Ballkani Perëndimor është në krye në axhendën e presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, por progresi konkret i shteteve drejt integrimit në BE – nga hapja e negociatave dhe kapitujve – varet nga angazhimi i tyre ndaj sundimit të ligjit dhe lirisë së medias, tha për BIRN Susanne Schutz, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor.
Gjermania mori përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian këtë korrik dhe Schutz thotë se dëshiron të shohë “një vrull të ri” në marrëdhëniet midis bllokut dhe Ballkanit Perëndimor.
Kjo pason vendimin e BE-së për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe paketën e solidaritetit prej 3,3 miliardë eurosh të rënë dakord për rajonin, për të zbutur pasojat e pandemisë së koronavirusit.
“Ne duam ta vazhdojmë këtë dinamikë pozitive. Kjo do të thotë, para së gjithash, se duhet të vazhdohen të hidhen themelet për bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke përfunduar strukturat e bisedimeve. Ne synojmë të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe, nëse plotësohen kushtet, gjithashtu edhe me Shqipërinë gjatë presidencës sonë të Këshillit”, shpjegoi Schutz.
Në intervistën e saj për BIRN, diplomatja me përvojë, e cila ka shërbyer në Izrael, Ukrainë, Rusi dhe Shqipëri para se të bëhej Drejtoreshë e Ballkanit Perëndimor në Berlin, tha se Gjermania shpreson të vazhdojë bisedimet e pranimit me Serbinë dhe Malin e Zi, të vërë më tej në zbatim prioritetet e BE-së për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe të rifillojë dialogun e ngecur midis Kosovës dhe Serbisë.
“Falë përpjekjeve të ndërmjetësimit nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak dhe mbështetjes së Gjermanisë dhe Francës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës rifilloi më në fund më 12 korrik, pas ndërprerjes së tij 20 muaj më parë”, kujton ajo.
“Ne shohim një nevojë urgjente për progres në dialog pasi situata e pazgjidhur po mban peng të dy vendet dhe duke penguar bashkëpunimin rajonal aq shumë të nevojshëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që lejon realizimin e perspektivës së BE-së është në interes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të rajonit në tërësi. Kjo marrëveshje gjithashtu duhet të sjellë një stabilitet më të madh në rajon. Siç dihet, ne nuk besojmë se kufijtë e rinj ose shkëmbimet territoriale do të kontribuojnë në një zgjidhje të qëndrueshme”, shpjegoi Schutz, duke iu referuar kundërshtimit të Gjermanisë ndaj shkëmbimeve territoriale si një zgjidhje përfundimtare.
Berlini, i cili në rajon shihet shpesh si vendimmarrës kryesor kur bëhet fjalë për aspiratat e BE-së për të ashtuquajturin “Ballkan Perëndimor 6”, gjithashtu planifikon të përqendrohet në muajt në vazhdim te demografia dhe emigracioni.
Në kërkimin të një punësimi më të mirë, shtetasit nga Ballkani po shkojnë çdo vit gjithnjë e më shumë drejt Gjermanisë. Të dhënat e fundit nga zyra gjermane e statistikave tregojnë se vitin e kaluar 237,755 shtetas serbë, 232,075 nga Kosova dhe 203,265 nga Bosnja dhe Hercegovina jetonin në Gjermani. Shumë gjejnë punë në sektorin e shëndetësisë gjermane.
Por Schutz thotë se kjo lëvizje është gjithashtu problematike. “Edhe pse si rezultat i kësaj Gjermania dhe vendet e tjera po fitojnë profesionistë të trajnuar, në vendet e tyre mbeten boshllëqe të përhershme – jo vetëm në sektorin e shëndetit”, theksoi ajo.
“Arsyet e largimit nuk janë vetëm ekonomike: Ato kanë të bëjnë gjithashtu edhe me deficitet e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit, emërimet jo-meritokratike dhe korrupsionin. Duke qenë se shumica e njerëzve nga rajoni emigrojnë drejt vendeve të BE-së, ne mendojmë se është e rëndësishme të kërkojmë koncepte që mund të zbutin efektet negative dhe të shfrytëzojmë aspekte që janë të dobishme si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për BE-në.
“Për këtë qëllim, ne planifikojmë të zhvillojmë një konferencë me vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë presidencës sonë të Këshillit”, njoftoi Schutz.
