Partia Demokratike ka kërkuar një tjetër mbledhje të Këshillit Politik për reformën zgjedhore pasditen e së mërkurës në orën 17:00 për përmbylljen e pikave të lënë pezullur dhe dërgimin e draftit të dakordësuar në Kuvend.
Pasditen e të martës, mazhoranca dhe opozita i janë rikthyer sërish përplasjeve, duke mos gjetur dakordësi për strukturimin e KQZ-së si dhe përcaktimin në Kod Zgjedhor të procedurave të tenderimit për identifikimin biometrik.
Gjiknuri: KQZ nuk diskutohet më
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri i është përgjigjur opozitës për formulën e re të KQZ duke thënë se propozimi nuk mund të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik.
Gjiknuri ka thënë se ky është një propozim jashtë marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Sipas tij propozimi për formulën e KQZ duhet i ri dhe të respektojë faktin që Kuvendi është sovran në zgjedhjen e KQZ.
Sa i përket kërkesës për mbledhje të Këshillit Politik në orën 17:00 Gjiknuri i ka kërkuar opozitës që të qartësojë pikat e tjera alternative që mund të zgjidhen dhe mos humbin kohë me debate të kota.
Deri tani, Gjiknuri nuk konfirmon pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit Politik sot me ftesë të opozitës.