Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, Raul Gonzales Monteros në një intervistë për ‘Ilva Now’ i vlerësoi si shumë efikase masat e marra nga qeveria shqiptare që në rastin e parë me COVID-19 në vend.
Ai i dha përgjigje një sërë pyetjesh, që nga mundësia për të përdorur një testim alternativ, siç është testi i gjakut për testimin e antitrupave çka jep më shumë njohuri rreth epidemisë, si është transmetuar, njerëzit që ka prekur më shumë, si dhe faktit se a do të zhduket në verë virusi, siç pretendohet nga disa studiues.
Intervista e plotë
Ilva Tare- Raul Gonzales Monteros, faleminderit që jeni në një lidhje të drejtpërdrejtë në Euroneës Albania. Si i vlerësoni masat që autoritetet shqiptare kanë marrë duke konsideruar pandeminë globale nga coronavirus?
Raul Gonzales – Kënaqësia ime.Përshëndetje të gjithëve!
Ju falenderoj shumë për këtë pyetje.
Ndjenja ime e parë, fjala ime e parë shkon për ata njerëz në Shqipëri që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, pasi numri i të vdekurve deri tani ka shënuar në 21, ngushëllimet e mia për këto familje. Pavarësisht këtyre numrave, 21 njerëzve të vdekur dhe 377 rasteve që kemi, ne mund të themi se gjërat në Shqipëri po shkojnë në një mënyrë pozitive. Përse e them këtë? Mjafton të shohim vendet fqinje, nuk po flas vetëm për Italinë ose Spanjën, por shumë shtete të tjera në Evropë janë duke u përballur me numra të vështirë, ndaj them se masat në Shqipëri u morën në kohën e përshtatshme. E kuptoj që ky izolim për shumë njerëz është shumë i vështirë për të jetuar me të, por ka një impakt dhe ka një rezultat, dhe ne duhet të jemi shumë të lumtur për këtë. Shkalla e infektimeve është e ulët, e qëndrueshme, dhe kjo është si pasojë e masave të forta që janë marrë nga qeveria dhe më e rëndësishmja, është si pasojë e bashkëpunimit të popullsisë me këto rregulla. Unë dua të përgëzoj qytetarët shqiptarë që kanë bashkëpunuar me këto masa.
Ilva Tare- Z.Gonzales, OBSH ka deklaruar së fundmi se strategjia më e mirë që njohin është testimi, testimi, testimi i të gjithëve, i masës së popullsisë, që të kenë kontroll mbi shpërndarjen e coronavirus. A keni ndonjë ide përse autoritetet shqiptare nuk po e ndjekin këtë strategji? A është rasti që nuk kemi mjaftueshëm teste ose cili është shpjegimi i tyre?
Raul Gonzales- Unë nuk do të thosha që autoritetet shqiptare nuk po i ndjekin këto udhëzime. Udhëzimet e OBSH janë që çdo shtet duhet të përllogarisë kapacitetet dhe të ndërtojë një politikë. Mungesa e testimeve nuk është një problem vetëm në Shqipëri, shumë shtete janë duke hasur vështirësi shumë të mëdha për t’i pasur testet, por Shqipëria ka bërë teste bazuar në udhëzimet e OBSH sipas rasteve. Jam i sigurt se në ditët në vijim, në javët në vijim, numri i testeve do të rritet, jo vetëm me testet PSI, që janë aktualisht të vetmet në përdorim, por edhe me mënyra të tjera, si çdo shtet tjetër po bën. Dua të them, njerëzit po kërkojnë më shumë testime, por duhet të kujtojmë që kjo nuk është një situatë për testimin e të gjithë popullsisë. Duhet të kuptojmë çfarë lloj epidemie kemi në Shqipëri, dhe rastet që janë testuar në Shqipëri në çfarë shkalle kanë rezultuar pozitivë. Rezultatet në Shqipëri kanë qenë të mira, kështu që a do të rritet numri i testimeve në ditët në vijim? Me shumë mundësi po, por nuk mund të themi që politika e implementuar nga qeveria nuk ka rezultuar e suksesshme. Ne shohim rastet që kemi, 370, 377 raste për të qenë i saktë dhe pyetja e thjeshtë për të gjithë është: “Sigurisht, ne kemi më shumë raste, por çështja është që nuk po testohen mjaftueshëm”. Më lini t’ju tregoj disa shembuj dhe do të përdor një shembull shumë të njohur që ‘Imperial College’ ka publikuar para 4 ditësh. Ata kanë vlerësuar numrin e njerëzve të prekur aktualisht, jo për shkak të raporteve të gjërave pozitive dhe unë do të jap rastin e Spanjës, që e njoh më mirë. Teorikisht ne kemi të raportuar një numër rreth 130 mijë, tani duhet të jenë ndoshta 140 mijë raste. Numri real, duke iu referuar modelit mund të jetë rreth 1 milion, por çështja është që ne kemi indikatorë të tjerë jo të drejtpërdrejtë për të matur se sa njerëz kemi të infektuar në popullatë. Mënyra më e mirë për t’u ndjekur, mënyra më objektive është numri i vdekjeve. Gjithashtu, si një matës jo i drejtpërdrejtë është numri i njerëzve në qendrat e kujdesit. Kjo na jep një pasqyrim të vërtetë të njerëzve që janë të infektuar.
