Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24 ka ardhur një histori e dhimbshme e një familjeje nga Tirana, e cila humbi djalin e saj të vetëm Arben Gjika në moshën 40-vjeçare. Prokop Gjika, babai 86-vjeçar ndau dhimbjen e madhe që i ka kapluar shpirtin. Vajza e vogël e Prokopit shpreh me lot në sy, dhimbjen që i la pas largimi i parakohshëm i të vëllait nga kjo botë. 86-vjeçari kërkoi ndihmë për zbardhjen e të vërtetës së vdekjes së të birit në moshë fare të re, në 13 shtator të vitit 2004.
Bona, motra e të ndjeri tregon për familjen e saj dhe humbjen e vëllait si dhe njohjen me bashkëshorten mbi të cilën hedh dyshime serioze.
“Babai ka qenë shofer i ministrave para 90-tës me Kristaq Dollakun dhe hoqi dorë nga gjithçka dhe i tha vëllait dili zot familjes unë nuk të ndërhyj. Vëllai ndërroi jetë në moshën 40 vjeç te liqeni artificial në Tiranë. Kishte gati 7 vite që ishte martuar por para se të njihte gruan ka jetuar në Athinë. Në jemi me origjinë nga Berati dhe kur kthehej në Shqipëri, aty në shtëpi vinte një komshie e cila ishte halla e kësaj nuses. Ajo i prezantoi mbesën dhe ky u njoh me të dhe u lidhën bashke.
Im vëlla ka jetuar 7 vite në Greqi, vinte dhe ikte. Ka punuar, por pa dokumente dhe lekët që ka punuar i ka mbyllur në bankë këtu në Greqi. Nusja shkoi vetë në Greqi se vëllai im nuk e donte aty, se si iku pa leje, si e bëri nuk e di. Mbeti në Greqi 7 vite, sa kohë ishin bashkë kjo e largoi vëllain nga të gjithë njerëzit dhe familjarët e tij. Nuk donte as t’i shkonim fare. Pas 7 vitesh u kthyen në Shqipëri, atë ditë që u nisën babai iu tha do vij unë t’ju marr. Kur u kthye nusja donte të bënte dasmë. Në 2 të natës ka mbërritur makina, në atë kohë ishte tek shtëpia tjetër e motrës sime. U mbush plot me plaçka. Vëllai im nuk bënte fëmijë prej 7 vitesh kur ajo mbeti shtatzënë. Të dyja ne ishim shtatzënë njëkohësisht, ajo thoshte e kam djalë po gënjente se donte ta bënte për vete vëllain tim. Sepse ajo i bënte magji vëllait, kur mbaronte magjia vëllai nuk e donte afër, kur ajo i bënte magji ai e pranonte. Unë pranova ta mbaja çupën e tyre disa ditë për të shmangur zënkat mes vëllait dhe nuses.
Vëllai nisi të rregullonte shtëpinë, por vjehrra e kërkonte të shkonte për vizitë në Berat. Vëllai shkoi për t’i takuar, por nuk donte të shkonte atë kohë sepse ishte i zënë me punë tek shtëpia që po rregullonte. Kur u kthyen vëllai vuante nga dhimbja e kokës, kishte dhimbje të forta koke. Ne nuk kemi vuajtur në familje nga ndonjë sëmundje, edhe ai nuk duhet të kishte. Vëllai iku nga shtëpia edhe nuk u kthye më. Në muajin dhjetor nusja e vëllait ka lindur, në muajin shtator vëllai u vetëvra.
Pas 40 ditëve që vdiq vëllai, nusja e vëllait na hodhi në gjyq për të marrë trashëgimi shtëpinë, por nëna nuk kishte mundësi ta ndiqte gjyqin ndaj ajo donte të përfitonte të merrte shtëpinë. Unë nuk e pranoj që fëmija është i vëllait tim, sepse ajo nuk pranon t’i bëjë analizat e AND-së. Vëllai im nuk ka lënë pasardhës për këtë jam e sigurt.
Pasi vëllai vdiq, babi shkoi në varreza dhe qau dhe kur erdhi në shtëpi nusja e vëllait i tha mos qaj se e dimë sa e ke dashur djalin. Babi i tha ik mu hiq nga sytë dhe e nxori nga shtëpia edhe mori prindërit e saj.
Ajo ishte shkaktarja që vëllai të bënte atë gjë. Ata kanë pasur edhe grindje me njeri-tjetrin. Pas zënkës me bashkëshorten ai ka kryer vetëvrasjen, një ditë që prindërit nuk kanë qenë në shtëpi ata kanë pasur një zënkë dhe pas kësaj vëllai u vetëvra.
Unë nuk e njoh vajzën e vëllait fare, duhet të jetë 16 vjeçe, por nuk e njoh fare. Kam shumë vite që e kërkojmë këtë, me rregulla dhe rrugë ligjore dhe qytetare me nusen e vëllait. Nëse analiza del dhe vajza është e vëllait tim ia bëjmë hallall të gjithë pasurinë”, deklaroi motra e të ndjerit.
Edhe babai i tij shprehu pakënaqësi dhe dyshime për ish-gruan e të birit duke rrëfyer konfliktet dhe sherret që kishin pasur.
