Mjekët shqiptarë në Gjermani kanë ngritur një rrjet asistence për të këshilluar shqiptarët në Gjermani se si të veprojnë në rast se dyshojnë se kanë simptoma me koronavirus.
Në një intervistë të dhënë për DW, kirurgia shqiptare Marsela Ceno ka treguar në lidhje me këtë rrjet asistence.
“Ne si Shoqatë e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani kemi ngritur asistencë për krizën e koronës në të 16 landet e Gjermanisë. Në faqen tonë zyrtare në Facebook kemi postuar numrat e telefonit, adresat e mjekëve, të cilët janë shpallur vullnetarë për t’i ardhur në ndihmë kësaj nisme edhe të gjithë të interesuarit mund t’u drejtohen atyre me anë të sms-ve, whatsapp-it, edhe përmes e-mailave, të shpjegojnë shqetësimet që mund të kenë dhe të marrin prej kolegëve një konsulencë falas. Ne orientojmë, mundohemi që të bëjmë një anamnezë të shkurtër, dhe një triazh, pra, t’u themi, ose të vetëkarantinohen ose të drejtohen sa më shpejt te qendra më e afërt spitalore”, ka theksuar ajo.
E pyetur sesi bëhet pagesa për ata që nuk kanë sigurim shëndeti në Gjermani, Ceno ka thënë se, “normalisht, të gjithë shtetasit që hyjnë në Gjermani si vizitorë, janë të detyruar të presin një sigurim shëndeti në udhëtim para se të largohen nga Shqipëria. Dhe në të gjitha rastet pagesa i kalon sigurimit në Shqipëri dhe pastaj diskutohet midis të dy palëve se ç’pjesë të pagesës do të marrë përsipër sigurimi. Mundësia e dytë është që testi të bëhet me para në dorë. Ai kushton nja 120 euro”.
E pyetur sesi po e prisni ju pikun në spitalin tuaj, Ceno është shprehur se, “situata është akoma nën kontroll. Ka disa spitale që janë kthyer në epiqendra për pacientët me Covid 19, do të thotë, që degët e tjera në këto spitale siç mund të jetë kirurgjia ose të gjitha ndërhyrjet e planifikuara në kardiologji ose në gastroenterologji për momentin janë pezulluar. Edhe spitali ku unë punoj është një nga këto spitale. Per momentin situata është akoma nën kontroll, por ne nuk e dimë se kur do të jetë piku. Nuk e dimë se javës që vjen apo pas dy javësh do të kemi edhe ne një situatë, siç e përjeton për momentin Italia. Një shenjë pozitive është se Gjermania ka marrë këto ditë pacientë edhe nga Italia dhe Franca. Edhe ne kemi marrë pacientë nga Strasburgu, meqenëse jemi pranë Alzasës, dhe kjo është një nga hotspot-et aktuale në Europë”.
E pyetur se cilat janë masat që marrin për të mos u infektuar vetë nga virusi, Ceno ka thënë se, “spitali ynë është i ndarë në tre zona: një zonë jeshile, një të verdhë dhe një të kuqe. Në pjesën e kuqe janë pacientët e vërtetuar se janë të infektuar me Covid 19, në pjesën e verdhë pacientët që presin për rezultatet e tamponit të dytë, sepse i pari ka qenë negativ dhe pjesa jeshile është pjesa e painfektuar. Ata që punojnë në pjesën e kuqe kanë veshje speciale, dhe ndërrohen pas çdo kontakti me pacientin dhe u kërkohet të mos kenë as kontakte me familjarët e tyre. Unë, si kirurge, deri tani jam te pjesa e pastër e spitalit, por mund të ndodhë që pacientët që dyshohen se mund të kenë Covid 19 për shkak të temperaturës së lartë që mund të çohen te çadra e Covid-it dhe mua më kërkohet si kirurge të bëj vizitën, nëse mund të ketë një dhimbje barku ose një apendicit akut. Atëherë unë detyrohem të vishem komplet dhe pasi kam ndërprerë kontaktin me pacientin t’i heq të gjitha veshjet e mia, të cilat vendosen nëpër kosha të veçantë dhe pastaj digjen ose eliminohen”.
E pyetur nëse mendon se mbulimi i fytyrës nuk të mbron, Ceno ka shtuar se, “unë do t’ju këshilloja të shihni udhëzimet zyrtare që jep Instituti Robert Koch. Situata ndryshon shumë shpejt nga dita në ditë. Ne në spitalin tonë deri para një jave nuk kishim nevojë të mbanim maska gjatë punës sonë të përditshme, tani duhet t’i mbajmë ato. Në pavijone të veçantë duhet të mbajmë edhe syze për të mbrojtur mukozën e syrit. Edhe po të vihet re rrugëve të Gjermanisë, disa janë me maska, disa janë pa maska, por ajo që është e rëndësishme të thuhet është që maska ndihmon në parandalimin e përhapjes së virusit nga personi që është i infektuar te personat e tjerë. Ndërsa personat e painfektuar mjafton të ruajnë distancën dhe para çdo kontakti që duart kanë me fytyrën të bëhet një larje dhe dezinfektim i duarve”.
E pyetur nëse kanë ngarkesa psikologjike mjekët, duke pasur parasysh edhe situatën në Itali, Ceno është shprehur se, “po e presim me frikë pikun e Gjermanisë, edhe sepse nuk e dimë se kur do të vijë. Ne zgjohemi çdo mëngjes dhe kemi parasysh skena si në Itali. Për fat situata është ende nën kontroll, por kjo ideja se kur do të shpërthejë edhe në Gjermani ashtu siç ka shpërthyer në Madrid apo edhe në veriun e Italisë, është edhe diçka që është gjithmonë në kokë. Ne mundohemi të flasim me njëri-tjetrin hapur për këtë gjë dhe të përqendrohemi në punën tonë, sepse frika e manipulon një qenien njerëzore. Ne jemi mjekë dhe jemi më të zgjuar sesa paniku i virusit, sepse duke menduar që çdo pacient mund të ketë Covid atëherë fillojmë edhe bëjmë gabime. Nuk ekzaminojmë pacientin, fillomë të anashkalojmë simptomat e tij apo ta fusim atë në shinën e Covid 19 e të mos shohim vërtet se ku është sëmundja e këtij pacienti. Prandaj është shumë e rëndësishme që ne të ruajmë qetësinë tonë, të luftojmë frikën tonë dhe t’u referohemi të dhënave zyrtare që jepen nga institucionet federale në Gjermani, edhe të ruajmë qetësinë dhe të besojmë që do ia dalim”.
E pyetur nëse stafi mjekësor e ndjen veten si në luftë, Ceno ka thënë se, “në fakt, termi luftë është një term të cilin ne po e përdorim edhe midis njëri-tjetrit, edhe kur jemi në spital. Ne jemi në gatishmëri Nuk kemi më një plan të paracaktuar se si do të punojmë sot apo nesër. Nderi në fundin prillit janë anuluar pushimet ose marrjet e pushimeve. Sot jemi në pjesën jeshile, por nesër mund të dalim në pjesën e verdhë, ose në pjesën e kuqe. Pra, ne jemi vërtet në një situate lufte, ne jemi ushtarët e parë që dërgohen në frontin e luftës”.