Me daljet e tij të shpeshta publike në studiot televizive, doktor Pëllumb Pipero është kthyer në imazhin publik të luftës që qindra mjekë dhe infermierë po bëjnë kundër COVID-19.
Mjekëve nuk u ndodh çdo ditë që t’i duartrokasin dhe aq më pak, t’u dedikohet një këngë. Por në kushtet e një pandemie globale të shkaktuar nga një koronavirus i ri vdekjeprurës SARS-CoV-2 , që ka shkaktuar dhjetramijëra viktima në të gjithë botën dhe prej tre javësh e ka futur Shqipërinë në karantinë, ata janë kthyer befas në heronjtë e kohës që po jetojmë.
Humoristi Ermal Mamaqi ka zgjedhur një ripërpunim të këngës italiane ‘Pupp’a pera’ të Francesco Nutit, për t’i bërë homazh punës së palodhur të mjekut infeksionist, Pëllumb Pipero – i cili gjatë javëve të fundit me daljet e shpeshta në ekran është kthyer në një figurë qetësuese për frikën dhe ankthin e shkaktuar nga epidemia.
“Me profesorin kemi njohje, jemi miq. Pëllumb Pipero është ëndrra e çdo fisi sepse besoj të gjithë do donin ta kishin dajë apo xhaxha për t’u konsultuar,” tha Mamaqi gjatë një lidhjeje me ‘Skype’ nga shtëpia në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili në Top Channel.
Kënga ndaj Piperos ndjek duartrokitjet që qytetarët e Tiranës u dhuruan mjekëve dhe infermierëve nga ballkonet e shtëpive të tyre më 14 mars – pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit të ri në Shqipëri, apo mijëra mesazheve që bluzat e bardha kanë marrë në mbështetje të betejës së tyre në rrjetet sociale gjatë kësaj periudhe.
Deri të mërkurën në Shqipëri janë konfirmuar 259 persona të prekur nga COVID-19, ndërsa kanë humbur jetën 15 pacientë, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga kjo sëmundje.
Nga 8 marsi kur u konfirmua rasti i parë me COVID -19, rutina e mjekëve të Infektivit në QSUT – ku aktualisht po trajtohen rreth 80 pacientë me koronavirus, është bërë e vrullshme. Pipero përgjatë këtyre ditëve paniku dhe përballjeje me virusin, e ndan ditën mes spitalit, intervistave televizive dhe mbledhjeve mes ekspertëve.
“Çohem shumë më herët, fle shumë më vonë, nxitoj për në spital, marr pjesë në mbledhjen e mëngjesit, dëgjoj raportimet e mjekëve, marr porositë e rastit nga shefja e shërbimit dhe vrap në krye të detyrës, me pacientët të cilët ditët e fundit janë shtuar shumë. E sigurisht janë shtuar dhe problemet e tyre shëndetësore,” tha Pipero.
“Mbani në konsideratë se veç sëmundjes, këta pacientë janë dhe vetëm. Vetëm në çdo aspekt, por jo pa ne, bluzat e bardha,” shtoi ai.
Me një eksperiencë thuajse 40 vjeçare si mjek infeksionist, Pipero rrëfen se situata e krijuar nga COVID-19 i ngjan një fushë -beteje.
“Ndjehem realisht si në një luftë, të cilën po e përjetojmë të gjithë për herë të parë, luftë me një armik të padukshëm që na sulmon pa mëshirë në të gjitha drejtimet,” tha ai.
“Një armik të cilin mund ta mundim vetëm me durim, kujdes dhe strategji të mirëorganizuar, thelbi i së cilës është qëndrimi në shtëpi,” shtoi ai.
Mjeku infeksionist nuk e fsheh edhe frikën nga virusi, që është bërë një bashkëudhëtar me të në këto ditë të pazakonta.
“Edhe unë kam frikë. Frika është njerëzore dhe besoj pak nga pak, po e kthej dhe unë frikën në kujdes, si gjithë të tjerët, duke mos rënë në panik,” shpjegoi ai.
Ndërsa edhe midis bluzave të bardha janë regjistruar të infektuar me COVID-19, midis të cilëve edhe prof. Dhimitër Kraja, i rikthyer në Infektiv për të ndihmuar stafin në këtë situatë emergjence, Pipero shprehet se mjekët e QSUT-së po gjejnë forcë tek dëshira për t’u shërbyer pacientëve.
“Të gjithë e konsiderojmë veten potencialisht të infektuar, por i japim kurajo vetes për të shërbyer dhe jo për t’u testuar,” tha ai.
E në gjithë këtë betejë me të panjohurën, duket se frika, por edhe forca më e madhe gjenden tek njerëzit e familjes. Ndërsa heq bluzën e bardhë pas një dite të lodhshme, Pipero thotë se pret me padurim një telefonatë qetësuese nga nipi dhe mbesa e tij e vogël, që jetojnë në vatrën e epidemisë, në Milano.
“Familja ime jeton çdo ditë me frikën se mos sëmurem unë, ndërsa unë pres çdo ditë me padurim një telefonatë nga Italia,” tha Pipero. “Më duket se ma mbajnë virusin larg forca që me jep mbesa Mila dhe nipi Enea,” shtoi ai.
Motiv që me sa duket është kthyer edhe në sfidën më të madhe të tij, jo vetëm si mjek.
“Të mos i zhgënjej ata, të tregoj kujdes maksimal për veten për të mbrojtur edhe ata dhe për të bërë të mundur t’iu shërbej pacientëve në spital sa më gjatë, deri në fund të kësaj epidemie, por dhe qytetarëve duke iu dhënë këshilla përmes mediave, të cilat gjej rastin t’i falenderoj,” tha Pipero.
“Në fakt unë jam mes dy familjesh të mëdha, shërbimit të sëmundjeve infektive dhe familjes sime. Nuk ndjehem vetëm. Të dyja i dua dhe i falenderoj shumë,” përfundoi ai.
/Reporter.al