Këshilli Pedagogjik i shkollës “Azem Hajdari” në Babrru ka reaguar në lidhje me abzuimin e 15-vjeçares nga roja i shkollës. Ata i janë drejtuar me një peticion kryeministrit Edi Rama dhe ministres së arsimit, Besa Shahini.
Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të realizuar dje, Këshilli Pedagogjik i shkollës thotë se “distancohet plotësisht nga kjo dukuri e shëmtuar, dënon forcërisht ngjarjen dhe autorët e përfshirë në këtë akt tronditës”.
PETICION
Drejtuar:
Kreyeministrit të Republikës së Shqipërisë;
Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit ;
Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniveristar ;
Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës ;
Zyrës Arsimore Vendore Kamëz
Këshilli pedagogjik i shkollës 9-vjeçare ʺ Azem Hajdari ʺ Babrru, pas diskutimit në mbledhjen e jashtëzakonshme të zhvilluar më dt 16.06.2020 lidhur me abuzimin e ish-nxënëses së shkollës sonë, nga ish-roja i po kësaj shkolle, shpreh indinjatën e thellë për ngjarjen e ndodhur, distancohet plotësisht nga kjo dukuri e shëmtuar, dënon forcërisht ngjarjen dhe autorët e përfshirë në këtë akt tronditës.
Ne mbështesim maksimalisht organet kompetente, të bëjnë punën e tyre deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Duke marrë shkas nga keqinterpretimet e vazhdueshme, apo informacionet opinioniste përmes së cilave gjithçka i vishet shkollës , theksojmë se ne si staf, kemi pritur me përulësi dhe urtësi që organet përkatëse të thonë zyrtarisht fjalën e tyre.
Ju bëjmë me dije se në shkollën tonë:
Procesi i mësimdhënies dhe i edukimit është zhvilluar në një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurt për nxënësit dhe stafin pedagogjik; në përputhje të plotë me ligjet e udhëzimet në fuqi, në funksion të realizimit të misionit që ka shkolla.
Te ne, nuk ekziston dukuria e largimit të nxënësve nga orët e mësimit;
Si rrallëkund mungesat e nxënësve shoqërohen me komunikim të drejtpërdrejtë telefonik me prindërit (zanor ose mesazh), me justifikim të shkruar prej tyre apo me raport mjekësor.
Mekanizmi i dhënies së lejes së nxënësve ka funksionuar më së miri përmes fletë-lejeve, të cilat plotësoheshin vetëm pas kontaktit me prindërit dhe firmosjes nga zv/drejtori i shkollës; ( dëshmi janë prindërit dhe nxënësit e çdo klase)
Në pushimin e gjatë mësuesit ( siç parashikohet në RRBSH) kanë qenë vazhdimisht të pranishëm, në oborrin e shkollës, bashkë me nxënësit, për t′i paraprirë çdo lloj sjelljeje të papërshtashme, qëndrimi apo komunikimi joetik ndërmjet nxënësve të veçantë , me prirje problematike .
Në asnjë nga takimet me prindër, të organizuara në shkollë nuk është shfaqur kurrë ankesa më e vogël, lidhur me shqetësimet apo sjelljet abuzive të rojes së shkollës; ( dëshmi janë informacionet dhe procesverbalet e takimeve me prindër, si dhe zëri i vetë prindërve )
Në asnjë pyetësor të organizuar nga drejtoria e shkollës apo psikologia , të realizuar anonim, me nxënës dhe prindër, me qëllim shprehjen e lirë të mendimeve e ngritjen e shqetësimeve , nuk janë konstatuar probleme të natyrës së abuzimit, të presionit apo formave të ngjashme .
Të gjitha rastet e sjelljeve problematike të nxënësve të veçantë janë trajtuar me përparësi nga mësuesit kujdestarë, duke përdorur mekanizmat ligjorë, kontaktin me prindërit, duke ndjekur shkallët hierarkike ( gjithçka e dokumentuar );
Me keqardhje pohojmë se mësuesi nuk zotëron fuqinë magjike të menazhojë nxënësit në kohën e lirë , jashtë procesit mësimor, jashtë mjedisit shkollor ( u referohemi rasteve kur nxënësi nuk shfaq shenjën më të vogël të qëndrimit apo të gjendjes të tij emocionale ) Në përditshmërinë tonë, përveç rolit të mësuesit, shpesh na është dashur të bëjmë rolin e psikologut për probleme të ndikuara nga shkaqe të mprehta sociale, të vëna re tek nxënësit tanë, duke ndarë me ta shqetësimet, duke iu gjendur pranë e duke ofruar mbështetje maksimale, jo vetëm si mësues, por edhe në nivel klase
( dëshmi janë vetë nxënësit ) .
Po me të njëjtën keqardhje shprehim mendimin se pavarësisht ndikimit të saj të madh, shkolla nuk mund të eleminojë kurrë, të gjitha problemet që shfaqen në shoqërinë shqiptare, madje jorrallëherë të pranishme edhe në nivelet më të larta të saj; pavarësisht potencialit intelektual, e kemi thuajse mision të pamundur të tjetërsojmë mentalitetin patriarkal dominues të shoqërisë , në komunitetin ku ushtrojmë profesionin tonë. ( një pjesë e mësuesve dhe drejtuese është pjesë e komunitetit ) ;
e pamundur të ndalojmë vrerin e madh, të hedhur së fundmi kundrejt institucionit shkollë; të pafuqishëm për t′i bërë ballë disa medieve joprofesionale, shumë prej të cilave mjaftohen me numrin e pëlqimeve të lajmit e bumin mediatik , pa menduar gjatë për dëmin e madh moral , të shkaktuar ndaj individëve, apo për vërtetësinë e burimit të informacionit.
