Nga Tracy Wen Liu
Dr. Li, një specialist i sëmundjeve të zemrës në Spitalin Wuhan Nr. 4, e kaloi javën e tretë të muajit mars duke përgatitur rihapjen e klinikave të përgjithshme të spitalit, i cili u mbyll në 22 Janar, kur Nr.4 u bë struktura kryesore për trajtimin e pacientëve COVID-19. Pasi ka punuar për dy muaj në vijat e para të shpërthimit të koronavirusit, Li është mendërisht dhe psikologjikisht i paqartë, se çfarë duhet të bëjë më tej. Ai nuk mundet as të flejë, as të hajë, shpesh ndjehet i lodhur, dhe nganjëherë, shpërthen në lot në mënyrë të beftë.
Trauma e Li bën kontrast të fortë me imazhin e projektuar nga media e Kinës, e cila është e mbushur me artikuj dhe emisione, që lavdërojnë reagimin e qeverisë ndaj epidemisë. Në mesin e këtij ngazëllimi, Li është gjithnjë e më i gatshëm të shprehë frikë ose shqetësime për të tjerët rreth tij. Ai është tashmë një tjetër njeri – një njeri që e kupton se “jeta është e brishtë dhe e dobët”.
U njoha me Li (emrin e kam ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e tij) në internet në 23 janar, ditën kur qyteti i Wuhanit u mbyll. Unë banoj në Teksas, dhe bashkë me miqtë e mi kishim krijuar një grup në WeChat për të dhuruar maska dhe pajisje mbrojtëse personale (PPE) për spitalet brenda dhe rreth Wuhanit. Tani që COVID-19 është përshkallëzuar në një pandemi globale, është bërë gjithnjë e më e rëndësishme që pjesa tjetër e botës të kuptojë atë që mjekët dhe infermierët në Wuhan – disa prej të cilëve tani i quaj miq – kanë përjetuar, dhe po vazhdojnë të përjetojnë. Dhe nëse Kina ka arritur një “fitore” mbi koronavirusin, ajo fitore ka ardhur me një kosto shumë të madhe njerëzore.
Pavijonet e Covidit
Komunikimet e mia me Li ishin fillimisht jopersonale, dhe të fokusuara në logjistikën e dërgimit të PPE në spitalin e tij. Por mbrëmjen e 27 janarit, Li i dërgoi papritmas një mesazh grupit të WeChat, duke thënë se dëshironte të shfrynte pak. Unë isha ende online, dhe vazhdova të qëndroj dhe ta dëgjoj tek përshkruante situatën në Wuhan, me hollësi që të këpusnin shpirtin.
Atë mëngjes, pasi kishte kaluar nëpër disa faza dezinfektimi, Li kishte hyrë në zonën e kontaminimit të spitalit, ku menjëherë kishte ndeshur një burrë të shtrirë në dysheme, të maskuar, të mbuluar me jorgan, me një çehre të verdhë në jeshile. Dy hapa më tutje, një person rrinte shtrirë mbi një stol, i sëmurë rëndë dhe që mezi merrte frymë. Një djalë i ri i ulur pranë tij bërtiste në telefon, duke kërkuar ndihmë. Dhe shumë pacientë të tjerë ishin shtrirë në tokë në korridorin e klinikës. Me zor mbusheshin me frymë. Rreth e rrotull, pacientët dhe familjarët rrinin në këmbë, ulur, ose thjesht shtrirë në dysheme. Sipas Li, ata nuk kishin asnjë shprehje në fytyra, sikur të ishin mësuar – ose të paktën të ishin dorëzuar në mjerimin e tyre.
Dyshemeja ishte e mbuluar me mbeturina, gjak, të vjella dhe pështymë. Pacientët tejkalonin në numër personelin mjekësor. Li pa dy infermiere të ngarkuara me marrjen dhe regjistrimin, të rrethuara nga familjarët e pacientëve, disa prej të cilëve lypnin ndihmë të ulur në gjunjë. Herë pas here mbërrinte një ambulancë që sillte edhe më shumë pacientë. Duke hedhur sytë jashtë, Li pa një radhë të pafund njerëzish që prisnin te dera e spitalit, shumë prej të cilëve mund të mbaheshin në këmbë, vetëm duke u mbështetur pas murit.
Në ditët e para të bllokimit, më tha Li, numri i pacientëve që vinin në klinikë çdo ditë ishte me mijëra. Njerëzit prisnin katër ose pesë orë vetëm për t’u regjistruar, pastaj prisnin katër ose pesë orë të tjera ose për të marrë ilaçin për trajtim në shtëpi, ose për t’u shtruar në një dhomë infuzioni në katin e dytë, ku u bashkoheshin qindra të tjerëve, duke pritur për shtretërit në dispozicion.
Disa njerëz shembeshin përtokë ndërsa prisnin; disa, ishte e qartë, qenë shumë pranë vdekjes. Pavijonet e spitalit ishin aq të mbushura, sa që korridoret dhe sallat e mjekëve duheshin përdorur për shtretër shtesë. Të gjitha këto u mbushën dhe mbetën kështu, sepse askush nuk dukej se po shërohej.
“Nuk ka fuqi të mjaftueshme njerëzore, ka trajtim të kufizuar dhe mangësi në PPE”, më tha Li. Ai u përpoq të më shpjegojë pse nuk mund t’i ndihmonte këta njerëz. “Unë po bëj të pamundurën,” përsëriste pa pushim. “Çfarë mund të kisha bërë më shumë?” Qëndrova në linjë duke biseduar me të, derisa erdhi koha që të kthehej në punë.
Ditët e panikut
Dy ditë më vonë, më 29 janar, Li më telefonoi i tërbuar. Ndërsa kish qenë në detyrë atë ditë, familjarët e një pacienti të vdekur së fundmi, kishin sulmuar një nga kolegët e Li, duke i hequr maskën dhe duke i ulëritur në fytyrë: “Nëse jemi të sëmurë, do të sëmuresh edhe ti. Nëse ne duhet të vdesim, do të vdesësh edhe ti”. (Gazeta kineze Caixin raportoi më vonë për incidentin.) Li ishte i zemëruar.
Por ishte edhe i rraskapitur. Na tha që ai pothuaj nuk e përballonte dot më. “Për një kohë të gjatë, unë jam përgatitur psikologjikisht për t’u infektuar,” më tha, duke iu referuar përsëri mungesës së PPE-ve të përshtatshme. Por ajo për të cilën ai nuk ishte përgatitur, ishte trauma e detyrimit për të përballuar pacientët, të cilët ishin tashmë të mbërthyer nga paniku dhe dëshpërimi. Ai kishte parë mjekët e tjerë që ishin mallkuar, ishin rrahur dhe zvarritur nëpër korridoret e spitalit. Kishte frikë se ishte vetëm çështje kohe, përpara se të provonte të njëjtin trajtim.
Mesazhet e Li përshkruanin një skenë përkeqësimi të vazhdueshëm. Gjithnjë e më shumë njerëz po vdisnin. Por për shkak se PPE ishin aq të pakta, kishte raste kur personeli mjekësor nuk hynte në reparte, madje as për të marrë trupat e vdekur. Li, i ulur pranë kufomave përpiqej të shpërqendrohej duke shkruar mekanikisht receta, për ata që ishin ende gjallë. Ishte si të jetoje në ferr.
Në ditët e para të bllokimit, agjencia funerale e zonës kishte sjellë një furgon për të transportuar kufomat nga spitali. Por shumë shpejt, kuptuan se do u duhej kamion i madh. Një ditë, pas la turnin, Li pa punëtorë të spitalit që fusnin kufoma – ai numëroi shtatë apo tetë – në qese të zeza, dhe i hidhnin mbi karrocerinë e kamionit.
