Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti mospërputhje në deklarimin e burimit të pasurive nga gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Irena Brahimi dhe balancë negative në vlerën 964 mijë lekë, ndërsa pati probleme edhe në dy kriteret e tjera.
Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Irena Brahimi u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për të tre kriteret e rivlerësimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Irena Brahimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe në vitin 2001 u emërua në Gjykatën e Apelit Gjirokastër ku edhe vijon punën aktualisht.
Në fillim të seancës dëgjimore, gjyqtarja Brahimi i kërkoi trupit gjykues administrimin e disa provave të reja – dokumentacion mbi aplikimin e kryer për regjistrimin e një apartamenti, si dhe vërtetime nga Gjykata e Sarandës dhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ për punësimin e saj si ndihmësgjyqtare jo efektive për periudhën 1995-1996. Komisioni vendosi t’i administrojë provat e dorëzuara nga Brahimi gjatë seancës dëgjimore.
Gjetjet për pasurinë
Për një apartament me sipërfaqe 95.3 m2 në Gjirokastër të blerë në vitin 2008 dhe një njësi shërbimi për vlerën 4.5 milionë lekë, Brahimi ka deklaruar si burime kursime familjare në vlerën 2.3 milionë lekë deri në vitin 2007; 1.1 milionë lekë kursime gjatë vitit 2008; një hua të marrë nga motra e subjektit në vlerën 30 mijë euro si dhe të ardhura të përfituara prej dhënies më qira të njësisë së shërbimit. Ndërsa në deklaratën veting ka shënuar si burime kursimet familjare dhe huanë e marrë nga motra e saj.
Duke iu referuar çmimit të blerjes së këtyre pronave, Komisioni ngre dyshime për trajtim preferencial dhe i ka kaluar barrën e provës Brahimit për të vërtetuar të kundërtën.
Hamitaj tha se subjekti ka depozituar kontrata të tjera shit-blerjesh të kompanisë ndërtuese për të njëjtin pallat, të cilat do të shqyrtohen para vendimarjes përfundimtare. Dyshimet janë ngritur për shkak të çmimit me të cilin është blerë apartamenti dhe njësia e shërbimit, rreth 30 mijë lekë për m2.
Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2016, njësia e shërbimit është shitur nga bashkëshorti i gjyqtares Brahimi në shumën 40 mijë euro. “Ngrihen dyshime për trajtim preferencial dhe fiktivitet në blerjen dhe shitjen e njësisë,” tha Hamitaj gjatë seancës.
Gjyqtarja Brahimi tha se në kontratat e tjera që kishte dorëzuar rezultonte që apartamentet dhe njësitë e shërbimit të ishin shitur me të njëjtën vlerë. Ajo shpjegoi se shitjen e njësisë së shërbimit e kishte kryer pasi kishte bërë rivlerësimin e saj, që sipas ekspertit ishte vlerësuar 6 milionë lekë.
Hamitaj tha se të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiraja nuk janë përfshirë në analizën financiare, me arsyetimin se në atë periudhë gjyqtarja Brahimi dhe bashkëshorti i saj nuk e dispononin ende njësinë e shërbimit si pronë të tyren.
Brahimi kërkoi që të përfshihej në analizë vlera 299 mijë lekë e përfituar nga qiraja, duke pretenduar se e kishin marrë në disponim njësinë e shërbimit me pëlqimin e ndërtuesit, pasi kishin paguar kaparin 1 milionë lekë.
Hamitaj evidentoi mospërputhje lidhur me periudhën kur është nënshkruar kontrata e shit-blerjes së apartamentit dhe njësisë së shërbimit dhe kohën e tërheqjes së huasë që ka qenë burimi kryesor për shlyerjen e vlerës së këtyre pronave.
Sipas Hamitajt, në kontratë është shënuar se e gjitha vlera 4.5 milionë lekë është shlyer jashtë zyrës noteriale para nënshkrimit nga palët të kontratës. Relatori sqaroi se nënshkrimi i kontratës daton në dhjetor të vitit 2008, ndërsa vlera e huasë 30 mijë euro ka mbëritur në llogarinë e bashkëshortit të gjyqtares dhe është tërhequr në janar të 2009-ës.
Brahimi sqaroi se në muajin janar 2008 i kishin paguar si kapar shoqërisë ndërtuese vlerën 1 milion lekë që kishte burim kursimet, kurse një vit më vonë, në janar të 2009-ës kishin paguar pjesën tjetër të vlerës që përfaqësohej nga huaja 30 mijë euro e marrë prej motrës së saj.
