Europianët rifituan lëvizjen e lirë nga njëri shtet në tjetrin pas 3 muajve izolim të detyruar nga pandemia Covid-19. Synimi është të shpëtohet sezoni turistik veror por dhe të testohet rikthimi gradual në normalitet. Pas zbutjes së kontrolleve në kufijtë e brendshëm, njerëzit, që jetonin në 22 vendet anëtare të zonës Shengen dhe në Islandë, Liktenshtajn, Norvegji dhe Zvicër, morën frymë lirisht.
Në një cep të Europës ku Gjermania, Franca dhe Zvicra janë fqinj, zyrtarët lokalë u takuan duke shkëmbyer fjalë të ngrohta dhe buqeta me lule duke festuar në këtë mënyrë rikthimin e realitetit të vjetër. Ndërsa klientët “pushtuan” qendrën tregtare të një qyteze të vogël kufitare në Gjermani për shkak të çmimeve të lira.
“Për ne është shumë e rëndësishme sepse 50% e klientëve tanë të përhershëm vijnë nga Zvicra dhe Franca. Prandaj e kemi pritur me padurim këtë ditë”, thotë Alev Kahraman, menaxhere e qendrës tregtare.
Francezët e shfrytëzuan këtë rikthim të qarkullimit edhe në kufirin me Belgjikën, ku qindra persona kaluan në anën tjetër për të blerë cigare. Arsyeja? Kushtojnë 50% më pak se në Francë.
“Erdha këtu pas hapjes së kufijve, sepse për 3 muaj kam blerë cigare në Francë dhe janë shumë të shtrenjta. Këtu në Belgjikë kushtojnë sa gjysma e çmimit në Francë. Mora një stekë për bashkëshortin tim dhe një tjetër për familjen. Kam udhëtuar 100 kilometra për këto cigare”, pohon Nadege, një shtetase franceze.
Italianët e shikojnë këtë si një mrekulli, pasi ranë pre e shumë paragjykimeve dhe diskriminimeve. Përpara lehtësimit të kufizimeve kufitare, shumë vende të Europës po shqyrtonin mundësinë e izolimit të Italisë për shkak të numrit të lartë të të infektuarve me Covid-19.
“Më në fund kufijtë u hapën, është një mrekulli për ne që punojnë në Monako, në Francë dhe kudo tjetër. Faleminderit Francë” thotë i çliruar Antonio, që punon në Monako.
Lejimi i qarkullimit të italianëve në Europë është pritur mirë dhe nga bizneset.
“Kemi pritur me padurim hapjen e kufijve që të rihapim hotelin pasi italianët përbëjnë çerekun e klientelës sonë. Jam shumë i kënaqur që po punoj sërish”, thotë Matthew, pronari i një hoteli.
Një ndër arsyet e shumta që shtyu italianët të kalonin kufirin për në Francë ishte dhe provimi i fatit. Shumë prej tyre blenë bileta të lojës “gërvisht dhe fito”. Një tjetër shtet që riktheu qarkullimin me Italinë ishte Austria, që shpesh paralajmëroi se nuk do ta bënte një gjë të tillë. Ky vendim, solli shpresë për bizneset në zonën kufitare.
“Po heqim një peshë të madhe nga shpatullat, një gurë nga zemrat tona tani që më në fund kufijtë u hapën sërish. Kaluam kohë të errëta për ne pasi askush nuk lejohej të vinte nga Italia edhe pse ishte vetëm 50 metra më tutje” deklaron pronari i një dyqani aty.
Përtej lehtësimit të kufizimeve dhe hapjes së kufijve, industria e turizmit në Itali duket e shkatërruar nga pandemia Covid-19, por edhe shpresa për një ndryshim të situatës është e vakët. “Siç mund ta shikoni, nuk ka asnjë përreth, nuk ka turistë por vetëm romanë që përfitojnë nga bukuria e sheshit “Shën Pjetër”, i cili tani është bosh”, thotë pronari i një dyqani suvenirësh në Vatikan.
Duke marrë shkas nga masat e sigurisë dhe vendimet individuale të shteteve të BE-së për një turizëm të kontrolluar, kjo është pyetja që i mundon europianët por dhe më gjerë: A do të jenë ata në gjendje që të marrin rreze dhe të freskohen në plazhe?
Për të favorizuar këtë sektor turistik, përveç kufijve tokësor janë rihapur edhe ato ajrorë. Aeroporte në Belgjikë, Francë dhe shumë vende të tjera europiane kanë numra të konsiderueshëm udhëtarësh ditorë, por ata duhej të respektonin një sërë masash si matja e temperaturës, mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancimit social. Spanja testoi një projekt pilot për të shfrytëzuar turizmin veror. Mijëra gjermanë, të cilët zbarkuan në Majorka, shprehen të kënaqur me këtë mënyrë të re pushimesh.
“Ne vijmë në Majorka rregullisht dhe nga pamja e parë asgjë nuk ka ndryshuar. Fluturimi ishte pak special për shkak të situatës aktuale”, thotë një turist gjerman.
