Europa Nostra e ka dënuar ashpër shembjen e Teatrit Kombëtar. Në një intervistë për emisionin “Tempora” në RTV Ora, profesor Paolo Vitti, pjesëtar i Europa Nostra e konsideron shembjen si një akt krimi.
Profesor Paolo Vitti tha të gjitha arsyetimet e tij se përse Teatri Kombëtar nuk duhej shembur, duke u ndalur tek vlerat kulturore që mbartte.
Profesor Vitti shpjegoi simbolikën e shembjes, ndërsa tha se u krye kundër interesave të kolektivitetit.
Intervista e Profesor Paolo Vitti për emisionin “Tempora”
Alba Kepi: Europa Nostra vetëm pak çaste pas shembjes se Teatrit postoi në twitter fjalët, “Sot është një ditë e trishtë në Shqipëri, Një ditë e trishtë për demokracinë, për ligjshmërinë, për Europën e Shqipërinë.” Pse pikërisht këto fjalë?
Profesor Paolo Vitti: Çështja e vlerave kulturore që janë në bazë të shoqërisë tonë, është thelbësore. Ne ekzistojmë sepse ekziston një e kaluar. Nëse eliminojmë të shkuarën nuk jemi asgjë. Ajo çka Europa Nostra konstatoi është se shembja e Teatrit e mënyra si u krye janë kundër interesave të kolektivitetit. E ky është kuptimi i këtij postimi në Twitter, pasi demokracia do të thotë të njohësh rolin e të gjithëve.
Alba Kepi: Një nga “fajet” e nënvizuara shpesh, nga ata që insistonin të shembnin këtë godinë ishte se kjo ndërtesë ishte pjesë e arkitekturës fashiste. A është ky motiv për shkas?
Profesor Paolo Vitti: Duhet një perspektivë historike për të gjykuar vlerën e një ndërtese. Është e qartë që momente të arkitekturës të lidhura me autoritarizmin kanë një memorie të fortë e negative brenda një populli që ka vuajtur diktaturën. Por me kohë ndërtesat çlirohen nga pesha e së shkuarës e marrin rëndësinë e asaj që vlejnë. Duhet të kujtoj këtu kohën kur Ahmet Zogu vendosi të shndërrojë Tiranën në një qytet evropian dhe që në atë kohë ishte qyteti me pak histori, por me një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik. Tirana kishte vetëm një xhami, një kullë sahati, një pazar e një fshat e që me planin e arkitektëve italianë fillimisht të Brazinit që konceptoi Tiranën në një linjë boshti si ajo e qyteteve romane e më pas me arkitektin Florestano di Fausto, i cili gjeti mënyrën të lidhë qytetin e ri me qytetin e vjetër e që shtrihet nga sheshi “Skëndërbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”. I dha kështu një imazh të ri Tiranës ku Teatri Kombëtar përfshihej harmonikisht në këtë impiant urban me ndërtesa të mëdha e që të gjitha bashkë përbëjnë një vlerë historike.
Prandaj është e gabuar të bësh një vertikalizim urban të kësaj zone të Tiranës, ku fare mirë mund të bëhet në zona të tjera të qytetit. Një vertikalizim i tillë ndryshon plotësisht këtë tërësi arkitekturore që lindi me një raport të caktuar urban. Vlera e tyre është e barabartë me atë të qyteteve të epokës së Rilindjes.
E pra vlera historike e godinës së Teatrit nuk është vetëm asaj çka përmban vetëm kjo ndërtesë, por është dhe në kontekstin e plotë që përmban kjo arkitekturë e Tiranës. Kjo ndërtesë kishte dhe një vlerë ndërtuese të saj pasi ishte realizuar nga një shoqëri italiane që përdori elementë inovativ e teknologjik për kohën. Pra kishte një sistem ndërtimi unik. Kjo godinë ishte e para në arkitekturën e Tiranës që sillte një gjuhë racionalizmi futurist. Më ka lënë një impresion të fortë, shumë të fortë madje, mënyra se si u shemb ndërtesa. Nëse e shihni me kujdes gjëja e parë që u godit, akti i parë i shembjes ishte goditja e imazhit të kullës. U shemb një nga dy kullat e fasadës së godinës për të thënë; “Unë sulmoj!” . Unë mendoj se është e rëndësishme të them se është e njëjta gjë me atë që bëhet qëllimisht për të shkatërruar pasurinë kulturore pasi përfaqësojnë për ta diçka që duhet eliminuar. Pra pas goditjes së parë të godinës, pas shembjes së kullës, pas imazhit shokues të kullës që shembej është simboli i asaj që dëshironin të bënin. Pra për të thënë se do ju shemb pikërisht këtë.
