Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me Reformën në Drejtësi, i cili ka qenë kritik për mënyrën sesi po bëhet si dhe ka bërë një padi për kreun e KED Ardian Dvorani.
Sot, kreu i shtetit ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook, një analizë të ish-gjyqtarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Prof. Ledi Bianku nën titullin: “Dy histori me dy reforma drejtësie”.
“Shqipëria: reformat ku perandori bind juristët, dhe këta duke qenë ‘krye-mëkatarë’ bëhen ‘papë’, nuk frymëzojnë për mirë” – shkruan Meta sipër Analizës.
Analiza e Ledio Biankut: Dy histori me dy reforma drejtësie
Këto dy histori që ju përkasin dy reformave në fushën e drejtësisë që kanë ndodhur në një hapësirë kohore më shumë se 200 vjeçare nga njëra-tjetra. Krahasimi mes tyre mund të thotë diçka mbi atë që ndodh me reformën tonë në drejtësi dhe për këtë arsye po e ndaj me lexuesin.
Një reformë në drejtësi në fillimin e shekullit XIX
Dikur nga fundi i viteve 1990, duke studiuar parimet e përgjithshme të së drejtës në Evropë, fati dhe kërkimet më bënë të mundur që t’i hidhja një sy disa arkivave mbi punimet përgatitore të hartimit të Kodit Civil Francez të vitit 1804. Në gusht të vitit 1800, Napoléon Bonaparte, kishte ngarkuar një grup prej katër juristësh të shquar francezë që të drejtonin punën për hartimin e projektit të këtij Kodi.
Arkivat tregonin se një ditë të vitit 1801 dy nga këta juristë, Portalis dhe Maleville, shkojnë t’i raportojnë Bonaparte për ecurinë e punimeve në hartimin e Kodit. Pasi i bëjnë një paraqitje të shkurtër të strukturës dhe të organizimit të shumicës të dymijë e ca projekt neneve të Kodit, Bonaparte-s duket se i tërhoqi vëmendjen projekti i nenit 4 të Kodit. Ky nen parashikon që « Gjyqtari që refuzon të gjykojë, me pretekstin e heshtjes, të paqartësisë ose të karakterit të paplotë të ligjit, mund të ndiqet si fajtor për mohim të drejtësisë. »
Bonaparte i pyet dy juristët e shquar se përse duhej ky nen, ç’kuptim kishte ai ? Portalis i përgjigjet që pa atë nen nuk do kishin aspak kuptim asnjë nga dymijë e ca nenet e tjera në Kod. Prania e nenit 4, i cili parashikon ende sot një detyrim për gjyqtarin francez për të vendosur mbi një çështje që i paraqitet, i kërkon atij të japë drejtësi, por pa i shkelur pavarësinë. Nëse gjyqtari do refuzonte të vendoste, atëherë ai nuk do jepte drejtësinë në bazë të atij Kodi që ata po përgatisnin por do linte në jetë padrejtësinë dhe arbitraritetin.
Portalis i tha Bonaparte se ky do të ishte le péché originel i gjyqtarit. Duket se Bonaparte u bind nga ky shpjegim. Neni 4 i Kodit Civil Francez vazhdon të jetë në fuqi që më 1804 edhe sot e kësaj dite. Ai nen ka frymëzuar, si në shumë sisteme të tjera në mbarë botën, edhe nenin 1 § 2 të Kodit të Procedurës Civile në Shqipëri.
Një reformë në drejtësi në fillimin e shekullit XXI
Në vitet 2010, pata rast të gjykoja në Strasburg një çështje kundër Shqipërisë. Çështja kishte të bënte, ndër të tjera, me vendime të disa gjykatave shqiptare që vendosnin se qeveria kishte shkelur ligjin dhe se duhet të paguante dëmin. Në vijim, në një gjykatë më të lartë shqiptare ajo çështje iu caktua si relator një gjyqtari. Qeveria i kërkoi këtij gjyqtari të pezullonte ekzekutimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta.
Ai i pezulloi dhe për më shumë se 5 vjet me radhë nuk e preku fare me dorë çështjen. Nuk e preku, megjithëse përmbusheshin jo një por dy kritere të vetë asaj gjykate për një vendimmarrje me përparësi – së pari sepse ishte vendosur pezullim i ekzekutimit dhe, së dyti, sepse problemi ishte trajtuar një herë në parim në 2012 dhe pritej të trajtohej in concreto në Gjykatën e Strasburgut, dhe ky problem konkret, ndër të tjerë, i ishte vënë në dukje Qeverisë, edhe publikisht.
