Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha u përball me një seri problemesh të pasurisë dhe mungesë burimesh në vlera të mëdha gjatë seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të premten.
Seanca zgjati më shumë se 5 orë, ndërsa Gaxha i kundërshtoi gjetjet dhe e konsideroi hetimin të paragjykuar.
Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Firdes Shuli kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jocobs.
Artur Gaxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2016 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.
Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nuk kishte konstatuar probleme në pasurinë e Gaxhës, por KPK e përmbysi atë në seancë. Sipas relatores Qirko, gjyqtari rezultonte me pamundësi financiare në dhjetëra milionë lekë për krijimin e pasurive të tij si dhe mosdeklarim të pasurive dhe huave.
Gaxha në fjalën e tij e cilësoi raportin e KPK me gabime të rënda dhe të pabazuar në prova. “E konsideroj si paaftësi, për të mos e vlerësuar dashakeqësi. Një guxim të tepruar për tejkalimin e ligjit nga Komisioni”, deklaroi gjyqtari Artur Gaxha.
Problemet me pasurinë
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të Gaxhës për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe180 m2 në Tiranë në vitin 2015 për shumën 200 mijë euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, ai ka deklaruar një kredi në vlerën 120 mijë euro, 41 mijë euro të përfituara nga shitja e një apartamenti në Golem, 1.5 milionë lekë nga shitja e një automjeti dhe kursime familjare.
Kur është nënshkruar kontrata e pasurisë në vitin 2010, Gaxha ka deklaruar se ka paguar këstin e parë në shumën 60 mijë euro, por pa pasqyruar burimin e kësaj vlere. Detyrimin e mbetur ndaj kompanisë ai e ka shlyer në vitin 2015.
Komisioni ka identifikuar një kontratë të dytë ku ishte ndryshuar plani i pagesës së kësteve.
Gaxha tha se në kontratën finale nuk përcaktohej se kur dhe si do të shlyhej vlera 140 mijë euro. Ai këmbënguli se këstin e fundit e ka shlyer në vitin 2015, kur ka marrë në dorëzim apartamentin.
Kryesuesja Firdes Shuli e pyeti Gaxhën se përse nuk ishte kryer revokimi i një prej kontratave, në kushtet kur ekzistonin dy të tilla me të njëtat ekstremitete, por të dhëna të ndryshme. Gjyqtari Gaxha shpjegoi se kishte rënë në dijeni të këtij fakti kur ishte njohur me raportin e Komisionit dhe se palët nuk kishin patur ndonjë pretendim. Ai i kërkoi Komisionit të reflektonte mbi provat e dorëzuara dhe ndryshim të analizës financiare.
Komisioni ka analizuar burimet e deklaruara për shlyerjen e çmimit të apartamentit 200 mijë euro. Shuma 41 mijë euro e deklaruar si e prejardhur nga shitja e një apartamenti në Golem, nuk është konsideruar për shlyerjen e këstit të parë pasi kjo vlerë ishte përfituar në nëntor të vitit 2010, ndërkohë që pagesa 60 mijë euro ishte kryer një muaj më parë, në muajin tetor.
Nga analiza financiare është konstatuar gjithashtu mungesë burimesh për blerjen e apartamentit në Golem në vitin 2006, pasi ka rezultuar me balancë negative prej 4.4 milionë lekësh për vitin.
Po ashtu nuk është përfshirë në analizën financiare edhe vlera 1.5 milionë lekë e përfituar nga shitja e një automjeti “Suzuki” në vitin 2010. Nga hetimi ka rezultuar se këtë makinë, Gaxha e kishte blerë në vitin 2004 kundrejt shumës 2700 euro dhe një vit më pas kishte paguar doganën në vlerën rreth 226 mijë lekëve. Për shkak se është shitur disa herë më shtrenjtë nga vlera e blerjes, Komisioni ngre dyshime për çmimin real të shitjes. Ndërkohë, për shkak të mospagimit të tatimit të fitimit, kjo vlerë nuk është konsideruar nga KPK si burim i ligjshëm.
Gaxha e kundërshtoi këtë konkluzion të KPK duke u bazuar në kërkesën e tregut. “Vërtet nuk kemi paguar tatim- fitimin, por kështu ka funksionuar në atë periudhë. Formalizimi është kryer në vitin 2011,” pohoi Gaxha.
