Një natë të premteje, më shumë se tridhjetë vjet më parë, Kryeministri i Suedisë shkoi në kinema. Kontraversal dhe i hapur në vendin e tij dhe jashtë, Olof Palme ishte në atë kohë në mandatin e tij të dytë si drejtues i Suedisë.
Por ende këmbëngulte të jetonte një jetë sa më normale, aq sa të ishte e mundur. Ai refuzonte mbrojtjen nga forcat e policisë, ashtu si atë natë. Duke ecur për në shtëpi pak para mesnatës me gruan e tij Lisbet, Kryeministri u qëllua në pjesën e prapme nga një distancë jo e largët. Ai rezultoi i vdekur para se të binte në tokë.
Ceremoniali i vdekjes së kryeministrit Olof Palme në Stockholm
Vrasësi nuk është gjetur ndonjëherë, edhe pse atentati ndodhi në rrugën më të frekuentuar të Stokholmit, dhe më shumë se një duzinë me dëshmitarë panë që një njeri i gjatë të gjuante me armë.
Aktualisht, më shumë se 34 vjet më vonë, Prokuroria e Suedisë ka njoftuar se do të paraqesë përfundimet e hetimit të saj penal në një konferencë për shtyp të planifikuar për të mërkurën në mëngjes.
“Unë jam optimist dhe në gjendje të paraqes atë që ndodhi me vrasjen dhe se kush është përgjegjës për të”, tha kryeprokurori Krister Petersson para televizionit publik suedez në shkurt.
Nuk dihet ende nëse dikush do të akuzohet, ose nëse do të kemi një të dyshuar të ri. Por ka shpresë se policia më në fund mund të jetë afër zgjidhjes së një vrasje që ka përhumbur vendin me dekada, dhe ka krijuar teori të panumërta konspiracioni.
“Është njësoj sikur të vrisnin Margaret Thatcher-in në Cirkun e Piccadilly, thjesht e qëlluan atë, dhe pastaj vrasësi u zhduk në Tube (metro) pa u gjetur asnjëherë”, i tha BBC-së, Dr.Jan Bondeson, autor i librit “Blood on the Snow: The Killing of Olof Palme”. (Gjak në dëborë: Vrasja e Olof Palme).
Pamje nga vendngjarja e vrasjes së kryeministrit Palme
Marten Palme, djali i Olofit dhe një nga njerëzit e fundit që e panë të gjallë, tha në fillim të këtij viti se policia “ka prova që ata ende nuk duan t’i zbulojnë”.
Ai mendon se mund të ketë të bëjë me armën e vrasjes, e cila nuk është gjetur asnjëherë. “Nëse dikush di diçka të rëndësishme dhe nuk është shprehur, padyshim që është koha ta bërë atë”, i tha ai gazettes, Sftonbladet.
Kush ishte Olof Palme?
Lindur më 1927-n në një familje të klasës së lartë me lidhje aristokrate, Palme u bashkua me Partinë Socialdemokrate në vitin 1949 dhe ngjiti shkallët për të udhëhequr partinë dhe Suedinë, në vitin 1969, duke pasuar mentorin e tij Tage Erlander.
“Palme thuhet se është një nga djemtë e Erlanderit”, tha Anna Sundstrom, Sekretarja e Përgjithshme e Qendrës Ndërkombëtare, Olof Palme. “Ai u rrit si politikan nga Tage Erlander, i cili është një nga baballarët e sistemit suedez të mirëqenies. Unë do të thoja se ai ndërmori dhe avancoi politikat e Erlanderit”.
Gjatë udhëheqjes si kryeministër, Palme rriti fuqinë e sindikatave të punës, zgjeroi shumë kujdesin shëndetësor dhe shtetin e mirëqenies, i largoi të gjitha fuqitë politike zyrtare nga monarkia dhe investoi shumë në arsim. Zonja Sundstrom tha se një nga reformat e Palme më thelbësore, ishte krijimi i çerdheve dhe parashkollorëve, duke lejuar gratë të hyjnë për herë të parë në forcën e punës dhe avancimin e barazisë gjinore në Suedi.
Ai ishte gjithashtu një zë i fuqishëm në çështjet ndërkombëtare, duke kritikuar edhe SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik. Palme me pasion kundërshtoi pushtimin nga Bashkimi Sovjetik të Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe në vitin 1972 krahasoi bombardimet amerikane të Vietnamit të Veriut me kampet e përqendrimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shkaktuar një ngrirje të shkurtër në marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Stokholmit.
“Unë nuk pendohem sepse në këtë botë duhet të flasësh me zë të lartë për të bërë që dikush të dëgjojë”, i tha ai New York Times, në vitin 1973. “Unë nuk mund të hesht për këtë çështje dhe nuk do të bie në heshtje nga presioni”.
