KRIIK Albania bën apel që palët në Këshillin Politik të arrijnë në një marrëveshje.
Në një reagim, KRIIK shprehet se pikënisja për një reformë zgjedhore të suksesshme në funksion të kthimit të besimit qytetar, mbetet reformimi i trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe transparenca financiare e veprimtarisë së partive politike.
Reagimi
Që prej Reformës Zgjedhore të arrirë në vitin 2012, pas disa përpjekjesh të stërgjatura
dhe të dështuara, nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga Lidershipet politike pritej një reformë
zgjedhore integrale dhe gjithëpërfshirëse në çështjet zgjedhore. Një reformë, jo thjesht si
një përmirësim i kuadrit ligjor, por si një proces i thelluar dhe i plotë që do të vendoste
hullinjtë e rikthimit të besimit qytetar tek demokracia dhe shteti i së drejtës.
Në historikun e tyre, përpjekjet për reformim sipas zotimeve politike dhe kërkesave nga
aktorët vendas dhe partnerët strategjikë, u pasuan në fakt nga një periodicitet disa vjeçar
krizash politike. Në këtë të fundit, gjatë së cilës janë shënuar precedentë të disatë të një
demokracie tranzicionale dhe në krizë, ndër elementët më dramatikë përmenden
funksionimi i parlamentit me numër të reduktuar anëtarësh dhe kalimi i të gjithë
qeverisjes vendore në duart e vetëm një partie politike.
Në një situatë mungese totale të dialogut politik të rënduar, të rënduar më pas edhe nga
mungesa e faktorit kohë në raport me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, u gjet si zgjidhje
krijimi i Këshillit Politik me synim adresimin, përsa të ishte i mundur, e problematikave
në çështjet zgjedhore.
Ky model i gjetur, në zhvillim të përgjegjësive dhe të detyrimeve të faktorit politik e
institucional, për kryerjen e reformimit të kuadrit ligjor rezultoi një hap zhgënjyes për
nga pritshmëritë, si për nga mënyra e funksionimit të tij ashtu dhe nga tematika e
çështjeve të mbuluara.
Megjithatë, më shqetësues mbetet fakti se edhe ky model po luhatet drejt dështimit për
shkak se diskursi i lidershipeve politike vazhdon të mbetet i mbyllur në agjendat
individuale e të ngushta të dy partive kryesore, duke kërcënuar edhe atë rezultat dhe
kontribut minimal të mundshëm që mund të arrihet.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK
Albania), si një organizatë që ka kontribuar me opinione dhe ekpertizën e vet në këtë
proces reformues, sikundër dhe në ata pararendës, më një përvojë të gjerë nga vëzhgimi
në vijimësi i proceseve zgjedhore, në këto rrethana, shprehet se ndonëse pritshmëritë nga
veprimtaria dhe kontributi i Këshillit Politik janë minimaliste, ai duhet të konkludojë
në një material ligjor, për aq sa ai gëzon dakortësi të plotë politike.
Së paku, funksionimi i këtij Këshilli Politik, të shënojë dhe të përbëjë hapin e parë të
suksesshëm në vendosjen e dialogut politik dhe të rikthimit institucional të këtij
dialogu, e cila është rruga vetme e zgjidhjes së ngërçeve dhe problemeve në një
demokraci.
Ky hap i vogël pozitiv, pas një ecurie hapash mbrapa, duhet të ketë si objektiv madhor e
të fundëm një reformë zgjedhore integrale dhe të thelluar për shumë çështje emergjente.
Është e domosdoshme që ky objektiv të marrë sa më parë mbështetjen prej deklarimit
të qartë të vullnetit politik nga Lidershipi i partive kryesore se ai do të vazhdojë të
peshojë si detyrë parësore mbi Kuvendin e Shqipërisë në legjislaturën e re pas
zgjedhjeve të ardhshme.
