Bergamo, Itali/ Kjo është zemra e errët e shpërthimit të koronavirusit më vdekjeprurës në botë.
Nga Jason Horowitz/NYTimes
Rrugët e Bergamo-s janë bosh. Si në të gjithë Italinë, njerëzit mund të lënë shtëpitë e tyre vetëm për ushqim, ilaçe dhe punë. Fabrikat, dyqanet dhe shkollat janë të mbyllura. Nuk ka më biseda në qoshet e rrugëve apo në kafene.
Por ato që nuk ndalojnë në këtë qytet janë sirenat.
Ndërsa vëmendja e botës tani zhvendoset në qendrat e tjera të përhapjes së sëmundjes, sirenat vazhdojnë të tingëllojnë. Si sirenat e sulmit ajror të Luftës së Dytë Botërore, ato janë sirenat e ambulancës që do të mbahen mend nga shumë prej të mbijetuarve të kësaj lufte. Zëri i tyre zbehet më shumë ndërsa afrohen, kur vijnë për të mbledhur prindërit dhe gjyshërit, rojet e kujtesës së Italisë.
Nipërit dhe mbesat shohin nga tarracat, dhe bashkëshortët ulen përsëri në qoshet e shtretërve tani bosh. Dhe pastaj sirenat fillojnë përsëri, duke u bërë më të dobëta ndërsa ambulancat largohen drejt spitaleve të mbushura me pacientë me koronavirus.
“Në këtë pikë, gjithçka që dëgjon në Bergamo është sirena,” thotë Michela Travelli.
Më 7 mars, babai i saj, Claudio Travelli, 60 vjeç, po drejtonte një kamion për shpërndarjen e ushqimit në të gjithë Italinë veriore. Të nesërmen, ai kishte ethe dhe simptoma të ngjashme me gripin. Gruaja e tij kishte pasur gjithashtu ethe ditët e fundit, dhe kështu e thirri mjekun e familjes së tij, i cili i tha që të merrte një ilaç të zakonshëm për uljen e temperaturës dhe të pushonte.
Për pjesën më të madhe të muajit të kaluar, zyrtarët italianë kishin dërguar mesazhe të ndryshme për virusin.
Travelli dhe gruaja e tij nuk e morën seriozisht kërcënimin e virusit atëherë, tha vajza e tyre, “sepse nuk shihej akoma si një gjë e rëndë. “Por ai nuk mundi ta ulte dot temperaturën dhe u sëmur më keq”.
Të Premten, 13 Mars, ai ndjeu presion të padurueshëm në gjoks dhe kishte kollë të thatë. Temperatura iu rrit më shumë dhe familja thirri një ambulancë. Një ekuipazh i ambulancës e gjeti babanë e saj me nivel të ulët të oksigjenit në gjak, por, duke ndjekur këshillat e spitaleve të Bergamos, e rekomanduan që të qëndronte në shtëpi. “Ata thanë:” Ne kemi parë më keq dhe spitalet janë si llogoret e një lufte “, tha zonja Travelli.
Një ditë tjetër në shtëpi ai e kaloi me kollë të fortë dhe ethe. Të dielën, z.Travelli u zgjua dhe qau, duke thënë: “Jam i sëmurë. Unë nuk mundem më”, tha vajza e tij. Ai piu më shumë ilaçe kundër temperaturës, por ajo vetëm vijonte të rritej deri në 40 gradë dhe lëkura e tij u bë e verdhë. Këtë herë, kur mbërriti ambulanca, vajzat e tij, të dyja të veshura me doreza dhe maska, paketuan një qese me dy palë pizhame, një shishe me ujë, një celular dhe një karikues. Nivelet e tij të oksigjenit ishin ulur akoma më shumë.
Punëtorët e Kryqit të Kuq po rrinin mbi shtratin, ku ai shtrihej poshtë një pikture të Virgjëreshës Mari. E futën në ambulancë. Nipi dhe mbesa, 3 vjeç dhe 6 vjeç, i dhanë lamtumirën nga ballkoni. Ai i shikoi ata, në ballkonet e mbuluara me flamuj italianë. Atëherë u largua ambulanca dhe nuk kishte asgjë për të dëgjuar. “Vetëm policia dhe sirenat”, tha vajza e tij.
Ekuipazhi i ambulancës që morri zotin Travelli kishte filluar punën herët në mëngjes.
Në orën 7:30 në mëngjes, një ekuipazh prej tre vullnetarësh të Kryqit të Kuq u takuan për të siguruar që ambulanca ishte çertifikuar si e pastruar dhe e pajisur me oksigjen. Ashtu si maskat dhe dorezat, oksigjeni ishte bërë një burim gjithnjë e më i rrallë. Ata ndihmojnë njëri-tjetrin duke hedhur dezinfektues në duar dhe alkol për telefonat e tyre.
