Njoftim i rëndësishëm për aplikantët për viza K (për të fejuarit) që janë prekur nga situata e shkaktuar nga COVID-19 Për çështje të emigracionit në SHBA, sqaron më poshtë avokati amerikan Kieran Both:
“Meqënëse është në rritje siguria për rifillimin e më shumë shërbimeve konsullore pranë misioneve amerikane, përfaqësitë konsullore dhe ambasadat janë autorizuar që t’i japin përparësi të lartë rasteve që kanë të bëjnë me vizat K – shkruan zv. Both.
“Aplikantët duhet të kontrollojnë faqet përkatëse të internetit të konsullatës apo të ambasadës më të afërt për të parë nëse ka njoftime të përditësuara dhe se çfarë shërbimesh është në gjendje të ofrojë aktualisht ajo përfaqësi konsullore. Kjo gjë ka hyrë në fuqi më 28 gusht, 2020.
Peticioni I-129F (Petition for Alien Fiancé(e)) zakonisht është i vlefshëm për katër muaj. Gjithsesi, zyrtarët konsullorë mund ta rinovojnë vlefshmërinë e peticionit përmes shtesash kohore 4-mujorëshe. Në shumicën e rasteve të prekura nga pezullimi i shërbimeve rutinore të vizave apo nga kufizimet e udhëtimeve, nuk do të jetë e nevojshme të dërgohet një peticion i ri I-129F.
Paralajmërim lidhur me privatësinë – propozim për të mbledhur më shumë informacion personal:
Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) shpalli që ka ndërmend të nxjerrë një njoftim lidhur me projekt-rregulloren e propozuar ku propozohet zgjerimi i autoritetit të Departamentit si dhe i metodave për mbledhjen e të dhënave biometrike.
Rregullorja e propozuar do të autorizonte një përdorim më të zgjeruar të të dhënave biometrike që shkon përtej kontrollit për preçedentë penalë, për të përfshirë verifikime që lidhen me identitetin; përdorimin e teknikave të reja, ku përfshihet njohja e fytyrës, zërit dhe irisit të syve; si dhe marrjen e mostrave të ADN-së si dhe të rezultateve të testeve të ADN-së për të verifikuar lidhjet gjenetike të pretenduara nga aplikanti në rastet kur aplikanti ose peticioneri nuk janë në gjendje të paraqesin dokumentacion të mjaftueshëm për të provuar lidhjen që kanë deklaruar se egziston mes tyre.
Është e qartë që qeverisë do t’i lejohet t’u kërkojë të dhëna biometrike emigrantëve që kanë përfituar nga emigracioni duke marrë green card ose autorizim për punë, në çdo moment, derisa të bëhen nënshtetas amerikanë, për të siguruar kështu një “vetting” (shqyrtim të hollësishëm) të vazhdueshëm. Zyrtarët e USCIS-it zakonisht kërkojnë vetëm shenjat e gishtërinjve, një firmë dhe foto të të rriturve dhe personave mbi 14 vjeç të kombësisë së huaj të cilët shpresojnë të marrin përfitime nga emigracioni si p.sh. viza të përkohshme, green cards apo nënshtetësi.
Gjithsesi, projekt-rregullorja në fjalë, do ta ndryshojë proçedurën në mënyrë që cilitdo person që ka përfituar në njëfarë mënyre nga emigracioni, duke filluar nga sponsorët me nënshtetësi amerikane deri tek aplikantët vetë, do t’i kërkohet të paraqitet për marrje të të dhënave biometrike, me përjashtim të rasteve kur USCIS-i i ka thënë të mos e bëjnë diçka të tillë. Gjithashtu për mbledhjen e këtij informacioni nuk do të ketë kufinj moshe, duke i lejuar kështu qeverisë që t’u marrë të dhënat biometrike dhe personave nën moshën 14 vjeçare.
Projekt-rregullorja e re që do të jetë e hapur për komente nga opinioni publik dhe nuk do të hyjë menjëherë në fuqi, do t’u hapë gjithashtu rrugën autoriteteve të emigracionit që mbledhin mostrat e ADN-së nga familjet që janë nën kujdestarinë e qeverisë, për të verifikuar nëse këto familje kanë lidhje gjaku.
Gjithashtu, do të lejojë marrjen e të dhënave biometrike të personave të kapur nga DHS-ja dhe që janë në proçes deportimi nga SHBA-ja.
Projekt-rregullorja thotë që shpreson ta ndryshojë qasjen aktuale të qeverisë që konsiston në marrjen e të dhënave biometrike vetëm në situata të caktuara në qasjen e re ku të dhënat biometrike duhen marrë gjithmonë me përjashtim të rasteve kur qeveria vendos që diçka e tillë nuk është e nevojshme.
“Rregullorja e propozuar zhduk çdo paqartësi lidhur me përdorimin e të dhënave biometrike nga Departamenti, duke vendosur standarte të qarta lidhur me mënyrën se si dhe arsyen pse e mbledhim dhe e përdorim këtë informacion,” tha Zyrtari i Lartë që kryen detyrat e Zëvendës Sekretarit për Sigurinë Kombëtare, Ken Cuccinelli.
“Të përdorësh teknologjinë që kemi tashmë në dispozicion për të verifikuar identitetin e një individi që kemi marrë në shqyrtim, është qeverisje e përgjegjshme. Mbledhja e të dhënave biometrike na mbron nga rastet e vjedhjes së identitetit si dhe pengon mashtruesit që nuk janë ata që pretendojnë të jenë”.
Dërgoni tani aplikimet – Tarifat dhe formularët e emigracionit do të ndryshojnë duke filluar nga 2 tetori, 2020.
Rregullorja e re ndryshon ndjeshëm listën e tarifave të USCIS-it duke rritur mesataren e ponderuar të tarifave me 20%, duke shtuar tarifa të reja, duke vendosur tarifa të shumta për peticionet e punëtorëve joemigrues si dhe duke kufizuar numrin e atyre që përfitojnë për formularë të caktuar. Çdo aplikim, peticion apo kërkesë që mban vulën postare me këtë datë apo të datave në vijim duhet të shoqërohet me tarifat e reja.
Rregullorja e re nuk lejon më përjashtime të caktuara që kanë të bëjnë me pagesën e tarifave, kufizon numrin e fee waivers (faljes së pagesave të tarifave), ka ndryshuar kufijtë kohorë për proçedurat e përshpejtuara si dhe ka modifikuar proçedura të caktuara të adoptimeve ndërvendase.
Do të ndryshojnë disa nga formularët e USCIS-it. 30 ditë përpara hyrjes në fuqi të rregullores së re, USCIS-i do të fusë online formularët e rinj dhe ato të rishikuar. Në këto formularë përfshihen:
Formulari I-129, Petition for a Nonimmigrant Worker;
Formulari I-600/I-600A, Shtojca 3, Request for Action on Approved Form I-600/I-600A;
Formulari I-765, Application for Employment Authorization; dhe
Formulari I-912, Request for a Fee Waiver.
USCIS-i ka ofruar një periudhë 60 ditore gjatë së cilës do të pranojë qoftë versionet e mëparshme qoftë ato të reja të formularëve të caktuar sa kohë që këto formularë shoqërohen me tarifat e reja të sakta. Nga 2 tetori, 2020, aplikantët dhe peticionerët duhet të përdorin formularët e rinj apo ato të rishikuar. Formularët dhe tarifat përkatëse mund t’i gjeni në https://www.uscis.gov/forms/Marre nga illyria/