Ajo skenë nuk i hiqej nga menda sa ishte zgjuar. Kur arriti të flejë, kishte makthe. E pushtoi një ndjenjë pafuqie. Ndërsa mediat shtetërore po i portretizonin punëtorët e kujdesit shëndetësor si heronj, ai po ia kushtonte kohën dhe energjitë e tij, trajtimit të pacientëve që nuk do të shëroheshin. “Ne zor se mund të quhemi heronj,” thotë.
Li ka vazhduar të më dërgojë mesazhe dhe të më telefonojë një herë në javë që nga biseda jonë e parë e gjatë. “Po e marr veten ngadalë,” më tha në 11 mars. Megjithatë, vazhdon të vuajë nga pagjumësia, dhe nuk ka dëshirë t’u tregojë miqve dhe familjes në Kinë, se si ndihet me të vërtetë.
Situata në punë ka marrë një kthesë tjetër demoralizuese. Kur shpërthimi ishte në kulmin e tij, më shpjegoi Li, disa nga administratorët e spitalit u mbyllën në zyrat e tyre, shumë të frikësuar të dilnin nëpër pavijone. Por tani që janë bërë lëvdatat, bosët kanë qenë të parët në radhë për të marrë shpërblimet. “Eshtë shumë më fitimprurëse të punosh në industrinë financiare”, thotë. “A mendon se mund të kem ende një shans për të punuar në atë profesion?”
Në llogore
Li nuk është i vetmi që mendon një ndryshim karriere. Një tjetër nga kontaktet e mia, një infermiere 30-vjeçare në Spitalin e Përgjithshëm Wuhan Changhang, gjithashtu ka pyetur veten nëse do të mund të vazhdojë më tej. Zonja Wang, siç do ta quaj, ishte ndër të parat që punoi në “klinikën e etheve” të spitalit, kur filloi shpërthimi. Që nga fillimi, rrëfen ajo, gjithçka ishte me mungesa, duke përfshirë jo vetëm PPE dhe ilaçet, por edhe furnizimet e kafeterisë. Asaj i duhej të punonte, me pak ushqim ose ujë, në turne 12-orëshe që fillonin në orën 6:00 ose 7:00 të mëngjesit. Kur lodhja e vinte përfund, nuk guxonte të hiqte veshjet mbrojtëse. Thjesht mbështetej pas një muri dhe flinte me to.
Kur qyteti u mbyll, Wang nuk mund të punonte me autobus, kështu që përdori një shërbim biçikletash me qera. Por një mëngjes, u ngrit në 05:00 dhe nuk mund të gjente një biçikletë të disponueshme, kështu që shkoi në spital në këmbë. Rrugës, teksa ndjehej më e dëshpëruar dhe e irrituar se kurrë, ajo më telefonoi dhe më pyeti: “A mund të na ndihmoni të bëjmë një thirrje, për t’u dhënë mjekëve të frontit të parë dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor, një rrugëdalje nga kjo gjë?”
Wang është optimiste dhe e sjellshme, por ajo nuk i fsheh emocionet. Kur familja e një pacienti i dha një dhuratë të vogël, çaj dhe biskota, ajo u prek thellësisht. Wang gjithashtu flet atë që mendon, dhe nuk ka frikë nga njerëzit me autoritet. Në fillim të epidemisë, kur banorët e Wuhanit ende nuk kishin përjetuar përmasat e vërteta të krizës, Wang bleu Tamiflu – një antiviral i përdorur për trajtimin e gripit që u është dhënë pacientëve në Wuhan, edhe pse nuk ka asnjë provë shkencore që të tregojë se është efektiv kundër COVID-19 – dhe ua dha të afërmve dhe miqve, duke i këshilluar të mos dilnin nga shtëpia.