Ilva Tare – A ka një vlerësim të numrit real të të prekurve në Shqipëri?
Raul Gonzales – Ne nuk e kemi atë model, sepse ky model u bë për 11 shtete në Evropë dhe Shqipëria nuk ishte pjesë, sepse ata zgjodhën shtete më numra më të lartë, por me siguri numrat në Shqipëri nuk janë aq alarmuese sa në këto vende, dhe këto janë rezultatet e masave të marra në kohë. Më kujtohet që qeveria shqiptare i mori masat kur kishin vetëm 10 raste. Të gjithë thoshin se mos ishte shumë herët për ta bërë atë veprim, por ky është rezultati, nuk ishte shumë herët, ishte momenti i duhur për t’i marrë.
Ilva Tare – Ka disa shtete që po bëjnë teste gjaku për të njohur antitrupat ose imunitetin e popullsisë, që të lejohen të fillojnë të punojnë, të lëvizin, krahasuar me qytetarët e tjerë që mund të mos kenë imunitet aq të fortë sa të tjerët. A është një strategji e mirë për Shqipërinë? A duhet të fillojmë ta bëjmë këtë gjë?
Raul Gonzales- Kjo është një pikë shumë e mirë, kjo është një gjë shumë e rëndësishme që ne po bëjmë. Ju e dini tanimë, ne e quajmë një testim i thjeshtë shumë i shpejtë, por që nuk janë njohur ende nga OBSH, sepse nuk po funksionojnë, nuk kemi ende mjaftueshëm prova që të vlerësojmë këtë testim dhe kjo duhet bërë në mënyrën e duhur. Por strategjia për testimin e antitrupave është shumë e mirë, sepse në atë moment kemi më shumë njohuri rreth epidemisë, si është transmetuar, njerëzit që ka prekur më shumë. Me shumë rëndësi, keni një instrument që mund të vendosë se kush mund të shkojë i sigurt në punë dhe kush duhet të marrë masa të veçanta. Shumë shtete po e bëjnë këtë, shumë shtete po kalojnë në testimin e antitrupave dhe është një tjetër instrument, jo për të diagnostikuar njerëzit e prekur, sepse këto teste nuk bëhen pozitive deri në ditën e shtatë të fillimit të simptomave, kjo nuk jep shumë hapësirë për të marrë vendime, por ajo që ju propozoni ësht një instrument shumë i rëndësishëm, që na lejon të çojmë dikë në punë me më shumë siguri.
Ilva Tare- A po e diskutoni këtë me autoritetet shqiptare ? A po e konsiderojnë atë opsion?
Raul Gonzales- Absolutisht po. Autoritetet shqiptare po marrin në konsideratë të gjitha mundësitë, por kjo është për një fazë tjetër. Shqipëria është akoma me masa tejet strikte, jemi akoma në shtetrrethim. Kjo gjë është pozitive kur mendojmë të kalojmë në një fazë tjetër.
Ilva Tare- Duke marë në konsideratë shifrat e të infektuarve në rang global, duket se kemi arritur pikun e pandemisë. A është e vërtetë kjo? A e kemi arritur pikën maksimale?
Raul Gonzales: Ne gjendemi në pikë-pozicione të ndryshme në vende të ndryshme dhe nuk mund të themi se kemi arritur pikun globalisht.
Ilva Tare: Le të flasim për Shqipërinë.
Raul Gonzales: Le të flasim për Shqipërinë. Ti e di se në fillim të gjithë kësaj kishim të bënim me dy kurba të ndryshme. Njëra që kishte një rritje të jashtëzakonshme dhe tjetra ishte lineare. Dhe ne donim të kishim atë kurbë, atë që rritet vazhdimisht, por ngadalë, arrin një pikë maksimale dhe pastaj zbret ngadalë sërish. Kjo është ajo që duam dhe ajo që po marrim për Shqipërinë, për të mos pasur rritjen eksponenciale. Për të mos e e parë sistemin tonë shëndetësor në kolaps, siç e kemi parë të ndodhë në Spanjë dhe Itali dhe në shkallë më të ulët edhe në Francë. Këtu duam ta shmangim. Për shembull, sot në Shqipëri kishim vetëm 16 raste të reja, pasi për 3 ditë kishim 27, 28 29 dhe ne kemi sërish 16. Kjo gjë është pozitive, jo për faktin se kemi më shumë të infektuar, por në aspektin e përhapjes së virusit, sepse ne nuk po shohim atë rritjen e madhe të rasteve dhe po shkojmë drejt vijës lineare. Por kjo nuk mund të përfaqësojë vendet e tjera, sepse ata ndodhen në momente të ndryshme.
