Të hënën, Presidenti Donald Trump i doli në mbrojtje adoleshentit Kyle Rittenhouse, i akuzuar për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një të treti gjatë demonstratave në Kenosha të Uiskonsinit javën e kaluar.
17-vjeçari Rittenhouse, mbështetës i Presidentit Trump dhe i apasionuar pas punës së policisë, u nis nga Illinoi me një pushkë gjysmë automatike të tipit AR-15 për të ndihmuar në patrullimin në rrugët e Kenoshas gjatë protestave dhe trazirave që shpërthyen pasi 29 vjeçari afrikano-amerikan Jacob Blake, u qëllua shtatë herë në shpinë nga një polic, duke mbetur pjesërisht i paralizuar.
Adoleshenti është akuzuar për vrasje pa paramendim të shkallës së parë, vrasje pa paramendim, por me dashje të shkallës së parë dhe tentativë për vrasje pa paramendim, me dashje të shkallës së parë.
Por avokatët e të pandehurit Rittenhouse kanë argumentuar se ai veproi në vetëmbrojtje. Presidenti Trump i doli në mbrojte adoleshentit Rittenhouse gjatë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të hënën, një ditë para se presidenti të shkonte në Kenosha për t’u takuar me zyrtarë të rendit dhe pronarë të bizneseve të dëmtuara.
Gazetarët para gjykatës
“Ai po përpiqej t’u largohej, me sa duket,” tha zoti Trump, duke mos përfillur një pyetje nga gazetarët nëse ai do të denonconte veprimet e adoleshentit Rittenhouse si akte “të stilit të grupeve paraushtarake”.
“Dhe kur u rrëzua, ata e sulmuan shumë dhunshëm. Mendoj se ishte në shumë në rrezik. Ndoshta do ta kishin vrarë,” tha zoti Trump.
Komentet e presidentit u bënë jehonë në masë të madhe argumenteve të avokatëve mbrojtës të adoleshentit Rittenhouse, të cilët janë shprehur se ai veproi thjesht “në vetëmbrojtje nga një sulm i pamëshirshëm, i egër dhe potencialisht vdekjeprurës nga turma”.
Prokurorët në distriktin ku ndodhi incidenti kanë thënë se veprimet e të akuzuarit Rittenhouse ishin kriminale.
Dy viktimat që humbën jetën nga të shtënat e Kyle Rittenhouse janë identifikuar si Joseph Rosenbaum, një 36 vjeçar me origjinë nga Teksasi që jetonte në Kenosha dhe Anthony Huber, një 26 vjeçar, banor i zonës lokale. Një viktimë e tretë, Gaige Grosskreutz, 26 vjeç, u plagos në krah nga një e shtënë.
Incidenti ndodhi më 25 gusht, kur protesta të dhunshme kishin mbërthyer gjatë natës qytetin e vogël të përbërë kryesisht nga klasë punëtore. Ishte nata e tretë e protestave që nga incidenti që paralizoi afrikano-amerikanin Jacob Blake.
Sipas avokatëve të të akuzuarit Rittenhouse, adoleshenti shkoi në Kenosha për të mbrojtur bizneset dhe për t’u kujdesur për protestuesit e plagosur. Ai dhe një shok i tij iu përgjigjën një thirrjeje për ndihmë nga një biznesmen që shet makina në Kenosha, të cilit i kishin djegur plotësisht dy bizneset gjatë protestave, thanë avokatët mbrojtës.
Një grup paraushtarak, siç prezantohet vetë në Facebook, kishte nxjerrë një “thirrje për të rrëmbyer armët” në platformën e medias sociale, duke nxitur përkrahësit e policisë të shkojnë në Kenosha.
Para incidentit, në një intervistë me video me një gazetar për “The Daily Caller”, një portal mediatik konservator, Rittenhouse tha, “Njerëzit po lëndohen. Detyra jonë është të mbrojmë këtë biznes. Një pjesë e punës sime është gjithashtu të ndihmoj njerëzit. Nëse dikush është lënduar, unë do t’i dalë përballë rrezikut. Kam pushkë. Pa dyshim, do të mbroj veten,” tha ai.
Ndërsa motivet e tij mbeten të diskutueshme, Rittenhouse shihet në disa regjistrime të bëra me celularë nga dëshmitarë në mbrëmjen kaotike të 25 gushtit, me një kapelë të bardhë në kokë, bluzë jeshile dhe doreza blu. Këto video së bashku me deklaratat e dëshmitarëve formojnë bazën e një padie penale të ngritur kundër tij në Gjykatën e Qarkut të Kenoshës javën e kaluar.