Me forcë pohojmë se : Falë mirëmenazhimit të stafit drejtues, falë punës sonë të palodhur dhe falë bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë ata prindër që janë pjesë në procesin e përbashkët të edukimit të fëmijëve, që vlerësojnë shkollën, që synojnë zhvillimin e fëmijëve , që kanë qëllime e synime të qarta ndaj fëmijëve të tyre e ndaj shkollës, që kanë prekur ndryshimet e mëdha që ka pësuar institucioni në vite , NE e kemi zhvilluar veprimtarinë shkollore në një klimë të ngrohtë dhe frymë bashkëpunuese.
Shkolla ka edukuar, ka parandaluar, ka denoncuar në organet përkatëse, madje shpesh ka qenë e vetme në këtë mision. Ne kemi reaguar në kohën e duhur dhe ndaj veprimeve që kanë merituar reagime të përshkallëzuara ( gjithçka është e dokumentuar ).
Shprehim gjykimin se veprime kaq të neveritshme e perverse nga individë të sëmurë , me personalitet të deformuar, vërtet bëhen nëndheshëm, fatkeqësisht në mjedise ku gjejnë terren të përshtashëm, ku dominojnë problemet e theksuara sociale, ekonomike, ku niveli kulturor lë për të dëshiruar, ku mbizotëron frika nga abuzuesi apo ndjesia e turpit përballë opinionit, por kurrsesi nuk mund të baltosin punën tonë, arritjet tona, nuk mund të cënojnë figurën e mësuesit, nuk mund të na ndalojnë në përmbushjen e misionit tonë dhe nuk mund të dëmtojnë imazhin e shkollës; E mira dhe e drejta duhet të triumfojë.
Keqardhje e tejskajshme, po aq sa absurditet që shumëkush nxiton në gjykim, nxitet nga interpretimet opinioniste dhe i jep vetes lirinë të cënojë figurën e mësuesit, ta denigrojë atë, ta baltosë, ta përçmojë duke i veshur epitete nga më të shëmtuarit dhe gjithçka të jetë vetëm falë hamendjes apo dyshimit. E pamundur të shkërmoqet para syve tanë, të fshihet sikur nuk ka ekzistuar kurrë kontributi i mësuesve, arritjet e sukseset me nxënësit tanë, të mohohet bashkëpunimi me prindërit, mirëfunksionimi i Organizmave të shkollës dhe gjithçka që dëshmon punën kolosale të stafit mësimdhënës dhe të stafit drejtues , të shkollës ʺ Azem Hajdari ʺ. Nuk mund të ekzistojë asnjë fuqi që të nëpërkëmbë të vërtetën, të tronditë besimin te shkolla.
Sot ndahemi në dy grupe, ata që e baltosin shkollën dhe ata që e mbrojnë atë. Secili le ta zgjedhë vetë pozicionin e tij, qëndrimin e tij. Jemi të sigurtë se mësuesit në mbarë vendin sot janë me ne, na mbështesin, e solidarizohen me ne.
Ne shprehim besimin e plotë se nuk mund të ekzistojë asnjë mësues në shkollën tonë, që të ketë pasur dijeni për rastin konkret dhe të ketë heshtur. Të hetohet, të zbulohet e vërteta, të mbajmë përgjegjësi, nëse vërtet jemi përgjegjës. Është koha që institucionet përkatëse të thonë zyrtarisht fjalën e tyre . Ne nuk do të ndalemi në mbrojtje të integritetit të shkollës, në rrugën e së vërtetës.
Mbështetur nga sa sqaruam më lart, si dhe bazuar në ligjin Nr. 69/2012 “PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË ” Neni 6/ pika 3 ʺNë sistemin arsimor parauniversitar, nxënësve dhe punonjësve u ofrohet mbrojtje nga çdo formë veprimi ose mosveprimi që mund t’u shkaktojë diskriminim, dhunë, keqtrajtim ose dëm moral.ʺ, pika 8 ʺ Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e nxënësve, e punonjësve arsimorë, e prindërve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, më poshtë “prindër”, për të shprehur pikëpamjet e tyre për cilësinë e shërbimit arsimor dhe për t’u dëgjuar për këto pikëpamje.ʺ, si dhe pika 10 ʺ Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e organizimit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve për të mbrojtur të drejtat e tyre, si dhe për të dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e institucionit.ʺ,
Nëpërmjet këtij peticioni ne kërkojmë :
Organizimin e një takimi të hapur, të realizuar me përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, përfaqësues nga DPAP, DRAPD, përfaqësues nga ZVAK , me pjesëmarrjen e organizmave të shkollës: Bordit, Këshillit të Prindërve të Shkollës, Qeverisë së Nxënësve dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillave të Prindërve për çdo klasë, ku të shprehen hapur qëndrimet e gjithsecitit lidhur me dukurinë e ndodhur, të dëshmohet puna dhe arritjet tona, në mbrojtje të intergritetit dhe dinjitetit të stafit pedagogjik dhe drejtues të shkollës.
Ndërprerjen e dhunës dhe presionit ndaj mësuesit;
Gjykimin mbi bazën e punës dhe të përgjegjësive konkrete të secilit.
Mbetemi me shpresën se kërkesat e parashtruara në këtë peticion do të trajtohen me përparësi nga ana juaj.
KËSHILLI PEDAGOGJIK i shkollës 9-vjeçare ʺ AZEM HAJDARI ʺ Babrru
Bashkëngjitur janë nënshkruesit e këtij peticioni: