Për një pjesë të caktuar të amerikanëve, Suedia ka mishëruar prej kohësh llojin e një socializmi shtetëror mbizotërues që duhet të mbahet jashtë SHBA-së. Por, në epokën e koronavirusit, Suedia është shndërruar në simbolin e lirisë. Në një pllakatë të vendosur në një shkop bejsbolli protestuesit në Minesota shkruanin: “Bëni si Suedia”. Ndryshe nga pothuajse çdo vend tjetër i pasur në planet, Suedia zgjodhi të mos urdhërojë njerëzit e saj të qëndrojnë në shtëpi gjatë goditjes së pandemisë së Covid-19.
Shumë shkencëtarë profetizuan për fatkeqësi. Fqinjët e vendit ‘dyllosën’ kufijtë. Numri i vdekjeve për frymë u ngjit në gati dhjetë herë më shumë se niveli i Finlandës. Megjithatë, ka disa të dhëna paraprake që strategjia “jo ortodokse” e Suedisë të mos ketë qenë katastrofa e pritur nga kritikët e saj. Deri më tani, spitalet e kanë përballur situatën. Shkalla e infeksionit duket se ka rënë në shumicën e zonave të vendit, përfshirë edhe Stokholmin, i cili ka regjistruar pjesën dërrmuese të rasteve. Anders Tegnell, epidemiolog, beson se kryeqyteti mund të arrijë imunitetin e tufës – ku njerëz të mjaftueshëm të kenë kaluar infeksionin – brenda disa javësh. Ankthi kryesor që shqetëson suedezët, sipas një studimi të publikuar dje, nuk është rreziku i vdekjes nga koronavirusi, por papunësia.
Megjithatë vendi nuk është shumë larg rreziqeve. Debati shkencor mbi atë që po ndodh vërtet në Suedi, vazhdon të jetë i zjarrtë. Numri i të vdekurve ka të ngjarë të kalojë 2,000 vetë sot, (23 prill 2020) pas 172 viktimave të raportuar dje dhe 185 një ditë më parë. (Vendi ka 10 milion banorë). Regjimi i kufizuar i testimeve në Suedi e bën jashtëzakonisht të vështirë të dihet se sa njerëz janë infektuar.
Dy javë më parë, një grup studiuesish parashikonin që nëse Suedia nuk ndryshon kursin, do të kishte midis 50,000 dhe 180,000 vdekjeve, duke e bërë këtë vit më vdekjeprurësin në historinë moderne të vendit, më keq edhe sesa pandemia e gripit spanjoll të vitit 1918. Një ekip tjetër parashikoi që do të kishte një valë infeksionesh të paktën dhjetë herë më të madhe dhe se do të kishte më shumë pacientë se sa mund të përballonte kujdesi intensiv në spitalet suedeze.
Rezultati përfundimtar do të ketë pasoja më shumë përtej Suedisë. Nga ekstremistët gjermanë deri tek Tea Party në SHBA, kritikët e bllokimit në të gjithë botën janë të gatshëm ta shfrytëzojnë eksperimentin suedez si dëshmi se të gjitha bllokimet e ekonomisë dhe privimet e lirisë të urdhëruara nga qeveritë ishin pa asgjë vlerë. Në realitet, fotografia është ende e vështirë për t’u lexuar.
Tom Britton, një profesor i matematikës në Universitetin e Stokholmit, publikoi një projekt-dokument që sugjeronte që gati një e treta e 2 milion njerëzve që jetonin në kryeqytet që tashmë ishin ekspozuar ndaj virusit arritën të mbijetonin. Ai llogarit se infeksionet ndoshta arritën kulmin në qytet rreth dhjetë ditë më parë. Patrick Bryant dhe Arne Elofsson, dy biologë gjithashtu nga Universiteti i Stokholmit, ishin ndër shkencëtarët të cilët fillimisht vlerësuan se sistemi shëndetësor do të binte brenda disa javësh. Ata janë surprizuar për mirë. “Duket se epidemia është me të vërtetë flluskë dhe se skenarët katastrofikë të parashikuar nga disa nuk do të shfaqen kurrë në Suedi,” tha profesori Elofsson.
Por ende ka shumë skeptikë. Më shumë se 2,000 shkencëtarë dhe punëtorë të shërbimit mjekësor nënshkruan një peticion duke protestuar kundër përgjigjes së Suedisë ndaj koronavirusit. Javën e kaluar 22 studiues mjekësorë publikuan një letër të hapur në gazetën Dagens Nyheter duke thënë se strategjia kishte “dështuar” dhe urgjentisht duhej të vendoseshin ndalimet.
Të tjerë bëjnë kujdes që të nxjerrin përfundime gjithëpërfshirëse për vlerën e bllokimeve, për faktin se Suedia sipas standardeve evropiane është një vend mjaft i pazakontë. Përhapja e koronavirusit në Suedi është përqendruar kryesisht në një metropol, Stokholmin, por popullsia e tij ka numrin më të vogël të njerëzve për familje krahasuar me çdo shtet tjetër anëtar në BE. Der Spiegel në Gjermani shkruante dje se thirrjet për të kopjuar modelin suedez mund të rezultojë fatale: “Nëse dëshironi Suedinë, mos harroni të shihni më parë Britaninë.” / The Times