Nga Denis Dyrnjaja
Albin Kurti është një politikan i kompletuar, por ka një defekt të vogël por me kosto të madhe. Është DELIRANT. I pëlqen vetja dhe vetja e rrëzoi si kryeministër.
Për koincidencë ka një ngjashmëri të karakterit politik me Trockin, njeriu që frymoi dhe udhëhoqi revolucionin bolshevik në fillimshekullin e kaluar në Rusi. Edhe Trocki, ishte brilant në publik, masat e donin, ishte i zgjuar deri në stazhinim të rrafinimit, por ishte dhe prepotent dhe intrigant i fshehur, adhurues i vetvetes. Ai bëri revolucionin por ustallarët e tjerë korrën frytet (Lenini me Stalinin). Sepse Trocki mbështetur në delirin e tij i sfidoi, ata e nxorën nga loja.
Historia i përsërit personazhet dhe tipologjitë e saj pavarësisht përmasave, rrethanave dhe kontekstit të ngjarjeve. Shumë vetë e adhurojnë Albin Kurtin për fjalimet dhe qëndrimet publike. I ka me mesazhe të forta në fakt, fjali të goditura e të qarta. Ka karizmë natyrale. Është politikan dinak, që i thotë popullit atë që populli do të dëgjojë e ndërmerr aksione dhe akte që populli dëshiron t’i shikojë. Pra është tipik politikani populist revolucionar, që krijon impakt të menjëhershëm e të fortë.
Në fakt brenda vetes ai nuk është politikani që ne shohim dhe dëshirojmë ose adhurojmë që të jetë. Është dikush tjetër që megjithë, kamuflimin e zgjuar, nuk ka arritur ta fshehë plotësisht. Ai është prepotenti i maskuar si njëri prej të gjithëve dhe këtë pjesë nuk ka arritur dot ta fshehë, ndoshta se dhe nuk do ta fshehë pasi e mendon si pjesë të plotësimit të figurës dhe karizmës politike.
Dallim i madh ky me një tjetër protagoniste të politikës kosovare, Vjosa Osmanin. Ajo flet si Albin Kurti, me gjuhën dhe idealizmin e tij politik, por nuk ka të njëjtën filozofi politike dhe në brendi duket se nuk është si ai. Ajo shfaqet dhe të lë ndjesinë se është realiste dhe idealiste, por nuk është populiste. Vjosa Osmani duket se nuk kërkon delirin, por idealin dhe rend drejt tij. Kurse Albin Kurti promovon idealin dhe idealizmin për të ushqyer delirin. Kaq e thjeshtë është diferenca.
Për pjesën tjetër se çfarë është Thaçi me kompani, Haradinaj me kompani e Mustafa me kompani s’ka nevojë me harxhu kohë, se ata vetë e kanë konsumuar kohën e tyre në funksion të pasurimit vetjak e klanor. Në çdo rast ashtu sikurse Shqipëria edhe Kosova vështirë do ta ketë te gjejë e të ketë lidership të besueshëm. Kushdo qoftë emri që do t’i qeverisë dy shtetet shqiptare nuk do dalë nga prototipi i politikanit 600 vjeçar që prej kohës së Turqisë. Ai do të jetë ose tradhëtar ose delirant. Fatkeqësisht koha na ka provuar se gjithnjë kështu ka ndodhur.