Nga Boldnews.al
Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, ka shpallur pak ditë më parë kompaninë “Bami” shpk fituese të një tenderi rreth 5 milionë euro, duke forcuar dyshimet se ndërmjet drejtuesit lokal të qytetit dhe kompanisë private ekziston një lloj raporti i veçantë.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se shoqëria ndërtimore “Bami” shpk ka krijuar një lloj “monopoli” në tenderat e Bashkisë së Krujës, e cila drejtohet prej dy mandatesh nga Artur Bushi.
Një lloj tendence e tillë konstatohet edhe në tenderin e zhvilluar për “Rehabilitimin e puseve ekzistues dhe ndërtimi i ri i linjës së transmetimit dhe shpërndarjes së Ujesjellësit Fushë Krujë”, me fond limit 490 milionë lekë të reja pa TVSH (rreth 5 milionë euro), i cili u mbyll në fillim të muajit Maj 2020.
Në përfundim të procedurës, titullari i Autoritetit Kontraktor, Artur Bushi, shpalli fitues bashkimin e 3 operatorëve, me në krye “Bami” shpk dhe anëtarë të tjerë “BE-IS” shpk dhe ‘Egland” shpk.
Oferta, 99.8 përqind e fondit limit
Bashkia e Krujës ka hapur tenderit për rehabilitimin e puseve në 19 Mars 2020 dhe ofertat priteshin deri në 20 Prill, në kohën që e gjithë Shqipëria ishte përfshirë në ethet e pandemisë Covid-19.
Fondi për këtë tender, prej rreth 5 milionë euro, ishte akorduar nga Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Pas mbylljes së procedurës, rezultoi se në garë kishin marrë pjesë dy konkurentë. Njëri ishte bashkimi i operatorëve, i drejtuar nga ‘Bami” shpk. i cili kishte paraqitur ofertën ekonomikë në vlerë 489.3 milionë lekë, ose rreth 99.8 përqind e fondit limit.
Operatori tjetër ishte kompania “G.P.G” shpk., e cila kishte paraqitur ofertën 490.5 milionë lekë, ose rreth 99.9 përqind e fondit limit të përcaktuar nga Bashkia e Krujës.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Bashkia e Krujës vendosi skualifikimin e ‘G.P.G” shpk, për shkak se kishte mangësi në një seri dokumentash të kërkuara për këtë tender.
Dyshime për “konkurencën”
Ekspertët e prokurimeve publike ngrenë gjithnjë ”flamurin e kuq” në rastet e tenderave, ku oferta fituese është thuajse sa fondi limit.
Tenderi për “rehabilitimin e puseve të Fushë-Krujës” është një ndër ato raste, ku fituesi ka ofruar për shërbimin një vlerë pothuajse sa fondi limit (vetëm 10 mijë euro më pak se fondi prej 5 milionë euro).
Autoriteti i Konkurencës në Shqipëri ka shqyrtuar shpesh raste të tilla dhe ka dhënë vendime penalizuese, në auditime të kryera pikërisht nisur nga fakti se fituesi ka paraqitur ofertë shumë të afërt me fondin limit.
Në disa vendime të Autoritetit është arritur në konkluzionin se kompanitë në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe me autoritetin kontraktor, kanë cënuar konkurencën e lirë, si edhe kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve publike.
Tenderat miliona euro të Bushit për “Bami”
Artur Bushi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Krujës për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Bashkia e Krujës nuk përfshihet në listën e qyteteve të mëdha të Shqipërisë dhe fondet publike për atë lokalitet janë disa herë më të vogla se kryeqendrat ekonomike të vendit.
Megjithatë, nën drejtimin e Artur Bushit, Bashkia e Krujës ka zhvilluar të paktën 3 tendera me vlerë mbi 3 milionë euro secili. Në të tre rastet, fituesi është shoqëria “Bami” shpk.
Krahas tenderit më të fundit, me vlerë 5 milionë euro për “rehabilitimin e puseve”, Artur Bushi ka shpallur shoqërinë “Bami” shpk fituese edhe në dy tendera të tjerë shumë të mëdhenj për qytetin.
Në maj të vitit 2016, kur Bushi kishte vetëm një vit si kryetar Bashkie, shoqëria “Bami” shpk, në bashkëpunim me kompaninë “ANK”, të themeluar nga ish-deputeti socialist Ndue Kola, fiton tenderin për “Rikualifikimin e qendrës së qytetit”, pjesë e “Rilindjes Urbane”.
Fondi limit për këtë tender ishte 305 milionë lekë të reja pa TVSH (mbi 3 milion euro).
Në Maj të vitit 2019, Artur Bushi zhvillon tenderin për ‘Shtimin e sasisë së furnizimit me ujë të qytetit të Krujës”, me fond limit 315 milionë lekë të reja pa TVSH (mbi 3 milionë euro).
Edhe ky tender shkon për shoqërinë “Bami” shpk, e cila hyri në procedurë në partneritet me kompaninë “Curri” shpk.