Gjithashtu, në këtë drejtim, KRIIK bën thirrje dhe nxit palët që, përtej ecurisë së këtij
Këshilli, në vazhdën e dialogut të mund të vazhdojnë shkëmbimin e opinioneve dhe të
diskutimeve për mundësinë e ndërmarrjes së ndryshimeve të tjera të ardhshme.
Në konsideratën e KRIIK, pikënisja për një reformë zgjedhore të suksseshme në funksion
të kthimit të besimit qytetar, mbetet reformimi i trupës së Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve dhe transparenca financiare e veprimtarisë së partive politike.
Çdo disktutim tjetër mbart rëndësi madhore, por parakushtëzohet në mënyrë
determinuese nga këto dy tematika.
Duket qartazi se respektimi i standardeve në procesin zgjedhor të ardhshëm edhe një herë
do të jetë në varësi të vullneteve politike, dhe jo të një mekanizmi ligjor-institucional si
garanci mbi palët.
Ndaj, si bashkëautorë dhe bashkëpërgjegjës të procesit të ardhshëm zgjedhor, KRIIK iu
bën thirrje paraprakisht lidershipeve politike se është e domosdoshme që të tregojnë
maturi në periudhën para dhe gjatë zgjedhore, duke marrë në konsideratë shmangien e të
gjithë preçedentëve negativë dhe antiligjorë të ndodhur më parë.
Veçanërisht dhe më konkretisht, në mungesë të kuadrit ligjor përkatës, KRIIK nxit
forcat politike dhe çdo aktor tjetër politik në ofrimin e transparencës së plotë të
veprimtarisë financiare, duke filluar që nga kjo periudhë aktuale, dhe më pas edhe për
ndërmarrjen e një auditi post zgjedhor.
Gjykohet se mirëfunksionalizimi i këtyre dy instrumentave, përtej gjendjes së sotme,
mund të shërbejnë dhe të ndihmojnë në rikthimin e besimit qytetar tek procesi zgjedhor
dhe ai politik e institucional i lidhur me të.
Transparenca e veprimtarisë financiare, e detajuar, në kohë reale dhe paraprake, është
instrumenti më i rëndësishëm i partive dhe grupimeve politike për t’iu bërë me dije
qytetarëve shqiptarë se cilat janë interesat që i mbajnë të angazhuar apo të lidhur
politikanët dhe mbi cilën bazë dhe interesa ndërtohen ofertat elektorale që iu
serviren qytetarëve. Transparenca e plotë do të reflektonte, gjithashtu, sinqeritetin e
vullneteve të tyre dhe se sa të përkushtuar ata janë ndaj fatit të vendit.
Besimi qytetar tek demokracia dhe institucionet, nuk mund të fitohet falë thirrjeve apo,
më keq, falë propagandës boshe, por duke dëshmuar transparencë të plotë financiare të
partive politike dhe të çdo aksioni poltik si dhe transparencë të plotë të veprimtarisë së
institucioneve zgjedhore dhe çdo operatori apo institucioni të përfshirë.
Në përfundim, duke kërkuar që dakordësia politike mos të jetë vula e ardhshme e
çertifikimit të rezultatit zgjedhor dhe bashkë me të edhe të krimit zgjedhor, KRIIK bën
thirrje dhe kërkon angazhimin e lidershipeve politike në ndërmarrjen e një auditi
post zgjedhor, menjehërë pas zgjedhjeve të ardhshme.
Duke risjellë në kujtesë se diskutimi për auditimin e procesit ka qenë një objekt i
vazhdueshëm diskutimi në fund të çdo procesi të mëparshëm zgjedhor, palët kanë sot
kohën e nevojshme në dispozicion për të nisur dhe diskutuar mbi teknikalitetet e
ndërmarrjes së këtij auditi, si një proces pas-zgjedhor i ardhshëm.
Një proces auditimi i plotë, për më tepër, do të shërbejë për të projektuar akoma më
mirë piketat dhe nivelin e thellësisë së ndërhyrjes në reformën zgjedhore të pritshme
në legjislaturën e re, menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.