Ai e quajti rendin racist të aparteidit në Afrikën e Jugut, “një sistem veçanërisht represiv”, dhe financoi Kongresin Kombëtar Afrikan, gjithashtu dënoi regjimin fashist të Frankos në Spanjë si “vrasës të fëlliqur” dhe bëri fushatë kundër përhapjes së armëve bërthamore. Palme shërbeu edhe si ndërmjetës gjatë Luftës Iran-Irak në vitet `80.
Aktet e tij politike brenda dhe jashtë vendit i suguruan po aq armiq sa edhe përkrahës. Pronarët e bizneseve dhe liberalët në Suedi u tërbuan nga reformat e Palme, ndërsa kritikat e tij me zë të lartë dhe të shpeshta ndaj qeverive të huaja zemëruan udhëheqësit në mbarë globin.
“Ishte pothuajse sikur, ose do ta donit ose do e urrenit”, tha zonja Sundstrom. “Kishte një pakënaqësi shumë, shumë të fortë, dhe jo vetëm për parimet e politikës. Në ditët e sotme kur ne flasim për retorikën e fortë në mediat sociale kundër politikanëve, janë të gjitha ato që ne i kemi parë tashmë në Suedi gjatë epokës së Palme. Ata e kundërshtonin jashtëzakonisht forte”.
Por gjithashtu ai ishte shumë i respektuar dhe i dashur në një segment të madh të popullatës suedeze. Njerëzit ende vijnë për të vënë lule në vendin ku vdiq Palme.
Si vdiq Palme?
Natën e vrasjes më 28 shkurt 1986, Palme i kishte refuzuar tashmë rojet e tij kur u kthye në shtëpi dhe gruaja e Olof-it i sugjeroi një shëtitje dhe vajtje në kinema. Lisbet, kishte folur me djalin e tyre Marten, i cili kishte blerë bileta për një film komedi për veten dhe të dashurën e tij.
Bashkëshortët Palme e lanë banesën e tyre të pashoqëruar, morën metronë nga qyteti i vjetër në qendër, dhe takuan djalin e tyre dhe partneren e tij jashtë kinema “Grand”, rreth orës 21:00.
Çiftet u ndanë pas filmit, dhe Palme u nis me Lisbet poshtë Sveavagen, e njohur si një nga rrugët më të ngarkuara të Suedisë. Në kryqëzimin e Sveavagen dhe Tunnelgatan në orën 23:21, një burrë i gjatë doli pas Palme dhe gjuajti dy të shtëna, njëra direkt në pjesën e prapme të Kryeministrit, dhe goditja tjetër drejt Lisbet.
Vrasësi pastaj vrapoi nëpër rrugë, ngjiti disa shkallë në një rrugë tjetër ngjitur dhe u zhduk.
Kombi suedez u shtang. Charlotta Wallsten në atë kohë ishte vetëm 12 vjeç, por kujton babanë e vet duke i thënë asaj se diçka e tmerrshme kishte ndodhur kur u zgjua.
“Ne e hapëm televizorin dhe gjithçka ishte në lidhje me vrasjen e tij në një rrugë të hapur”, i tha ajo BBC-së. “I gjithë vendi ishte në shok”.
Zonja Wallsten kujton se në shkollën e saj ndezi një qiri për Palme. “Kur ai u vra, krahu politik që ju mbanit nuk ishte gjëja më e rëndësishme … Ishte thjesht një tronditje. Kjo nuk mund të kishte ndodhur në Suedi”.
Policia gjithashtu dukej se ishte në gjendje shoku. Oficerët nuk e rrethuan siç duhet skenën e krimit dhe mbyllën shumë pak nga zona e qendrës së qytetit në orët pasi vrasësi u arratis.
Vajtuesit shkuan përtej kordonit për të vendosur lule, duke ecur aty ku gjaku i Palme ishte akoma në tokë. Dëshmitarët ishin në gjendje të largoheshin para se të mund të merreshin në pyetje. Njëri nga plumbat u zbulua disa ditë më vonë nga një kalimtar.
Kush mund ta kishte vrarë?
Megjithë numrin e madh të dëshmitarëve, policia kishte pak drejtime. Plumbat e rikuperuar treguan se vrasësi kishte përdorur një mitraloz 357 Magnum, një “armë shumë e fuqishme”, shpjegoi Dr.Bondeson. “Edhe sikur të kishte veshur një jelek antiplumb, ai do të vdiste. Kështu që vrasja ishte bërë nga dikush që me të vërtetë dëshironte ta vriste. Nuk ishte e rastesishme, ishte gjithçka e planifikuar”.
