Nga Daniel Finkelstein
Ju kujtohet se çfarë ka thënë Uinston Çërçilli pas betejës në El Alamein? “Tani nuk është fundi. Nuk është as fillimi i fundit. Mbase është fundi i fillimit”. Epo, gjendja ku jemi tani nuk është as fundi i fillimit. Është vetëm fillimi.
Dje, si çdo ditë për dy javët e fundit, iu kërkua përsëri qeverisë që të na tregojë “dritën në fund të tunelit”. Po sikur të mos jemi aq afër daljes nga tuneli për të parë ndonjë dritë përpara? Qeveria nuk mund ta sjellë dritën kur nuk ekziston. Nuk mund të na njoftojë se ka dritë. As shprehja: “Dhe Boris Johnson tha “le të bëhet dritë”, nuk mund të funksionojë.
Fraza më e njohur për momentin është “ne kemi nevojë për një strategji daljeje”. Është një nga ato deklarata politike që gjithmonë i bën njerëzit të hamendësojnë, pavarësisht situatës së krizës. Ndoshta keni vërejtur që njerëzit fillojnë të kërkojnë strategji daljeje kur e kuptojnë se është e pamundur të krijosh një të tillë, ose të paktën një që nuk përfshin zgjedhje të tmerrshme dhe fatkeqësi të mëdha.
Cila është situata në të cilën gjendemi tani?
Nuk është aq e pazakontë. Zakonisht kur diskutohet për ndërhyrjet ushtarake njerëzit thonë se nuk duhet të hyjmë derisa nuk dimë se si të dalim. Megjithatë e vërteta është se pothuajse kurrë nuk dihet se cila do të jetë dalja pasi kemi hyrë në betejë. Ne bëjmë atë që duhet bërë në fillim, dhe pastaj vijojmë të përballeni me pasojat. Amerika nuk e vlerësoi, kur u tërhoq nga konflikti evropian pas Pearl Harbourit, se do të duhej të vazhdonte të mbante trupa në një pozicion të superfuqisë në Berlin edhe 50 vjet më vonë.
Kështu që qeveritë vendosën bllokimet për të reaguar ndaj Covid-19 sepse, në atë kohë, e ndienin se ashtu duhej bërë. Nuk do të thotë që ata e dinin se si do të dilnim nga bllokimet. Nuk do të thotë se kishte ndonjë rrugëdalje tjetër. Në të vërtetë, janë të gjitha shenjat që qeveria e kuptoi këtë problem që në fillim dhe kjo qe arsyeja pse hezitoi të vepronte shpejt.
Një nga ironitë e kësaj krize është se gjykimi historik i çështjeve mbi qeveritë që marrin vendime të mëdha pa një strategji daljeje mund të ketë pasoja dhe ministrat mund të përfundojnë duke u kritikuar për mungesën e gjatë të një strategjie daljeje, apo e kundërta që nuk e bënë mbylljen më parë.
Në fillim të pandemisë, vendet u përballën me një zgjedhje të tmerrshme. Kur nuk kishte një vaksinë, nëse nuk do të ishte e mundur të gjurmohej dhe izolohej çdo person që u prek nga virusi (dhe kjo duhej bërë vazhdimisht), atëherë shumica prej nesh përfundimisht do të prekej nga sëmundja duke shkuar deri atje sa spitalet të ishin të pamjaftueshme për njerëzit. Në mungesë të një trajtimi efektiv, qeveritë konkluduan (me të drejtë, sipas mendimit tim) se rritja e numrit të vdekjeve do të ishte e patolerueshme. Kështu që ata vendosën për një politikë të distancimit të rreptë shoqëror. Mirë po …, deri kur?
Në të vërtetë, zgjedhja me të cilën përballemi tani nuk është ndryshe nga ajo me të cilën u përballëm në fillim të bllokimit. Sa më shumë të lehtësojmë kufizimet, aq më shumë njerëz do të preken. Sa më shumë njerëz të preken, aq më shumë njerëz do të sëmuren. Dhe sa më shumë njerëz ta sëmuren, aq më shumë njerëz do të vdesin.
Publikut vështirë se mund ti thuhet: “Ju nuk do të vdisni nëse prekeni tani nga viruso sepse ne tani e kemi kaluar pikun e sëmundjes, kështu që është e sigurtë që e keqja ka kaluar”. Ose “Tashmë nuk ka rrezik nga infeksioni vdekjeprurës sepse ne i patëm ndërmarrë bllokimet”. Virusi nuk funksionon kështu. Ai do të jetë vdekjeprurës derisa të ndalet nga një vaksinë ose trajtim i përmirësuar ose derisa të përhapur tek të gjithë njerëzit dhe të ketë vrarë të gjithë ato që mund të vrasë.
Dhe kjo është e vërtetë për secilin vend, cilado qoftë faza e infeksionit në të cilin ndodhet. Është një nga arsyet që është e kotë të fillosh të gjykosh sa mirë apo sa keq ka bërë Britania në krahasim me vendet e tjera. Ne nuk mund ta dimë sepse ne jemi që të gjithë vetëm në fillim. Gjykimet do të mund ti bëjmë vetëm kur gjithçka të ketë mbaruar.
Pra, eufemizmi që të gjithë e quajnë një debat i hapur për një strategji daljeje në të vërtetë është po ai diskutim që kemi bërë që nga marsi. Sa kohë mund ta mbajmë bllokimin social dhe ekonomik? Kur politika mund të vendosë se mbrojtja e shëndetit po vret ekonominë?
Tani për tani, jemi në atë fazën që ishte Steve Jobs, kur u intervistua nga strategjisti Richard. Ishte viti 1998 kur themeluesi i Apple ishte kthyer në kompaninë e tij me probleme dhe shkurtoi të gjitha aktivitetet e saj dytësore. Ai po kërkonte të ndalonte ‘gjakderdhjen’ dhe të stabilizonte kompaninë, që ishte ende e dobët dhe e vogël. Çfarë do të bëni tani, e pyeti Rumelt. Jobs buzëqeshi dhe u përgjigj: “Do të pres ndonjë gjë tjetër të madhe përpara”.
Ne ende mund të presim për gjënë tjetër të madhe me shpresë. Ndoshta një vaksinë do të vijë më shpejt nga sa presim. Ndoshta disa nga provat e trajtimit do të jenë më të suksesshme nga sa mendojmë. Por kjo periudhë e pritjes dhe shpresës nuk mund të zgjasë shumë. Ne do të mbarojmë paratë për të mbështetur ekonominë, përveç çdo gjëje tjetër. Shanset e shpëtimit nga shkenca në këtë kohë janë relativisht të vogla. Ndaj e vërteta e hidhur është më shëndetshme shpresa e kotë. /The Times /Përktheu: Mapo.al/