Sipas padisë penale, Rittenhouse qëlloi katër herë me armën e tij të fuqishme gjysmë-automatike, duke vrarë dy vetë, Rosenbaum dhe Huber dhe duke plagosur një të tretë, Grosskreutz si dhe duke shenjestruar pa sukses një person të katërt, të paidentifikuar.
Rrjedha e ngjarjeve filloi rreth orës 23:45 kur Rosenbaum dhe disa të tjerë po ndiqnin adoleshentin Rittenhouse në një parkim, duke rezultuar në një konfrontim.
Në mes të turmës u dëgjua një e shtënë. Ndërsa aktpadia nuk identifikon personin që qëlloi, avokatët e të pandehurit Rittenhouse thonë se e shtëna erdhi nga prapa Rittenhouse.
Më pas adoleshenti Rittenhouse drejtoi armën drejt 36 vjeçarit Rosenbaum, i cili u mundua pa sukses ta kapte pushkën, u tha hetuesve Richard McGinniss, një redaktor videosh për portalin “Daily Caller,” i cili ishte dëshmitar i ngjarjes. Rittenhouse më pas qëlloi Rosenbaum-in katër herë me pushkë.
“Sapo vrava dikë,” dëgjohet Rittenhouse në një video të marrë me celular, kur po i telefononte një shoku ndërkohë që vraponte për t’u larguar nga skena e ngjarjes.
Dy viktimat e tjera dhe tentativa për të qëlluar personin e katërt u shënuan kur Rittenhouse po largohej me vrap, i ndjekur nga një grup demonstruesish në një rrugë të mbushur me njerëz, pasi mendohet se ishte i bindur që e kishte vrarë zotin Rosenbaum.
Në dy video të cituara në aktpadi, njerëzit dëgjohen duke thënë: “Rraheni!” “Hej, ai e qëlloi atë” dhe “Kape! Kape atë djalin!”.
“Turma e ndoqi pa pushim, me egërsi,” tha John Pierce, një nga avokatët e zotit Rittenhouse, në intervistë me kanalin Fox News të hënën.
Gjërat u acaruan kur një burrë i paidentifikuar dyshohet se tentoi ta godiste Rittenhouse-in, por vetëm arriti t’i hiqte kapelen nga koka. Adoleshenti vazhdoi të vraponte, por u rrëzua dhe ra përdhe në mes të rrugës. Në këtë moment, Rittenhouse ngriti përsëri armën dhe qëlloi tri herë, sipas padisë.
Kur ishte i rrëzuar përdhe, një burrë i paidentifikuar “i veshur me një këmishë në ngjyrë të errët dhe pantallona në ngjyrë të çelur” u hodh mbi Rittenhouse, sipas padisë. Rittenhouse qëlloi dy herë radhazi por nuk e goditi dot personin, i cili u largua.
Më pas, 26-vjeçari Huber, me një skateboard në njërën dorë, shihet duke zgjatur dorën për të kapur armën e Rittenhouse-it. Rittenhouse e qëlloi atë një herë në gjoks, duke e vrarë.
Më në fund, Rittenhouse, i cili nga pozicioni i shtrirë, u ngrit, ulur përdhe, qëlloi zotin Grosskreutz, i cili “kishte filluar t’i afrohej”, sipas aktpadisë. Grosskreutz duket se “mbante një armë në dorën e djathtë kur u qëllua,” thuhej në aktpadi.
Kur turma filloi të shpërndahej, Rittenhouse u ngrit dhe filloi të ecte qetësisht drejt makinave të policisë që kishin ardhur në zonë në përgjigje të situatës, duke ngritur disa herë duart lart. Në video-regjistrime të bëra atë natë, shihen makina policie që i kalojnë pranë. Ai u arrestua të nesërmen në Antiok të Ilinoit, rreth 33 kilometra në jugperëndim të Kenoshës.
Avokatët që përfaqësojnë zotin Rittenhouse thanë se ata planifikojnë të paraqesin argumentin se ai veproi në vetëmbrojtje.
“Kjo është 100% vetëmbrojtje,” tha avokati Pierce. “Kyle, është djalë i mirë. Të vetmit që Kyle qëlloi ishin tre individët që e sulmuan dhe po e kërcënonin me lëndim serioz fizik ose vdekje,” tha zoti Pierce./VOA/