Tjetër vlerë që nuk është konsideruar prej Komisionit ka qenë edhe shuma 9 mijë USD e deklaruar si kursime në gjendje cash në vitin 2003, me burim të ardhurat e vëllezërve nga puna në emigrim. Sipas Komisionit, nuk është provuar me dokumentacion burimi i kësaj vlere.
Relatorja Pamela Qirko tha se nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Artur Gaxha ka qenë në pamundësi financiare për pagesën e këstit të parë të këtij apartamenti në shumën 8 milionë lekë në janar të vitit 2010.
Ndërkohë, kësti i dytë në shumën 120 mijë euro si burim i të cilit ka rezultuar një kredi në të njëjtën vlerë ka rezultuar pa probleme. Sipas Komisionit, kjo vlerë është transferuar për llogari të shoqërisë ndërtuese.
Komisioni konkludon se kësti i tretë në shumën 20 mijë euro është paguar në vitin 2011, kur apartamenti është marrë në dorëzim. Në këtë vit ka rezultuar balancë negative në shumën e 7.7 milionë lekëve dhe Komisioni konstaton se Gaxha nuk ka patur mundësi të paguajë vlerën 20 mijë euro për shlyerjen totale të apartamentit.
Në vitin 2005, Gaxha ka deklaruar pasuritë apartament+dyqan+garazh të blera në Tiranë për vlerën 134 mijë USD, por nuk ka pasqyruar burimin. Sipas Komisionit, në kontratë nuk specifikohet çmimi për secilën pasuri.
Në deklaratën veting, Gaxha ka deklaruar si burim krjimi të kësaj pasurie një pjesë të lotarisë së përfituar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA dhe hua në shumën 60 mijë USD.
Komisioni konstaton se kjo hua nuk është deklaruar në vitin 2005, por vetëm në vitin 2015 në ILDKPKI. Për këtë arsye, vlera 60 mijë USD e deklaruar si e marrë hua nuk është përfshirë në analizën financiare.
Qirko e pyeti Gaxhën për mosdeklarimin e huasë që më pas e kishte deklaruar në vitin 2015 në ILDKPKI. Gjithashtu, ajo e pyeti se përse e shleu pas 10 vitesh. Gaxha shpjegoi se e kishte marrë pasi kishte patur mundësi ta shlyente për shkak se kishte fituar një llotari në SHBA në shumën 500 mijë USD.
“Huadhënësi më tha se paratë ishin të dikujt tjetër dhe ja kishte lënë atij në ruajtje. Për shkak se druhej se mos i shpenzonte, tha që më mirë t’ia ktheja kur t’ia kërkonte personi që ia kishte dhënë,” shpjegoi Gaxha.
Relatorja Qirko vijoi se në deklaratën veting, Gaxha ka pasqyruar përfitimin e vlerës 84 mijë si fitues i një llotarie në vitin 2006. Ajo shtoi se konfirmohet vlera e përfituar, por nuk shpjegoi më gjatë lidhur me llotarinë e përfituar në USA nga Artur Gaxha – duke i cilësuar të dhënat si sensitive. Gaxha deklaroi se e kishte fituar llotarinë se bashku me motrën e tij.
Komisioni konstaton se Gaxha nuk ka deklaruar blerjen e një autoveture tip Benz të patarguar në vitin 2004 në shumën 9500 euro. Gjithashtu, u identifikua mosdeklarimi i vlerës reale për një autoveturë tip Benz me vlerë 55 mijë USD, që Gaxha e zotëron në bashkëpronësi me motrën e tij.
Për shlyerjen e pjesës së tij takuese në shumën 27 mijë e 500 euro, Gaxha ka deklaruar si burim krijimi lotarinë e fituar nga SHBA. Sipas Komisionit, pagesa është kryer fillimisht nga Gaxha, por ai nuk ka deklaruar huatë që i ka dhënë të afërmes dhe kthimin e këtyre vlerave gjatë periudhës 2011-2013 kur mjeti ka qenë ende i pazhdoganuar. Qirko tha se mjeti në fjalë është deklaruar në doganë për vlerën 350 mijë lekë dhe është zhdoganuar në vitin 2014 për shumën 400 mijë lekë. Nga verifikimi ka rezultuar se zhdoganimi është kryer tre vjet pas blerjes.
