Nga Armand Shkullaku
Ngjarje të mëdha si kjo e shëmbjes së Teatrit Kombëtar janë një pasqyrë e rrallë ku një shoqëri mund të shohi veten më qartë se kurrë. Aty dalin në pah rrahjet e pulsit të reagimit qytetar, kurajo civile për të thënë të vërtetën, dinjiteti dhe ndjeshmëria për publiken, historinë, rrënjët dhe identitetin, gjithçka që e kemi të përbashkët. Siç reflektohen po ashtu edhe sëmundjet e rënda, që e kalbin së brendshmi një shoqëri, si konformizmi, përulja, nënshtrimi ndaj më të fortit, shërbimi, heshtja apo më keq akoma mbulimi i krimeve të pushtetit, diktuar nga nevoja banale materiale.
Historia jonë ka pafund raste kur heshtjen dhe shërbimin e kemi paguar me vite të gjata sundimi, mungese lirie, vuajtje fizike e shpirtërore, pasoja që ndihen edhe sot duke na renditur ndër vendet më të varfëra ekonomikisht dhe më të prapambetura shoqërisht. Në 2020, Shqipëria është ende një demokraci hibride, ku qytetarët e saj nuk gëzojnë të drejta elementare si ato të europianëve të tjerë.
Shembja e Teatrit, ishte pikërisht një nga ato raste kur një vend duhet të ndjejë ndërgjegjen e tij të zgjohet dhe bërtasë. Ku pavarësisht bindjeve politike, nevoja për të ruajtur të përbashkëtën tonë historike dhe kundërshtimi i arrogancës së dhunshme të pushtetit, do të duhej të prekte menjëherë nervin qytetar dhe të bënte bashkë pjesën e ndriçuar të kombit.
Mirëpo elita shqiptare, siç ka ndodhur rëndom, e degradoi debatin në pro ose kundër, e politizoi, e ndau në palë, duke shmangur të marrë përgjegjësinë që i takon për të mbrojtur ato pak vlera që na kanë mbetur. Pa shkuar më larg, kështu u veprua kur në fillim të viteve ’90 u shkatërruan të mirat publike në emër të kapitalistëve të rinj, kështu ndodhi kur u zhduk lulishtja e rrallë pas monumentit të Skënderbeut, kur u tretën kinematë dhe objektet historike në barkun e kullave të betonit, kur u shemb stadiumi kombëtar… për t’i ardhur radha në fund një tjetër vepre të arkitekturës italiane, Teatrit Kombëtar, që e sakatoi përfundimisht atë pak trashëgimi të përbashkët që kish mbijetuar në kryeqytetin tonë.
Të mos heshtësh përballë një krimi, kur këtë edhe mund ta paguash shtrenjtë, do të ishte ideali i një shoqërie të civilizuar, të cilën vështirë ta nënshtrosh. Këtu edhe një krim i qartë si ai operacionit që coi në rrëzimin e teatrit, manipulohet dhe deformohet sipas formës së kockës që pushteti jep për të lëpirë. Dhe për të mbuluar këtë turp, këtë deformim, ata që do duhej të flisnin në mbrojtje të vlerave, nxitojnë të zbulojnë një armik për t’u marrë me të dhe jo me thelbin e problemit.
Mjafton të shohësh sot se si një pjesë e mirë e zërave të njohur në publik merren me opozitën, a e politizoi ajo çështjen e teatrit, a reagoi si duhet, çfarë duhet të bëjë e çfarë s’duhet të bëjë, etj, për të shmangur kështu qëndrimin e qartë se a duhej shembur një vlerë e përbashkët dhe se a ishte kriminale sjellja e pushtetit në gjithë këtë operacion.
Disa u zhgënjyen nga komentatorët e regjimit që edhe kur panë kolegët e tyre të goditur nga policia nuk folën, por preferuan të merren me Bashën. Disa të tjerë u zhgënjyen me Kadarenë, një simbol i kulturës sonë, i cili ka 30 vjet që përpiqet t’i mbushë mendjen botës se ishte një kundërshtar i regjimit të Enver Hoxhës, por nuk ka fjalë për një njeri që po i zhduk një e nga një monumentet e gjalla të veprës së tij, që do të duhej të na mbanin të lidhur të gjithëve me historinë e qytetit dhe me vlerat shpirtërore të krijuesve të tij.
Pati dhe nga ata që u habitën si dy artanët tanë (Lame, Shkreli) që qëmtojnë fakte nga historia se si ne shqiptarët i shkatërrojmë vetë vlerat tona dhe se si duhet t’i lartësojmë ato, dy artanët që bërtitën fort kur u hoqën ca kangjella tek Pallati i Brigadave apo Presidenca, sot merren me harqet e shtëpive të tyre dhe nuk u dhembin muret e godinës së Giulio Berte. Sepse kryearkitekti që u ka dhënë ofiqe zyrtare, quhet Edi Rama. Në vend të tyre, flet me zhargon tirone kryetari provincial i kryeqytetit, i cili e çon diskutimin tek bregu i cekët i politizimit, sa më larg nga thellësia e shqetësimit për vlerat që po shkatërrojmë.
Arroganca e beftë e pushtetit që rrëzon natën dicka që u përket gjithë shqiptarëve, nuk është një befasi. Ajo është rezulati i pritshëm i një shoqërie me nerv të paralizuar nga bashkëjetesa me të keqen dhe me mendje të korruptuar nga shërbimi i paguar. Në kushte të tilla, arroganca shndërrohet fare lehtë edhe në krim shtetëror./Lapsi.al