Por gjyqtari kishte vendosur që të mos vendoste! Shihja se si çdo javë vendoseshin çështje të tjera, edhe të paraqitura më vonë, identike me atë çështje, qoftë nga gjyqtarë të tjerë qoftë edhe nga vetë gjyqtari në fjalë. Por qeverisë i duhej që gjyqtari të mos vendoste për atë çështje. Kështu që ajo do kapej pas argumentit se gjykata në fjalë nuk kishte vendosur ende dhe mjetet e brendshme të ankimit nuk ishin shteruar, kështu që Gjykata e Strasburgut nuk mund të shprehej mbi themelin e çështjes.
Korrupsioni me zyrat e OMN-së: simboli i dështimit të vetingut
Ky risk merrej përsipër edhe duke e ditur, nëse e kanë ditur (!!!), se kohëzgjatja pa asnjë vendimmarrje e bën gjykatën e brendshme mjet jo efektiv, thënë ndryshe një lloj “jo-gjykate”. Ashtu ndodhi në fakt, Gjykata e Strasburgut gjeti njëzëri shkelje, duke e konsideruar ankimin përpara gjyqtarit shqiptar dhe gjykatës ku ai punonte si jo efektiv, në shkelje të nenit 13 të KEDNJ.
Që gjyqtari në fjalë, me nderin që i kishte bërë qeverisë, do e kalonte vetingun, për këtë pak dyshime kisha, dhe kam ndjesinë se edhe shumë të tjerë në Shqipëri e ndanin këtë përshtypje. Ajo që, që prej 200 e ca vjetësh konsiderohej si krye-mëkati i gjyqtarit kalon fjollë nëpër veting, edhe sepse vetingu nuk merret me këto “krye-mëkate” edhe sepse padyshim kështu i intereson Qeverisë.
Por, për më tepër, tani ai gjyqtar “kushedi ku bredh me kalë” – siç thotë një film i vjetër shqiptar – nëpër organet e reja të drejtësisë. Mundet që lidhja e tre situatave, “nderi ndaj qeverisë”, “nderi prej vetingut” dhe “nderi nga organet e reja të drejtësisë” të jetë koincidencë, qoftë edhe koincidencë “dashamirëse” siç shprehej dikur gjyqtari Bonello në një opinion pakice në çështjen Anguelova k. Bullgarisë. Megjithatë, juridikisht ka shumë pak gjasa për koincidencë sepse të tria janë situata përjashtimore, gati unike, në secilën nga procedurat përkatëse.
Aq më tepër që të tre këto “koincidenca” lidhen me interesin e palëkundur dhe të shprehur të Qeverisë për të mos i ekzekutuar asnjë nga vendimet gjyqësore përkatëse, në shkelje flagrante të së drejtës së brendshme dhe ndërkombëtare. Drejtësia vazhdon të mohohet, të paktën në atë çështje.
Në fillim të viteve 1800, në Francë u bë një reformë ku juristët e bindën Perandorin e ardhshëm mbi zgjidhjet ligjore. Prandaj ka dy shekuj që, pavarësisht ndryshimeve, Kodi Civil Francez i ka qëndruar kohës dhe ka frymëzuar gjithë botën, padyshim si reforma më e suksesshme ligjore e kohëve moderne. Por Shqipëria është në kushtet ku “perandori” i “bind” “juristët”. Prandaj reformat ku perandori bind juristët, dhe këta duke qenë ‘krye-mëkatarë’ bëhen ‘papë’, nuk frymëzojnë për mirë.
Shënim në formë përfundimi: Gjyqtari në fjalë, edhe për këto që thashë më lart, më kujton shumë gjyqtarin Camusot, personazhin e Balsac-ut, i cili shfaqet e rishfaqet në disa vëllime të Komedisë Njerëzore. Po ndryshe nga Camusot ai nuk është aspak fiktiv, ashtu siç nuk janë situatat e përmendura më lart. Ato i referohen një çështjeje dhe një gjyqtari konkret. Megjithatë çdo referencë nga personat që e lexojnë këtë artikuj tek persona konkretë mbi faktet e referuara më lart mund të jetë krejt e rastësishme ose e gabuar. Emri nuk ka rëndësi, aq më tepër që përgjegjësia në Gjykatën e Strasburgut nuk është institucionale dhe aq më pak individuale. Ajo është ndërkombëtare. Këtë e them edhe duke mos dashur të vë në dyshim vlerat dhe kompetencën e shumë gjyqtarëve, prokurorëve dhe juristëve të tjerë në organet e reja të drejtësisë. Megjithëse unë e di mirë se kush është ai gjyqtar, dhe jam i bindur që edhe ai gjyqtar e identifikon veten në sekondën që mund t’i lexojë këta rreshta, shqetësimi im real është fenomeni. Ai është thjesht një personazh tipik i komedisë sonë gjyqësore. Prandaj emri nuk ka rëndësi, ka rëndësi rrjedha e reformës në drejtësi, suksesi real i saj dhe mbi të gjitha drejtësia.