Gjatë seancës dëgjimore u evidentua mospagimi i tatimit për një një pjesë të vlerës së përfituar si fitim nga shitja e një apartamenti me sipërfaqe 147 m2 në vitin 2011, të porositur në vitin 2005 për 7 milion lekë. Sipas KPK, fitimi ka qenë në shumën 9.8 milionë lekë dhe se nuk është paguar tatimi i fitimit për vlerën 2.9 milionë lekë. Qirko tha se subjekti e ka konsideruar të saktë përllogaritjen e KPK dhe se me marrjen në dijeni, ka kryer pagesën e tatimit përkatës.
Komisioni konstaton mosdeklarimin e blerjes së një automjeti tip “Toyota” gjatë periudhës 2008-2013. Qirko sqaroi se mjeti në fjalë është blerë në SHBA prej kunatit të ndjerë të subjektit dhe se i është shitur këtij të fundit në vitin 2008. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 378 mijë lekë në vitin 2008.
Gaxha nuk pranoi që mjeti tip “Toyota” të ishte pronë e tij. “Për shkak se motra nuk kishte dokumente shqiptare të vlefshme u targua në emrin tim”, deklaroi Gaxha.
Transaksionet e bashkëshortes
Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan edhe transaksione të kryera nga bashkëshortja e gjyqtarit Artur Gaxha, e cila deri në vitin 2014 kishte qenë bashkëortake në shoqërinë “2C” sh.p.k., që operonte në sektorin e ndërtimit. Gaxha ka deklaruar në vitin 2005 se bashkëshortja zotëronte 49% të kuotave të kësaj shoqërie.
Në vitin 2008, shoqëria “2C” sh.p.k. ka porositur ndërtimin e një ambjenti me sipërfaqe 404 m2 me çmim 539 mijë euro. Fillimisht, ndërtimi ka patur si destinacion zyra, por që më pas është kthyer në apartament. Për likujdimin e shoqërisë tjetër ndërtuese, është marrë një kredi afatgjate në vlerën 420 mijë euro. Qirko tha se pas ndarjes së apartamentit, bashkëshortja e gjyqtarit ka përfituar një sipërfaqe 230 m2. Gjithashtu, është ndarë edhe pjesa e kredisë.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs ngriti dyshime mbi këtë transaksion, duke pyetur se si e shoqja kishte përfituar gjysmën e pasurisë, kur investimi ishte kryer nga ortaku i saj.
“E kuptoj. Është një marrëveshje e mirë për bashkëshorten tuaj. Ju përfituat një apartament për të cilin kishte investuar kompania. Por në disa vende, nëse kompania del me humbje, ka përgjegjësi,” tha Jacobs.
Gaxha nuk dha një përgjigje të drejtëpërdrejtë lidhur me këtë konstatim.
“E di zotëria se jemi në një proces administrativ? Nëse ka mandat nga shoqëria dhe i dhimbset për humbjen, jashtë kësaj seance dëgjimore, e sqaroj zotërinë. Nuk jemi këtu për aktivitetin e shoqërisë. Nuk kam patur dijeni për veprimtarinë e bashkëshortes në shoqërinë në fjalë, unë kisha detyrë tjetër. Por, kjo nuk i heq të drejtën asnjë familjari të ushtrojë aktivitet privat,” tha Gaxha.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në vitin 2005 shoqëria “2C” sh.p.k. ka deklaruar në organet tatimore investim në vlerën 39 milionë lekë, nga të cilat 19 milionë figurojnë të jenë dhënë nga bashkëshortja e gjyqtarit Gaxha dhe 20 milionë lekë nga bashkëortaku i saj. Komisioni konstaton se mandati i pagesës ka qenë i pashoqëruar me dokumentacion. Nisur nga këto të dhëna, KPK ka përfshirë në analizën financiare të vitit 2005 vlerën që rezulton të jetë investuar – ose ti jetë dhënë borxh shoqërisë në shumën 19 milion lekë.