“Ne bëmë fejesën edhe kur vajtëm në Berat hëngrëm drekën, kur dolëm nga shtëpia e nuses, njerëzit më thanë se djalin e ke mbytur me duart e tua. Djali u martua dhe nusen e çoi babai i saj në Greqi. Pas një kohe të gjatë martese unë shkoj me gruan te djali në Greqi por djali i tregoi diçka gruas time dhe i pohoi se nuk ndihej mirë me atë. Djali më ftoi për një kafe jashtë në Athine dhe më kërkon që t’i flas pak nuses. Kur u kthyem në shtëpi shtruam darkën, por pak kohë më parë vajza ime e madhe kishte debatuar me këtë nusen dhe i kishte thënë je një femër imorale. Por unë i thashë që ti je më e keqe se aq, dhe do të bëj copa po më dole më para syve. Pasi ne u kthyem nga Greqia djali nuk na foli 2 vjet. Djali im nuk bënte fëmijë dhe nusja e tradhtoi me dikë tjetër. Ajo ra shtatzënë me dikë tjetër dhe djali u kthye me gjithë të sepse nuk e duronte dot atë turp. Kur u kthye nga Greqia djali po ndërtonte shtëpinë por njerëzit e nuses ndërhynin shumë. Pas një jave shkoi me nusen atje. Pas 4 ditësh u kthye, edhe djali hipi sipër tarracës dhe gjithmonë shikonte nga liqeni. Atë ditë që ai u mbyt kishte sjellë nga Greqia një motor dhe së bashku me nusen kishin hipur mbi të dhe bënin xhiro me shpejtësi. Dikush e kish pyetur se çfarë ke që je i shqetësuar, edhe ai i thotë që e kam me nusen dhe jo me prindërit. Ishte data 13 ora 4 pasdite e vitit 2004 në muajin shtator djali doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. Kur unë u ktheva gruaja me tha që djali nuk është kthyer në shtëpi. Nusja tha hajde të vemi në polici sepse ajo e dinte që djali ishte mbytur. Shkuam në polici edhe aty kërkuam ndihmë, ishte ora 12 e 30 e natës kur mbërritëm në rajon. Kur vajtëm atje policia më nxori çelësat e motorit dhe një pulovër të tij. Pastaj me nxori një pasaportë dhe aty pashë fytyrën e djalit edhe polici më tha të rroni vet se djali ka vdekur. Lajmërova shtëpinë por më përpara se të shkoja unë në shtëpi kishin ardhur njerëzit e kësaj. Pas vdekjes së djalit unë kërkoja motorin e djalit, pas shumë kërkimesh policia më pohoi që e kishte shitur kjo.
Që nga ajo ditë që mora vesh që kjo e kishte tradhtuar, mora babain e nuses edhe i thashë hajde merre vajzën se do ta ther. Erdhi i vëllai i saj e mori dhe pas disa muajsh kjo lindi, edhe hapi një gjyq për gjithë plaçkat që solli djali nga Greqia dhe mi mori çdo gjë të djalit. Që nga ajo dite unë ku nuk e kam kërkuar të drejtën time edhe të djalit tim. E kam çuar në gjykatën e Hagës, edhe atje kam kërkuar që ajo ma ka tradhtuar djalin dhe më ka vjedhur gjithë pasurinë. E akuzoj sepse djali më ka thënë kur kam qenë në Greqi, djali ka vajtur të nxjerri lejen e qëndrimit në polici dhe polici i shkeli syrin dhe kjo kishte njohje me të. Ajo ishte një femër e poshtër. Ajo shkoi pa vizë nga mali, edhe kur u kthye ajo u bë me dokumente, djali jo. Ajo jeton në Berat dhe merr pension të vajzës në emër të djalit. Por ai fëmijë nuk është i djalit tim”, tha i ati i viktimës.
Nusja e të ndjerit mohoi akuzat dhe tha se vitet me bashkëshortin kanë qenë më të lumturat e jetëssë saj. Sipas saj, nëse ai është vetëvrarë e ka bërë për shkak të prindërve dhe familjarëve të tjerë.
“Akuzat që jep zonja të rreme, janë mashtrime. Unë me të ndjerin, bashkëshortin tim kam jetuar 7 vitet më të lumtura të jetës. Ata zotërinj, prindërit e tij, vinin dhe rrinin tek ne në Greqi. Unë i kam mbyllur këto çështje dhe nuk e ndërroj me asnjeri burrin tim. Nëse ai i ka bërë këto veprime i kanë bërë sepse e kanë shkaktuar ata këtë. Ne kemi punuar në punë të zezë asnjeri pa asnjë dokument. Vajza është trashëgimtarja e tij, sepse vajza ime nuk i do fare ata. Para një viti vjehrri im më ka kërkuar tek Eni Çobani dhe unë nuk kam pranuar të shkoja, pyeta vajzën dhe më tha që jo në asnjë mënyrë as unë nuk pranoj, vajza ime nuk pranoi të takohej, sepse ata nuk e kanë kërkuar për kaq vite ndaj nuk dua të dëgjoj asgjë nga ata. Fëmija ime është i Aleksandër Gjikës. Vajza është kopja e tij. Nuk kam pse bëj analizat e ADN-së sepse e di me kë e kam vajzën. Ajo as fytyrën nuk i ka parë vajzës sime. Të gjithë e dinë si jam unë, se kam jetuar një jetë të gjithë në atë lagje tek kombinati pyeti të gjithë si jam. Unë nuk dua të di për ju sepse që prej ditës që më keni nxjerr nga shtëpia në mënyrë çnjerëzore, nuk dua të më shqetësojnë më kurrë sepse nuk dua të di për ta. Çdo gjë e kam mbyllur me procese gjyqësore, nuk kam lidhje fare me ta. Ajo flet gabim që thotë prokuroria, ligji, unë e kam mbyllur gjithçka nga proceset gjyqësore, ajo mohon gjakun e saj, mua nuk më ka gjë fare. Nuk kanë bërë as gjyq asgjë, për atësinë. Sipas ligjit dhe rregullave është bërë çdo gjë. Për mua janë të vdekur dhe unë për ta jam e vdekur. Kur ngjarja ka ndodhur asnjëra zonja nuk ka qenë prezente fare. Nuk dua t’ia di për ta fare”, deklaroi gruaja.