Më pas, kur Këshilli Shtetëror i Kinës krijoi një linjë telefonike për raportimin e incidenteve nga pakujdesia në luftën kundër shpërthimit, Wang raportoi menjëherë se drejtuesit e spitalit të saj kishin fshehur infeksione në mesin e stafit mjekësor. Shoku i saj më i mirë ishte ndër më të hershmit që u prek nga COVID-19, dhe u shtrua në kujdesin intensiv me frymëmarrje të rënduar dhe probleme të zemrës, më 23 janar. Por gjesti pati efektin e kundërt. Pasi e pa, më tha Wang, ajo ndihej edhe më e tmerruar dhe e dëshpëruar për të shmangur infeksionin.
Pavarësisht kësaj, Wang vazhdoi të punojë, dhe vetëm dy ditë më vonë – më 25 janar – ajo filloi të kollitet. Në një mesazh, më tha që një skaner CT kishte identifikuar një hije në mushkërinë e djathtë. I thashë të pushojë. Ajo tha se nuk mundej, për shkak se spitali i saj edhe kështu kishte mungesë infermierësh.
Shëro veten?
Ndërsa shërbente në vijën e parë të frontit, Wang pa shumë kolegë të saj të shpërthenin në lotë dhe të qanin në dhomën e spitalit. Ajo më dërgoi një video të një infermiereje të ulur në një cep, duke qarë dhe bërtitur në mënyrë histerike se donte ta linte këtë punë. E pyeta Wang se çfarë kishte ndodhur me atë infermiere, por ajo më tha që episode të tilla ishin të zakonshme. Sapo një pacient i binte butonit, infermierët ngriheshin menjëherë dhe nxitonin sërish në pavijon.
Më 27 janar, Wang u diagnostikua me një infeksion koronavirusi. Ky gjykim u bazua vetëm në skanerin CT, edhe pse standardi për konfirmimin e një rasti të koronavirusit në atë kohë ishte përdorimi i testeve. Brenda dy javësh, Kina do të lehtësonte zyrtarisht kriteret për numërimin e rasteve, duke lejuar më shumë diagnoza, bazuar në simptomat karakteristike.
Wang dhe kolegëve të tjerë të infektuar iu tha që të vetëizolohen në shtëpi. Nga fundi i janarit, qindra kolegë të saj ishin në karantinë në shtëpi, ose të shtruar në spital. Ajo dhe burri i saj u izoluan në dhoma gjumi të veçanta në banesën e tyre. Për javë të tëra, Wang jetoi me frikë, si për veten, ashtu edhe për të dashurit e saj, sidomos për djalin katër vjeç, të cilin e kishte lënë me prindërit e burrit.
Supervizori i Wang e udhëzoi që të mos i tregonte askujt që ishte infektuar. Nëse dikush e pyeste, ajo duhej thoshte “jo”, për të shmangur përhapjen e panikut. Deri në atë kohë, shumë spitale dhe media kishin marrë urdhër që të mos flisnin për epideminë. Më 27 janar, Wang më tha që stafi mjekësor ishte porositur të ruante qetësinë, përballë kujtdo që nuk punonte në spital.
Gjatë karantinës në shtëpi, Wang vazhdonte të punonte, duke u lidhur me organizata të ndryshme vullnetare në internet, që po përpiqeshin të dërgonin më shumë PPE në spitalin e saj. Kur simptomat u larguan përfundimisht më 27 shkurt, asaj iu bënë dy teste diagnostikuese, siç kërkohej nga protokolli. Kur të dy dolën negativë, ajo u kthye menjëherë në punë. “U frikësova vërtet këtë herë,” më tha. “Nuk e dija nëse mund ta bëja përsëri atë punë. Kam një djalë. Tani e kuptoj që dua një punë më të sigurt”.
Në mars, firma teknologjike kineze ByteDance (kompania mëmë e aplikacionit popullor të mediave sociale TikTok), ofroi 100,000 ¥ CN (14,100 dollarë) për çdo punonjës të mjekësisë që ishte infektuar. Megjithatë, për shkak se infeksioni i Wang COVID-19 nuk ishte konfirmuar kurrë nga një test, ajo supozoi se do të ishte e pakualifikueshme për shpërblim. Në çdo rast, ajo më tha që nuk ishte e interesuar për atë lloj shpërblimi. Ajo që dëshiron në të vërtetë, është një hetim post-mortem ndaj “qeverisë dhe zyrtarëve të spitalit që mbuluan shpërthimin”.
