Gjykata e Tiranës gjeti fajtor dhe dënoi me 25 vite burg italianin Massimiliano Croce, për abuzim seksual ndaj vajzës së bashkëjetueses së tij shqiptare.
Croce, i dënuar dhe më herët në shtetin italian për abuzim seksual me të mitur, ka përsëritur sërish veprimet e tij, duke përfituar nga besimi i dhënë në 3 vite bashkëjetesë. Çdo gjë është zbuluar pas arrestimit me qëllim ekstradimi në Itali, ku e priste një dënim prej 16 vitesh për të njëjtën vepër penale.
47-vjeçari është diplomuar për “Pedagogji për të mitur”, ndërsa duke iu referuar mediave italiane, Croce ka një doktoraturë mbi pedofilinë online. Në asnjë rast, italiani nuk ka pranuar krimet ndaj të miturve, as në hetimet e kryera në Itali dhe as në rastin e abuzimit në Shqipëri.
Ndërkohë, në mbrojtjen e tij, italiani ka përdorur dhe një përpjekje për martesë, që është bërë mes tij dhe bashkëjetueses gjatë kohës që ai ishte i arrestuar, duke thënë se është i pafajshëm. Nga ana tjetër, dëshmia e vajzës, akt-ekspertimi ku ajo ka rezultuar e defloruar, kanë bindur gjykatën për fajësinë e tij. Në argumentimin e bërë nga gjykata, thuhet se arsimimi i tij në pedagogji për fëmijët ia ka lehtësuar ndikimin që ka pasur të vajza e mitur.
Gjykata argumenton më tej se të gjitha rrethanat e ngjarjes vërtetojnë se vepra penale është bërë me dashje direkte, që konsiderohet dhe si forma më e lartë e fajit.
“Gjykata, në rastin konkret, merr parasysh faktin se i pandehuri rezulton me gjendje civile i divorcuar, faktin që është me arsim të lartë dhe që ka pasur në saj të këtij arsimimi pedagogji për të mitur, një ndikim të madh te viktima e mitur, duke u referuar shkallës së zhvillimit të saj intelektual.
Po kështu, duhet marrë në konsideratë lloji i fajësisë ku rezulton se veprimet në tërësinë e tyre janë kryer në formën e dashjes direkt, formë e cila përbën edhe shkallën më të lartë të fajit”, shkruhet në vendimin që ka siguruar gazeta “Panorama”.
DËSHMIA E VAJZËS
“Ndërsa sipas procesverbalit për marrjen e të dhënave nga personat që kanë dijeni për veprën penale, datë 26.10.2018, viktima e mitur L.Ç. ka deklaruar: “Në verën e vitit 2016 mami me vëllain nuk ishin në shtëpi dhe unë kam qenë e vetme në shtëpi me Massimilianon. Ai më zhveshi me çoi për dore në dhomën e gjumit të mamit në krevatin dopio, u zhvesh edhe vetë dhe u shtri mbi mua, me hapi këmbët dhe unë ndjeva dhimbje në fund të barkut. Kjo gjë zgjati rreth 5 minuta, më pas Massimiliano u ngrit shkoi në tualet. Massimiliano më ka kërkuar edhe herë të tjera të shkoja te dhoma e gjumit, por unë nuk pranoja, ai bëhej me nerva, bërtiste, i shante të gjithë dhe thoshte fjalë të pista ose gjuante vëllain. Kur pyetet se çfarë mendimi kë për Massimilianon, vajza përgjigjet se e kam shumë inat pasi me dhunonte fizikisht dhe nga mendja.”