“Ne nuk mund të jemi shpërndarës të virusit,” tha Nadia Vallati, 41 vjeç, një vullnetare e Kryqit të Kuq, e cila punon në zyrën e taksave të qytetit. Zonja Vallati dhe kolegët e saj presin që të bjerë përsëri një alarm në zyrën e tyre. Asnjëherë nuk zgjat shumë pa ndodhur.
Jo fort të dallueshëm nga njëri-tjetri me veshtjet mjekësore të bardha mbi uniformat e tyre të kuqe, anëtarët e ekuipazhit hynë në shtëpinë e z.Travelli më 15 mars me pajisje oksigjeni. “Gjithmonë me oksigjen,” tha Vallati.
Një nga rreziqet më të mëdha për pacientët me koronavirus është hipoksemia, ose oksigjeni i ulët në gjak. Leximet normale janë midis 95 dhe 100, dhe mjekët shqetësohen kur numri ulet nën 90.
Zonja Vallati tha që ajo kishte gjetur pacientë me koronavirus me nivel 50. Buzët e tyre janë blu. Gishtat e tyre të këmbëve kthehen në violetë. Ata marrin frymë shpejt, cekët dhe përdorin muskujt e stomakut për të tërhequr ajrin. Mushkëritë e tyre janë shumë të dobëta.
Në shumë prej apartamenteve që ata vizitojnë, pacientët marrin rezervuarë të vegjël oksigjeni, të cilët blihen për ta me recetë të mjekut nga anëtarët e familjes. Familja qëndron në shtrat pranë tyre. Ata hanë me vete në tryezën e kuzhinës dhe shikojnë nw Tv raportimet e natës së shkuar për të vdekurit dhe të infektuarit në Itali duke pasur të afërmin e sëmurë aty pranë.
Më 15 Mars, Znj Vallati vendosi dorën e saj, të mbështjellë me dy shtresa të dorezave blu, në gjoksin e Teresina Coria, 88 vjeç, duke matur nivelin e saj të oksigjenit. Të nesërmen, Antonio Amato, një burrë në moshën 40 vjeç, u ul në kolltukun e tij, duke mbajtur rezervuarin e oksigjenit ndërsa fëmijët e tij, të cilët ai nuk mund t’i mbante afër nga frika e ngjitjes, u larguan nga dhoma.
Të shtunën, zonja Vallati e gjeti veten në dhomën e gjumit të një burri 90 vjeç. Ajo pyeti dy mbesat e tij nëse ai kishte pasur ndonjë kontakt me këdo që kishte koronavirus. Po, thanë ato, djali i këtij burri, babai i tyre, i cili kishte vdekur të Mërkurën. Gjyshja e tyre ishte larguar të Premten në spital dhe ishte në gjendje kritike.
“Ato nuk qanin”, tha ajo, sepse “ato nuk kishin më lot.”
Në një rrugë tjetër të kohëve të fundit në Valle Seriana ku ka shumë të infektuar, zonja Vallati tha, ata morën një grua rreth 80 vjeç. Burri i saj me të cilin kishin ndarë shumë dekada jetë bashkë kërkoi që t’i jepte puthjen e lamtumirës. Por Vallati i tha që nuk mundej, sepse rreziku i infektimit ishte shumë i lartë. Pasi e ndoqi me sy deri në fund ekuipazhin që merrnin gruan e tij, ajo e pa burrin që po hynte në një dhomë tjetër duke mbyllur derën pas vetes.
Ndërsa ata që dyshohen për infeksion janë dërguar në spitale, vetë spitalet nuk janë më të sigurt. Zyrtarët e Bergamos së pari zbuluan koronavirusin në spitalin Pesenti Fenaroli di Alzano Lombardo.
Deri atëherë, zyrtarët thonë, se kishte qenë i pranishëm për ca kohë, i maskuar si pneumoni e zakonshme, duke infektuar pacientë të tjerë, mjekë dhe infermierë. Njerëzit e bartnin atë nga spitali dhe brenda qytetit, jashtë qytetit dhe krahinës. Të rinjtë ia kaluan prindërve dhe gjyshërve të tyre. Ai u përhap rreth sallave të bingove dhe mbi gota kafeje.
Kryetari i bashkisë, z.Gori, ka folur rreth asaj se si infeksionet kanë shkatërruar qytetin e tij dhe kanë thyer një nga sistemet gati më të pasura dhe të sofistikuara të kujdesit shëndetësor të Evropës. Mjekët vlerësojnë se 70,000 njerëz në krahinë kanë marrë virusin. Bergamo është dashur të dërgojë 400 trupa të atyre që kanë vdekur në provinca, rajone dhe vende të tjera, sepse në qytet nuk ka vend për ta.