Ajo shpjegoi se në fund të vitit 2008, kompania ndërtuese kishte depozituar dokumentacionin tek noteri për redaktim dhe se nënshkrimi i kontratës ishte kryer në janar 2009, pasi ishtë realizuar edhe pagesa e vlerës së mbetur.
“Edhe administratori i shoqërisë ka deklaruar se 1 milion lekë janë paguar në janar të vitit 2008 dhe pjesa tjetër në janar të 2009-ës. Gjithashtu deklaron se procesi i nënshkrimit të kontratës së shit-blerjes ka vazhduar deri në janar të vitit 2009. Edhe aplikimi për regjistrimin e pronës është kryer në janar të vitit 2009 si dhe kontrata e energjisë elektrike është lidhur disa muaj më vonë,” tha Brahimi dhe këmbënguli se kishte arritur të provonte se nënshkrimi i kontratës ishte realizuar në janar të vitit 2009.
Komisioni ka hetuar edhe mbi mundësinë e motrës së gjyqtares Brahimi për dhënien e huasë prej nga është konkluduar se ajo ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga puna e saj dhe e bashkëshortit në Greqi, për të kursyer vlerën 30 mijë euro.
Gjithashtu, KPK e gjen kontradiktor deklarimin për punimet shtesë dhe arredimin e apartamentit dhe të njësisë së shërbimit të deklaruara nga gjyqtarja Brahimi. Sipas Hamitajt, nga hetimi ka rezultuar se vlera 1.6 milionë lekë e deklaruar si kosto e punimeve shtesë dhe e arredimit nuk përputhet me rezultatet e hetimit administrativ. Ai tha se Komisioni vlerëson se vlera e shpenzuar për arredimin duhet të jetë 1.2 milionë lekë, ndërkohë që nuk janë konstatuar kryerje e punimeve shtesë të ndërtimit nga subjekti.
Brahimi shpjegoi se punimet shtesë ishin kryer nga ndërtuesi me kërkesë të saj dhe të bashkëshortit. Ajo tha se kishin zgjedhur pllaka të tjera nga ato që përdorte shoqëria ndërtuese dhe se punimet dhe gipsit dhe oxhakun i kishte kryer po firma ndërtuese kundrejt një vlere shtesë që i ishte dhënë në dorë.
Për një truall në Berdevesh të Sarandës të blerë në vitin 1996 në vlerën 500 mijë lekë, Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlerën 438 mijë lekë.
Relatori Hamitaj identifikoi mospërputhje në deklarimin e burimit të krijimit të kësaj pasurie. Sipas Hamitajt, në vitin 2003 gjyqtarja Brahimi ka deklaruar si burim kursime të saj, të familjes prindërore dhe të bashkëshortit, ndërsa në deklaratën veting të ardhura nga puna dhe kursime të prindërve.
Komisioni konstaton se si blerës në kontratë figuron bashkëshorti i subjektit dhe se e zotërojnë truallin me pjesë takuese 50% secili. Nga analiza financiare e KPK është konkluduar se gjyqtarja Brahimi dhe bashkëshorti i saj mund të kishin kursyer në atë periudhë 61 mijë lekë, ndërkohë që nuk ka pasur dokumentacion provues për të ardhurat e bashkëshortit.
Në fjalën e saj gjatë seancës dëgjimore, Brahimi e pranoi se se kishte një harresë në deklaratën veting ku nuk kishte pasqyruar si burim të ardhurat e bashkëshortit. Ajo shpjegoi se bashkëshorti ishte shkëputur nga studimet gjatë periudhës 1992-1993 dhe kishte punuar në mënyrë informale në Greqi. Sipas Brahimit, ishte e pamundur të siguronte dokumentacion për punësimin e bashkëshortit në emigracion.
Ajo tha se kishte lidhur martesë në dhjetor të vitit 1995 dhe se trualli ishte blerë në bashkëpronësi me bashkëshortin në shkurt të 1996-ës. “Kërkoj që të shkarkohen nga analiza financiare 250 mijë lekë të investuara nga bashkëshorti, pasi ato janë krijuar para martesës,” kërkoi Brahimi.
