Nga Erl Kodra
Gjëja më pozitive që prodhoi Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është njohja e Kosovës nga Izraeli. Në të vërtetë, kjo dukej si një konçension, domethënë një shpërblim që Presidenti Trump i bënte Kosovës. Pjesa tjetër e saj mund të rezultojë e mirë, por mund të jetë edhe një paketim propagandistik disi i fryrë më shumë se çfarë është vlera reale.
Të paktën në këtë rast ne shqiptarët nuk kemi pse të bëhemi euforikë se “diçka e madhe dhe historike ndodhi në Shtëpinë e Bardhë”. Po, ka ndodhur diçka, mundet të rezultojë edhe shumë e rëndësishme, por me siguri që është shumë herët për të kuptuar se sa e favorshme do të jetë për ne. Prandaj le të shohim qetësisht se çfarë ka ndodhur me të vertetë.
Përveç Serbisë, pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor duket se e ka zgjedhur përfundimisht drejtimin gjeostrategjik. Edhe Mali i Zi, pavarësisht fitores së opozitës proserbe, nuk do të ndërrojë kursin e aleancave gjeopolitike. Në këtë situatë, e gjithë vëmendja e gjeo-diplomacisë amerikane është përqendruar tek Serbia, me qëllim që ta tërheqin përfundimisht drejt perëndimit. Aleksandër Vuçiç ka ditur të luajë lojë të rëndë në një skakierë gati të jashtëzakonshme.
Serbia është një vend me popullsi rreth 6,5 milion banorë. Si trashgimtarja kryesore e ish-Jugosllavisë, ajo ka trashguar një potencial të madh ushtrak, potencial të cilin nuk hezitoi ta përdorte në luftrat e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Një shtet që ka kryer gjenocid të pastër dhe spastrim etnik, të paktën në Kosovë dhe Bosnje. Në rastin e Bosnjes edhe është dënuar saktësisht me akuzën e krimeve të luftës dhe gjonocidit. Shkurt, Serbia është një vend që ka synuar të dominojë historikisht në Ballkan; me luftë, shpopullim, shkombëtarizim, dhe kur nuk ia ka arritur me këto mjete, me gjenocid. Ishin Shtetet e Bashkuara që ndërmorën fushatën më të madhe ushtarake në Europë pas Luftës së Dytë për të ndalur gjenocidin serb në Kosovë. Dhe kjo nuk ka ndodhur në Mesjetë, por vetëm para 20 vitesh.
Shtetet agresive kanë një parakusht; duhet të jenë vende të bashkuara, të udhëhequra nga doktrina të forta fetare ose ideologjike dhe të mbështetura nga një fuqi globale. Edhe numri i popullsisë duhet të jetë të paktën mbi 5 milion banorë. Serbia i plotëson këto kushte, madje, në ëndrrat e saj ajo e sheh veten si një superfuqi. Serbia kërkon me çdo kusht daljen në Adriatik. Me pavarësimin e Malit të Zi, por sidomos me anëtarësimin e tij në NATO, Serbia mori një goditje të madhe; sepse vendi i vogël buzë Adriatikut nuk do të jetë më aleati i saj. Në këto rrethana, Serbisë i mbetej vetëm Kosova me të cilën mund të vazhdonte të luante në gjeopolitikën globale, për të përfituar sa më shumë prej saj, pse jo, edhe ëndrrën e madhe të Adriatikut.
Në shekullin e 20-të bota është zvogëluar, por në shekullin e 21-të ajo është bërë fare e vogël. Tenkologjia ushtarake ka shkuar kaq larg, sa duket sikur globi që njohim është shumë i vogël për të përballuar këtë fuqi shkatërrimtare. Tashmë mbetet kush do t’i zotërojë pikat kyçe. Dhe Ballkani Perëndimor është padyshim një prej pikave prej ku kontrollohet kjo pjesë e botës.
Serbia ia doli të shesë shumë shtrenjtë aleancën me Rusinë dhe Kinën. Me sa duket ajo është e gatshme ta shesë miqësinë me këto fuqi globale me premtimin për daljen në Adriatik. Kush ka dyshime le t’i referohet tekstit që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se Shqipëria si shtet i pavarur nuk ishte nënshkruese e atij dokumenti. Pas kësaj, nuk është çudi që ndonjë ditë Serbia të bëhet pjesë e NATO-s. Për Serbinë, ëndrra e Adriatikut është shumë e madhe. Minishengeni ia mundëson këtë. Gjendja mund të shihet edhe kështu, fundja, çfarë janë marrëveshjet? Historia na ka mësuar se ato ekzistojnë, madje bëhen edhe luftra për të përmirësuar pozitat dhe bërë marrëveshje të mira.
Ka diçka të rëndësishme që duhet ta sqaroj medeomos; unë nuk po kritikoj marrëveshjen, unë nuk po e mbroj atë, por thjesht po përpiqem ta lexoj saktë rrethanat në të cilën gjendemi, si dhe përfitimet tona. Mundet që ajo të rezultojë me shumë interes për ne, por gjithashtu, mundet edhe të jetë preludi i një epoke të re mirëkuptimi dhe miqësie shqiptaro-serbe. Por për këtë të fundit unë jam shumë skeptik për miqësitë e mëdha me sllavët e jugut; historia nuk na jep një përvojë të tillë.
Përfundimisht, nuk mund të thuhet se kjo ishte një “marrëveshje e madhe” historike, por ajo mund të bëhet e tillë, ashtu siç mund të dështojë me sukses. Deri tani ne e dimë që jetojmë nën hyqmin e SHBA-ve, ashtu siç jetuam për 500 vjet nën hyqmin e Perandorisë Osmane. Fundja, ky është fati i kombeve të vegjël dhe paqësorë, ashtu siç jemi ne shqiptarët. Këtu nuk ka parime, por vetëm interesa. Dhe parimet janë janë të lidhura ngushtësisht me interesat.