Legalizimi i të ardhurave të padeklaruara ndër vite nga bizneset, emigrantët dhe qytetarët do të bëhet nëpërmjet deklarimit vullnetar dhe kundrejt tatimit 5-10%. Projektligji, i hartuar nga qeveria për amnistinë e kapitaleve, përfshin edhe legalizimin e pasurive të tjera, të padeklaruar deri tani, me vendndodhje brenda dhe jashtë Shqipërisë, si: pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, shuma në të holla, monedhë shqiptare apo e huaj (CASH), monedhë dixhitale, sende me vlerë, ar, apo gurë të çmuar, vepra arti, tituj (securities), apo instrumente të tjerë të tregjeve financiare, pasuritë e luajtshme të regjistrueshme në regjistrat publikë.
Nisma mbështetet edhe nga përfaqësues të bizneseve, të cilët gjithashtu kërkojnë që qeveria të nisë konsultimet para miratimit të ligjit edhe me ta, me qëllim që amnistia të jetë gjithëpërfshirëse. Alban Isteri, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në Durrës, tha për “Monitor” se mbështet zbatimin e amnistisë fiskale, pasi do të nxiste si biznesin dhe qytetarët të deklaronin të ardhurat dhe kjo do të rriste formalizimin e ekonomisë.
“Në parim, ne jemi pro një amnistie fiskale, sepse kjo nismë do të formalizonte ekonominë, asetet, të ardhurat dhe prodhon më shumë zhvillim, më shumë vende pune. Një amnisti fiskale është një mundësi e mirë, për t’i ardhur në ndihmë situatës ekonomike, sidomos në aspektin makro, pas COVID-19. Mjaft i rëndësishëm është të mënjanohet infiltrimi i parave të pista, të korrupsionit.
Ekonomia jonë ka informalitetin më të lartë në Ballkan dhe kjo do të na ndihmonte shumë për formalizimin e ekonomisë. Amnistia është kërkuar me kohë prej nesh ku të përfshihen qytetarët e të gjitha shtresave dhe të gjitha bizneset. Amnistia shton mundësinë e sensibilizimit nga biznesi dhe qytetarët për të deklaruar të ardhurat, por do të rrisë edhe të ardhurat e buxhetit. Duhet thënë se krijohet edhe një shkurajim për ato biznese që janë të rregullt dhe paguajnë taksat, por nisma duhet parë në aspektin pozitiv, që është formalizimi i ekonomisë”, shprehet kreu i Dhomës së Tregtisë në Durrës.
Legalizimi i të ardhurave të padeklaruara do të bëhet kundrejt një tatimi, që nis nga 5% deri në 10%, sipas përcaktimeve që bëhen në draft. Konkretisht, nëse vlera do të deklarohet në 4 muajt e parë, pas hyrjes në fuqi të ligjit do të tatohet 5%, në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit, 7%, dhe në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit, 10%. Edhe për rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera pranë njësisë speciale të ngritur në kuadër të këtij ligji, tatimi i posaçëm në burim do të paguhet në vlerën nga 5 deri në 10%, në varësi të afatit të deklaruar.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës thotë se tatimi 5% është i lartë dhe në këto nivele rrezikohet të kthehet në taksë të mirëfilltë. “Tatimi 5% është shumë i lartë. Sipas mendimit tim duhet të aplikohet një tatim në nivelet 2 deri 3%, pasi në ato nivele, do të kthehej në një taksë të mirëfilltë”, shprehet zoti Isteri.
Por jo të gjithë do të përfitojnë nga amnistia e kapitaleve. Kategoritë që do të përjashtohen, sipas projektligjit të hartuar nga qeveria, do të jenë nëpunësit publikë, të cilët brenda 3 viteve të fundit kanë qenë mbajtës të detyrave në hierarkinë e lartë të administratës, dhe familjarët e tyre, personat e dënuar për trafikim, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Për çdo veprim, thuhet në projektligj, do të ruhet sekret; po ashtu çdo informacion i ofruar nga subjekti i deklarimit, apo përfaqësuesi i posaçëm i tij, për çdo të dhënë për pasuritë e deklaruara, me përjashtim të detyrimit për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të ngarkuar me detyra të lidhura me procesin e deklarimit; detyrimi për vënien në dispozicion të tyre nëpunësve shtetërorë të punësuar në organet e administratës shtetërore dhe të autorizuar nga ky ligj për të ndjekur procesin deklarimit vullnetar; rasteve të tjera të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar.
Zoti Isteri thekson se është e domosdoshme që drafti, para se të miratohet, të konsultohet me grupet e interesit dhe me institucionet ndërkombëtare, që të kthehet në një oportunitet për biznesin, për të legalizuar paratë informale, për të mos qenë një mundësi për pastrimin e parave të drogës, krimit dhe korrupsionit. “Drafti mund të ketë nevojë për detajime më specifike për të zgjeruar fashën e kategorive të përjashtuara, sidomos për politikanët dhe personat që nuk kanë kaluar vettingun, pasi presupozohet që këta persona janë pjesë e hetimit dhe veprimtarisë të SPAK-ut”.
Pjesë e zbatimit të kësaj nisme do të jenë të gjitha subjektet dhe individët, shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre. Por që ligji të jetë gjithëpërfshirës, përfaqësuesi i Dhomës të Tregtisë rekomandon lehtësi në procedura.
