Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, at Dom Gjergj Meta ka shfaqur pakënaqësi ndaj termit grumbullime fetare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe pikërisht marrjen e tyre si shembull për t’u shmangur.
Ai thotë se shpreson të jetë një lapsus nga Ministria dhe të korrigjohet. Nga ana tjetër ai kujton se komunitetet fetare kanë qenë shumë pozitive, bashkëpunuese dhe ndihmëse dhe nuk e meritojnë një simbolizim të tillë aq më shumë nga një poster institucional.
Postimi i plotë:
“Grumbullimet fetare” apo lapsus-i i pavend i Ministrisë së Shëndetësisë
Koha që po kalojmë të gjithë bashkë, mbart në vetvete shumë ndërlikime, stres, paqartësi, por edhe shumë humanitet, solidaritet, përkujdesje e shërbim.
Në këtë situatë të gjithë po përpiqemi të bëjmë diçka të mirë e të bashkëpunojmë sa të jetë e mundur, si individë dhe si institucione, në mënyrë që të dalim faqebardhë nga kjo pandemi. Secili prej nesh mbart peshën e përgjegjësisë e po mundohemi të jemi në lartësinë e duhur përballë kësaj përgjegjësie. Këto kohë kam pasur rastin personalisht, per një sëre rrethanash, të shikoj angazhimin serioz dhe njerëzor të institucioneve dhe të shumë njerëzve që punojnë aty, edhe pse nuk duken shumë në media. Për këtë meritojnë gjithë përgëzimin tonë.
Çka më tërhoqi vëmendjen dje paradite ishte një poster informativ që mbante firmën e tre institucioneve të rëndësishme, OBSH, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik. Pyetjes se çfarë do të thotë distancim social ky poster i përgjigjej me dy ilustrime. Së pari që me distancim social nënkuptohet mbajtja e minimum një metër distance nga njëri-tjetri dhe së dyti se duheshin shmangur vendet e populluara, të tilla si grumbullimet fetare.
Më bëri përshtypje se si pikërisht të djelën në mëngjes, një poster zyrtar, merr si të vetmin shembull për t’u shmangur grumbullimin fetar. Dua të besoj se ka qenë një lapsus, edhe pse këto të fundit nuk janë asnjëherë “të pafajshëm”, së paku sipas psikoanalizës.
Ështe e çuditshme kjo zgjedhje fjale, apo tipologjie grumbullimi, ndërkohë që mund të ishin marrë edhe shembuj të tjerë. Përveç faktit që fjala grumbullim në konceptin religjioz (së paku atë katolik) është një term jo i përshtatshëm, pasi grumbullimi ka të bëjë me masa amorfe, apo me gjëra lëndore, më shumë se sa me njerëz, ky përdorim më krijoi një ndjesi të pakëndshme ndërsa e lexoja.
Çdolloj grumbullimi mund të jetë burim prekjeje dhe ngjitjeje virusi, e çdolloj vendi, edhe fasoneritë, edhe autobusat që i transportojnë, edhe baret apo restorantet që do të hapen shpejt. Por përpiluesit e këtij posteri kanë zgjedhur pikërisht grumbullimet fetare. A ka një arsye që është zgjedhur pikërisht kjo tipologji? A ka sinjale se përbën rrezik më të madh se sa grumbullimet e tjera?
Duke ndjekur logjikën e postimit në fb të faqes së Ministrisë së Shëndetësisë duket se kjo lloj shmangje do të ndodhë derisa të gjendet vaksina. Çfarë mesazhi kërkohet të përcillet në këtë rast? Dhe kujt i drejtohet? Në fakt po t’u hedhësh një sy komenteve në këtë postim nuk e gjen një koment që të jetë dakort me përmbajtjen e posterit e sidomos me përdorimin e togfjalëshit “grumbullim fetar”, madje ka edhe shumë zemërim në pothuajse totalitetin e komenteve.
Duhet thënë se, ndryshe nga shumë vende të tjera, në Shqipëri, komunitetet fetare kanë qenë të parat, dhe me nismë të tyre, që kanë pezulluar veprimtaritë fetare, për të bashkëpunuar në të mirën e ruajtjes së shëndetit të njerëzve.
Në shumë raste krerët fetarë kanë dhënë mesazhe shumë pozitive për këtë situatë si p.sh. për respektimin e rregullave, apo duke u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, duke mbajtur të gjallë dritën e shpresës, përkundrejt një retorike shpesh të dhunshme dhe frikësuese institucionale të pësuar nga njerëzit, në një kontekst ku tashmë kishte mjaft ngarkesë për shkak të pandemisë.
Nuk mendoj se ka pasur ndonjë gjë më pozitive se sa komunitetet fetare që kanë mbështetur pa kushte njerëzit e po ashtu kanë inkurajuar ata që punojnë me të sëmurët, mjekët dhe infermierët, nga pikëpamja morale e shpirtërore. Komuniteti Bektashi dhe ai Ortodoks kanë dhënë edhe ndihma materiale për policinë e shtetit.
Shpesh, për shkak të vendimeve që kemi marrë, na është dashur të përballemi edhe me besimtarët tanë që kërkonin me çdo kusht rifillimin e veprimtarive fetare, por kemi bërë thirrje për durim dhe në çdo komunikim tonin me besimtarët kemi kërkuar zbatimin e rregullave të vendosura nga shteti e kemi vepruar në baze të atyre rregullave. Kemi vlerësuar punën e mjekëve dhe të punonjësve të rendit në çdo moment. Po ashtu institucionet dhe vendet e kultit janë dizinfektuar si kudo tjetër.
Sigurisht kemi bërë vetëm detyrën e nuk meritojmë asnjë falenderim, pasi jemi të bindur se kemi bërë gjënë e duhur.
Prandaj unë shpresoj që ky lapsus të jetë i rastësishëm e të ketë mundesi dhe kohë që të korrigjohet, pasi kemi bërë aq sa kemi mundur për mirë, për të mos merituar një stigmë të tillë në një poster institucional.
+ Dom Gjergj Meta