Ajo vijoi se vlera totale që kishte paguar për blerjen e truallit ishte 250 mijë lekë, që përbëhej nga të ardhurat e punës së saj në shumën 200 mijë lekë dhe të ardhurat e prindërve 50 mijë lekë. Brahimi këmbënguli se kishte patur burime të ligjshme të përfituara nga puna e saj si juriste dhe më pas si ndihmës gjyqtare jo efektive. “Kërkoj korrigjimin e analizës financiare”, pohoi Brahimi.
Për një autoveturë tip Benz të blerë në vitin 2007 për 5500 euro, Komisioni konstaton balancë negative në shumën 338 mijë lekë.
Si burim krijimi, Brahimi ka deklaruar të ardhura të përfituara nga shitja e një autoveture që kishte blerë në vitin 2004 dhe kursime familjare. Komisioni konstaton se Brahimi i ka shitur mjetin në vlerën 760 mijë lekë, ndërkohë që e ka blerë 615 mijë lekë.
Trupi gjykues nuk e ka konsideruar të gjithë vlerën e përfituar nga shitja e mjetit të mëparshëm për shkak të mospagimit të tatimit të fitimit.
Gjyqtarja Brahimi pretendoi se edhe nëse nuk përfshihej në analizën financiare gjithë vlera e përfituar nga shitja e makinës, ajo dhe bashkëshorti kishin pasur të ardhura të mjaftueshme që në vitin 2007 të rezultonin me balancë pozitive.
Nga analiza financiare për gjithë periudhën kur është shtrirë hetimi administrativ, Komisioni konstaton një balancë negative në vlerën 964 mijë lekë.
Raportet e DSIK për figurën
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar pranë Komsionit dy raporte për kriterin e pastërtisë së figurës. Në raportin e vitit 2017, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtares Irena Brahimi. Relatori Hamitaj tha se edhe në vitin 2019, DSIK konstaton përshtatshmërinë, por i referon Komisionit informacione të klasifikuara për përfshirje të mundshme të Brahimit në veprimtari të jashtëligjshme dhe korruptive.
“Informacionet e reja do të shyqrtohen nga Komisioni gjatë vendimarrjes përfundimtare”, pohoi Hamitaj.
Gjyqtarja Brahimaj i konsideroi të pavërteta denoncimet e kryera në adresë të saj lidhur me kriterin e figurës. “Dyshoj se denoncuesi anonim ka dashur të hakmerret për një çështje tjetër civile. Ju keni pyetur një dëshmitar dhe ju ka thënë që pretendimi nuk është i vërtetë. Për 25 vite që kam ushtruar detyrën e gjyqtarit, as jam tërhequr ndonjëherë dhe as jam tunduar. Nëse keni paqartësi, më pyesni”, tha ajo.
Duke iu referuar raportit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj lidhur me kriterin e profesionalizmit, Hamitaj tha se konstatohen raste kur prej gjyqtares nuk janë përdorur parimet e të drejtës. “Për pesë dosjet e përzgjedhura në mënyrë rastësore, KLGj specifikon se ka mungesë të dokumentacionit lidhur me zhvillimin e seancës së parë si dhe nuk përshkruhen të drejat e rekursit dhe shpenzimet gjyqësore”, pohoi Hamitaj.
Komisioni ka verifikuar edhe ankesat e kryera ndaj Brahimit për zvarritje të procesit, që janë arkivuar prej ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD pasi nuk janë gjetur probleme.
Gjykata e Apelit Gjirokastër e ka informuar Komisionin se nga 16 kërkesa të qytetarëve për përjashtim të gjyqtares Brahimi, 10 janë pranuar.
Hamitaj deklaroi se Prokuroria e Përgjithshme ka informuar se në vitin 2016 një institucion ka dërguar informacione për subjektin në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka vendosur në vitin 2018 mosfillimin e hetimeve.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në shumicën e 27 denoncimet e kryera nga publiku ndaj gjyqtares Irena Brahimi. Hamitaj tha se për disa prej denoncimeve, Brahimit i janë kërkuar shpjegime që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes.
Në përfundim të fjalës së saj, gjyqtarja Brahimi i tha Komisionit se ishte e sigurtë që kishte respektuar ligjin dhe të drejtat e palëve gjatë ushtrimit të detyrës.
“Ju përgëzoj për hetimin! Kërkoj konfirmimin në detyrë,” përfundoi gjyqtarja Irena Brahimi.
KPK do të shpallë vendimin më datë 21 korrik, ora 09:00./reporter.al/