Nga BoldNews.al
Edi Rama risolli në vëmendje çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, një lloj “lodre politike” për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga kriza e thellë ekonomike që pasoi pandeminë Covid-19.
Kryeministri, nëpërmjet beniaminit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po i jep jetë një plani të kahershëm të tij, për të rrëzuar godinën simbol të teatrit shqiptar e për t’i lënë vendin një kompleksi gjigand kullash tregtare.
Përballë projekti shkatërrues, të vendosur për ta penguar, gjenden një komunitet i gjerë artistësh. Në krah të tyre është rreshtuar edhe opozita, e cila këmbëngul se projekti qeveritar është mbulesë për “pastrimin e 200 milionë eurove të krimit të organizuar”.
Në krah të artistëve është pozicionuar fortë dhe qartë “Europa Nostra”, një organizën prestigjioz europian, i cili prej 50 vitesh ka luftuar dhe lobuar me sukses në qeveritë e kontinentit për të ruajtur trashëgiminë kulturore.
“Europa Nostra” u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, duke e konsideruar si një ndër simbolet e kulturës shqiptare.
Por, thirrja e organizmit prestigjioz është pritur me ironi nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ka marrë rolin e “kamëz-përdorësit” kundër godinës së Teatrit.
Veliaj, një nga njerëzit që, së bashku me Edi Ramën dhe Taulant Ballën, përbetohen se marrin në konsideratë opinionet e organizmave prestigjiozë ndërkombëtarë, ka vendosur të injorojë thirrjen e “Europa Nostra”
Me nota ironie, në një intervistë për “Syri Tv” pak ditë më parë, kryebashkiaku i Tiranës e cilësoi “Europa Nostra” një Organizatë Jo-qeveritare (OJQ), ndërsa autoritetet janë për të marrë vendime.
Në planin parimor dhe institucional, deklaratave e tij është e drejtë. Pra, “Europa Nostra” është një OJQ, pavarësisht se ndikimi i saj është aq absolut, sa i tejkalon kufijtë e një shteti dhe është shndërruar në një lloj komuniteti të rëndësishëm, opinionet e të cilit shndërrohen në vendime nga qeveri të përgjegjshme.
Gjithësesi, në planin për të prishur Teatrin, Rama-Veliaj nuk duan të dëgjojnë asnjë kundërshti, qoftë edhe nga “Europa Nostra” apo edhe nga vetë Brukseli zyrtar, i cili ka bërë thirrje për një proces transparent dhe që sugjeron që palët të presin shqyrtimin në gjykatë (Kushtetuese).
Në fund të fundit, për “Rilindjen”, organizmi “Europa Nostra” është një organizatë jo-qeveritare.
Njëlloj si, fjala vjen, misioni EURALIUS. Edhe ky organizëm, i cili për “Rilindjen” përfaqësn Bashkimin Europian, në thelb është një organizatë jo-qeveritare.
EURALIUS ka nënshkruar një kontratë me Komisionin Europian për të asistuar Shqipërinë në forcimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
Ky mision, siç ka raportuar më herët “Exit.al”, nuk raporton para Komisionit Europian për nismat dhe opinionet e saj në Shqipëri. Pra, Euralius nuk është Komisioni Europian. Ai është një OJQ.
Ka një ndryshim mes ojq-së “Europa Nostra” dhe ojq-së ‘Euralius”. E para nuk paguhet për punët në Shqipëri dhe ka në thelb të saj mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Europë.
E dyta, “Euralius”, ka shumë interesa të drejtëpërdrejta në qeveri. Atij i duhet të sigurojë fonde për të mirë-paguar ekspertët e tij, të cilët po u tregojnë prej vitesh shqiptarëve se “rakia e rrushit bëhet nga rrushi”.
E, megjithatë, Rilindja nuk e konsideron ‘Euralius-in” një “ojq” të rëndomtë, që jep thjesht disa opionione.
Qëndrimet e EURALIUS-it janë kthyer në vendime nga Rilindja, pasi u kanë shkuar shumë për shtat.
Me EURALIUS-in, Rilindja e Edi Ramës hartoi një Reformë në Drejtësi, e cila i dhuroi qeverisë në tavolinë sistemin e drejtësisë.
“E tha Euralius që Shqipëria mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm, të zgjedhur me 69 vota” dhe ashtu u bë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, së fundmi, pyeti Euralius-in se sa bëjnë “9+6” për mandatin e anëtarit të përjetshëm të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Është fare e qartë-Rilindja e Edi Ramës “dashuron” dhe “u bindet” atyre ojq-ve ndërkombëtare që, për hir të faturave me të cilat paguhen në Shqipëri, i shkojnë pas fijes qeverisë së Shqipërisë.
“Ojq-të” e tjera, përfshirë edhe “Europa Nostra”, thjesht injorohen.