Progresi për Serbinë dhe Kosovën varet nga vetë ata
Si Kosova ashtu edhe Serbia i kanë sytë nga Berlini në muajt në vazhdim, ndërsa Berlini kryeson Bashkimin Europian. Por Schutz mbetet e vendosur se nuk do të ketë asnjë zbutje përsa i takon kushteve që kanë lidhje me sundimin e ligjit.
“Ne jemi të vetëdijshëm për zhgënjimin e madh në Kosovë të shkaktuar nga fakti se liberalizimi i vizave është ende në pritje”, tha ajo.
“Ne shohim nevojën për të arritur progres në këtë çështje të rëndësishme, e cila është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet BE-Kosovë dhe gjithashtu për ekonominë e Kosovës. Megjithatë, që të mund të binden skeptikët e mbetur në BE, do të jetë shumë e rëndësishme që qeveria e Kosovës të bëjë pjesën e saj. Kjo nënkupton para së gjithash një angazhim të qartë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit”, shpjegoi ajo.
Fqinji i saj verior, Serbia nuk ka hapur ndonjë kapitull të ri, gjë të cilën shumë njerëz e shohin si një pasqyrim të progresit të dobët të Serbisë në reforma dhe të tendencave gjithnjë e më autoritare. Gjermania e mirëpret zgjedhjen strategjike të anëtarësimit të Serbisë në BE, por prapë pret reforma, tha Schutz.
“Në rrugën e saj drejt BE-së, Serbia tashmë ka bërë progres të rëndësishëm dhe hapi më shumë se gjysmën e të gjithë kapitujve të negociatave, përkatësisht 18 nga 35”, vuri në dukje ajo.
“Sidoqoftë, ne e konsiderojmë një rol tepër të rëndësishëm progresin në fushën kryesore të sundimit të ligjit – të trajtuar në Kapitujt 23 dhe 24 – si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Mesazhi diplomatik informal i Komisionit Europian i qershorit mbi gjendjen në lidhje me kapitujt 23 dhe 24 për Serbinë përshkruan qartë deficitet dhe fushat e identifikuara ku ende duhet të bëhet progres i rëndësishëm. Kemi nevojë për një angazhim më të fortë politik për sundimin e ligjit, sidomos pavarësinë e gjyqësori, si dhe për lirinë e medias”, tha ajo.
“Është e rëndësishme që Serbia të përshpejtojë luftën kundër korrupsionit, sidomos atij në nivelet e larta. Për të hapur kapituj të mëtejshëm, duhet të ketë progres në këto fusha”, shtoi Schutz.
Duke iu përgjigjur pretendimeve se zgjedhjet parlamentare të qershorit në Serbi nuk ishin të lira – pasi shumica e partive të opozitës i bojkotuan ato – Schutz tha se “BE-ja është e gatshme të sigurojë ndihmën e duhur” për çështjen e ankesave. Por ajo tha se ndërmjetësimi “ka kuptim vetëm nëse opozita dhe qeveria janë të gatshme të luajnë një rol aktiv në arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dy palët”.
Reformat gjyqësore në thelb të procesit të zgjerimit të Shqipërisë
Reformat në sistemin e drejtësisë si dhe reforma në ligjin zgjedhor janë identifikuar si përparësi për Shqipërinë nga Gjermania dhe BE-ja, tha ajo.
“Që prej ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, ne kemi parë që reforma në drejtësi, përfshirë vetingu i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, është tepër sfiduese”, shtoi ajo.
“Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”, vazhdoi ajo.
Gjermania po vëzhgon gjithashtu reformat zgjedhore në vend, si edhe zhvillimet rreth legjislacionit të ri për median që qeveria e sheh si një mundësi për të rregulluar hapësirën në internet, por që kritikët e shohin gjithashtu si një përpjekje për të frenuar lirinë e medias.
“Liria e medias është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe sigurisht edhe gjatë presidencës tonë të Këshillit Europian”, tha Schutz. “Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e medias është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e pranimit.”
“Projektligji i ri për median në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, paralajmëroi ajo.
“Ne e shohim mendimin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues adekuat për punën në vazhdim brenda parlamentit shqiptar për të përmirësuar projektligjin, sidomos në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA-s (Autoriteti i Mediave Audiovizive i ngarkuar me monitorimin e ndryshimeve të planifikuara).
“Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”, tha ajo.
“Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e medias, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor i afrohen më pranë BE-së”, përfundoi Schutz.
Berlini po vëzhgon me vëmendje Bosnjën
Reformat zgjedhore dhe sundimi i ligjit janë gjithashtu një detyrë për Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje, e cila ende nuk ka statusin e vendit kandidat për në BE.
“Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ligjit të ri për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, pasi ky institucion luan një rol vendimtar për të gjithë sistemin gjyqësor në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ajo.
“Besimi i publikut te ky institucion duhet të rivendoset pa ndonjë vonesë të mëtejshme dhe të merren të gjitha masat e nevojshme. Ndërsa sundimi i ligjit është në thelb të procesit të pranimit në BE, Gjermania së bashku me Delegacionin e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe shtete të tjera do të vazhdojnë të mbështesin vendin në rrugën e tij të reformës.
“Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i 14 përparësive kryesore që Komisioni Europian përshkroi në Opinionin e tij për kërkesën e anëtarësimit të Bosnjës dhe Hercegovinës është mbajtja e zgjedhjeve. Ne e mirëpresim faktin se më në fund në Mostar mund të mbahen zgjedhjet lokale. Ne presim që forcat politike të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që zgjedhjet të zhvillohen ashtu siç janë planifikuar dhe që më në fund është rënë dakord për buxhetin e shtetit. Kjo është tepër e rëndësishme për rrugën e Bosnjës dhe Hercegovinës drejt BE-së dhe realizimin e aspiratave të publikut për t’u bërë pjesë e Bashkimit.
“Përveç kësaj, politikanët duhet të fillojnë të zbatojnë vendimet e lëna në pritje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (p.sh. Sejdiç dhe Finci kundër Bosnjës dhe Hercegovinës) dhe të adresojnë rekomandimet e bëra nga ODIHR dhe Komisioni i Venecias për ta sjellë ligjin zgjedhor në përputhje me standardet europiane”, shtoi ajo. (ODIHR është Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut).
Sipas Schutz, një zonë tjetër që ka nevojë për përmirësim është politika e refugjatëve dhe azilit. Bosnja është përballur me një fluks të madh njerëzish, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë nëpër vend në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian. Shumë njerëz jetojnë në kushte të dobëta në kampe të mbipopulluara me qasje të kufizuar në ndihmë juridike.
“Është e nevojshme që të gjithë aktorët përkatës në Bosnjë dhe Hercegovinë të marrin përgjegjësinë për veprime vendimtare për të lehtësuar rrethanat e refugjatëve dhe emigrantëve, duke përmirësuar kështu situatën për të gjitha pjesët e shoqërisë”, tha ajo.
Bosnja duhet “të profesionalizojë sistemin e saj të azilit, në mënyrë që ata që kanë të drejtë mbrojtjeje të mund të paraqesin me lehtësi një kërkesë dhe të marrin statusin e nevojshëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të shtojnë përpjekjet për të lidhur marrëveshje ripranimi me vendet e origjinës”.
“Konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së mbi forcimin e bashkëpunimit me partnerët e Ballkanit Perëndimor në fushën e emigracionit dhe sigurisë janë një bazë e mirë për të zhvilluar më tej përpjekjet tona të përbashkëta dhe për të menaxhuar sfidën e përbashkët të flukseve të emigrantëve në mënyrë më efikase”, tha ajo.
Mbështetje për proceset e pajtimit
Pajtimi mbetet një detyrë e rëndësishme për rajonin dhe një gur themeli për zhvillim pozitiv dhe progresin në rrugën drejt BE-së, nënvizoi Schutz.
Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e tilla, veçanërisht nismën KOMRA, komisionin rajonal i ngarkuar me përcaktimin e fakteve për të gjithë viktimat e krimeve të luftës dhe shkeljet e tjera të të drejtave të kryera në ish-Jugosllavi.
Ai gjithashtu do të kërkojë bashkëpunim nga autoritetet e Kosovës me Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të ngritura posaçërisht për të gjykuar anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për pretendimet për abuzime dhe krime lufte të kryera në luftën për pavarësi nga Serbia.
“Investigimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është një pjesë e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në një shoqëri pa drejtësi”, tha ajo me vendosmëri.
“Gjermania beson se lufta ndaj mosndëshkimit përmes gjykatave penale kombëtare dhe ndërkombëtare është pjesë e një politike të përgjegjshme ligjore dhe të jashtme. Së bashku me BE-në, Kosova ka ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm me krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat funksionojnë sipas ligjit të Kosovës, punën e të cilave Gjermania e mbështet si pjesë e përpjekjes së përgjithshme për të adresuar krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.”
Duke iu drejtuar ankesave të bëra shpesh në Kosovë, se Dhomat e Specializuara po nxjerrin në gjyq një komb të tërë, ajo shtoi: “Dhomat e Specializuara hetojnë vetëm krimet e pretenduara të individëve dhe nuk paragjykojnë një vend të tërë ose popullin e tij.”
Vendi i saj është gjithashtu mbështetës i organit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, që Schutz thotë se mundëson në mënyrë kritike punën e Dhomave të Specializuara.
“Që prej vitit 2008, misioni ka mbështetur krijimin njësive policore, të doganave dhe të kontrollit kufitar. Kjo nënkupton përmirësim real për qytetarët kosovarë si një parakusht i domosdoshëm për stabilitet të qëndrueshëm. EULEX gjithashtu kontribuon në përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar sigurinë si një ‘përgjigje e dytë’ me njësitë e saj të policisë”, tha ajo.
Mali i Zi inkurajohet të zgjidhë krizën me Kishën
Duke folur për Malin e Zi, vendi më i vogël, por më i përparuari në rajon për sa i përket procesit të pranimit në BE, por që aktualisht po kalon një krizë të brendshme në marrëdhëniet me komunitetin e tij më të madh fetar, Kishën Ortodokse Serbe, Schutz tha se Gjermania shpreson që të dy palët do të arrijnë konsensus mbi një ligj tepër polemik mbi fenë.
“Ne e mirëpresim faktin se qeveria malazeze dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë filluar një dialog rreth Ligjit për Lirinë Fetare dhe shpresojmë që – pasi bisedimet u desh të vonoheshin për ca kohë për shkak të pandemisë COVID-19 – ata tani do të arrijnë një konsensus së shpejti mbi mënyrën se si duhet të vazhdohet”, tha ajo.
Ajo tha se i vinte keq që Kisha nuk ishte e gatshme të përmbushte propozimet e fundit të qeverisë malazeze.
“Ne inkurajojmë Kishën Ortodokse Serbe dhe qeverinë e Malit të Zi të kthehen në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e lartpërmendur, si dhe për një regjistrim të duhur të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Të dy palët duhet të kontribuojnë në një zgjidhje të tillë. Përndryshe, rekursi për veprime juridike mund të jetë një mundësi e mundshme, me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut që shërben si gjykata e fundit e apelit”, shtoi ajo.
Mosmarrëveshjet e mbetura në rajon, përfshirë midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që pengojnë perspektivën e kësaj të fundit për në BE, duhet të zgjidhen në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, sipas Schutz.
“Drafti i kornizës negociuese i propozuar nga Komisioni Europian më 1 korrik thekson përkushtimin për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, si dhe rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit të marrëveshjeve bilaterale në mirëbesim, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin mbi Marrëdhëniet e Mira Fqinjësore me Bullgarinë.
“Sa i përket traktatit me Bullgarinë, unë mendoj se formula e dakorduar nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Boyko Borisov, sipas së cilës historia duhet t’u lihet historianëve, mbetet e vlefshme. Të dy vendet duhet të zgjidhin pyetjet e hapura brenda kornizës së marrëveshjes bilaterale, p.sh. komisionin e historianëve”, tha ajo.
“Për më tepër, bashkë-kryesimi i Procesit të Berlinit këtë vit është një mundësi shumë e mirë për të kapërcyer dallimet bilaterale, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin dhe zgjerimin e besimit dypalësh.”
Gjermania synon të finalizojë kornizat negociuese dhe të zhvillojë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe nëse plotësohen kushtet, edhe me Shqipërinë gjatë presidencës së Këshillit.
“Ne do të punojmë fort me partnerët tanë në BE dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për arritjen e këtij qëllimi”, përfundoi Schutz. /Reporter.al