Letër e hapur drejtuar: Mrs. Ursula von der Leyen Presidente, Komisioni Europian
E nderuar znj. Von der Leyen
Më lejoni që t’ju drejtohem me anë të kësaj letre të hapur, si Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri, organizata më e vjetër për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve në vend, për të kërkuar mbështetjen tuaj, si Presidente e Komisonit të BE-së, për të shpëtuar nga uria dhe mbase vdekja, të paktën e 100,000 fëmijëve në Shqipëri, të cilët sot jetojnë në kushte ekstreme të varfërisë, ndër të tjera edhe për shkak të mbylljes në shtëpitë e tyre nga masat që Shqipëria po zbaton në kuadër të mbrojtjes nga Codiv19.
Nuk do ta kisha ndërmarrë një hap të tillë, nëse nuk do të kisha parë tek Qeveria ime një neglizhencë të plotë dhe të paprecedentë për marrjen në mbrojtje dhe vendosjen në një program të plotë mbështetjeje me ushqim, veshje dhe strehim të të gjithë fëmijëve. Ky numër kaq i madh i fëmijëve nuk u krijua brenda ditës!
Ai ka qenë aty edhe më parë, por Qeveria ime ka zgjedhur që t’i harrojë ata! Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe shumë prej organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, si UNICEF etj, kanë zgjedhur edhe ato të heshtin apo të mos bëjnë asgjë.
Që prej mbylljes në shtëpi nga zbatimi i masave kundër Covid19, këta fëmijë janë vendosur në kushtet ekstreme të mbijetesës, por askush nuk e di nëse ata do të mbijetojnë! Familjet e tyre, janë më së shumti të papuna, me shumë fëmijë dhe me pak mundësi për t’u kujdesur si dhe sa duhet për fëmijët e tyre.
Mbyllja në shtëpi, ju ka hequr edhe ato pak mundësi që kishin për ndonjë punë ditore ose sezonale, ndërkohë që ndihma ekonomike që jep shteti im, është aq e vogël, sa nuk mjafton as për ushqimin bazë të një fëmije të vetëm. Mendoni të jesh një familje me 4-6 veta dhe të mbijetosh duke u ushqyer me ushqimin e një njeri të vetëm!
Ky realitet nuk është i panjohur. Rreth 2 javë më parë, ne i drejtuam një letër të hapur Qeverisë sonë, para se ajo të bënte publike planin e saj për masat në ndihmë të ekonomisë dhe qytetarëve! Ne pritëm që Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit t’i përgjigjeshin kërkesës sonë për ndihmë, por deri më sot asgjë!
Ju jeni e informuar, po aq sa unë, që vendi im është një shtet ku korrupsioni dhe krimi i organizuar bëjnë kërdinë në nivelet më të larta, ndaj besoj edhe ju, ashtu si edhe unë, nuk duhet të habitemi kur 100,000 fëmijë lihen të vetmuar e të harruar në urinë e tyre!
Ky është edhe shkaku kryesor pse vendosa t’ju drejtohem juve me këtë letër! Ju jeni një mike e Shqipërisë. Por, përtej kësaj, ju jeni drejtuese e Bashkimit Europian dhe me vendimet tuaja, keni treguar se jeni gjithnjë pranë qytetarëve, kudo ku ata janë!
Vetëm disa ditë më parë, BE-ja i dha Shqipërisë një mbështetje ekonomike prej rreth 50 milionë Euro. Ndonëse kjo është një ndihmë e konsiderueshme, në bindjen time, ajo nuk ka parashikuar mbështetjen për këta fëmijë të rrezikuar!
Unë do t’ju isha thellësisht mirënjohës që si Presidente e Komisionit të BE-së të merrnit në konsideratë kërkesën time dhe të përdorni të gjithë fuqinë tuaj njerëzore dhe mekanizmat që keni në dispozicion, për të bërë pjesë të ndihmës që BE-ja po jep për shtetet dhe qytetarët, edhe nevojat e mbi 100,000 fëmijëve nga Shqipëria!
Së bashku ne mund t’i shpëtojmë ata nga uria duke ju dhënë mundësi për një të ardhme shumë herë më të mirë sesa ajo me të cilën ata përballen sot!
Me respekt,
Altin Hazizaj
Drejtor Ekzekutiv