Greqia, një vend që të ardhurat kryesore i ka nga turizmi, po lejon më shumë fluturime ndërkombëtare në aeroportet e saj. Ekspertët e konsiderojnë këtë, një mënyrë efikase për të shpëtuar atë që ka mbetur nga ky sezon veror. Por testimi i të gjithë turistëve që shkelin tokën greke mund të jetë një problem për këtë, por ky nuk është një shqetësim i autoriteteve.
“Nuk jam i interesuar të shndërroj Greqinë në destinacionin numër një në Europë, por dua ta bëj atë destinacionin më të sigurtë në Europë”, deklaroi kryeministri grek Mitsotakis.
Të njëjtën aspiratë ka edhe Portugalia, një ndër sfiduesit më seriozë të Greqisë në sektorin e turizmit veror. “Kemi krijuar një protokoll mes autoriteteve shëndetësore e të gjitha hoteleve për krijimin e një vule të posaçme që do t’u jepet atyre që garantojnë siguri e pastërti”, deklaroi kryeministri portugez Antonio Costa.
Në vende të tjera, e drejta për të udhëtuar varet nga shteti në të cilin keni jetuar dhe ku po shkoni. Çekia, për shembull, përdor një sistem të veçantë dhe u ndalon hyrjen turistëve nga vende të konsideruara si zona “portokalli” dhe të “kuqe” siç janë Portugalia dhe Suedia. Sigurisht këto lloj qëndrimesh kanë ngjallur pasiguri. Për të shmangur paqartësitë me rihapjen e kufijve të brendshëm europianë, Brukseli lançoi platformën “Re-open-EU”, që do të ndihmojë qytetarët që duan të udhëtojnë gjatë sezonit veror.
Ajo do të ofrojë informacione në kohë reale mbi kufijtë, mjetet e transportit, kufizimet në udhëtime, situatën shëndetësore dhe masat e sigurisë që aplikohen në secilin shtet. “Re-open EU”, e disponueshme edhe si aplikacion, është pjesë e paketës për transportin dhe turizmin të Komisionit Europian. Të dhënat do të përditësohen vazhdimisht, në varësi të ndryshimit të qasjes së shteteve anëtare.
Por kjo lëvizje e shtetasve europianë nga një vend në tjetrin shton rrezikun e një vale të re infektimesh, sipas asaj që paralajmërojnë ekspertët e shëndetësisë. Shifrat mbështesin këtë tezë. Në shumë vende është vënë re një rritje e konsiderueshme e rasteve të reja dhe e pacientëve që humbasin jetën për shkak të Covid-19. Kjo ka ndodhur nga pakujdesitë e shtuara të qytetarëve, që nuk respektojnë ruajtjen e distancimit fizik dhe masat higjieno-sanitare.
Gjermania, Spanja, por edhe shtete të tjera europiane kanë raportuar vatra të reja përhapjeje duke nxitur frikë për një rigjallërim të infeksionit. E kjo shpesh, është shoqëruar me paralajmërime për një rikthim të kufizimeve. Diçka, e cila nëse ndodh, do të bllokonte sërish jetën normale, bashkë me të natyrisht dhe qarkullimin e njerëzve.
Përpara krizës së shkaktuar nga koronavirusi i ri, rreth 3.5 milionë persona kalonin çdo ditë në kufijtë e brendshëm europianë. Shumë prej tyre tani po punojnë nga shtëpia teksa në disa shtete vijojnë kufizimet dhe shqetësimet shëndetësore, të cilat do të dëmtojnë sektorin e turizmit dhe udhëtimet e biznesit. Një tjetër çështje është se sa do të kenë guxim europianët që të lënë vendin e tyre për të pushuar diku tjetër. Për ata që kanë frikë se pas do të marrin dhe një “mik” të padëshiruar, Qipro e ka gjetur zgjidhjen. Ky shtet do t’u kthejë të gjitha paratë e shpenzuara turistëve të cilët do të infektohen me Covid-19 gjatë qëndrimit aty.
Miliarda euro janë vendosur në dispozicion nga Bashkimi Europian për të ndihmuar shtetet anëtare, por dhe më gjerë, për të luftuar krizën e rëndë ekonomike që shoqëron këtë pandemi. Kjo tentativë mund të shpëtojë pjesën më të madhe të biznese dhe sektorëve të ndryshëm që gjenerojnë të ardhura. Megjithatë të shumtë janë pronarët që dorëzohen përballë këtij realiteti të ri dhe po shkojnë drejt mbylljes së aktivitetit.
“Termometri ynë është lista e prenotimeve në hotele. Gjithmonë pyesim hotelet në zonë. Ky që është afër nesh është mbyllur dhe nuk do të rihapet. Hoteli Borgo Pio, ka vetëm një prenotim për gushtin dhe dy për shtatorin. Këto janë numra për momentin”, thotë Ilaria Bussiglieri, e shoqatës së dyqaneve në Vatikan.
Ndërkohë, anketa të shumta kanë zbuluar se Europianët do të shikojnë më shumë destinacionet turistike të vendit ku jetojnë, një pjesë do të guxojnë dhe do të udhëtojnë jashtë, ndërsa pjesa e mbetur me shumë gjasë do të pushojnë në shtëpi./A2News.com