dhe Ramazanin nga Kavaja drejt Durrësit. Ndaj tij rëndojnë dyshimet e kryerjes së veprave penale të “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.
Ndërkohë, burime nga Policia e Durrësit tregohen shumë të rezervuara lidhur me hetimet e mëtejshme, të mbështetura në deklarimet e H. Skuqit për “vrasje me pagesë”.