E ndoqi këmba-këmbës. E priti sa përfundoi punën. E priti poshtë shtëpisë… Këto janë përshkrimet për të dyshuarit që përndjekin partnerët apo ish-partnerët me shpresën se do rikthehen sërish në raport. Por në pandeminë e Covid-19 vepra e përndjekjes ka qenë një nga krimet që kanë shënuar një ulje të ndjeshme. Kjo rënie e konsiderueshme pohojnë ekspertët e policisë për gazetën “Si” lidhet drejtpërdrejt me lëvizjet e kufizuara të qytetarëve përgjatë muajve mars dhe prill.
Por teksa përndjekja është një nga krimet e pasionit që regjistron edhe katër denoncime në ditë në kryeqytet, gjithsej nga marsi deri në fillim të majit në Tiranë kjo vepër kapi pragun minimal. Janë shënuar gjithsej tri denoncime për përndjekje konfirmoi një zyrtar i Drejtorisë Qendrore të Policisë Tiranë. Natyrisht që rënia e këtij krimi shikohet si një nga efektet që erdhi nga karantinimi, edhe pse ndërkohë priten kallëzime pas kthimit të ngadaltë në normalitet dhe ku nuk përjashtohet që ky krim të jetë konsumuar në një formë tjetër. “Ne dyshojmë, shpjegoi një nga hetuesit e përndjekësve, se ata nuk kanë hequr dorë dhe mund të kenë përdorur teknikat virtuale, duke kanosur përmes mesazheve telefonike, telefonatave apo edhe rrjeteve sociale”. Por sidoqoftë përndjekësi klasik nuk preferon të lërë gjurmë, ndaj dhe ai ndjek kontaktin fizik të përndjekjes këmba-këmbës, duke sjellë ankth dhe frikë tek ish-partneri. E ndërsa pandemia i ka mbyllur në shtëpi, këtë fat nuk e kanë pasur ata që për shkak të punës ishin të lirë të dilnin dhe nuk u kërkonte llogari askush.
Ankesa për përndjekje u regjistrua nga një infermiere që udhëtonte çdo ditë për në punë. Ai që e ndiqte dhe që i lutej të rikthehej me të është një ushtarak, i cili nuk kishte problem për fashat e lëvizjes, pasi ai ishte mes njerëzve që kontrollonin qytetarët gjatë karantinës. Denoncimi u dorëzua nga D.S pranë komisariatit numër tre, ndërsa i kallëzuar është A. L, me detyrë komando në Zall Herr. Çifti ishte i lidhur për katër muaj, pasi ishin prezantuar nga miq të përbashkët. Por më pas ushtaraku zbuloi rastësisht se e dashura e tij përmes llogarisë në Facebook komunikonte edhe me persona të tjerë. Ai i kërkoi llogari partneres se përse komunikonte me meshkuj të tjerë, por vajza iu përgjigj se kjo sjellje ishte xhelozi e pakontrolluar.
“E frikësuar u distancova prej tij dhe më pas u ndava pasi kuptova që është xheloz” tregon infermieria. Por ky vendim nuk është pritur mirë nga ushtaraku që fillimisht nisi ta kërcënojë se do i publikonte videot që i kishte gjetur në inbox-in e Facebook. Infermieria i çaktivizoi të gjitha llogaritë e Facebook dhe Instagram. Një ditë kur infermierja po vraponte të kapte autobusin e vendosur në dispozicion të mjekëve për pandeminë, ish i dashuri i doli në rrugë. “Më ndaloi dhe më tha se do publikonte videon dhe disa foto që kishte siguruar nga komunikimi im me dikë tjetër. Aty u binda se ai mund ta bënte këtë gjë dhe ndjekja që po më bën çdo ditë më ka shkaktuar stres”, mbyll kallëzimin 24-vjeçarja.
Burimi i policisë shpjegon për gazetën “Si” se kanë thirrur dhe pyetur ushtarakun. Ai mohon ta ketë përndjekur, duke shtuar se e kishte takuar ish të dashurën krejt rastësisht në rrugë, pasi ai kishte mbyllur turnin dhe po kthehej në këmbë në shtëpi. E përshëndeta pasi ishim vetëm unë dhe ajo në rrugë dhe nuk mund ta shmangia, ne kemi qenë të dashur. Por ajo ka frikë nga unë, mbase është keqkuptuar dhe mendon që po e përndjek, – deklaroi i riu, që pavarësisht pretendimit të tij, emri iu përcoll në prokurori për akuzën e përndjekjes./Gazeta Si