Peter Navarro, këshilltari për tregtinë i Presidentit Donald Trump, paralajmëroi në dy memorandume, të publikuara rishtazi, gjatë muajve janar dhe shkurt për pasojat e rënda që do të kishte koronavirusi vdjekjeprurës për ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
Në muajin janar, zoti Navarro ka parashikuar se deri në 543 mijë amerikanë mund të vdisnin nga virusi që kishte shpërthyer në Kinë. Një muaj më vonë, ai sugjeronte se koronavirusi mund të vriste nga 1 milion, deri në 2 milionë amerikanë.
Në memorandumin e tij të janarit, zoti Navarro shkruan se “mungesa e mbrojtjes imunitare, apo e një kure dhe vaksine, do t’i linte amerikanët të pambrojtur në rastin e një shpërthimi të plotë të koronavirusit në territorin amerikan. Mungesa e këtyre mbrojtjeve rrit rrezikun që koronavirusi të shndërrohet në një pandemi të plotë, duke rrezikuar jetët e miliona amerikanëve”.
Memorandumet e zotit Navarro u publikuan të martën nga “The New York Times” dhe faqja në internet, Axios. Ato janë ndër treguesit më të fundit, se disa prej ndihmësave të Shtëpisë së Bardhë e kishin sinjalizuar Presidentin Trump për shqetësimet e tyre, kohë përpara se ai të shprehej publikisht.
Në memorandumin e janarit, Navarro shkruante se administrata Trump duhej të vendoste se sa agresivisht duhet t’i përgjigjet kërcënimit të shfaqur nga koronavirusi. Ai tha se numri i personave të vrarë nga virusi dhe dëmi ekonomik do të ishte relativisht i vogël nëse koronavirusi do të rezultonte se ngjan më shumë me gripin sezonal.
Por ai tha se “rreziku i një skenari pandemie të rastit më të keq nuk duhet të anashkalohet” pasi vdekjet u rritën në Kinë.
Më 30 janar, një ditë pas memorandumit të parë të Navarros, Presidenti Trump tha: “Ne mendojmë se e kemi shumë mirë nën kontroll. Kemi shumë pak problem në këtë vend në këtë moment – pesë – dhe ata njerëz janë duke u rikuperuar me sukses. Por ne po punojmë shumë ngushtë me Kinën dhe vendet e tjera, dhe ne mendojmë se do të ketë një përfundim shumë të mirë për ne … për këtë ju siguroj “.
Presidenti Trump bllokoi fluturimet nga Kina në fund të janarit, por një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë hidhte poshtë paralajmërimin e Navarros.
“Memorandumi i tij i janarit mu duk si një përpjekje alarmuese për të tërhequr vëmendjen tek axhenda anti-Kinë e Peter-it, ndërsa paraqiste një gamë të kufizuar artificialisht të opsioneve të politikave,” tha këshilltari.
Në memorandumin e shkurtit, Navarro tha: “çdo anëtar i Task Forcës, duhet të jetë i kujdesshëm në caktimin e fondeve për një krizë që mund të shkaktojë triliona dollarë në dëm ekonomik dhe të marrë miliona jetë…”
Presidenti Trump në Twitter
Pas përpjekjeve fillestare të vogla që synojnë të përballeshin me efektet e virusit, Presidenti Trump dy javë më parë nënshkroi një paketë shpëtimi prej 2 trilionë dollarësh që synonte të ndihmonte bizneset në vështirësi që po mbyllnin dyert dhe më shumë se 10 milionë punonjës të pushuar që kanë humbur vendin e tyre në ekonominë e goditur nga koronavirusi.
Për më tepër, masa kërkon 1,200 $ pagesa për rreth 90% të amerikanëve të moshës madhore në javët e ardhshme.
Më 17 mars, Presidenti Trump tha: “Unë e kam ndjerë se ishte një pandemi shumë kohë përpara se të quhej një pandemi“.
Por më parë, udhëheqësi amerikan minimizoi çdo shqetësim serioz.
Në një koment të 24 shkurtit në Twitter, Presidenti Trump tha se koronavirusi ishte “shumë nën kontroll” dhe se tregu i aksioneve po “fillon të duket shumë mirë për mua“. Indekset e aksioneve janë dëmtuar në mënyrë të ashpër në muajin e fundit, me çmimet e aksioneve të rëna ndjeshëm nga niveli i lartë ku ndodheshin në muajin shkurt.
Dy ditë më vonë, ai tha, “Dhe përsëri, kur keni 15 njerëz [me koronavirus], dhe brenda dy ditëve do të ulet në afërsinë e zeros, kjo është një punë mjaft e mirë që kemi bërë.”
Më 27 shkurt, ai tha: “Do të zhduket. Një ditë – si një mrekulli – do të zhduket“.
Vdekjet në Shtetet e Bashkuara
Tani Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 12,000 vdekje nga virusi, me më shumë se 383,000 raste të konfirmuara.
Zyrtarët amerikanë thonë se një numër vdekjesh në Shtetet e Bashkuara nga 100,000 deri 240,000 është i mundshëm, megjithëse drejtuesi i urdhërit të mjekëve Jerome Adams tha të martën se ai mendon se shifra përfundimtare nuk do të arrijë në 100,000.
“Kjo është absolutisht pritshmëria ime, dhe përsëri ndjehem shumë më optimist, sepse unë po shoh punën lehtësuese,” tha Adams në “Good Morning America” të ABC.
“Do të jetë një javë e vështirë dhe e ashpër, por populli amerikan ka fuqinë të ndryshojë trajektoren e kësaj epidemie nëse bashkohemi siç kemi bërë pas tragjedive të kaluara në këtë vend“, tha ai.
Zoti Adams tha se amerikanët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi deri në prill dhe të mos mblidhen në grupe të mëdha./VOA