Disa prej segmenteve rrugore kryesore të kryeqytetit janë prej muajsh në fazë rikonstruksioni, duke krijuar shtresa të tëra me baltë, re tymi dhe trafik të rënduar në mjediset dhe bizneset që operojnë pranë tyre.
Nga Nensi Bogdani | BIRN | Tiranë
Projektit të transformimit të Bulevardit Zogu i Parë, i cili zgjat tashmë prej një viti, i është shtuar së fundmi edhe projekti i ndërtimit të rrjetit të ri të kanalizimeve në rrugën e Durrësit, një prej rrugëve kryesore të Tiranës qe lidh sheshin Skënderbej me rrethrrotullimin e Zogut të Zi.
Për shkak të punimeve, bizneseve që shtrihen në krahët e këtyre dy arterieve tregtare të rëndësishme të Tiranës, përveç vështirësive ekonomike që vijnë si pasojë e pandemisë së COVID-19, tanimë i janë shtuar edhe pengesat prej punimeve në rrugë.
“Ku t’i nxjerr tavolinat. Shihe ç’bëhet këtu jashtë. Thuaj a ka ngelur ndonjë klient,” ankohet pronari i fast food-it “Smart Choice” në bulevardin Zog I, i cili e gjen veten në një ngërç midis zbatimit të vendimit të qeverisë për kufizimin e përhapjes së COVID-19 dhe punimeve të bashkisë Tiranë për rikonstruksionin e rrugës.
Hoxha shpjegon se për shkak të koronavirusit të ri klientëve nuk u lejohet të ulen brenda, ndërsa jashtë ka më shumë se 1 vit që nuk po mundet të nxjerrë tavolinat e tij për shkak të punimeve në rrugë.
“Pak pandemia, dhe kjo na duhej. Nuk po mbaron, ka 1 vit. Na kanë thënë do zgjasi 18 muaj,” tha i mërzitur me kohëzgjatjen e tepërt të punimeve.
Bashkia e Tiranës po zbaton një numër projektesh për punë publike rehabilituese në zonën qendrore të kryeqytetit, ashtu si edhe në rrethinat e saj, për të krijuar korsi të reja biçikletash, kanalizime të reja, zgjerimin e linjave të internetit, si edhe rinovimin e trotuareve dhe rishtrimin e rrugëve.
Këto punë publike, edhe pse të nevojshme, kanë sjellë jo pak pengesa në qarkullim të makinave dhe në pastërtinë e mjediseve rrugore të Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për progresin dhe estetikën e qytetit. Ai theksoi se shumica e qytetarëve e duan progresin dhe të bukurën, prandaj shprehu besimin se edhe ajo pakicë e vogël që është kundra do të bëhet bashkëpunuese.
“Njerëzit do të shikojnë një kombinim mes një bulevardi totalisht të transformuar dhe një rruge me kalldrëm modern,” theksoi ai. “Do të jetë ndoshta rruga më me vlerë në qytet,” shtoi Veliaj.
Veliaj e ka justifikuar kohëzgjatjen e këtij segmenti rrugor me shkallën e vështirësisë së punimeve.
“Ky është një nga projektet më të vështira të Bashkisë së Tiranës,” tha ai. “Tirana ka 100 vite me këtë bulevard, e tani do ketë 100 vite të tjera me një bulevard totalisht të transformuar,” shtoi kryebashkiaku.
Po jo gjithkush bie dakord me kryebashkiakun e Tiranës. Në mënyrë të veçantë pronarët e biznese që shtrihen në rrugën që po rikonstruksohen shprehen të shqetësuar për tejzgjatjen e punimeve, që ndikojnë negativisht në biznesin e tyre në krizë nga pademia e COVID-19.
Pronarja e një byrektoreje pranë Ministrisë së Drejtësisë në bulevardin Zog I, i tha BIRN se klientela e saj kishte avulluar, e ndikuar si prej pandemisë ashtu edhe prej punimeve.
“Unë e mbylla biznesin gjatë muajve të pandemisë. Tani e hapa prap, por punimet akoma nuk kanë mbaruar dhe njerëzve nuk para u pëlqen të kalojnë këtej për shkak të pluhurit dhe gurëve,” tha ajo.
“Që në gushtin e vitit të kaluar është e njëjta situatë,” u ankua furrtarja.
Në rrugën Abdyl Frashëri, në afërsi te ish-Bllokut, pronari i një dyqani të vogël cigaresh “Tobbaco Shop’ u shpreh se punimet kanë ecur përpara me një ritëm tepër të ngadaltë dhe si pasojë kanë sjellë jo pak pengesa për të.
“Sot u kujtuan të na i hiqnin plehrat pas 5 ditësh,” u ankua ai. “Kishin që të enjten që ishin lënë këtu, e nuk i binte mendja njeriu t’i hiqte,” shtoi ai.
Edhe shitësja e një dyqani bizhuterish aty pranë nuk ishte e impresionuar me ritmin e punimeve të nënkontraktorit të bashkisë.
“Me thënë të drejtën nëse nuk shkatërrohet nuk ka si rregullohet,” prani ajo. “Por të paktën të punonin me orar të zgjatur e t’i mbyllnin punimet pak më shpejt,” shtoi shitësja e dyqanit të bizhuterive “Koralia”, i cili ndodhet në të njëjtin segment rrugor në Bllok.
Gjithashtu edhe përdoruesit e biçikletave në rrugën e Durrësit ankohen prej punimeve që ua ka vështirësuar kalimin si në trotuar ashtu edhe në rrugë, pa u lënë një zgjidhje qarkullimi.
Qytetarët e Tiranës shprehen të shqetësuar se ardhja e stinës së vjeshtës do ta përkeqësojë akoma më shumë situatën dhe terrenin.
“E kur të bjeri shi dihet si do të bëhet këtu,” tha shitësja e dyqanit ‘Koralia’ pranë rrugës Abdyl Frasheri. “Bëjnë mirë që t’i përshpejtojnë pak punimet,” përfundoi ajo./reporter.al/