“Nëse drafti do të jetë i thjeshtë, i saktë dhe i qartë, do të ketë interes, nëse do të ketë burokraci dhe ngërçe, interesi nuk do të jetë i lartë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të amnistisë duhet të shikohet mundësia edhe e funksionimit të bursës, me qëllim formalizimin sa më shumë të ekonomisë. Pas zbatimit të amnistisë është i nevojshëm edhe rishikimi i sistemit fiskal në vend”.
Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Durrësit vlerëson se mekanizmat për legalizimin e të ardhurave të emigrantëve nuk janë të qartë. Riatdhesimi i pasurive, sipas draftit të qeverisë, përfshin pasuri që nga shumat në të holla, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, me pagimin e tatimit në burim nga 5 deri në 10%. Edhe për emigrantët do të zbatohet i njëjti parim i amnistisë, ai i deklarimit vullnetar.
Emigrantët personalisht, ose nëpërmjet ndërmjetësve financiarë, e paraqesin formularin e plotësuar në autoritetet përgjegjëse të kufirit, në rast nevoje. Rregullat dhe mënyra e riatdhesimit të pasurive do të parashikohen me udhëzim të ministres së Financave. Pasuria e deklaruar nga subjektet përfituese, në rastin e riatdhesimit të parave, nuk mund të shërbejnë si indicie apo provë për ndjekjen, procedimin penal apo administrativ të deklaruesve. Të përjashtuar nga procedimi penal apo hetimi administrativ do të jenë edhe bizneset dhe qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre.
Si do të kryhet deklarimi vullnetar
Bizneset dhe individët që do të kërkojnë të legalizojnë të ardhurat e padeklaruara fillimisht duhet të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo pavarësisht nëse ato ndodhen brenda Shqipërisë.
Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare, thuhet në draft, do të kryhet pranë strukturës përgjegjëse, që do të ngrihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, apo ndërmjetësve të autorizuar që janë bankat e nivelit të dytë apo institucionet financiare, në sportel apo online, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi të paracaktuar. Formati i formularit të deklarimit vullnetar dhe mënyra e procedimit do të përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
“Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës të lëshuar, sipas parashikimeve të këtij ligji. Pasuritë, shuma në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë, ndërsa për pasuritë e tjera, të detyrueshme për t’u regjistruar, ndiqen procedurat, kryejnë regjistrimin sipas parashikimeve të legjislacionit përkatës të fushës”, përcaktohet në projektligj.
Si do të deklarohen shumat në të holla
Për deklarimin e shumave në të holla, fillimisht nga biznesi apo qytetari, si dhe një përfaqësues i tyre i posaçëm, plotëson një formular aplikimi për depozitim të shumës në të holla, në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Më pas, në draft thuhet se formulari verifikohet për mënyrën e plotësimit të tij dhe aplikuesi pajiset me kopje të aplikimit, të verifikuar. Subjekti apo përfaqësuesi i tij kryejnë depozitimin e shumave në të holla në llogarinë përkatëse bankare.
“Detyrimet tatimore të subjekteve përfituese, deri me hyrjen në fuqi të këtij ligji, konsiderohen të paguara rregullisht dhe administratat tatimore nuk mund t’i kërkojnë pagesën e detyrimeve të tjera shtesë ndaj atyre të paguara, për këtë periudhë në lidhje me vlerën dhe llojin e pasurisë së deklaruar”, sqarohet në draft. Pjesë e deklarimit vullnetar do të jenë edhe pasuritë e tjera, të ndryshme nga shumat në të holla. Edhe këto pasuri do të deklarohen pranë strukturës përgjegjëse të parashikuar në këtë ligj.
Regjistrimi i pasurive të paluajtshme
Nëse pasuritë e deklaruara janë pasuri të paluajtshme të regjistrueshme, me ligjin e amnistisë, deklaruesit i krijohet mundësia për regjistrimin e tyre. Po ashtu, personat fizikë apo juridikë, subjekte të këtij ligji mund të rideklarojnë çdo element të veçantë të aktivëve, detyrimeve apo kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë me synimin për të siguruar një paraqitje reale, të vërtetë dhe e drejtë të çdo elementi të aktivëve dhe detyrimeve të këtyre pasqyrave.
“Për çdo diferencë negative apo pozitive që lind nga gjendja reale me gjendjen aktuale kontabël, subjektit i lind detyrimi për pagesë të tatimit, sipas vlerës dhe modaliteteve kohore të parashikuara në këtë ligj. Çdo diferencë e kontabilizuar për këtë qëllim do të klasifikohet si e ardhur e patatueshme apo shpenzim i pazbritshëm për qëllime të deklaratës së tatimfitimit apo tatimit të thjeshtuar të fitimit.
Shumat e detyrimeve ndaj ortakëve të shoqërisë të rivlerësuara sipas dispozitave të këtij neni, mund të përdoren lirisht prej tyre për qëllime të biznesit apo personale”, përcaktohet në draft. Po ashtu, bizneseve dhe qytetarëve do t’u falen gjobat, kamatëvonesat dhe penalitetet që janë aktualisht në fuqi për regjistrimin e pasurisë që konsiderohet e deklaruar. /Monitor/