Në vlerën e godinës dua të shtoj e jo si gjë të fundit, atë çka aktivistët në mbrojtje të këtij teatri bënë e krijuan në këto dy vite duke përfshirë dhe Europa Nostra. Nuk e bënë për interesat e tyre e bënë sepse besuan në vlerat e kulturës e krijuan një lëvizje kulturore. Por dhe kjo ishte për ata që e shembën jo komode, e frut i aksioneve të tyre.
Alba Kepi: Pra politika dikton sot dhe mënyrën se si duhet të jetë kultura?
Profesor Paolo Vitti: Kultura bazohet në atë ç’ka duan të ofrojnë. Ne, Europa Nostra por dhe ekspertë të ndryshëm themi se ky teatër kishte vlera objektive, univesalisht të njohura por që Ministria e Kulturës dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës thonin se ishte një shpifësirë. Ne nuk arritëm të kishim një konfront debati që duhej të kishte për të renditur vlerat që kjo ndërtesë kishte . E pra një botë politike që nuk i hapet dialogut e bën se ka frikë. Të shembësh godina të ndërtimeve historike të kryera me tulla të papërpunuara e teknika tradicionale është një krim në vetvete në një moment kur e gjitha bota pyet se çfarë do të ndodh kur temperatura globale do të rritet me 0.5 grade. E pra konkretisht kemi një hap drejt betonimit dhe është një çmenduri e vërtetë.
Alba Kepi: Një reflektim ambiental që se kishim menduar e ju falënderoj profesor. Pra një nga rrugëzgjidhjet mund ishte dhe përfshirja e godinës së vjetër të teatrit në projektin e ri?
Profesor Paolo Vitti: Sigurisht Tirana ka nevojë për një teatër të ri. Por ka nevojë për një teatër që përfaqëson një sinjal të qartë në respekt të njohjes së të shkuarës. Shkalla e projektimit të këtij teatri të ri është e gabuar. Përse ky teatër është kaq i madh? Pasi brenda tij do të ketë dyqane, zyra, etj. Shteti duhet të investoj tek kultura jo për të nxjerrë përfitim. Nëse humbim konceptim kryesor që shteti nuk kujdeset për kulturën, atëherë po humbim një hallkë themelore.
Alba Kepi: E thënë me fjalë të varfra perceptimi që kemi pas shembjes së këtij teatri është se edhe pse rezistenca qe e fortë nuk qe e mjaftueshme apo aq e fortë sa për të ndaluar këtë akt. Si ekspert e aktivist në mbrojte të pasurive kulturore e çfarë na duhet për t’u sensibilizuar më shumë?
Profesor Paolo Vitti: Sa më shumë njerëzit janë injorant aq më e lehtë është loja, jetojmë sot në fazën më kritike të thjeshtëzimit të gjërave, përdorim mediat e marrim informacione si pilula e kjo ka varfëruar shumë kulturën e njerëzve. Duhet një investim i fortë tek kultura. Sa më shumë investim të ketë, aq më shumë njerëzit i njohin vlerat. E ky vendim i përket atij që drejton e qeveris një vend drejt së ardhmes.
Alba Kepi: E keni denoncuar çka po ndodhte me Teatrin dhe në Institucionet europiane?
Profesor Paolo Vitti: Ne kemi përdorur të gjithë rrjetin tonë, së bashku me Presidenten e Europa Nostrës i kemi shkruar si institucioneve europaine dhe autoriteteve shqiptarë e Komsionerja Evropiane përcolli të njëjtin mesazh dialogun. Kur kam takuar ministren e Kulturës Kumbaro dy vite më parë gjatë një misioni të studimit të kishave post bizantine në Voskopojë e Vithkuq, pas përfundimit të mbledhjes perceptuam se ministrja shqetësohej se ne Europa Nostra guxonim të dyshonim se Shqipëria nuk po bënte sa duhej në mbrojtje të objekteve të kulturës. Në atë moment, pra pas mbledhjes unë u përpoqa të flas me ministren për godinën e teatrit, por ajo mu përgjigj thatë se kjo temë nuk ishte në rend të ditës të takimit të asaj dite.
Alba Kepi: Shpresoj që dhe pas këtij episodi e të atij të pak orëve më parë Europa Nostra do të vazhdojë të mbështes qytetarët shqiptarë që janë në mbrojtje të asaj çka është vlerë e historisë së tyre kulturore?
Profesor Paolo Vitti: Mesazhi im për ta është se bëtë diçka të jashtëzakonshme dhe ne Europa Eostra ju kemi admiruar, kemi një keqardhje të thellë për atë çka ndodhi, por jemi të sigurt se ajo çka ju keni mësuar në këtë moment si shqiptarë për Shqipërinë janë vlera shumë të rëndësishme, janë vlera të kulturës dhe të faktit se së bashku mund të arrijmë shumë gjëra.