Ilva Tare: Z. Gonzales, a është e mundur që virusi të zhduket gjatë verës dhe të kthehet në vjeshtë sërish, siç pretendojnë disa shkencëtarë?
Raul Gonzales- Jo, ata nuk po e thonë një gjë të tillë, studiuesit nuk e kanë thënë një gjë të tillë, por disa politikanë, të cilët ishin mjaft të patakt për të thënë dicka të tillë.
Ilva Tare- Epidemiologë, që i kam pasur edhe në studio, e kanë shfaqur një pritshmëri të tillë.
Raul Gonzalez; Kjo është një dëshirë që të gjithë e kemi. Të gjithë duam që ky virus të jetë i përkohshëm, që me ardhjen e verës virusi do të zbehej, por ne nuk kemi mjaftueshëm prova për të thënë se diçka e tillë do të ndodhë. Nëse më pyesni për mendimin tim, e shohim se virusi për momentin ndodhet në zona të ndryshme të botës, disa janë në dimër, disa në verë dhe disa vende nuk kanë ndryshime klimaterike sepse gjenden në brezin tropikal, dhe ne e shohim që virusi zhvillohet në çdo lloj klime. Le të shpresojmë se mund të ketë një qetësim në verë, por nuk kemi prova të mjaftueshme shkencore për të provuar se kjo do të ndodhi.
Ilva Tare- Pra, është shumë optimiste të mendojmë se do të kemi pushime verore?
Raul Gonzales- Pak po.
Ilva Tare- Z. Gonzales sipas mendimit tuaj dhe atij të OBSH-së, kur do të marrë fund përhapja?
Raul Gonzales- Kjo varet shumë me evolucionin dhe ne duhet të kujdesimmi pikërisht për të. Masat parandaluese nuk do të hiqen brenda dite dhe ne do të duhet të jetojmë me to për disa muaj, sepse ndonjëherë mund të lehtësohen apo më pas të shtrëngohen sërish. Normaliteti i vërtetë, ai që ne e njohim si të tillë nuk do të arrihet deri sa të kemi krijimin e një vaksine. Dhe jo vetëm të kemi atë vaksine, por që edhe ajo të prodhohet në sasi të mjaftueshme dhe të shpërndahet në të gjithë popullatën. Deri atëherë ne do të kemi përhapje të tij në shpejtësi të ndryshme.
IlvaTare- A duhet të gjithë njerëzit të mbajnë maskë apo jo, sepse ka konfuzion në lidhje me këtë?
Raul Gonzales- Ka konfuzion, e dimë që ka konfuzion në lidhje me këtë gjë dhe në pak ditë do të ketë rekomandime të reja nga OBSH-ja. Sigurisht që maska ka një rol, dhe e kemi parë se në shumë vende po përdoret masivisht. Përdorimi i maskës ndikon pozitivisht, sepse redukton mundësinë e infektimit nga njerëz që mund të kenë simptoma të vogla apo nuk kanë simptoma fare. Ky është roli pozitiv i përdorimint masiv të maskës. Nuk është se do më mbrojë se mua si individ, por do të mbrojë të tjerët nga infeksioni im potencial. Do të ketë ndryshime në atë rekomandim herën tjetrër.
Ilva Tare- Si do t’ju përgjigjeshit kritikave se OBSH-ja e mori joseriozisht virusin në fillimet e tij?
Raul Gonzales- Nuk do të thosha ashtu, nëse konsiderojmë videotekë dhe të gjitha materialet, do të thoja se OBSH-ja ka reaguar shumë shpejt. Shqetësimi i Komiteti ndërkombëtar për shendetin publik u diskutua dhe brenda një dite u miratua plani. Kështu që nuk jam dakord me atë ide. Mendoj se OBSH-ja mori rolin e saj, koordinuan veprimet ndërkombëtarisht dhe kemi shpërndarë të gjitha infromacionet që na jepte Kina organizatave të tjera. Nuk jam aspak dakord me atë mendim.
Ilva Tare- Raul Gonzales Montere, faleminderit për këtë bisedë.
Raul Gonzales- Kënaqësia ime.