“Nëse duhet të identifikojmë një shkëndijë,” tha ai, “ishte spitali.”
Kur arrin një ambulancë, ekuipazhi i saj vazhdon punën me kujdes ekstrem. Vetëm një nga tre, drejtuesi i ekipit, shoqëron pacientin brenda. Nëse pacienti është i rëndë, një tjetër e ndihmon.
Këtë fundjavë, një grup mjekësh nga një spital i Bergamos shkruajti në një ditar mjekësor të shoqëruar me Neë England Journal of Medicine se “ne po mësojmë se spitalet mund të jenë transportuesit kryesorë të Covid-19″pasi ato janë të populluara nga pacientët e infektuar duke e bërë më të lehtë transmetimin tek pacientët e painfektuar. ”
Ambulancat dhe personeli i tyre infektohen, por mbase nuk tregojnë simptoma dhe përhapin virusin më tej. Si rezultat, mjekët kërkuan kujdes nga shtëpia dhe klinikat e lëvizshme që të mos sjellin njerëz në spital përveç nëse është absolutisht e nevojshme.
Por zonja Vallati tha që ata nuk kishin zgjidhje tjetër me çështjet më të rënda.
Dr Ivano Riva, një anesteziologe, tha se spitali ende pranonte deri në 60 pacientë të rinj me koronavirus në ditë. Ata janë testuar për virusin, por në këtë pikë provat klinike – kollitjet, niveli i ulët i oksigjenit, ethet – janë një tregues më i mirë, veçanërisht pasi 30 përqind e testeve prodhuan rezultate negative të rreme.
Oksigjeni rrjedh kudo nëpër spitalet e Lombardisë tani, dhe punëtorët po shtynin vazhdimisht karroca me pajisje oksigjeni korridoreve. Një kamion i mbushur me oksigjen është parkuar jashtë. Pacientët bllokohen pranë furnizimit të dollapëve dhe korridoreve.
Doktor Riva tha që vetëm 26 nga 101 anëtarët e stafit mjekësor të spitalit të tij nuk ishin duke punuar me të sëmurët me koronavirus. “Është një situatë që askush nuk e ka parë kurrë, nuk mendoj në asnjë pjesë tjetër të botës,” tha ai. Nëse njerëzit nuk qëndrojnë në shtëpi, tha ai, “sistemi do të dështojë.”
Kolegët e tij shkruan në letër se shtretërit e njësisë së kujdesit intensiv ishin të rezervuar për pacientët me koronavirus me “një shans të arsyeshëm për të mbijetuar”. Pacientët emoshuar, thanë ata, “nuk rikthehen përsëri në jetë dhe vdesin vetëm.”
Travelli përfundoi në spitalin e afërt Humanitas Gavazzeni, ku, pas një rezultati negativ, ai doli pozitiv për virusin. Ai është akoma gjallë.
“Papa, keni qenë me fat sepse keni gjetur një shtrat – tani ju duhet të luftoni, luftoni, luftoni”, i tha vajza e tij Michela në një telefonatë, e fundit e tyre para se të pajisej me një helmetë për të lehtësuar frymëmarrjen e tij. “Ai u tremb,” tha ajo. “Ai mendoi se po vdiste.”
Ndërkohë, zonja Travelli tha se ajo ishte karantizuar dhe kishte humbur sensin e saj të shijes për ushqimin, një ankesë e shpeshtë mes njerëzve pa simptoma, por që kanë pasur kontakte të ngushta me virusin.
Kështu që shumë njerëz po vdesin kaq shpejt, morgu në spital dhe punëtorët e varrimit nuk mund tia dalin. “Ne i marrim të vdekurit nga mëngjesi deri në mbrëmje, njëri pas tjetrit, vazhdimisht,” tha Vanda Piçioli, e cila drejton një nga shtëpitë e fundit të funeralit që qëndron akoma e hapur. Të tjerët janë mbyllur si pasi janë sëmurë drejtuesit e funeraleve, disa janë në kujdesin intensiv. “Zakonisht ne i nderojmë të vdekurit. Tani është si një luftë dhe ne mbledhim viktimat. ”
Zonja Piçioli tha që një anëtar i stafit të saj kishte vdekur nga virusi të Dielën. Ajo e konsideroi mbylljen e aktivitetit, por vendosi ta mbante pasi tha se ata kishin përgjegjësi për të vazhduar më tej, përkundër asaj që ajo tha se ishte një terror i vazhdueshëm i infeksionit dhe traumës emocionale. “Më duket sikur jemi një sfungjer dhe thithim dhimbjen e të gjithëve,” tha ajo.