DËSHMIA E NËNËS
“Ndërsa shtetasja K. Bramalushaj, e pyetur në gjykim, ka deklaruar se: Me Massimilianon është njohur kur jetonte te pallati me shigjeta. Ai thoshte se ka pasur një lokal me qira para se ta njihte, por ai nuk ka punuar asnjëherë, duke deklaruar se ajo është kujdesur për ushqimin. Po kështu, ka deklaruar se ai ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve. Ajo deklaron se ka shkuar disa herë për punë në Itali ku ka qëndruar rreth 2- 3 muaj dhe fëmijët ia ka lënë të pandehurit. Ajo i ka dërguar pagesa nga rroga me autobusë. Po kështu, edhe në Shqipëri deklaron se ka punuar punë të ndryshme, ndërsa Massimilano nuk ka lëvizur jashtë, gjithmonë gënjente duke thënë që do shkojmë këtë muaj, ose ik ti njih njerëzit e mi, por asnjëherë nuk ka lëvizur nga Shqipëria. Fëmijët nuk kanë folur, pasi kanë pasur frikë, por gjithmonë kanë qenë të trembur dhe tani janë më të qetë. Lidhur me akuzën, deklaron se e ka marrë vesh vetëm kur janë pyetur fëmijët. Unë kisha dijeni vetëm për pjesën e dhunës dhe jo për faktin që akuzohet. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se i ka çuar fëmijët në burg për të takuar Massimilianon dy herë për t’i kërkuar llogari për të vërtetën. Por nga këto takime, ajo deklaron se ai nuk ishte njeriu që unë e dija se ishte. Po kështu, deklaron se kërkesa për martesë është bërë nga avokati dhe i pandehuri për të larë veten e vet.”
DËSHMIA E ITALIANIT
“I pandehuri, lidhur më akuzën, deklaroi se: Nuk kam lidhje me faktet dhe akuzën. Nga provat e mbledhura nga akuza duken qartë që nuk jam fajtor. Intervista e djalit, i cili ka deklaruar se nuk është dhunuar, është bërë në presionin e një psikologu që quhet Igli. Ndërsa intervista e vajzës është bërë në një moment të dobët psikologjik. Dëshmia e K., në gjykatë ishte shumë konfuze, pasi pretendon dhe për dhunë në familje, ndërkohë që nuk e ka ngritur për 4 vjet si pretendim. K., më ka takuar rregullisht dhe në dhjetor 2018, bashkë me një mikun tim dhe me fëmijën, ka ardhur në burg. Kam dhe një letër që ma ka dërguar djali, i cili shprehet se i mungoj dhe se priste me padurim. Ai shkruante dhe në emër të nënës, që për të bërë martesën i duheshin disa dokumente dhe madje më përshëndet me fjalën baba e shkruan dhe në emër të motrës se tij L.. Vajza, kur është pyetur, gjithmonë më ka konsideruar si prind dhe K. M., është ndier gjithmonë i sigurt dhe madje kanë deklaruar para psikologut se deklarimet i ka bërë nën presion, pasi mendonte se do të përfundonte në jetimore. Profili im nuk përmbush asnjë nga identitetet për t’u konsideruar si një person për të përdorur fëmijët në mënyrë seksuale. Këto elemente janë analizuar në raportin e psikologes. Përfundimisht, kërkoj që të vlerësohen me kujdes provat, pasi jam i pafajshëm.”
ARRESTIMI DHE ZBULIMI I KRIMIT
“Shtetasi italian Massimiliano Croce është diplomuar për Pedagogji për të mitur dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë italiane, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë për ‘Abuzim seksual me të mitur me aftësi të kufizuara dhe në kujdestari’. Kjo pasi në vitin 2017 është dënuar nga Gjykata Vellteri, Itali, me vendim të formës së prerë, me 16 vite e 2 muaj burgim, për veprën penale ‘Abuzim seksual me persona të mitur me aftësi të kufizuara dhe në kujdestari’, parashikuar nga legjislacioni italian.
Me datë 24.10.2018, ora 22:38, Policia Gjyqësore ka arrestuar shtetasin italian Massimiliano Croce, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, që prej datës 18.12.2017. Lidhur me këtë fakt, bashkëjetuesja e tij, më datë 25.10.2018, ka deklaruar se ka pasur dijeni se Massimiliano ka qenë në kërkim në Itali. Por me datë 24.10.2018, rreth orës 20:00, Massimiliano, së bashku me djalin e saj, kanë dalë jashtë për të shëtitur qenin.