Qirko tha se të gjitha shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti lidhur me gjetjet e Komisionit, do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.
Sipas Komisionit, nga analiza financiare e vitit 2005 ka rezultuar një balancë negative në shumën 29 milionë lekë mes të ardhurave dhe shpenzimeve të kryera për blerjen e pasurive, kryerjen e investimeve dhe jetesën.
Në vitin 2013, një vit para se të largohej si bashkëortake e shoqërisë “2C” sh.p.k, bashkëshortja e gjyqtarit Gaxha ka marrë kredi në vlerën 175 mijë euro për financim në blerje zyrash. Qirko tha se janë prositur një ambjent me sipërfaqe 8.8. m2 + një apartament 120 m2 për vlerën 330 mijë euro në rugën “Refit Çollaku” në Tiranë.
Sipas Komisionit, subjekti ka shpjeguar se pagesa është kryer nga kredia. Pjesa tjetër e vlerës në shumën 137 mijë euro është paguar nga shoqëria “2C” sh.p.k.
Qirko tha se kjo pasuri është shitur po atë vit në vlerën 450 mijë euro nga bashkëshortja e subjektit.
“Duket se pagesa e tjetërsimit nuk është bërë tek noteri”, pohoi relatorja.
Gaxha deklaroi se i ishte kaluar barra e provës për një detyrim që nuk i takonte të paguhej prej tij, por nga shoqëria. “Bashkëshotja nuk është më pjesë e shoqërisë, pasi është larguar në vitin 2014 duke shitur kuotat e saj. Kam depozituar vendimin e asamblesë të vitit 2013, ku çdo ortak ka marrë përsipër të paguajë 50% të kredisë. Bashkëshortja kur ka shitur kuotat, pala blerëse ka marrë përsipër të gjitha detyrimet. Ka qenë detyrimi i shoqërisë të deklarojë ndarjen e dividentit”, pohoi Gaxha.
Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs e pyeti gjyqtarin Gaxha se çfarë përfitimi kishte bashkëshortja e tij, duke qenë bashkëortake në një kompani, investimet e së cilës kryheshin thuajse të gjitha nga ortaku. Gaxha tha se e kishte sqaruar me imtësi gjithë veprimtarinë e bashkëshortes në shoqërinë “2C” sh.p.k.
“Ka garantuar bankat për aktivitetin e shoqërisë me pagën e saj dhe pasuritë familjare,” pohoi Gaxha.
Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan llogari bankare dhe obligacione fondi investimi ne emër të familjarëve të gjyqtarit Gaxha.
Bashkëshortja ka deklaruar obligacion në vlerën 150 mijë euro me afat dy vjet; një obligacion tjetër në shumën 100 mijë euro për periudhën 2016-2020; një obligacion 2.1 milionë lekë me afat 7 vjeçar dhe një obligacion tjetër në shumën 1.9 milion lekë për periudhën 2015-2017. Si burim krijimi të obligacioneve është deklaruar vlera e përfituar nga shitja e apartamentit në rrugën “Refit Çollaku” në vitin 2013 për vlerën 450 mijë euro.
Gaxha u vlerësua pozitivisht për figurën. Edhe për profesionalizimin nuk u identifikuan probleme. Gjatë ndërprerjes së seancës dëgjimore për një pushim pas relatimit të gjetjeve të Komisionit, një denoncuese e gjyqtarit Gaxha i kërkoi Komisionit të vlerësonte çështjen e saj. Ajo pretendoi se Gaxha me vendimin e tij, i kishte hequr kujdestarisë së dy fëmijëve të mitur pa të drejtë. Gjatë fjalës së tij, gjyqtari Gaxha shpjegoi se ishte vendosur që dy fëmijët e mitur të qëndronin me të paditurin për zgjidhje martese, të atin e fëmijëve, pasi kjo ishte përcaktuar nga pesë ekspertë në Shkallën Parë, si dhe në Apel. Ai tha se fëmija i madh në moshën 10-vjeçare kishte shprehur dëshirën të jetonte me të atin dhe se ekspertët kishin rekomanduar se nuk ishte mirë që të ndaheshin. Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Artur Gaxha kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 10 shtator, ora 09:15.
/Reporter.al/