Fermerët e Zadrimës shtuan investimet në bujqësi dhe sasinë e të mbjellave për vitin 2020, por mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë së COVID-19 i ka lënë produktet e tyre të kalben nëpër fusha.
Sigurimi i tregut për prodhimet bujqësore ka qenë gjithmonë i vështirë për fermerët në Shqipëri, por situata e krijuar prej pandemisë e ka kthyer atë në mision gati të pamundur, ndërsa shumë produkte të stinës janë kalbur dhe kanë përfunduar në mbeturina.
“Unë kam një fermë, të cilën e kam ngritur prej shumë vitesh dhe prodhoj sasi të mëdha produktesh bujqësore, por situata e krijuar nga pandemia COVID-19 na ka sjellë shumë vështirësi. Shumicën e produkteve i eksportoj në vendet e rajonit, por mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes na ka bllokuar,”thotë Naim Dani, fermer nga fshati Mabë në Zadrimë të Lezhës.
Për Danin dhe fermerë të tjerë të zonës, kufizimi i lëvizjeve dhe kryesisht mbyllja e kufijve me Kosovën ka bllokuar punën dhe krijuar vështirësi financiare për ata që kanë investuar në sera dhe prodhojnë sasi të mëdha produktesh bujqësore.
“Punën e kam të lidhur kryesisht me Kosovën, por tregtarët atje e kanë patur të pamundur të vijnë të marrin produktet po ashtu (unë) e kam patur të pamundur t’i dërgoj atje. Ne këto kushte ne jemi të bllokuar prej më shumë se 3 muajsh. Me tonelata perime të stinës më janë kalbur dhe kanë përfunduar në koshin e mbeturinave. Konkretisht janë sallata, spinaqi dhe momentalisht kemi bishtajen që po e hedhim, sepse nuk kemi ku ta çojmë,” shton Dani.
Prodhimi i shtuar mbeti pa shitur
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), eksporti i prodhimeve bujqësore pësoi një rënie të lehtë krahasuar me sektorë të tjerë të ekonomisë. Në 4 muajt e parë të vitit 2020, eksportet në kategorinë “ushqime dhe pije” ranë me 2.1 për qind krahasuar me një vit më parë.
Por ndryshe nga situata makro, fermerët e Zadrimës ankohen se këtë pranverë kanë pësuar vetëm humbje. Nisur nga kërkesa në vitet e kaluara, Lekë Bardhi dyfishoi sipërfaqen e mbjellë me produkte bujqësore, por gjithçka mbeti e bllokuar.
“Kam marrë tokë me qira dhe kam dyfishuar sipërfaqen e mbjellë me produkte të ndryshme bujqësore me shpresën se do të ketë kërkesë për prodhime vendi, por deri tani jemi tërësisht të bllokuar dhe shumë prodhime të stinës janë kalbur sepse nuk ka patur treg,” thotë ai.
Bardhi thotë se situata e ka dëmtuar shumë, pasi bashkë me familjen ai i është përkushtuar bujqësisë dhe nuk ka asnjë burim tjetër të ardhurash. “Shpresoj të hapen kufijtë sa më parë të paktën me Kosovën, ku dhe kemi më shumë treg,” thotë ai.
Në situatë të ngjashme janë qindra fermerë të tjerë në Zadrimë, të cilët ankohen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria.
“Prej 5 vitesh që kam hapur aktivitetin, s’kam marrë asnjë subvension dhe asnjë mbështetje nga shteti. I vetmi financim që kam patur ka qenë nga një shoqatë italiane, që më ka sjellë para dy vitesh bazë materiale,”, tregon Naim Dani.
Të dëmtuar janë edhe fermerët e vegjël që shesin me pakicë, kryesisht buzë rrugëve kombëtare. Mark Rrozhani tregon se mori borxhe për të ngritur një fermë të vogël, duke shitur prodhimet buzë rrugës që lidh Shkodrën me Lezhën. Por situata e krijuar nga pandemia e ka dëmtuar atë.
“Ka një javë që kam nisur të dal për të tregtuar në anë të rrugës, por s’ka fare shitje sepse lëvizjet janë të pakta, duke qenë se dhe Shkodra është zonë e kuqe dhe nuk lëvizin njerëzit në superstradë drejt Shkodrës dhe anasjelltas,” thotë Rrozhani.
Dëmet në fushën e Nënshkodrës
Situata është e ngjashme edhe në fshatrat e krahinës së Zadrimës që administrohen nga bashkitë e qarkut të Shkodrës. Në fshati Kosmaç, i cili njihet për shquhet për prodhimin e perimeve dhe ku banorët kanë ngritur mbi 70 hektarë sera me kredi dhe para nga emigracioni, prodhimet e stinës janë kalbur për mungesë tregu.
“Sallata e spinaqi i prodhuar në serat e Kosmaçit është tretur në masën 90%, pasi ka qenë e pamundur të shitet. Perimet e tjera kanë filluar të tregtohen ditët e fundit pasi lëvizja brenda Shkodrës ka filluar të jetë më e mundur dhe pse jo aq sa duhet pasi serat e kësaj zone prodhojnë jo pak,” thotë Zija Gërbeti, banor i Kosmaçit.
Ngjashëm si në Lezhë, fermerët thonë se një nga problemet ishte fakti se tregjet e shumicës në Shkodër kishin punuar me kohë të kufizuar dhe kanë tërhequr më pak mall, pasi nuk kanë patur fuqi blerëse si më parë. Lidhjet me tregun e Kosovës u këputën gjithashtu plotësisht.
“Dëmi ekonomik është i madh dhe nuk dihet se si do shkojë më tej. Gjithçka është e pasigurt. Ne nuk mund të rrimë pa mbjellë, pasi me këtë jetojmë, në këto sera kemi investuar gjithçka. Sallatën sivjet e kam tretur se nuk kam patur treg për të, ndryshe nga vitet e tjera. Shpresoj t’ja dal të shes domaten që të mos falimentoj plotësisht,” shton fermeri Hajri Mlloja.
Për shumë fermerë, problemet janë shtuar për shkak të rregullave dhe nevojës për të marrë leje elektronike, që shumë prej tyre nuk i kanë kuptuar si funksionojnë. Ndërkohë, çmimet në tregun e shumicës kanë qenë të ulëta.
“Ne i shesim me 150 lekë kilogramin tek shumica, ndërsa tregtarët atje i shesin 300-350 lekë kilogramin, ndërsa tek tregtarët e pakicës qershia është 400 lekë kilogrami, çmim ky aspak i favorshëm për qytetarin,” thotë Smajl Alija, që shton se kjo ia ka lënë qershitë pa vjelë, pasi shitja është e pakët.
Të tjerë fermerë thonë se nuk kanë pasur mundësi të gjejnë punëtorë për të kryer punët e përvitshme. Ali Gërbreti, një fermer i moshuar tha se nuk kishte pasur mundësi të gjente punëtorë për të vjelë qershitë.
“Unë jam i moshuar, fëmijët i kam jashtë dhe e kam të pamundur të hipi në pemë për të vjelë qershitë që më pas i tregtoj tek shumica. E kam bërë këtë me punëtorë ditorë, por këtë vit nuk ka patur të tillë,” përfundon ai./Reporter.al