Nuk ka marrë fund
Një llogari përfundimtare e krizës COVID-19 vjen nga një mike i hershme e imja, të cilën do ta quaj Jing. Një anesteziste në qytetin Shiyanit, afër Wuhanit, Jing kurrë nuk e kishte imagjinuar që do të punonte në vijat e para të frontit të një epidemie. Por deri në fund të shkurtit, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër. Vala e parë e personelit mjekësor ishte dërrmuar fizikisht dhe psikologjikisht, por numri i pacientëve të pranuar në spital vazhdonte të rritej.
Si përgjigje ndaj situatës së krijuar, spitali i Jing filloi një program trajnimi për të mësuar specialistët mjekësorë në fusha të tjera, se si të trajtojnë pacientët me koronavirus në një mjedis klinik. Pas kursit, Jing u dërgua në llogore. Kur fola me të në 22 shkurt, ajo pranoi se kur kishte parë një ambulancë që sillte një pacient të ri COVID-19, instinkti i saj i menjëhershëm ishte të kthehej mbrapsht dhe t’ia mbathte. Por e luftoi atë impuls. Si ofruese e kujdesit shëndetësor, detyra e saj ishte të ndihmonte njerëzit, kështu që iu fut punës. Pas ditës së parë në klinikë, ajo qau gjatë dhe fort.
Deri në fillim të prillit, epidemia duket se është frenuar kryesisht në Kinë. Por Jing është e kujdesshme dhe nuk e ul vigjilencën. Ajo shqetësohet se standardet e nxjerrjeve nga spitali do të vendosen shumë ulët, dhe pyet veten nëse është kryer testimi adekuat në vende si burgjet dhe azilet e pleqve. Duke pasur parasysh përhapjen e koronavirusit globalisht, ajo gjithashtu ka frikë se një valë rastesh të reja do të importohen nga jashtë.
Kur fola me Jing në 8 Mars, ajo më tha që eprorët në spitalin e saj nuk kanë të njëjsin sens vigjilence. Përkundrazi, ata kanë vepruar sikur beteja tashmë të jetë fituar. “Ndërsa ne jemi mirënjohës për njerëzit në të gjithë vendin, ekipet mjekësore që erdhën për të mbështetur Hubei-n tonë, kinezët jashtë shtetit dhe shoqërinë civile për furnizimet që kanë sjellë,” më tha ajo, “nuk kemi falënderime për udhëheqësit tanë ose për qeverinë. Kjo ende nuk ka mbaruar dhe ata që tani po nxitojnë të marrin shpërblime për merita”.
Ndërsa tmerri i plotë i epidemisë kalon nga vendi i lindjes time në vendin ku unë jetoj, dua që njerëzit të dinë se sa keq shkuan gjërat në Wuhan. Tek shoh njerëzit në lagjen time që injorojnë thirrjet për distancim social, mbushem me zemërim dhe frikë. Të gjithë jashtë Kinës duhet të kuptojnë se shumë punëtorë të mjekësisë së këtij vendi, janë sakrifikuar për të vënë nën kontroll epideminë.
Më e rëndësishmja, të gjithë duhet ta pranojnë se fushata kundër COVID-19 nuk ka marrë fund aspak, dhe se të gjithë do të jetojmë nën hijen e saj për një kohë të gjatë. Ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në Kinë po zvogëlohet, dhe frika nga vdekja mund të jetë lehtësuar, plagët nga kulmi i shpërthimit do të mbeten. Dhe mjekët, infermierët dhe profesionistët e tjerë të mjekësisë, në veçanti, do të vazhdojnë të luftojnë me atë që përjetuan. Plagët e tyre nuk do të shërohen shpejt. / Project Syndicate – Bota.al/