Nga Gjergji Koja
Në ditët e fundit u prodhuan tre zhvillime, me Turin dhe turlitë, zgjedhore dhe parlamentare. Një meny jo fort e kapërdishme, por e pritshme në një mjedis ku dirigjenti, me zyrën në Bulevardin e Kombit, kontrollon gjithçka.
Në fillim ndodhi turlia zgjedhore, me një marrëveshje që nisi si amerikane dhe u përmbyll si europiane, më saktësisht gjermane. Nisi në rezidencën e ambasadores amerikane dhe u përmbyll në një restorant, me një drekë mes kreut të PD dhe ambasadorit gjerman.
Më pas, u shfaq “Turi” i Besës, që vuri në lëvizje maturantët, duke i zgjuar nga gjumi për të protestuar, për herë të parë në 30 vjet.
Dhe u mbyll me “turlinë” parlamentare që niste me listat e hapura, vijonte me pragun elektoral dhe mbyllej me kërkesën për ndërhyrje në Kushtetutë për të mos lejuar koalicionet parazgjedhore.
“Turlia zgjedhore”, që nisi me shumë bujë, u përmbyll me një draft që thuhet se do të garantojë lirinë e votës dhe ne do të kemi mundësi për herë të parë të votojnë lirisht, megjithëse kjo varet jo shumë nga ato që shkruhen në atë librin e rregullave zgjedhore, por nga vullneti për të lejuar zgjedhje normale, të parat pas vitit 1992.
Turi na u shfaq te Besa dhe u kthye në një personazh edhe më të njohur se vetë ministrja e Arsimit, madje mund të konkurojë nga fama që mori në vetëm 72 orë me Erionin, ish-Mjaftist, ish-G 99, sot Riilindas.
Duket se hartuesit e testit janë kujdesur që ta përafrojnë Turin me 99-çat. Ndaj dhe me shumë siguri maturantët nuk kanë ditur se çfarë përgjigje të zgjedhin për Turin, i cili u hodh nga varka, duke rrezikuar shokët të mbyten.
Pavarësisht se hartuesit e testit kanë nxjerrë si përgjigje të saktë se Turi u hodh në anën e djathtë, nuk është çudi që ai ose ata që përfaqësojnë personazhin e Besës, të hidhen pikërisht në këtë anë, kur anija ku ndodhen të rrezikohet të mbytet.
Dhe si për të mbyllur javën, na u shfaq “turlia” parlamentare, e cila e nisi duke ushtruar presion se do të bllokonte miratimin e “turlisë zgjedhore”. Madje aq seriozisht u mor, sa ambasadorja e SHBA-së i mikpriti në rezidencën e saj, atje ku kishte mirëpritur 4 anëtarë të këshillit politik, që do i jenë dukur lule, pasi u njoh nga afër me ata që përfaqësojnë opozitarizmin parlamentar.
Hynë në rezidencë, dolën pas pak minutash, thanë se nuk e kishin lënë të fliste fare ambasadoren, pra me pak fjalë i kishin dorëzuar fermanin, me siguri me shprehjen “përgjigjen marrëveshja zgjedhore do e marrë nga topi i Abedinit”.
Pas ambasadores, ata u takuan me Kryeministrin, i cili i tall sa herë që do në Parlament, dhe kur i duhet ndonjë vote, arrin të sigurojë 10 apo 15 të tilla. Me siguri në këtë takim Rama ka mbetur pa gojë, aq sa i sugjeroi edhe kreut të PD-së që të takohet edhe ai, me ata që i ka tallur dhe sulmuar.
Pas kësaj, në media doli një listë me 29 deputetë, që kishin hartuar një draft, që e kishin paraqitur në Kuvend dhe që përveç listave të hapura, kërkonin që mos kishte as koalicione parazgjedhore, madje mundësisht pragu elektoral të shkonte në 5 %.
Shpejt u zbulua se ky draft nuk ishte shkruar nga firmëtarët, por duket se i ishte sugjeruar, ose ata kishin kërkuar ndihmë tjetërkund. Kur listës së firmëtarëve nisën t´I largohen disa, u shfaq një deputet i PS-së, i njëjti që më parë kishte hedhur idenë për disa ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi. Ai artikuloi të njëjtat kërkesa si në draftin e paraqitur, duke kërkuar listat e hapura dhe kjo të shoqërohej me ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
Me siguri sot, Rama apo Gjiknuri mund të dalin dhe të thonë se Partia Socialiste nuk lëviz nga marrëveshja e arritur në Këshillin Politik dhe t´a konsiderojë propozimin e hedhur nga deputeti i PS-së thjesht si një ide në debatin për zgjedhoren dhe asgjë më shumë. Në fakt duket se e gjithë kjo lojë e nisur dhe e dirigjuar nga Kryeministri apo partia e tij ka zhbërë apo ka hedhur në kosh çdo mundësi qoftë për lista të hapura, qoftë për ndryshim sistemi zgjedhor ashtu edhe për ndalim koalicionesh.
Listat e hapura në mjedisin shqipfolës nuk kanë asnjë vlerë, për sa kohë partitë shqiptare drejtohen si garnizone ushtrie, pa fraksione dhe pa demokraci të brendshme. Dhe kjo u pa në Kosovë me zhvillimet e fundit politike, kur u votua Vjosa dhe në fund vulën e vuri Isa.
Koalicionet parazgjedhore, po kështu, më shumë shërbejnë për të mbajtur me oksigjen disa partiçka që kanë vetëm një Kryetar, që vulën e mban në xhep, s´kanë anëtarësi as program, janë pa seli dhe nuk arrijnë të marrin as votën e familjarëve.
Thjesht ato konsiderohen nga partitë e mëdha si mënyra e vetme për të krijuar një variacion, duke i ofruar nga një vend në listën e deputetëve, ndonjë drejtori dhe në rastin më të mirë ndonjë Ministri, e cila shoqërohet më pas me shtim fallso anëtarësh te partia e kryetarit.
Pavarësisht modeleve të koalicioneve parazgjedhore në shumë vende të BE-së, në Shqipëri aplikohet modeli i shëmtuar ku në një koalicion gjen të majtin dhe të djathtin, ballistin dhe komunistin, çamin dhe grekun, ish-pronarin dhe zaptuesin e pronës, ish të persekutuarin dhe persekutorin. I gjen të gjithë bashkë, pasi duket se kjo është rruga më e lehtë për të bërë grumbull palë jo të të njëjtit lloj, se sa për të ofruar ata që nesër mund të të shfaqen nëpër këmbë dhe të të rrëzojnë.
Ndaj dhe ditët që lamë pas, nisën me një turli zgjedhore, vijuan me Turin dhe u mbyll me turlinë parlamentare.