I pari hetues i çështjes ndoqi idenë se PKK-ja Kurde kishte lidhje me vrasjen e tij. Ata ishin të angazhuar një luftë guerile kundër Turqisë dhe së fundmi ishte shpallur një grup terrorist nga qeveria e Palme.Por hetuesi u detyrua të jepte dorëheqjen me turp në vitin 1987 pas një mësymje në një librari, e cila shërbente si bazë për organizatën, dhe ku nuk figuroi asnjë provë për vrasjen. Në vitin 1988, policia arrestoi një ish kriminel të dënuar, Christer Pettersson. Ai kishte vrarë një njeri në një rrugë të Stokholmit me bajonetë në vitin 1970 me sa dukej pa arsye, dhe ai përputhej me përshkrimin e një personi që shihej duke vepruar në mënyrë të dyshimtë pranë kinemasë, natën kur u vra Palme.
Pettersson u dënua me burgim të përjetshëm, por u lirua pas 3 muajsh
Gjatë një rreshitimi, për njohje nga policisë, Lisbet Palme, bashkeshortja e kyeministrit të vrarë, e identifikoi Pettersson si vrasësin. Ai u gjykua dhe u dënua me burg të përjetshëm në vitin 1989. Por avokati i tij menjëherë bëri apel. Pa motiv ose një armë vrasjeje, gjykatat e liruan pas vetëm tre muajve të dënimit të përjetshëm dhe i dhanë kompensim rreth 50.000 dollarë. Pettersson vdiq në vitin 2004 si një njeri i lirë.
Trauma kolektive e Suedisë dhe obsesioni me vrasjen, kanë ngjallur dhjetra teori dhe madje një term për fiksimin – Palmes sjukdom, ose sëmundja Palme.
Një ish-oficer i policisë së Afrikës së Jugut pretendoi që në 1996 Palme u vra për shkak të qëndrimit të tij kundër aparteidit dhe për financimin e ANC-së (Partisë së Nelson Mandelës). Hetuesit suedezë udhëtuan atje atë vit, por nuk gjetën prova për të mbështetur këtë kërkesë, megjithëse disa besojnë se regjimi i vjetër i aparteidit duhet të konsiderohej ende i dyshuar.
Stieg Larsson, autor i Girl with Dragon Tattoo, kaloi vite duke hulumtuar vrasjen dhe përparoi këtë teori para vdekjes së tij në 2004. Dr.Bondeson, ndërkohë beson se vrasja ishte e lidhur me marrëveshjet e armëve me Indinë. Ndërmarrja suedeze e armëve Bofors pati një marrëveshje për të furnizuar me artileri Indinë në vitet `80 dhe `90, por më vonë u zbulua se kompania u kishte dhëne rryshfete disa ndërmjetësve për kontratën, një skandal që implikoi kryeministrin Rajiv Gandhi.
“Mund të jetë që Palme zbuloi se ndërmarrja Bofors ishte e korruptuar”, tha ai. “Kjo u jep ndërmjetësve që qëndrojnë pas Bofors një arsye të fortë për ta vrarë atë. Por kjo është diçka që policia gjithmonë e ka injoruar”.
Një pistë tjetër e mundshme është i ashtuquajturi “Njeriu nga Skandia”. Stig Engstrom, një punonjës në kompaninë e sigurimeve Skandia, me seli afër skenës së vrasjes , ishte një nga rreth 20 persona që dëshmuan atentatin. Ai vrau veten në vitin 2000.
Stig Engstrom, një punonjës në kompaninë e sigurimeve Skandia, me seli afër skenës së vrasjes
Policia raportohet se filloi hetimin e Engstrom në vitin 2018. Një hetim 12-vjeçar nga gazetari suedez Thomas Pettersson, i cili ishte i pari që e identifikoi atë si një të dyshuar, duke pretenduar se ai kishte pasur trajnime me armë dhe ishte mik me një njeri që zotëronte një koleksion armësh e kishte një magjepsje pas revolverëve Magnum.
Për atë gjithashtu u vërtetua se kishte gënjyer për kohën e tij në vendin e vrasjes, duke pretenduar se u përpoq të ringjallte kryeministrin, gjë të cilën ai nuk e kishte bërë.
“Shumë suedezë besojnë se Engstrom do të përdoret si një `kokë turku’”, tha Dr.Bondeson. “Por ai ishte një person shumë i shkurtër dhe jo fort i dallueshëm, ndërsa vrasësi ishte i gjatë dhe i fortë. Dhe ai kurrë nuk vrau askënd para ose pas”.
Si konkluzion, Dr. Bondeson nuk beson se shumë të reja do të vijnë nga njoftimi i prokurorisë. “Unë mendoj se do të përfundojë si një lëpushkë e lagur! Por ne do të shohim”.
“Nuk pres asgjë, nuk pres qartësi”, tha zonja Sundstrom. “Por unë mendoj sidoqoftë se është e rëndësishme të mbyllet çështja. Kemi nevojë për një mënyrë mbylljeje të çështjes edhe pse nuk keni një përgjigje”./BBC/