Ajo ka qenë në punë dhe e ka marrë djali në telefon, i cili i ka thënë se kur ishin në xhiro, Massimilianon e kanë ndaluar katër a pesë persona, të cilët pasi e kanë pyetur për emrin dhe i kanë treguar një fotografi, e kanë e futur në një makinë dhe djali është kthyer në shtëpi. Në këto rrethana, shtetasja K. Bramalushaj ka lënë punën dhe ka shkuar në Komisariatin e Policisë Nr. 6. Aty ajo ka marrë vesh që bashkëjetuesi i saj ishte kapur nga Policia dhe është vënë në dijeni se arrestimi i tij është bërë për shkak se ka qenë në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për abuzim me fëmijë.
Pas kësaj, ajo ka marrë takim me fëmijët, të cilët i kanë treguar se bashkëjetuesi i saj kishte abuzuar seksualisht me dy fëmijët e saj gjatë kohës që ajo ka qenë në punë, në kohë të ndryshme. Në këto kushte, fëmijët janë marrë në pyetja nga oficeri i Policisë Gjyqësore, në prani të psikologëve të ARSIS, punonjëses sociale të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe nënës së tyre.
Mbi këtë bazë, nga ana e oficerit të policisë gjyqësore është mbajtur relacion me datë 25.10.2018, në të cilin janë fiksuar deklarimet e fëmijëve të mitur L. Ç. dhe K. Ç. Nisur nga këto të dhëna, nga ana e oficerit të policisë Gjyqësore është vendosur kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor për të dy fëmijët e mitur.
Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor nr. 1046, datë 30.10.2018, kryer nga ekspertë mjeko-ligjorë, pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, është arritur në konkluzionin se: ‘Shtetasja L. Ç., është e defloruar dhe deflorimi është i vjetër. Në trupin e shtetases L. Ç., nuk vihen re dëmtime të jashtme trupore. Nisur nga të dhënat antropomentike, rezulton se shtetasja L. Ç., e ka arritur pjekurinë seksuale. Deflorimi i konstatuar në trupin e saj është i vjetër’.”
Italiani në Gjykatë: Në Shqipëri erdha për biznes
Në mbrojtjen e tij, italiani Massimiliano Croce ka mohuar fajësinë dhe ka thënë se është kujdesur maksimalisht për fëmijët e bashkëjetueses së tij. Croce është shprehur nëpërmjet avokatit se është munduar t’i sigurojë kushtet maksimale për jetesë dy fëmijëve të mitur. Më tej, avokati ka thënë se italiani ka ardhur në Shqipëri pasi i është ndryshuar masa e sigurisë në Itali për të zhvilluar një biznes në fushën e fasonerisë. “Ai është liruar më datë 01.04.2014 nga burgu me vendim të Gjykatës së Romës, pasi është caktuar si masë sigurimi dhe ka ardhur në Shqipëri me dy bashkëkombës të tij për të zhvilluar një aktivitet në fushën e fasonerisë. Ky është regjistruar në QKR, pasi nuk ka pasur urdhër-ndalimi ndërkombëtar, pra nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore. Nga Zyra e Interpol Roma është shpallur që nga dt. 18.12.2017 në kërkim ndërkombëtar. Ai është njohur me shtetasen Klementina Bramalushaj, e cila jetonte në të njëjtin apartament me qira dhe kishte dy fëmijë të mitur në shkollë. Pas njohjes, kanë filluar bashkëjetesën mes tyre e kanë jetuar 4-vite me radhë në të njëjtën shtëpi. Ai është përkushtuar kësaj familjeje në mënyrën maksimale, për t’i rritur dhe edukuar fëmijët e saj, duke u krijuar kushtet maksimale të jetesës”, shkruhet në vendim.
PANORAMA