Parashqevi Simaku, këngëtarja e dashur e shqiptarëve iku nga Shqipëria në vitin 1992. Asnjë lajm prej saj, derisa u rikthye për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës dhe dhënë një koncert në Shqipëri. Ishte viti 1997. Koha e gabuar për ta bërë këtë. Në Shqipëri luftohej. Parashqevia dha këtë intervistë, në Hotel Rogner, për gazetaren Rudina Xhunga. Ishte 14 shkurt 1997. Ndaj edhe pse në Shqipëri kishte luftë, të gjitha pyetjet janë për dashurinë. Intervista nuk u botua për shkak se gazeta “Koha Jonë” u dogj më 2 mars 1997. Ajo u botua e plotë, vetëm pas rihapjes, më 4 maj 1997. Prej asaj kohe Parashqevi Simaku nuk ka folur më kurrë, askush nuk di çfarë ndodhi me të. Përveçse dimë me siguri që e duan akoma. Në Shqipëri, këtë divë të këngës, e duan të gjithë.
Na thoni një datë që e veçoni nga të tjerat?
Dita e të dashuruarve. Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Merlin Monroe.
Si u njohët?
Nuk pata ndonjë romancë dashurie, sepse e vetmja dashuri që më ka lindur, më zhvillohet dhe besoj s’do më vdesë kurrë, është muzika, por s’kam harruar kurrë se në jetën time familja zë një vend të rëndësishëm. Njohja jonë erdhi për shkak të punës së përbashkët. Ai ishte instrumentist, i binte kitarës dhe këndonte në grupin, ku e shoqëruar nga 6 muzikantë, unë këndoja. Ndërsa po i jepnim dorën e fundit punës për të përfunduar albumin tim, më pyeti një ditë nëse mund të dilnim bashkë.
Përgjigja juaj ishte menjëherë po?
Një shqiptare nuk thotë menjëherë po, qoftë dhe në Amerikë. Unë kujtoj t’i kem thënë: “Puno me mua, ose dashurohu me mua”, ndërsa ai m’u përgjigj se nuk do t’i pëlqente t’i ndante. Ai është shumë simpatik dhe unë duke i lënë refuzimet mënjanë, i shpjegova, që më parë duhet të respektonte traditën e vendit tim, pra t’i kërkonte dorën e vajzës, prindërve të mi, me anë të një letre. Kjo në fillim s’i pëlqeu shumë, por duke shkruar një letër të gjatë, të gjatë, nisi t’i dukej gati zbavitës fakti që iu shkruante dy njerëzve të panjohur, kundrejt të cilëve ndjente detyrim shpirtëror. Prindërit e mi i kthyen përgjigje pas dy javësh dhe pasi u prezantova në familjen e tij, për të dy nisi një jetë tjetër, një jetë e përbashkët që na duket sikur do të vazhdojë përjetësisht. Me kohë, kam kuptuar se ia vlen të ndash jetën tënde me një njeri të mrekullueshëm si Robert.
Ju e kishit thirrur ngaherë në ëndrrat tuaja një njeri si ai?
Unë kisha shkruar një listë dikur, me 10 veti që duhet t’i kishte bashkëshorti i ardhshëm. Roberti ka 13.
Pra në vitin ’92 kur u larguat nga Shqipëria ishit pothuajse e bindur, se, askush këtu nuk do mund të qe i denjë për listën tuaj 10 kërkesëshe?
Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s’do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t’u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit.
Tani që jeni mirë, ç’kujtoni nga koha kur ishit keq?
Unë jam munduar të ruaj nga ajo histori dashurie vetëm të mirat, të bukurat, të cilat i kam bërë pjesë të jetës sime. I jam mirënjohës atij njeriu për ç’më dha dhe kam hedhur në harresë gjithë vuajtjet dhe dhimbjet.
Pra dhe kur zemra thyhet një herë, sipas jush ngjitet sërish. S’ka gjë të pariparueshme?
Ka gjëra më të rëndësishme në jetë se dashuria…
Si për shembull martesa?
Jo pikërisht ajo. Për mua më e rëndësishme ishte riedukimi i vetvetes. Nëse ke synim të ecësh para, duhet të mos e harrosh të shkuarën, por të mos guxosh kurrë të kthesh kokën pas. Në të kundërt rrëzohesh.
Sipas jush thashethemet e pazakonta kanë krijuar një imazh irreal për ju?
Thashethemet për artistët, janë nga më të paimagjinueshmet, por unë mundohem t’i marr për kompliment. Madje të tilla ngacmime për mua dikur ishin bërë pjesë e jetës, aq sa gjatë qëndrimit në Amerikë ndjeja se më mungonin.
Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme në Kavajë. Mandej befas e famshme dhe më tej studente e dramës. Një gjah i mirë për thashethemet…
Unë jam vajzë e dy prindërve që si shumë të tjerë në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga puna e tyre. Kësisoj më është dashur të luftoj si për ëndrrat dhe për mundësitë ekonomike. Jam munduar sidomos të ndihmoj mesa mundem familjen time. Babai dhe nëna ime janë dashuria dhe mbështetja shpirtërore më e madhe që kam pasur ngaherë. Atyre iu dedikoj jetën dhe ëndrrat e mia. Ata ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s’dëshiron t’i dëgjojë për bijën e vet.
/Marrë nga aktoretshqiptare.info