Ajo tha që personeli i saj lëvizte 60 trupa të infektuar çdo ditë, nga spitalet Papa Giovanni dhe Alzano, nga klinikat, nga shtëpitë e infermierëve dhe apartamentet. “Është e vështirë për ne të marrim maska dhe doreza,” tha ajo. “Ne jemi një kategori në hije.”
Piçioli tha që në fillim, ata kërkuan që të dërgonin sendet personale të të vdekurve, të mbajtur në qese plastike të kuqe, përsëri tek të dashurit e tyre. Pizhame. Pantofla… Por tani ata thjesht nuk kanë kohë ta bëjnë këtë.
Megjithatë, thirrjet për ekuipazhin e Kryqit të Kuq nuk ndalojnë.
Më 19 Mars, znj.Vallati dhe ekuipazhi i saj hynë në banesën e Maddalena Peraçhi, 77 vjeç, në Gazzaniga. Asaj i kishte mbaruar oksigjeni. Vajza e saj Cinzia Cagnoni, 43 vjeç, e cila jeton në apartamentin e katit të poshtëm, priste një furnizim të ri që do të arrinte të hënën, por vullnetarët e Kryqit të Kuq i thanë asaj që nuk do të duronte kaq gjatë.
“Ne ishim pak të shqetësuar sepse e dinim se kjo mund të ishte hera e fundit që e pamë njëra-tjetrën,” tha Znj.Cagnoni. “Është si të dërgosh dikë që të vdesë vetëm.”
Ajo, motra e saj dhe babai u munduan të tregonin guxim në fytyrën e tyre nën maska dhe i thanë asaj: “Mund t’ia dalësh, ne do të presim, ka ende shumë gjëra që duhet të bëjmë bashkë. Lufto.
”
Ajo është një grua me besim të thellë katolik, tha vajza e saj, e cila kishte temperaturë edhe vetë gjatë natës kur ambulanca e mori nënën e saj dhe që prej asaj kohe ka mbetur në karantinë. Ajo që i dhemb shumë për nënën e saj është se nëse do të ndodhte diçka, “nuk mund të bëjmë dot një varrim”.
Për shkak të virusit, të gjitha ritet fetare dhe civile janë të ndaluara në Itali. Kjo përfshin edhe funeralet. Varrezat e Bergamos janë mbyllur. Një arkë e ftohtë e arkivolëve pret në një bllokim trafiku për krematoriumin brenda kishës së varrezave.
Zyrtarët kanë ndaluar ndryshimin e rrobave të të vdekurve dhe kërkojnë që njerëzit të varrosen me pizhamat ose fustanet mjekësore me të cilat ishin veshur kur vdiqën. Trupat duhet të mbështillen në një mantel shtesë ose një rrobë dezinfektuese. Kapakët e arkivoleve, të cilat zakonisht nuk mund të mbyllen pa një certifikatë zyrtare të vdekjes, tani mund të jenë të mbyllur, megjithëse ende duhet të presin të vulosen. Ndodh që trupat e të vdekurëve të qëndrojnë në shtëpi me ditë të tëra, pasi shkallët dhe dhomat bëhen veçanërisht të rrezikshme.
“Ne po mundohemi ta shmangim këtë,” tha drejtorja e funeralit, znj. Piçioli, për vizitat në shtëpi. Në shtëpitë e të moshuave është shumë më e lehtë sepse mund të mbërrijmë me pesë ose gjashtë arkivole për t’u mbushur dhe ngarkuar direkt në furgonë. “E di se është e tmerrshme ta thuash,” tha ajo.
Përmes një rrjeti të priftërinjve vendas, ajo ndihmon në organizimin e lutjeve të shpejta, sesa të varrosjeve të duhura, për të vdekurit dhe familjet që nuk janë në karantinë.
Ky ishte rasti për Teresina Gregis, e cila u soll në varrezat Alzano Lombardo më 21 mars pasi vdiq në shtëpi. Punëtorët e autoambulancës i kishin thënë familjes së saj që nuk kishte vend në spitale.
“Të gjithë shtretërit janë plot,” i thanë familjes, sipas nuses së djalit të saj, Romina Mologni, 34 vjeçe. Ajo ishte 75 vjeç , “besoj se ata i dhanë përparësi të tjerëve që ishin më të rinj.”
Në javët e saj të fundit në shtëpi, familja u përpoq të gjente oksigjen, duke udhëtuar në të gjithë krahinën ndërsa ajo ishte ulur përballë kopshtit të saj dhe lulet prej letre që i adhuronte.
Kur ajo vdiq, të gjitha dyqanet e luleve u mbyllën për shkak të bllokimit. Zonja Mologni në vend të kësaj solli në varreza një nga kutitë me lulet prej letre të vajzave të saj për gjyshen. “Asaj i pëlqente shumë.”